“La Repubblica”: “Tigrat e Arkanit” pas dhunës. Arrestohet “miu”, ai që dogji flamurin shqiptar. Pritet përjashtimi i Serbisë
Një nga gazetat më të mëdha italiane, “La Repubblica”, ka shkruar gjatë mbi ngjarjen e dhunshme të ndodhur të martën në mbrëmje në stadiumin “Luigi Feraris” të Xhenovas, duke thënë se pas këtyre akteve të pa precedentë fshihen të ashtuquajturit “Tigrat e Arkanit”. Gjithashtu kjo gazetë citon edhe disa njërën të medias serbe, të cilët këto akte i lidhin me dëshirën e tyre dhe disa njerëzve që kanë synime për të shkaktuar destabilitet në vend, dhe për ta çuar vendin në zgjidhje të parakohshme.
“Tigrat e Arkanit”
Kanë qenë “tigrat” e etur për gjak të famëkeqit Arkan ata që shkaktuan trazirat e dhunshme ditën e djeshme (të martën) në Xhenova të Italisë. Kështu shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, në versionin e saj online.
Sipas gazetës, ish-njësitë paraushtarake serbe që kanë kryer masakra në Ballkan, u mblodhën dje në Itali për të shkaktuar trazira. Sipas burimit, të ashtuquajturit “tifozë”, vinin nga disa lokale periferike të Beogradit, të njohur ndryshe si strofulla të dhunës serbe. Por cili ka qenë objektivi i vërtetë i tyre?
Sipas Milan Petroviç, redaktor i së përditshmes “Blic”, qëllimi i tifozëve “ultras” ka qenë politik. “Të shkaktojnë sa më shumë probleme për presidentin Tadiç dhe qeverisë së tij. Sidomos, të krijojnë një klime destabiliteti për ta çuar vendin sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme”, shprehet Petroviç. Bojan Pajtiç, kryetar i qeverisë së provincës autonome të Vojvodinës është edhe më i drejtpërdrejtë. “Kjo turmë nuk vepron në mënyrë spontane. Ajo është në shërbim të atij që kërkon të na ndalojë me çdo mjet kthimin në një vend normal”, thotë Pajtiç. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç. “Ai që organizoi këto protesta ndodhet në Beograd. Ky është një sulm që i bëhet drejtpërdrejt shtetit”, deklaron Karaxhiç.
I kërkohet ndjesë Italisë, por jo Shqipërisë
Një ditë pas incidenteve dhe shfaqjeve të shëmtuara nga nacionalistët serbë, ka reaguar ambasada e tyre në Itali, duke kërkuar ndjesë për atë që ndodhi. Ambasadorja e Serbisë në Romë i kërkon ndjesë Italisë, duke u shprehur se asaj dhe shtetit që përfaqëson i vjen turp për këto që kanë ndodhur, dhe se ata që e bënë një gjë të tillë janë banditë.
“Na vjen turp. Këta banditë nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe sjelljen e popullit serb. Na vjen turp dhe ju kërkojmë ndjesë”.
Kjo është ajo çfarë ka ka deklaruar ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskoçviç-Iviç duke folur për gazetarët në prag të një konference në Beograd. Ajo komentoi trazirat e ndodhura në Xhenova te cilat çuan në pezullimin e ndeshjes Itali-Serbi. Serbia i ka kërkuar zyrtarisht falje Italisë për incidentin e shkaktuar dje nga tifozët serbë në stadiumin e Xhenovas. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në një bisedë telefonike me homologun Franko Fratinin ka dhënë garancinë e tij se drejtësia serbe do t’i ndëshkojë huliganët. “Autoritetet e Beogradit do të shtojnë kërkimet për përgjegjësit e dhunës dhe do të arrestojnë të gjithë kriminelët, të cilët do të marrin dënimin e merituar”, ka pohuar Jeremiç. Ndërkohë që ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka kritikuar policinë italiane për menaxhimin e gabuar të situatës.
“Ndërhyrja e policisë italiane mund të kishte qenë shumë më e mirë. Ata nuk duhet t’i kishin lejuar tifozët të hynin në stadium me sende të forta”, ka pohuar Daçiç.
Por asnjëri nga këto autoritete nuk kanë kërkuar falje për incidentin e shëmtuar ku u përdhos dhe u dogj flamuri shqiptar.
Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur mbrëmjen e kaluar në Beograd pas pezullimit të takimit Itali-Serbi. Futbollistët kanë shprehur hidhërim për atë çfarë ndodhi, por nuk dhanë komente mbi sjelljen e tifozëve ekstremistë. Ndërkohë presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, siç e thamë edhe më lart, thotë se tifozët nuk kishin ardhur vetëm në Xhenova, por sipas tij bëhet fjalë për një plan paraprak për të krijuar incidente për të dëmtuar takimin.
Mediat evropiane të gjitha me një fjalor: Turp për Serbinë
Të gjitha mediat i kanë konsideruar si një turp këto ngjarje dhe akte dhune nga serbët në stadiumin e Xhenovas, por jo vetëm botërore, por edhe ata vendase, këtë herë kanë qenë në një mendim me ata evropiane. “Turp i ri, tifozët ndërpresin Itali-Serbi”, titullohet artikulli kryesor në të përditshmen e Beogradit “Blic”. Në brendësi të tij theksohet se me këtë incident, vijon pikiata e futbollit serb. “Mund të imagjinojmë se si janë ndjerë kapiteni dhe futbollistët tanë. Me siguri, janë turpëruar”. “Skandal në Xhenova”, titullohet versioni online i “Vesti”. Ndërsa “Vreme” hapet me një fotografi ku tifozët serbë dogjën flamurin shqiptar. Gazetat britanike gjithashtu shkruajnë se ky është një turp i vërtetë, ku në përgjithësi të gjitha përdorin shprehjen ndërpreje për shkak të huliganëve, por dhe duke përdorur fotot nga djegia e famurit shqiptar. Ndërsa “Daily Telegraph” shkruan “Turp për Serbinë”, në të njëjtën linjë është edhe “Daily Mail”. Edhe shtypi sportiv spanjoll i ka kushtuar një vëmendje të veçantë incidenteve në Xhenvoa, që solli dhe pezullimin e ndeshjes Itali-Serbi, e ku ultras serbë dogjën para kamerave edhe flamurin shqiptar. “Turp serbë!”, ishte titulli i prestigjiozes “Marca”. “Dje (të martën) në Europë ndodhi një tjetër ndeshje turpi”, - shkruante e përditshmja sportive. “Vetëvrasje serbe në Xhenova”, - shkruante “Sport”, që nga ana e saj flet për “një natë çmendurie”. “El Mundo” e titullon shkrimin e saj: “Terror dhe turp në Xhenova”, duke e shoqëruar edhe me fotot e huliganëve serbë. “Ultrasit karikojnë futbollin”, ishte titulli i “El Pais”. E njëjta paraqitje, pothuajse ka mbizotëruar edhe në shtypin francez, të cilët e konsiderojnë turp për Serbinë dhe për shtetasit e saj këto akte të pa precedenta.
Policia italiane ka kapur në bagazhin e një autobusi “miun” e incidenteve
Vihet në pranga “njeriu i zi”, ai që dogji flamurin shqiptar
Mbrëmja e së martës, duhet të ishte një mbrëmje spektakli dhe futbolli, pasi luhej në kuadër të kualifikueses të një evenimenti mjaft të madh dhe të rëndësishëm, si Kampionati Europian, por në fakt nuk ishte kështu. Dhe arsyeja është se disa njerëz, që vijnë nga një vend që gjithmonë ka prodhuar luftë, nga do që shkojnë gjithmonë e kërkojnë një gjë të tillë. Të martën në mbrëmje në Xhenova, në stadiumin “Marassi” ku duhej të zhvillohej një ndeshje mes dy kombëtareve, ka shpërthyer në një shfaqje të shëmtuar nga huliganët dhe ultranacionalistët serbë, që gjithmonë janë njohur për veprime të tilla barbarizmi dhe për mungesë qytetarie. Por ndërkohë në orët e para të ditës së mërkurë policia italiane ka mundur të vejë nën pranga kreun e këtyre akteve vandale dhe 17 persona të tjerë. Më pas, aksioni ka vijuar duke çuar në pranga edhe 37 serbë të tjerë.
Arrestohet “Ivani i zi”
Pas pezullimit të ndeshjes Itali-Serbi, shoqëruar me djegien e flamurit shqiptar nga ultrasit serbë, policia ka venë në pranga 17 persona, mes tyre edhe “kapon” e ngjarjes së turpshme. Mediat italiane kanë publikuar gjithçka që ka bërë ky person, i quajtur Ivan Bogdanov, duke filluar që nga prerja e rrjetës së stadiumin, nxitjen e tifozëve të tjerë për të hedhur fishekzjarrë dhe sende të forta në fushë, dhe djegia e flamurit shqiptar. Kapja e tij është ndihmuar edhe nga tatuazhet e shumta që kishte në trup. Sipas mediave, dhe jo vetëm atyre italiane, raportojnë se mbrëmë përleshjet kanë vazhduar edhe jashtë stadiumit “Marassi” deri rreth orës dy pas mesnate dhe numërohen 35 huliganë të denoncuar, ndërkohë që 138 të tjerë janë të identifikuar. “Ai quhet Ivan - thotë një agjent - në orën 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, njeriu më i kërkuar mes ultrasve serbë është vënë në pranga për incidentet në “Marassi”. “Ivan Bogdanov ka prerë rrjetën me një gërshërë gjigante, lëshoi fishekzjarrë në fushë dhe dogji flamurin shqiptar. Por e kanë tradhtuar tatuazhet e shumta dhe agjentët e kanë arrestuar”, ka thënë agjenti. Ivan është ndalur në bagazhin e një prej autobusëve të cilët do të çonin tifozët në Beograd. Forcat e rendit kanë zhveshur të gjithë tifozët në shumicën e autobusëve për të kuptuar se kush ishte Ivan, duke e ndaluar.
Të gjithë një “prerje”
Zyrtarët e policisë italiane u shprehen se mbrëmë “shmangën një Hejsel të ri”. Pothuajse të gjithë mediat ndërkombëtare i janë përkushtuar lajmit, ku një ndeshje futbolli u shndërrua pa pritur në një arenë lufte urbane. Ndërkohë, televizioni publik serb e dënoi sjelljen e ultrasve. “Ky është një turp i vërtetë për Serbinë dhe një turp për futbollin tonë”, u shpreh komentatori gjate momenteve kur ndeshja u ndërpre. Por pavarësisht fjalëve që janë thënë nga ana e Serbisë, qoftë media apo autoritetet, kjo nuk mund ta mbulojë atë që ndodhi. Por edhe vetë lojtarët me synimin, që ”për të qetësuar” ultrasit filluan të bënin gjeste nacionaliste. Kjo do të thotë se edhe ata që ishin në fushë ishin si ata në shkallët e stadiumit, që do të thotë se janë të gjithë një lloj.
Kombëtarja serbe rrezikon përjashtimin, por UEFA ka rezerva edhe për Italinë
Serbia rrezikon përjashtimin nga Europa pas dhunës së ushtruar nga tifozët ekstremistë dje në mbrëmje në stadiumin “Marassi” të Xhenovas. Të gjitha mediat italiane e kanë cilësuar dhunën si të paprecedente, ndërsa Beogradi ka kërkuar falje zyrtare.
Por a do mjaftojë kjo për të shpëtuar kombëtaren e Stankoviç & Co nga reprezalja e UEFA-s?
Dëmi më i vogël që mund t’i shkaktohet kombëtares serbe është humbja në tavolinë 3-0, por UEFA ka treguar se është e aftë të reagojë me shpejtësi kur bëhet fjalë për dhunë. Delegati David Petriashvili pritet të paraqesë raportin në UEFA dhe vendimi do të merret brenda 15 ditësh. Në analizë do merret parasysh edhe dhuna gjatë ndeshjes së vitit 2008 në Beograd ku u vra një tifoz i skuadrës së Tuluzës. Nëse përjashtohet kombëtarja serbe, kjo nuk do të jetë hera e parë pasi në vitin 1992 u përjashtuan nga Europiani, duke i lënë rrugë të lirë Danimarkës që pak muaj më vonë u shpall edhe kampione e kontinentit. Ndërkohë që UEFA ka pasur rezerva edhe për vendin organizator, Italinë. “Përveç përgjegjësisë së atyre që provokojnë incidente, rregullorja e UEFA-s parashikon masa edhe për federatën pritëse”. Kështu është shprehur për ANSA-n, zëdhënësi i UEFA-s, Rob Faulkner, duke iu referuar trazirave të në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenovës. “Federata që organizon ndeshjen duhet të garantojë sigurinë në stadium dhe zhvillimin e qetë të ndeshjes”, është shprehur ai.
“Luftën e Xhenovas”, Stankoviç do e ndalonte me gjeste nacionaliste
Ajo që ndodhi të martën në mbrëmje nga e gjithë media italiane mbante epitetin si “lufta e Xhenvoas”, ku ultranacionalistët e kombëtares serbe të ndodhur në Itali për të ndjekur përballjen mes vendit të tyre dhe Italisë kanë kthyer skenat guerrilase në stadiumin italian të “Marasit” në Xhenova. Pak para se të fillonte ndeshja tifozët serbë janë përleshur me tifozët italianë ndërsa kanë shfaqur edhe njëherë urrejtjen që kanë për shqiptarët duke djegur një flamur shqiptar. Ndeshja mes Italisë dhe Serbisë e vlefshme për Euro 2012 është anuluar edhe pse skuadrat kanë tentuar të hyjnë në fushë. Ndërsa një komentator i “Rai-t” pasi u ka bërë thirrje tifozëve të qetësohen, ka vënë re se lojtarët e përfaqësueses serbe ishin duke përshëndetur tifozët e tyre me një gjest nacionalist. Më saktësisht kamera ka kapur Dejan Stankoviçin, i cili përshëndeste tifozët me një gjest nacionalist serb (me tre gishta), me origjinë të lashtë, që përfaqëson kryqin ortodoks serb, që është përdorur gjerësisht edhe gjatë luftës. Por edhe disa lojtarë të tjerë kaun bërë të njëjtën përshëndetje, me arsyetimin se donin që tub “qetësonin” situatën.
Bilanci i incidenteve, 16 persona në spital, mes tyre dy karabinierë
Bilanci i këtyre trazirave, sipas atyre që jepen nga media e vendit fqinj, në total janë 16 persona që kanë mbetur të plagosur dhe kanë përfunduar në spital, mse tyre edhe dy nga forcat e karabinierisë, ndër të cilët disa në gjendje të rëndë, si pasojë e konfrontimeve me tyre. Ndërkohë 17 huliganë kanë përfunduar në pranga me në krye udhëheqësin e tyre, gjatë natës së martë dhe orët e para të ditës së djeshme në Xhenova. Sipas radiove italiane, qetësia në tribunat e stadiumit “Marassi” të Xhenovës, rajon verior i Italisë, u vendos vetëm pas orës 4:00 të mëngjesit, kur autobusi i fundit me të huliganët serbë, nën shoqërimin e forcave të rendit.
Në total, policia arrestoi 17 persona, përfshi edhe liderin e një grupi prej mbi 50 vetash të cilët u përfshinë në aktet vandale të dhunës dhe djegies se flamurit shqiptar. Përpara ndeshjes, dhjetëra tifozë serbë plotësisht të dehur u përfshinë në një valë aktesh dhune në qendër të Xhenovas, ku shkatërruan vitrina dyqanesh dhe stacionet e autobusëve, këto të gjitha thuhen nga vetë media italiane.
T. Observer, Ilirian Haskurti
No comments:
Post a Comment