IKA-s i duhen urgjentisht deri në fund të këtij viti 1 miliard euro borxh. Sigurimet Shoqërore në Greqi njoftojnë pamundësi akute për të paguar pensionet dhe përfitimet e papunësisë, ku futen dhe pensionet speciale për kategori të ndryshme, përfshirë të ashtuquajturat "pensione për vorioepiriotët"
Organizatës më të madhe në Greqi të Sigurimeve Shoqërore, (IKA), i nevojiten në mënyrë urgjente më shumë se 1 miliard euro borxh që të mund të vazhdojë të paguajë pensionet dhe përfitimet e tjera - (ku futen dhe pensionet speciale për kategori të ndryshme, përfshirë të ashtuquajturat "pensione për vorioepiriotët", që paguhen prej vitesh në jug të Shqipërisë).
Shkak i gjendjes së vështirë është mungesa e theksuar e parave në arkat e IKA-s shkaktuar nga papunësia në rritje dhe paaftësia e një numri gjithnjë e më të madh kompanish dhe individësh për të paguar kontributet e tyre mujore.
Sipas gazetës greke Kathimerini, qeveria që është vetë në vështirësi të mëdha, ka shumë pak mundësi të ndihmojë IKA-n, dhe në këto kushte janë kontaktuar dy banka të mëdha tregtare për të parë mundësinë e një kredie. Ministria e Punës gjithsesi ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. Pritet një njoftim zyrtar për këtë problem brenda dy javëve të ardhshme.
IKA i ka tashmë borxh së paku 300 milion euro sindikatës së punëtorëve OAED, pasi nuk ka qenë në gjendje muajt e fundit të kryejë si rregullisht pagesën e përfitimeve të papunësisë.
"Shterimi i burimeve financiare të IKA-s është nxitur veçanërisht nga rritja e pandalshme e papunësisë që po arrin nivelet e dhjetë viteve më parë", - thonë të dhënat e lëshuara nga Autoriteti Statistikor Grek (ELSTAT) muajin e kaluar.
Sipas ELSTAT papunësia ka arritur në 11,8 për qind në krahasim me 8.9 për qind të një viti më parë. Kjo është norma më e lartë e papunësisë në Greqi që nga viti 2000, kur papunësia arriti kulmin me 12,3 për qind.
Por, përqindja e grekëve të papunë pritet të arrijë në 15 për qind deri në fund të vitit të ardhshëm dhe, në bazë të llogaritjeve që IKA ka kryer, kjo do të çojë në një rritje 25 për qind të shumës që ajo duhet të shpenzojë për pagimin e përfitimeve të papunësisë.
Qeveria pret sërish dritën e gjelbër nga huadhënësit e vet - Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar - përpara se IKA të aplikojë për një kredi, por për momentin nuk duket të ketë zgjidhje të tjera.
Kohët e fundit IKA u ofroi bizneseve dhe individëve debitorë kushte shumë më të favorshme për shlyerjen e detyrimeve, por as kjo lëvizje nuk pati ndonjë ndikim të rëndësishëm në financat e saj.
Burimet thanë se iniciativa solli rreth 30 milionë euro të ardhura, shumë pak për nevojat aktuale të organizatës.
Kathimerini është gazeta më e madhe në Greqi
No comments:
Post a Comment