Monday, October 11, 2010

Janullatosi duhet të lirojë Pallatin e Kulturës në Përmet

“E vërteta do të na çlirojë” dhe “e vërteta është konkrete”, thotë Hegeli.
Të vërtetën e mbron ligji. Të vërtetën e do atdhetari, sepse patriotizmi në demokraci është bindje ndaj ligjit, është sjellje ndaj të mirave të përbashkëta, është domosdoshmëri për të ecur përpara, është sjellje në shërbim të atdheut.


Profesor Kristo Frashëri, në artikullin e tij me titull “Bollano e Dule t’u kërkojnë falje shqiptarëve”, botuar në “Gazetën Shqiptare” datë 20.09.2010, parashtron e analizon ndodhitë e fundit në vend edhe në rrafshin historik dhe mbron me të drejtë interesat e Shqipërisë. Një javë më vonë, po në “Gazetën Shqiptare”, më 26.09.2010, Kryepeshkopi Janullatos i përgjigjet profesor Kristo Frashërit me artikullin “Rasti “Guma” ku gënjen Kristo Frashëri”. Profesor Kristo Frashërin e ka lartësuar historia, ai është historian i shquar, personalitet i historiografisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, që i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, ai nuk ka nevojë të mbrohet nga askush se gjithkush mëson nga vepra e tij, ai është një enciklopedi me vlera për historinë, kulturën dhe qytetërimin e Shqipërisë.
“Me këmbënguljen e tij (Kryepeshkopit Janullatos – K.B) autoritetet shtetërore shqiptare po zvarritin vendimin që kanë marrë të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar për t’ia kthyer bashkësisë qytetare të Përmetit Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, vetëm se, siç duket, Athina kërkon të lërë Përmetin pa një shtëpi kulture shqiptare”, shkruan profesor Kristo Frashëri.

1- Vendimet e pushtetit gjyqësor nuk respektohen nga kishaKonflikti gjyqësor midis Qendrës Kulturore të Bashkisë Përmet dhe Kishës Ortodokse Përmet filloi më 25 shtator 1997 dhe përfundoi më 5 maj 2004. Të tria shkallët e gjyqësorit, Shkalla I me Vendimin Nr. 484 datë 10.07.2001, Apeli me Vendimin Nr. 122 datë 21.03.2002 dhe Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 1640 datë 14.10.2003, vendosën që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, ngritur nga themelet nga shteti dhe përuruar më 1962, të mos tjetërsohet e të kthehet në kishë po të vazhdojë të ngelet e të lartësohet si tempull i kulturës në zemër të Përmetit. Vendimet e të tri shkallëve të pushtetit gjyqësor, të Shkallës I, të Apelit e Gjykatës së Lartë, u vlerësuan të rregullta, kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 66 datë 05.05.2004.

Në hapësirën e kësaj kohe, më 24.02.2002 dhe më 19.07.2002, hirësia e Tij, zoti Janullatos, ka ardhur në Përmet. Pas ardhjes së parë ndryshimet në mjediset e brendshme të Pallatit të Kulturës u shtuan edhe pse Gjykata e Shkallës I Gjirokastër e kishte rikthyer Pallatin e Kulturës në pronësi të Qendrës Kulturore Përmet me Vendimin Nr. 484 datë 10.07.2001. Herën e dytë, kryepeshkopi Janullatos, qëndroi dhe foli greqisht në Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” dhe, këtë institucion të rëndësishëm dhe të vetëm të kulturës në qytetin e Përmetit, e cilësoi me emrin Kisha e Shën Mërisë dhe jo me emrin e vërtetë Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, si cilësohej në vendimet e gjyqësorit dhe si e thërrisnin dhe si e cilësojnë edhe sot qytetarët e Përmetit, edhe pse nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës me Vendimin e formës së prerë Nr. 122 datë 21.03.2002 Pallati i Kulturës iu rikthye në pronësi Qendrës Kulturore të Bashkisë Përmet. Kryepeshkopi Janullatos foli në Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, në ndërtesën që nuk ishte kishë për Kishën e Shën Mërisë dhe nuk shkoi në kishat me vlera historike e kulturore siç janë Kisha e Shën Kollit dhe Kisha e Shën Premtes, të dyja monumente të kulturës që ruheshin dhe ruhen me ligj nga shteti. Në Kishën e Shën Kollit, ndërtuar më 1757, pasi u vra dhe iu pre koka nga një bandë e paguar nga reaksioni fetar e shtetëror nga qarqe të caktuara të Greqisë më 24 dhjetor 1917, u varros me nderime nga qytetarët dhe qëndroi aty deri në vitin 1962 trupi pa kokë i priftit kombëtar At Stath Melani, i cili predikoi shqip qysh më 1899 në Mitropolinë e Përmetit dhe për të cilin Fan Noli është shprehur se ky klerik atdhetar është “një hero dhe dëshmor i madh i Shqipërisë”. Kisha e Shën Premtes është e pajisur me piktura murale dhe punime të gdhendura në dru. Është ndërtuar më 20 prill 1776. Afresku i saj është realizuar më 19.09.1808 nga piktori Tërpo Zografi, djali i piktorit Kostandin Zografi nga Korça, ndërsa ikonostasi është punuar nga gdhendësa druri nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica. Në Kishën e Shën Premtes, sipas traditës gojore të qytetit, në vitet 1920 - 1922 u këndua për herë të parë Ungjilli në gjuhën shqipe nga burri i shtetit, atdhetari i madh demokrat, kleriku i lartë, poeti, përkthyesi, publicisti, dijetari, historiani e muzikologu Fan Stilian Noli, i cili erdhi dhe qëndroi në Përmet në shtëpinë e Ndreko Stavro Çelikut, sekretarit të gazetës “Dielli” dhe sekretarit të përgjithshëm të Federatës “Vatra”. Më 17 qershor 1991 Kisha e Shën Premtes u vizitua nga At Artur Liolini, kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Në shkrimin e Tij, “Rasti “Guma”, ku gënjen Kristo Frashëri”, botuar në Gazetën Shqiptare më 26.09.2010, Kryepeshkopi Janullatos as që nuk i përmend vendimet e gjyqësorit të dhëna në emër të Republikës së Shqipërisë në favor të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që me të drejtë dhe si është e vërteta i cilëson dhe kërkon të ekzekutohen prof. Kristo Frashëri, të cilat ia rikthejnë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” bashkësisë qytetare të Përmetit. Pallati i Kulturës u mor në mënyrë antiligjore më 15.06.2001 nga Kisha e Përmetit, kur çështja ishte duke u gjykuar me themel dhe pa asnjë gjyq për lirimin dhe dorëzimin e objektit si dhe pa asnjë urdhër ekzekutimi të ndonjë gjykate dhe, u veprua kështu, kur nuk shkonte, nuk shkon dhe as ka për të shkuar as Pallati i Kulturës nga Përmeti dhe as Përmeti nga Shqipëria.
Nga Kryepeshkopi Janullatos thuhet se vendi “nuk është kthyer tek kisha ortodokse”, ndërsa nga Kisha e Përmetit edhe pse vendimet e gjyqësorit kanë fuqi detyruese nuk lirohet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”.
Si ta kuptojmë: Kisha e Përmetit nuk respekton ligjin e shtetit dhe nuk zbaton urdhrin e Kryepeshkopit apo Kryepeshkopi nuk respekton vendimet e shkallëve të gjyqësorit dhe nuk urdhëron Kishën e Përmetit të lirojë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. Një gjë është më se e qartë: Kryepeshkopi Janullatos nuk respekton pushtetin gjyqësor të Shqipërisë.
2. E vërteta mbi ngritjen e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”
Në shkrimin e botuar në Gazetën Shqiptare më 26.09.2010, Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndër të tjera shkruan: “U shkatërrua streha e kishës së vjetër, u përdorën muret e vjetra, u bënë riparime dhe u vendos aty Shtëpia e Kulturës”.
Kjo nuk është e vërtetë, ndaj dhe janë të pavërteta pohimet e Kryepeshkopit Janullatos.

Si është e vërteta?
Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” u ndërtua që nga themelet dhe u investua tërësisht nga shteti. Në vitet 1960 - 1964 u hartua dhe u realizua një plan i ri rregullues për qytetin e Përmetit, i cili, ndoshta, vinte pas atij të viteve 1805 – 1808 dhe të 31 korrikut 1946. Në hapësirën e gjelbërt, sot lulishte dhe ku ngrihet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, në vitet ’60 të shekullit XX, kanë qenë: ndërtesa me dy kate e Bankës së Shtetit, Klubi i Gjuetarëve, disa ndërtesa banimi për ushtarakët, Kisha e Shën Marisë së Pazarit, ndërtesa dykatëshe e Kursit të Partisë së Punës dhe ndër të tjera edhe Kulla e Gjon Fushës. Në kuadrin e planit të ri urbanistik të gjitha ndërtesat u shëmbën dhe u ngrit nga themelet në qendër të lulishtes vetëm Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”. Pallati i Kulturës u ngrit në zbatim të Vendimit Nr. 69 datë 11.08.1960 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Përmet dhe, nga e gjithë sipërfaqja e truallit prej 584 m2 mbi të cilën ajo u ngrit, vetëm 4.28 % ose më saktë 25 m2 i takojnë truallit mbi të cilën ngrihej Kisha e Shën Marisë së Pazarit. Punimet filluan më 11 prill 1961. U përurua më 28 nëntor 1962, në Ditën e Flamurit, në kuadrin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo e vërtetë, e dalë edhe në gjykimet me themel në të tri shkallët e gjyqësorit, evidentohet si dhe u evidentua: Së pari, nga dokumentacioni origjinal dhe i pakontestueshëm i Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit Tiranë dhe Arkivit të Bashkisë së rrethit Përmet. Këto materiale arkivore, ku ndër të tjera përfshihen planvendosja dhe planimetria e gjithë objektit, projektet e ndërtimit të katit përdhe dhe të katit të dytë të Pallatit të Kulturës, mjetet e domosdoshme financiare të shprehura këto edhe në vlerën e inventarit të ndërtesës së këtij institucioni si mjet themelor i Qendrës Kulturore Përmet, hedhin dritë të plotë se është shteti që e ka investuar dhe që e ka ngritur tërësisht që nga themelet Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. Së dyti, nga akt-ekspertiza e datës 07.10.2000 e ekspertëve, arkitektit Jorgo Xuhano dhe topografit Hasan Bushi, të caktuar nga gjykata dhe të pranuar edhe nga Qendra Kulturore, drejtori Kastriot Bezati, si dhe nga Kisha Ortodokse e përfaqësuar nga At Vasil Thomollari. Nga kjo akt-ekspertizë doli qartë edhe një herë ajo që u evidencua nga dokumentacioni arkivor i siguruar në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit Tiranë dhe në Arkivin e Bashkisë Përmet. Raporti midis objektit dhe vlerës së truallit që zë objekti është 99.3 % për shtetin dhe vetëm 0.7 % për Kishën e Përmetit.Së treti, nga Vendimi Nr. 75 datë 27.02.1995 i Komisionit të KK të Pronave të Bashkisë Përmet, i cili nuk ia njohu e për rrjedhojë nuk ia ktheu Pallatin e Kulturës Kishës, por për sipërfaqen e truallit që ajo zinte më parë i dha të drejtën e kompensimit sipas nenit 16/a – c të Ligjit Nr. 7698 datë 15.04.1993.Së katërti, nga fakti se në traditën përmetare është guri i zi dhe jo guri i bardhë ai me të cilin janë ndërtuar historikisht kishat në trevën e Përmetit dhe, me të tillë gurë të zinj, ishin dikur themelitë dhe gjithë ndërtesa e Kishës “Shën Maria e Pazarit”, e cila, sipas historianit Stilian Adhami, u ngrit në vitet ‘30 të shekullit XX, po ajo , - vazhdon më tej ai, - ngeli vetëm si karabina, nuk pati asnjë vlerë, ndërsa historiani Apostol Kotani thotë se kjo kishë u ndërtua në vitin 1938 dhe ndërtesa ishte e pasuvatuar, kishte vetëm disa ikona si dhe një kambaneri. Themelitë dhe vetë ndërtesa e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” nuk janë me gurë të zinj por me gurë të bardhë, marrë ky kryesisht në Grykën e Këlcyrës dhe më pak në Derviçan të Gjirokastrës.Së pesti, parë në rrafshin e strukturës ndërtimore e arkitekturore, Pallati i Kulturës së Përmetit është i njëjtë me Pallatin e Kulturës së Tepelenës dhe kjo për vetë faktin se, të dy këto institucione kulturore, janë ndërtuar mbi bazën e të njëjtit projekt të hartuar nga Ministria e Ndërtimit. Së gjashti, si, kur dhe nga kush është ndërtuar Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” e dinë qytetarët e Përmetit. “Shtëpia e Kulturës është ndërtuar tërësisht nga shteti”, - thuhet në Kërkesën e datës 25.03.1998 të Këshillit të rrethit të Përmetit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. ”Të gjithë përmetarët e dinë mirë që ky objekt është ngritur nga themelet gjatë viteve të pas Çlirimit”, i shkruanin midis të tjerash më 02.08.1997 një grup intelektualësh Bashkisë së Përmetit. Ndërsa në Letrën e Hapur që të gjitha forcat politike dhe shoqatat atdhetare e kulturore të rrethit të Përmetit i drejtuan më 22.04.1999 Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese dhe për njoftim edhe Kryeministrit e Ministrit të Kulturës, ndër të tjera thuhet:
“Kjo godinë është ngritur nga themelitë në vitet ’60 të këtij shekulli dhe si pronare e ligjshme është Qendra Kulturore.... Theksojmë se Shtëpia e Kulturës duhet të mbetet në pronësi të Qendrës Kulturore se e drejta është me të dhe i shërben gjithë popullit të Përmetit”. “Ju sigurojmë se përpjekjet tona do të jenë maksimale për të ruajtur Shtëpinë e Kulturës”, thuhet ndër të tjera në Deklaratën që Këshilli i Bashkisë iu drejtua qytetarëve të Përmetit më 3 korrik 2001. Zbatimin e vendimeve të gjyqësorit për Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” e kërkojnë edhe 36 akademikë e profesorë nga më të shquarit e Shqipërisë dhe 48 intelektualë nga më të mirët e Përmetit, të cilët iu drejtuan me letra të veçanta Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, të parët më 29.05.2007 dhe të dytët më 08.06.2007. Akademikët e profesorët në letrën e tyre ndër të tjera shkruajnë: “Në Shqipëri askush nuk duhet të dalë mbi ligjin: asnjë njeri, asnjë komunë apo bashki, asnjë institucion qendror i vendit, as edhe Kryeministria apo Presidenca. Institucionet e kultit, që janë të domosdoshme, duhet të respektojnë dhe t’i binden ligjit të Shqipërisë. Hirësia e tij, zoti Janullatos, duhet të lirojë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri””.
Në letrën e intelektualeve të Përmetit ndër të tjera thuhej: ”Ashtu si në çdo shtet të Europës edhe në Shqipëri të veprojë ligji dhe vetëm ligji … Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” është ngritur tërësisht nga shteti në vitin 1962... Këto vitet e fundit ky institucion është uzurpuar e dhunuar padrejtësisht e në mënyrë antiligjore nga kisha …Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” të mbetet e të lartësohet si Tempull i Kulturës”.

Së shtati, shumë qartë për ngritjen mbi themele të reja të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” flasin listë-pagesat e punëtorëve për punimet e kryera në objektin e Pallatit të Kulturës në vitet 1961-1962. Pa i analizuar në rrafshin tërësore këto listë-pagesa, po cilësojmë të dhënat e nxjerra vetëm nga listë-pagesat e muajve prill dhe maj të vitit 1961. Puna, si cilësuam, për ngritjen e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, filloi më 11 prill 1961 nga Kantieri i Ndërtimit të Përmetit i Ndërmarrjes së Ndërtimit të Gjirokastrës, nën drejtimin e ing. Harito Kaso dhe teknikut të ndërtimit Argjir Kristulla. Vetëm nga 11.04 deri më 30.04.1961 u kryen 67.80 metra kub gërmime dheu themeli të kategorisë IV, i barabartë ky volum me 101 ml themele për ngritjen e Pallatit të Kulturës. Këto gërmime vazhduan edhe në majin e 1961-it. Vetëm nga 01.05 deri më 15.05.1961 u ndërtuan 106.90 metro kub mur guri themeli, i barabartë ky volum pune me 159 ml themele të bëra me mur guri (103 ml themele perimetrale dhe 55.5 ml themele në brendësi), aq sa janë themelet tërësore të Pallatit të Kulturës. Ku janë “muret e vjetra” që u përdorën për ngritjen e Pallatit të Kulturës? Ku “u bënë riparime dhe u vendos aty Shtëpia e Kulturës”? Më vjen rëndë të përdor fjalën “gënjen”, ndaj duke ndjerë detyrimin për të thënë të vërtetën, si dhe e kam thënë, deklaroj se janë të pavërteta thëniet e Kryepeshkopit Janullatos.

Burim i madh i së vërtetës sot janë edhe njerëzit e ligjit, avokatët që e mbrojtën Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” me provat e shumta të parashtruara në seancat e panumurta të shkallëve të gjyqësorit: Minushe Çobo, Delo Isufi, Dashamir Kore e Merko Muhametaj. Janë gjyqtarët e të gjitha shkallëve të gjyqësorit, të cilët iu nënshtruan vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë, njerzit e drejtësisë së vërtetë, të cilët morën vendime të mbështetura vetëm në ligj dhe në prova si dhe në zbatimin e drejt si të ligjit material ashtu dhe të ligjit procedural, ndër të cilët cilësojmë: Blerta Çibuku, Izet Salaj, Zamir Poda, Gjergj Sauli, Bashkim Caka, Mirela Kore, Shkelqim Mustafa, Irena Brahimi, Aleksandër Muskaj, Valentina Kondili, Natasha Sheshi, Irma Bala, Alfred Karamuço dhe Kristofor Peçi.

3. Qendra Kulturore e PërmetitKryepeshkopi në artikullin e tij të datës 26.09.2010 ndër të tjera flet edhe për një “vend që është caktuar për t’u vendosur Qendra Kulturore”.
Ku është ky vend?
Nuk mund të identifikohet me apo pa qëllim ndërtesa e muzeut me tërësinë e ndërtesave kulturore që kërkon e ka në juridiksionin e vet Qendra Kulturore e qytetit të Përmetit. Unë kam qenë drejtor i Qendrës Kulturore në hapësirën kohore 1996–2007. U pushova me pa të drejtë nga puna nga kryetari i Bashkisë, Edmond Komino, se mbrojta Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, i cili ka kohë që përpiqet dhe po vazhdon të përpiqet të vrasë apo largojë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” nga zemra e Përmetit. “Pushohet drejtori i Qendrës Kulturore të Përmetit, studiuesi i kulturës dhe historisë, zoti Kastriot Bezati, vetëm se mbron ligjin, vetëm se bëri që shteti të fitonte në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke ia lënë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” qytetit me emër të Përmetit. E kundërta duhej të ndodhte: ata që pushuan drejtorin duhet të pushoheshin apo largoheshin nga puna e shtetit”, thuhet në letrën e 36 akademikëve e profesorëve të shquar të vendit të datës 29.05.2007.
Edhe në këtë rast, të drejtën mua ma dha ligji, ma dhanë të tri shkallët e gjyqësorit: Shkalla I me Vendimin Nr 1443/P – 448 datë 19.12.2007, Apeli me Vendimin Nr. 89 datë 13.03.2008 dhe Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 00-2010-433 datë 16.04.2010. Por le të rikthehemi te “vendi që është caktuar për t’u vendosur Qendra Kulturore”. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” në kuptimin institucional nuk është Qendra Kulturore e Përmetit, por vetëm një nga institucionet në juridiksionin e Qendrës Kulturore të Përmetit. Qendrat Kulturore u formuan me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 650 datë 20.11.1995 dhe Udhëzimit të Ministrisë së Kulturës Nr. 40/10 datë 14.12.1995.
Në Përmet ajo u formua më 29.01.1996 dhe ajo përfshiu në juridiksionin e saj Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, Muzeumet e qytetit të Përmetit, Bibliotekën e Shtetit dhe Kinemanë “13 Shtatori”. Ka fjalë lartë e poshtë, me sa duket nga ata që duan të vrasin Pallatin e Kulturës në zëmër të Përmetit, se edhe ky institucion do të vendoset në disa dhomëza brenda muzeut të ri, ish-shtëpisë së ushtarakëve, që sot për sot ekziston vetëm si emër por jo në realitet. Si është e vërteta? Këshilli i Ministrave, pas kërkesave të shumta të Qendrës Kulturore të Bashkisë Përmet, me Vendimin Nr. 218 datë 10.04.2003 vendosi kalimin e ndërtesës së Shtëpisë së Ushtarakëve nga prona e Ministrisë së Mbrojtjes në administrim të Qëndrës Kulturore të Bashkisë Përmet për Muze të Arkeologjisë, Historisë, Etnografisë, Kulturës, Arsimit dhe figurave madhore të rrethit Përmet. Këshilli i Bashkisë Përmet, në zbatim të VKM Nr.218 datë 10.04.2003, ia kaloi të gjitha ambientet e Shtëpisë së Ushtarakëve Qendrës Kulturore vetëm për Muzeun e Ri të rrethit të Përmetit. Në mbrojtje të gjithë hapësirave të muzeut vetëm për pavijonet e muzeut janë dhe nenet 2, 6, 7, 8 dhe 9 të Ligjit Nr. 8744 datë 22.02.2001, azhurnuar me ligjet Nr. 9561 datë 12.06.2006 dhe Nr. 9797 datë 23.07.2007. Këto mjedise nuk janë plotësisht të mjaftueshme për të paraqitur ashtu si duhet të gjitha periudhat historike dhe të kulturës materiale e shpirtërore si dhe figurat madhore të trevës së Përmetit dhe jo më t’i ngushtosh këto mjedise, të bësh në to zyra, klube e dhomëza, që nuk kanë lidhje me objektin e Muzeut të Përmetit. Të veprosh kështu do të thotë t’i kundërvihesh VKM Nr. 218 datë 10.04.2003 dhe Ligjit Nr. 8744 datë 22.02.2001, të azhurnuar me ligjet Nr. 9561 datë 12.06.2006 dhe Nr. 9797 datë 23.07.2007, do të thotë të mos ngresh një muze të vërtetë madhor të rrethit të Përmetit. Qendra e Kulturës nuk është dhe nuk duhet të jetë një ndërtesë e vetme, por ajo është dhe duhet të jetë tërësia e disa ndërtesave të veçanta (Muzeu, Pallati Kulturës, Biblioteka, Kinemaja), ashtu si kërkon edhe VKM Nr. 650 datë 20.11.1995.

4.Harmonia ndërfetare është në ndërgjegjen e përmetarëve dhe Përmetit Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, i vetmi në Permet, bashkon, forcon, kulturon, progreson e qytetëron si komunitetin ortodoks ashtu dhe atë mysliman të Përmetit. Përmeti, si qytet, ka 2703 familje me 10963 banorë dhe, në hapësirën e tij gjeografike, ngrihen 2 kisha ortodokse (Kisha e Shëneprëmtes dhe Kisha e Shën Kollit), një xhami (Xhamia e Gurit të Qytetit), një teqe (Teqeja e Baba Xhaferit) dhe një kishë ungjillore (Kisha “Drita e Jetës”). Bashkësia qytetare e Përmetit e do edhe shkollën, edhe kulturën, edhe xhaminë, edhe kishën, edhe teqen, sepse edhe vlerat e ndërtesave të kultit janë vlera të kulturës dhe qytetërimit të Përmetit.Përmeti është simbol i kulturës dhe harmonia fetare është në ndërgjegjen e përmetarit dhe Përmetit. Po të zbatohet ligji, që është një për të gjithë, s’ka as probleme dhe as konflikte ndërfetare në Përmet. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” u ngrit si kemi cilësuar vetëm mbi 4.28 % të truallit të kishës, ndërsa mbi 50 % të truallit mbi të cilin ngrihet Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” dhe në 100% të truallit mbi të cilin ngrihet Pallati i Sportit ishin pronë e Xhamisë. Të tria këto institucione me rëndësi u investuan dhe u ngritën tërësisht nga shteti: Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” më 1962, Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” më 1969 dhe Pallati i Sportit më 1984. Le të ngrihen xhami, kisha, teqe, se për ndërtesat e kultit ka nevojë komuniteti i Përmetit, por jo të kërkohet vrasja dhe shembja apo tjetërsimi i këtyre tre institucioneve me shumë rëndësi kur ato i mbron pushteti gjyqësor i Shqipërisë dhe i do bashkësia qytetare e Përmetit. Pallati i Kuturës “Naim Frashëri”, Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” dhe Pallati i Sportit përbëjnë sot fytyrën e bukur të Përmetit.

5. Askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri“Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet e gjyqësorit”, thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë.
Vetë Kryeministri, zoti Sali Berisha ka thënë se “Nuk do të ketë vendim përfundimtar gjykate të pazbatuar në Shqipëri, qofshin ato kundër qeverisë apo kundrejt cilitdo” dhe se “Askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri”.
Po atëherë përse nuk zbatohet ligji nga shteti për Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”?

“Secili duhet t’i bindet pushtetit të shtetit. Në qoftë se dëshironi të jetoni pa frikë ndaj pushtetit, atëherë bëni atë që duhet bërë dhe do të gjeni miratimin e shtetit. Në qoftë se veproni keq, atëherë ju duhet të keni frikë prej tij, sepse fuqia e plotë për të dënuar sipas ligjit i përket shtetit”, - thuhet në Dhiatën e Re, Kreu XIII.
Po atëherë përse nuk respektohet ligji nga kisha për Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”? Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, si pronë e paluajtshme publike me interes të njohur kulturor, nuk duhet të ndryshojë destinacionin por të ruajë, garantojë e lartësojë vlerat unikale të kulturës së Përmetit? Një gjë e tillë kërkohet nga nenet 2, 3, 7 dhe 12 të Ligjit Nr. 8743 datë 22.02.2001 i azhurnuar me Ligjin Nr. 9558 datë 08.06.2006. Po atëherë përse nuk kërkohet zbatimi i ligjit por punohet në errësirë për tjetërsimin në kishë të Pallatit të Kulturës nga titullarët e sotëm të Bashkisë e Këshillit të Bashkisë së Përmetit. Vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjithë, për shtetin dhe institucionet e kultit, për kishën, xhaminë e teqenë, për Presidentin, Kryeministrin, Kryepeshkopin e titullarët e Bashkisë së Përmetit.

Përse Presidenti Bamir Topi e Kryeministri Sali Berisha nuk kërkojnë e urdhërojnë zbatimin e ligjit nga shteti si dhe respektimin e këtij ligji nga Kryepeshkopi Janullatos? Përse Kryepeshkopi nuk e respekton dhe zbaton ligjin e Shqipërisë? Përse titullarët e Bashkisë, veçanërisht kryetari Edmond Komino, nuk kërkon zbatimin e ligjit por bën atë që i kërkon me të pa drejtë Kisha e Përmetit? Shteti duhet të ndeshet dhe të asgjësojë jo vetëm valët helenizuese që vijnë nga qarqe të caktuara të Greqisë, por edhe ato që ngrihen nga elementë të veçantë, të cilët jetojnë e punojnë brenda Shqipërisë.

Të mbrosh Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” do të thotë të ecësh në rrugën që do e kërkon ndërgjegjja kombëtare e Përmetit. Institucionet e kulturës dhe të fesë, si çdo institucion, duhet të jetojnë e veprojnë brenda ligjit të Shqipërisë.
KASTRIOT BEZATI *Ish-drejtor Qendrës Kulturore në Përmet

T. Observer

No comments: