Tërheqja i bën turistët që gjatë shëtitjes nëpër dyqane të hedhin një sy në vitrinat ku tregohen gra të veshura lehtë që ofrojnë shërbimet e tyre. Në Holandë prostitucioni është legal. Por krahas prostitucionit legal ka filluar të futet edhe prostitucioni ilegal me minorene.
Pa rënë nata, fillon gjallërimi i jetës nëpër rrugicat rreth kanaleve të Amsterdamit.
Tabelat me drita joshin klientët me show seksi dhe me të rejat e fundit nga bota e erotikës. Mes tyre gra me shumë pak veshje përsipër ofrohen në vitrina. Kjo është lagjja “De Wallen”, lagjja me drita të kuqe të Amsterdamit.
Në Holandë prostitucioni është i njohur si profesion.
Gratë që punojnë këtu, mund të fitojnë mirë, një pjesë deri në 10 mijë euro në muaj. Por për shumë prej tyre ardhja këtu nuk ka qenë me dëshirën e lirë. Ajo që ndodh pas vitrinave, në apartamentet private ose në makina ka më shumë të bëjë me shfrytëzimin sesa me kënaqësinë.
Samantha ka punuar në Amsterdam katër vjet në prostitucion. Sot ajo është 15 vjeç. Me 11, ende fëmijë ajo u detyrua për herë të parë të bënte seks, me një të ashtuquajtur Loverboy.
Loverboys janë djem në moshën rreth të 20 -ave dhe janë specializuar për të fituar minorenet. Ata u premtojnë vajzave të reja dashuri dhe pavarësi dhe i tërheqin gjithnjë e më shumë në llumin e prostitucionit, shpesh me ndihmën e drogave.
"Ty të krijohet përshtypja se nuk ke zgjidhje tjetër. Ai më jepte drogë dhe unë nuk isha më në gjendje të mendoja. Gjithnjë më thoshte se mua më pëlqen kjo që bëja. Unë rrija aty për shkak të Loverboy-it. Unë kisha frikë të isha vetëm",- thotë vajza sot.
Ajo ka ikur prej andej dhe jeton në një fshat të vogël në afërsi të Amsterdamit, në fondacionin “Stop Loverboys Nu“, që do të thotë “Ndalni Loverboys tani!“.
Themeluesja e fondacionit kujdeset prej tre vjetësh për vajza si Samantha. Edhe e bija e saj, u bë viktimë e një Loverboy dhe sot 20 vjeç, vazhdon të punojë në prostitucion.
Anita de Wit e di sa e vështirë është të çlirosh vajzat nga kthetrat e burrave. "Kjo është një punë që kërkon shumë ndjenja dhe shumë dashuri. Vajzave u mungon kujdesi dhe ngrohtësia. Burrat janë psikologë dhe e dinë shumë mirë si mund t`i bëjnë vajzat që të bëjnë atë që duan ata. Shpesh unë e krahasoj këtë me një bashkëshorte, që rrihet prej të shoqit. Kur burri i thotë gruas se e do gruan dhe nuk do që t`i shkaktojë dhimbje, atëherë gruaja nuk e denoncon. Edhe tek vajzat mekanizmi është i njëjtë".
Përveç kësaj, burrat i kërcënojnë vajzat se do t’u rrëmbejnë, për shembull, motrën ose vëllanë, ose se do tregojnë fotografitë ku ato duken lakuriq në shkollë.
Është e vështirë të thuash sa minorene bien viktimë. Tek Anita de Wit vijnë 20 vajza në vit që kërkojnë të largohen nga prostitucioni.
Edhe qyteti i Amsterdamit e ka kuptuar problemin e prostitucionit ilegal dhe kërkon të rrisë kufirin e moshës minimale për prostitutat nga 21 në 23 vjeç.
Sepse kur vajzat arrijnë moshën e rritur, as prindërit as Anita de Wit, as zyrat për të rinjtë nuk kanë të drejtë t`i ndajnë vajzat nga kodoshët. Anëtari i këshillit të qytetit, Lodwijk Asscher, kërkon që këtu të bëhen ndryshime: "Shumica e viktimave të tregtisë me mishin e bardhë janë më të reja se 23 vjeç. Prandaj ne duam të fusim këtë moshë, si kufi të moshës së rritur. Në Holandë duhet të kesh mbushur moshën 21 vjeç për t`i dhënë autobusit. Kurse për prostitucion nuk ka kufi të tillë, megjithëse gratë e reja janë delikate dhe e kanë të vështirë të mbrohen."
Në këtë mënyrë Asscher kërkon të përmirësojë edhe imazhin e qytetit. Kriminaliteti, thotë ai, është shumë i lartë në lagjen me drita të kuqe. Ndalim-qarkullimi natën mund të ndihmojë për uljen e tij. Përveç kësaj, ata që kanë marrë me qira vitrinat duhet të kontrollohen më shumë.
Për Samanthën këto masa janë të vonuara. Ajo e ka humbur rininë e saj në prostitucion. Edhe ndryshimet e ligjit i sheh me skepticizëm. "Klientët e dinin që unë nuk punoja vullnetarisht, që unë isha minorene. Por kjo nuk u interesonte. Sa më e vogël një vajzë aq më mirë."
Ajo nuk do të kthehet më kurrë në lagjen me drita të kuqe. Fondacioni ka gjetur për të një vend në jug të Francës, ku ajo mund të jetojë nën kujdestari. Atje ajo do të mbledhë forcat, në mënyrë që kur të kthehet në Holandë të mos kthehet sërish tek Loverboys.
G. Standart
No comments:
Post a Comment