Thursday, October 21, 2010

Po zhbëhet kulti shqiptar i virgjërisë?

Ndërsa Tirana po përqafon revolucionin seksual modern, kodet morale tradicionale vazhdojnë të kenë ndikim në veri të Shqipërisë. Por edhe atje, gjërat janë duke ndryshuar gradualisht.
Altini ka ardhur në shtëpi për të gjetur një virgjëreshë. I gjatë, i pashëm, rreth të tridhjetave, ai është kthyer nga Britania ku punon për më shumë se një dekadë, për të gjetur një femër të përshtatshme për t'u martuar.
Por tre javë pas qëndrimit në qytetin e lindjes, në Korçë, në jug të Shqipërisë, gjuetia po rezulton frustruese. "U bënë javë që kam ardhur këtu dhe kam edhe pak ditë për tu larguar sërish," ankohet ai.
Altini thotë se të afërmit dhe miqtë i kanë premtuar të gjejnë disa variante të mira virgjëreshash, që ai do i takonte gjatë vizitës së tij.
Pavarësisht pritshmërisë së lartë, kërkimi për një grua të virgjër ka qenë i pasuksesshëm gjer më tani. Virgjëreshat nuk janë ashtu siç i priste ai.
"Ato ose janë shumë të reja, ose të papërshtatshme," deklaron ai duke ngritur supet, e duke tymosur cigare "Gaulloise", të cilat i ka sjellë që nga Britania.
Ai nuk mund ta fshehë dot sikletin ndërsa qëndron në muzg. "Po nëse do të përzgjedh njërën e më pas të zbuloj se ajo ka qenë e prekur", pyet ai. "Çfarë duhet të bëj atëherë, ta kthej sërish atë?"
Në Londër, ku punon si kamarier, Altini ka qenë i angazhuar në disa lidhje me vajza vendase. Por këto lidhje nuk mund të çonin asnjëherë në martesë. Një grua shqiptare, thotë ai, ka një tjetër rol e të tjera detyrime.

Shuke Deda ndërkohë është pa dyshim e virgjër, edhe pse është shumë larg moshës së martesës.
90- vjeçarja mban të veshura një palë çorape të bardha leshi, simbol i statusit "e paprekur". Ajo ka jetuar gjatë gjithë jetës në Theth, një fshat në veriun malor të Shqipërisë.
"Nuk i pëlqeja kandidatët që më janë propozuar për martesë, kështu që vendosa të mbetem një virgjëreshë deri në fund të jetës sime. Kështu është zakoni," pëshpërit ajo e gati nuk dëgjohen fjalët e saj, të cilat pjesërisht përkthehen nga kunata e saj.

Virgjëreshat e betuara
Shuke është një shembull klasik i mbijetesës së një kodi të vjetër kanunor të njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Kodi shpall se nëse një vajzë refuzon kandidatët që i janë propozuar- dhe nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese- ajo duhet të mbetet përjetë virgjëreshë.
Ajo jetonte së bashku me të vëllanë, por qëkur ai ndërroi jetë, ajo jeton me vejushën e tij. Shuke jeton akoma në të njejtën shtëpi ku kanë jetuar prindërit e saj, një strukturë dykatëshe prej guri, e ndërtuar më shumë se një shekull më parë, me një stil e motive arkitekturore tradicionale.
Ashtu si paraardhësit e saj, edhe Shuke është në vetvete një muze i gjallë, një relike e një bote që po zhduket. Sot, edhe në zonat më të izoluara të Shqipërisë, ku tabutë zakonore janë ruajtur për shekuj, dinamika seksuale po ndryshon.
Historia e Shqipërisë karakterizohet nga rëndësia e virgjërisë në shoqëri. Që nga shekulli i 19, shkrimtarët e huaj kanë nxjerrë në pah kodet martesore në Shqipëri, gjakmarrjen, fenë, mikpritjen si the një fenomen të tillë si "virgjëreshat e betuara"- gratë që marrin statusin e një burri duke ruajtur përjetësisht virgjërinë.
Ata e portretizojnë "vendin e shqiponjave" si një shoqëri arkaike, të shkëputur nga bota moderne.
Shqipëria ka ndryshuar shumë që atëherë dhe sot ajo synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Por fragmente të kodeve të vjetra kultutore kanë mbijetuar.

Kodet e vjetra të sjelljes
Në zonat rurale malore, humbja e virgjërisë nga një grua, me dikë që nuk është burri i saj, vazhdon të mbetet një tabu, falë edhe ndikimit të vazhdueshëm të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Nebi Bardhoshi, një ekspert i ligjeve zakonore dhe profesor pranë Universitetit Europian të Tiranës, shpjegon se ajo që njihet në mënyrë konvencionale si "kanuni", përfaqëson një sërë rregullash e vlerash, të përditësuara në shekuj nga autorë të ndryshëm, ligjvënës ose liderë lokalë apo kombëtarë.
"Edhe pse këto rregulla, që njihen përgjithësisht me emrin "kanun", ekzistojnë më së shumti në veri të Shqipërisë, vlera identike apo të ngjashme ekzistojnë akoma dhe në pjesë të tjera të vendit, e kanë të njejtën origjinë e legjitimitet," thotë Bardhoshi.
Kanuni përfshin një kuadër kompleks rregullash, që nisin që nga çështjet e shqetësimit të përbashkët e deri tek dënimet për krime- për disa nga të cilat kanuni kërkon edhe dënim me vdekje.
Duke iu referuar kërkesës për dënim me vdekje në rast të shkeljes së kodit seksual, Bardhoshi sqaron se dënime të tilla të rënda parashikohen më së shumti për rastet e marrëdhënieve seksuale mes të afërmëve të gjakut. Dënimi me vdekje nuk aplikohet domosdoshmërisht në rastet e humbjes së virgjërisë.
"Nëse zbulohet natën e parë të martesës se gruaja është e zhvirgjëruar, ajo dërgohet sërish në familjen e saj dhe aty "burgoset" për të gjithë jetën, ose rimartohet me një burrë të një rangu më të ulët," thotë ai.

Afërdita Onuzi, një profesore e antropologjkisë në Universitetin e Tiranës, thotë se sa u përket zakoneve shqiptare, virgjëria nuk përfaqësonte vetëm një çështje morale. Zakonisht luan edhe një rol praktik, duke përcaktuar statusin e institucioneve të tilla si martesa.
"Sipas vëzhgimeve të mia, veçanërisht në zonat rurale, pothuajse 50 vite regjim komunist dhe imponim i vlerave të tij, ka dështuar që të ketë ndikim në zakonet e vlerat morale ekzistuese," thotë ajo.


Një revolucion moral
Vlerat tradicionale mund të ruhen në disa zona të vendit, por që pas rënies së regjimit komunist, ndryshimet e shpejta janë bërë të dukshme në Shqipëri edhe sa i përket qasjes ndaj seksit.
Urbanizimi, penetrimi i thellë në shoqëri i medias, dhe emigracioni po luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e moralit në Shqipëri.
Në një klub nate në Tiranë, Artemis është kredhur në vetminë e saj, ndërsa humbet në ritmin e muzikës, pa e pasur shumë mendjen për audiencën mashkullore që e rrethon.
Muzika e rrafshët, dritat e zbehta të krijojnë ndjesinë e intimitetit në "Charles Bistro", një klub kryesor në qendër të kryeqytetit.
"Muzika nuk është dhe aq e mirë, por sërish ti mund të kërcesh," thotë ajo, duke pirë me fund atë që kishte mbetur në koktejin e saj "Cuba Libre". Ajo është e para dhe e fundit pije për të në këtë natë. Ajo është e mërzitur për shkak se është ndarë nga i dashuri para më shumë se dy javësh.
"Nëna ime di gjithçka, por ne nuk flasim shumë së bashku; jo për çështje të tilla," shton ajo. Artemisa, tani 23 vjeç, ka jetuar në Tiranë për rreth vite. Përpara kësaj, ajo ka jetuar me familjen e saj në një rreth më të vogël e më konservator, në Kukës në veri të Shqipërisë.
Babai i saj, tashmë një biznesmen, dikur ishte mësues në shkollë fillore, kurse mamaja e saj është një shtëpiake. Artemis thotë se është me fat që familja e saj është vendosur në Tiranës, ose në të kundërtën ajo do mbetej peng i rregullave strikte tradicionale.
"Dy vajzat e xhaxhait tim janë tashmë të martuara, ose janë të fejuara, e të dyja janë më të reja se unë," shpjegon ajo, duke shtuar se vajzat në qytetin e saj shumë rrallë dalin jashtë. Nëse kapen në një marrëdhënie fizike "ai do të jetë burri i ardhshëm ose përndryshe..." shton ajo.
"Duhet të jesh virgjëreshë dhe të ruash nderin, në mënyrë që të martohesh me një burrë të përshtatshëm," sqaron ajo, "dhe ai do të jetë burri yt i vetëm për pjesën e mbetur të jetës."

Në Kukës, gjërat akoma nuk janë si në Tiranës. Këtu, pasditeve është e vështirë që të shohësh një vajzë të pashoqëruara. Baret janë të tejmbushura, por klientela është kryesisht me meshkuj.
Ahmet Nërguti, babai i gjashtë fëmijëve që tashmë është 80 vjeç, ka jetuar aq sa për të parë ngritjen dhe rënien e komunizmit në Shqipëri dhe për të parë se si vlerat e reja zëvendësojnë ato të vjetrat.
Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve të shpejta, ai gjithmonë ka qenë besnik i kodit tradicional shqiptar sa i përket moralit, veçanërisht në lidhje me martesën dhe virgjërinë.
Asnjë nga djemtë e vajzat e tij nuk është martuar pa lejen e ndërhyrjen e tij aktive. "Unë isha ai që vendosja, sepse unë dija ato që ata nuk i dinin dhe jam i bindur se çfarë është e mirë për ta," thotë ai.
Nerguti ka tani plot nipër e mbesa. Si njeri më i vjetër i fisit, të afërmit vijnë tek ai për këshilla. Por kohërat kanë ndryshuar dhe kjo nuk e kënaq shumë atë.
"Gjërat po shkojnë përtej asaj që kishim imagjinuar," ankohet ai. "Kam parë gjëra në publik që nuk mund të tolerohen."
Ai ndjehet i turpëruar për disa nga gjërat që transmetohen tani në televizor. "Ata mendojnë se kanë zbuluar lirinë, ose ndoshta që ata e kanë shpikur atë, por ata nuk e dinë se ajo që po bëjnë është false," thotë ai.

Përpara në kohëra
Libri i vitit 2006 "Tri motra në një qytet", tregon historinë e tre motrave shqiptare që u lindën në Australi, por erdhën që të jetonin në Kukës.
Të nxitura nga propaganda komuniste për vendin më të lumtur në botë, libri tregon se si motrat vendosën që të vinin në vendin e paraardhësve të tyre.
Është pse libri është triller, autori, Petrit Palushi, thotë se ai bazohet në një histori të vërtetë. "Ato arritën në vitet '70 dhe jetuan në një shtëpi pranë lumit Drin i Zi" shpjegon ai.
Palushi, tashmë drejtori i Radio Kukësit, shton se ndërsa libri është autentik, ai ka ndryshuar emrat dhe shumë nga ngjarjet në libër për shkaqe etike.
"Njëra prej tyre më ka dhënë anglisht kur unë isha një djalë i vogël," kujton ai. Shumë njerëz në Kukës i mbajnë mend motrat, pjesërisht për shkak se vinin nga jashtë, por më së shumti për shkak të mosrespektimit të kodeve morale tradicionale.
"Më kujtohet se ishin të bukura, visheshin ndryshe e jetonin në kundërshtim me vlerat komunistë," thotë Palushi, duke shtuar se të paktën dy prej tyre kishin të dashur, një gjë që ishte e paimagjinueshme në një qytet të tillë në atë kohë.
Mënyra moderne e jetesës u kushtoi atyre shtrenjtë. Një prej motrave u burgos me pesë vite pasi u akuzua për agjitacion e propagandë. Një tjetër u arratis në ish- Jugosllavi. E treta qëndroi në Shqipëri, jo në burg, po jetonte në kushte të mjerueshme, derisa regjimi u shemb. Të treja janë gjallë dhe tani janë kthyer në Australi.
"Ato laheshin me kostume banjoje në lumë dhe njerëzit i shikonin. Ata i urrenin, por edhe i dëshironin në të njejtën kohë," kujton Palushi, duke theksuar se gratë sollën një revolucion të heshtur seksual në qytetin e vogël verior.
Mënyra e tyre e jetesës ishte shokuese për njerëzit e një rajonin që kishin shkrirë vlerat tradicionale shqiptare me moralin konservator komunist. "Ishte një përplasje mes civilizimesh e ndoshta kjo ishte pak e parakohshme," thotë Palushi.
Por nëse të tilla ushtrime të lirisë seksuale ishin të parakohshme në vitet '70, jo gjithkush është dakort se ndryshimet e shpejta në kodin moral shqiptar kanë qenë një sukses.
Gjergj Sinani, një profesor i filozofisë në Universitetin e Tiranës, nënvizon se një proces gradual është i nevojshëm që njerëzit të përshtaten me vlerat e reja. "Procesi i shembjes së tabuve mund t'i gjejë njerëzit të papërgatitur për ndërtimin e jetës së tyre sipas vlerave të reja," thotë ai.

Ndryshimi vjen në Siçili
Siçilia ishte njëherë e një kohë si Shqipëria, një shoqëri tradicionale patriarkale, ku gratë supozohej të shkonin në krevatet martesore "të paprekura".
Sot rrugët e Siçilisë janë të zhurmshme e plot jetë si kurrë më parë. Por në dekadat e fundit, ishulli i është nënshtruar ndryshimeve në terma të konvencioneve morale dhe rregullave sociale, akoma më radikale se Shqipëria.
Në një kafe të vogël afër qendrës së Santa Flavia, një fshat pranë Palermos, Katerina, gjyshja e dy vajzave të vogla bukuroshe, shpjegon se vlerat tradicionale i janë nënshtruar ndryshimeve të mëdha që nga rinia e saj. Marrëdhëniet mes sekseve janë transformuar.
"Më përpara se të martohesha, unë dhe burri im uleshim pesë metra larg njëri- tjetrit," kujton ajo. "Tani të rinjtë bënë siç kanë qejf dhe askush nuk shqetësohet për këtë".
Ajo nuk është e lumtur për këtë gjë. "Që kur gratë fituan pavarësi e barazi, gjërat në shtëpi po shkojnë më keq," vazhdon ajo. "Ato kërkojnë gjithmonë për më shumë dhe kanë braktisur rolin e tyre në familje."
Santa Flavia nuk është ajo çfarë gjithkush pret nga një fshat tipik. Komuna është shumë e urbanizuar sot. Në fakt, pak prej asaj që mund të quhet tradicionale ka mbetur kudo nëpër ishull.
"Ndoshta do të keni më shumë fat nëse do të shkoni në Hollivud," bën shaka Mishela, një eksperte e re financash, duke iu referuar fiksimit të industrisë së filmit amerikan ndaj kulturës së kohëve të vjetra në Siçili.
Përpara kishës së Santa Anës në Santa Flavia, Salvatore Troia, një burrë rreth të shtatëdhjetave, të ofron një tur si guidë.
Troia shpreh të njejtat shqetësime si të Katerinës, megjithëse ai mendon se disa vlera kanë mbijetuar në Siçili. Martesa shihet akoma si e rëndësishëm dhe të rinjtë sërish e respektojnë atë. "Të dielën e fundit, për shembull, ne patëm dy martesa në këtë kishë dhe ky është një komunitet i vogël," thotë ai.
Të rinjtë në Siçili në fakt i respektojë vlerat tradicionale- edhe pse i praktikojnë ato pjesërisht. Xhuzepe Komande, një shofer i ri autobusi, pranon se martesa është e rëndësishme, përsa kohë nuk bie në konflikt me jetën e qejfit dhe të dashurat.
"Gjërat kanë ndryshuar," thotë ai, "por nuk do të thotë se ne duhet të mohojmë vlerat e trashëguara me justifikimin se ne jetojmë në kohëra moderne."

Në Siçili, ashtu si në Shqipëri, ana tjetër e lirisë seksuale është dhe rritja e një shoqërie egoiste, e cila sjell edhe më shumë izolim social.
Ndryshimi duhet të vijë në mënyrë graduale, thotë profesor Sinani. "Liria është një vakt i rëndë me ushqime dhe pyetja kryesore është se a është në gjendje stomaku yt të merret me të."

*Ky artikull është pjesë e "Balkan Fellowship for Journalistic Excellence", një iniciativë e fondacionit "Robert Bosch" dhe fondacionit "ERSTE", në bashkëpunim me "Balkan Investigative Reporting Network" (BIRN) .

No comments: