Friday, October 1, 2010

Për TY, pa TY

Nuk mund të jem i sinqertë çdo çast me ty. Më vjen keq, jo shumë, por kjo është zgjedhja ime. Druaj, se duke qenë më tepër transparent, do të humbisje shpejt interesin tim, mua... Gjithçka, prej meje sheh, mbahet e ngrihet vetëm mbi dy trarë: "Dashurinë dhe Paqen".
Do të të mërzitej shpejt një njeri kaq i thjeshtë, kaq i drejtë dhe përherë me një arsye, për gjithçka  bën. Ja pse nuk duhet të mërzitesh e përkundrazi duhet të më falenderosh, për çdo gënjeshtër që të kam thënë, për çdo të vërtetë që kam zbukuruar apo që nuk t'a kam rrëfyer. Për çdo buzëqeshje të pafajshme që kam fshehur nën buzë e për çdo hije trishtimi që t'a kam fshehur nën sy. Nën ata sytë tradhëtarë, që edhe pse jo gjithçka arrijnë ta shohin, asgjë nuk kanë mësuar të fshehin...Më beso dhe në mos qofsha i sinqertë. Je ti njeriu, që fati dhe arsyeja ime , ranë në pakt të të zgjedhin si bashkëudhëtare në këtë jetë.

Je mik që ndan shqetësimet me mua, je motër që përkujdesesh për garderobën time, je mama që përkujdesesh për shëndetin tim, je vogëlushja ime që më rrëmben përkëdheljet që kurrë nuk kam mundur të marr. Si një fëmijë më bën të qesh ndërsa jam i nxehur...

Je femra më e nxehtë e planetit, pasionante, romantike. Je e dashura, por dhe dashnorja ime, me të cilën të tradhëtoj. Je zjarr, oksigjen, muzë, satelit, forcë e dobësi, arsye e ndjenjë, paqe dhe kaos e gjithçka mbetet... përsëri je ti.

Je natyrë e palodhshme dyshuese. Urren kontrrollin, por lufton për sigurinë. Je ti e gatshme për të dhënë edhe jetën, për të më treguar sa fort e çmendur dashuron. I sinqertë, apo mashtrues, jam unë ai me të cilin nuk ëndërrove kurrë të jetosh, por si në ëndrra po jeton...

Mendjemadh?!

Sigurisht. Si mund të jesh tjetër në praninë tënde?! Kush do ishte ai mashkull që mendjemadh nuk do të ish...?

Ah, dola përsëri tek ky ish-i, kësaj rradhe sërish padashur. Ti nuk ke asnjë arsye për të qenë xheloze ndaj saj, ndaj tyre. Ato lidhje nuk kanë qenë asgjë tjetër, veçse një seks i tërbuar kafshëror 6 në 24 orë. Mos i var turinjtë ashtu. Bëj shpeshherë shaka me dhimbjen tënde.

Bashkë vërtetë nuk gdhijmë çdo natë, por çdo mëngjes zgjohemi pranë njëri-tjetrit. Flokët e tua në gojën time e gjoksi im si jastëku yt. Sa bukur është tek të shoh që fle. Dua të besoj dhe ta shoh veten si dëshmitarin më solemn dhe shkaktarin kryesor të qetësisë tënde.

Ti qenie femërore, egoiste në ekstrem. Sa më tepër ndjehesh mirë, ngrohtë dhe e sigurt pranë meje, aq më tëpër e refuzon me histerizëm, që këtë ndjesi ta përjetojë një tjetër femër , por e di, e di. Në këtë pikë, dashuria i shndërron të gjithë njerëzit njësoj.

Ti xheloze kronike, që në çdo kronikë do krijosh përherë një arsye për të justifikuar vetvehten. Ti princeshë e një skllavi dhe ti skllavja më e lirë, njeriu më i shtrenjtë për mua.

Ishe pranë në çastet më të vështira për mua, atëherë kur shokët e mi ishin të zënë me punë, atëherë kur miqtë premtonin e harronin...Besove tek unë dhe nuk dyshove për asnjë çast. S''mund ta lije gomarin në baltë, ai gomar kishte qenë më parë fajkua.

Të dy bashkë kemi pikturuar qiellin pa re, kemi shkelur gjethet e vjeshtës, kemi mbledhur dhe ruajtur gurë nga gjithë bregdeti shqiptar, kemi mbjellë dhe zhgarravitur pemën tonë, kemi shprehur çmendurinë në shkollë, në rrugë, në spital, në banjo lokalesh, në majë të piramidës...

Bashkë mund ti rezistonim çdo tufani!

Njëri katoda e tjetri anoda, njëri protoni e tjetri bërthama, njëri e kuqja e tjetri gjaku, njëri frymëmarrja dhe tjetri mushkëria.


Je ende pranë, kudo që të jesh.

Bota është shumë e vogël dhe e pafuqishme për të mbajtur larg, dy njerëz si ne...


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

1 comment:

Anonymous said...

E mahnitshme, më la pa fjalë!
Sa mirë që ka meshkuj të tillë Shqipëria. :)