Rasti ka ndodhur në një nga fshatrat e njohur të zonës së Korçës dhe pikërisht në Boboshticë, ku pretendohet se ekzistojnë disa varre që u përkasin të rënëve në luftën italo-greke. Varrezat e vjetra të Boboshticës, që ndodhen në territorin e kishës së fshatit, janë betonuar për të ngritur një piedestal për ushtarët grekë.
Në varrezat e vjetra mbi 200-vjeçare të fshatit është bërë betonimi i një segmenti deri në afërsi të një kryqi të vendosur 15 vjet më parë për të përkujtuar një nga ushtarët grekë që është vrarë gjatë luftës dhe eshtrat e të cilit kanë qenë të vendosura në një nga parcelat e varrezës, aty ku kanë qenë edhe eshtrat e banorëve të tjerë të zonës.
Edhe pse eshtrat e ushtarit grek nuk ndodhen më në territorin e varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë, por janë zhvendosur prej vitesh në varrezat e reja, vendi ku ai ka qenë i groposur është shfrytëzuar për të bërë homazhe në datat që përkujtojnë luftën italo-greke.
Reagimet e para kanë ardhur nga ana e banorëve të fshatit, të cilët kanë në këtë varrezë eshtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre. Kryqet e vjetruara, të cilat dallohen qartë, qëndrojnë në të dyja anët e platformës prej betoni, ndërsa nën segmentin e betonuar, banorët thonë se ndodhen edhe varre të tjera.
Banorët kanë ngritur gishtin e akuzës ndaj organizatës së minoritetit grek “Omonia”. Ata deklarojnë se prej një muaji përfaqësues të “Omonias” kanë qenë në këtë vend kodrinor për të kryer punime, edhe pse një pjesë e fshatit ka pasur rezerva për të bërë një memorial dhe për të ndërtuar mbi parcelat ku janë varret e vjetra.
Sipas tyre, betonimi është bërë për të kryer homazhe. Një memorial në formë kryqi ka qenë pikënisja e ndërtimit me beton të rrugës që kalon tashmë përmes varrezave me disa shkallë që nisin nga oborri, i cili është territor i manastirit të Shën Mërisë.
Të pozicionuara në kodrën e fshatit, këto varreza të vjetra në vitin 1996 pësuan tjetërsimin e parë.
Në vendin ku ishin të vendosura eshtrat e ushtarit grek, u ngrit një kryq në formë memoriali për të kujtuar ushtarin e rënë, por në këtë memorial janë shkruar me germa greke dhe shqiptare fjalët “në nderim të ushtarëve grekë të rënë në luftë”.
Vite më parë, kur u vendos kryqi, askush nuk u shqetësua për këtë fakt. Ishte një banor i fshatit, i cili në atë kohë punonte në degën e “Omonias”, që kishte bërë këtë kryq në vendin ku ishte edhe kisha e Shën Mërisë, por për faktin se dihej se aty ishin eshtrat e ushtarit, banorët nuk e panë me habi këtë veprim dhe dhuratë që vinte nga një prej banorëve si shenjë nderimi për ushtarin. Ajo që ka shqetësuar banorët, ka qenë betonimi i një pjese të varrezave për të mbërritur te kryqi dhe ndërtimi përreth i një platforme të gjerë betoni, për zhvillimin e homazheve në përkujtim të ushtarëve grekë.
Siç tregojnë banorët Boboshticës, punimet kanë filluar qysh një muaj më parë dhe kanë përfunduar tashmë, edhe pse një pjesë e fshatarëve nuk e kanë dhënë pëlqimin.
Banorët e vjetër të fshatit kanë kërkuar prishjen e rrugës prej betoni që zë një pjesë të varreve të vjetra. Ata akuzojnë për dëmtim të varreve të të parëve nga hedhja e betonit dhe thonë se poshtë platformës ka ende eshtra.
Nga ana tjetër, Komuna e Drenovës, që ka nën administrim fshatin Boboshticë, nuk ka dijeni për ndërtimin e memorialit dhe rrugën që të çon në të, edhe pse si për çdo ndërtim, duhej të merrej leja e posaçme nga KRT-ja lokale.
Kryetari i Komunës Drenovë, Flamur Sala, tha dje se komuna nuk është njoftuar zyrtarisht nga asnjë institucion, organizatë apo subjekt privat për një ndërtim të tillë.
“Ndërtimi i rrugicës prej betoni në varrezat e Boboshticës është bërë pa leje”, tha ai, ndërsa u angazhua se shumë shpejt do të ngrihet një grup pune për verifikimin e shkeljes dhe do të merren masat ligjore.
G. Shqip
No comments:
Post a Comment