Wednesday, October 6, 2010

Mbesa e Berishës, eksperte kontabël e Prudentinos

Albino Prudentino, njëri prej drejtuesve kryesorë të organizatës kriminale mafioze “Sacra Corona Unita”, prej kohësh ishte vendosur në Shqipëri ku kishte shtrirë dhe aktivitetin e tij tregtar. 59 vjecari i cili u arrestua dje në Vlorë për llogari të drejtësisë italiane kishte themeluar tre kompani në fushën e basteve dhe kazinove
“Gazeta Shqiptare”, në kuadër të investigimit mbi aktivitetin e Prudentinos në Shqipëri, zbulon se 3 kompani bastesh figurojnë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në emër të djalit të tij Angelo Prudentino.

Bëhet fjalë për kompaninë e njohur në fushën e lotarive dhe basteve sportive “Bet Plus”. Nga të dhënat që ofron ekstrakti i regjistrit tregtar të saj, rezulton se 45 për qind të aksioneve të kësaj kompanie i zotëron pikërisht 35 vjeçari Angelo Prudentino. Aktualisht kompania është e pezulluar. Në shkurt të 2010 janë regjistruar kompanitë “Betting System Albania” ku Angelo Prudentino zotëron 80 për qind të aksioneve si“Cazino Italia” ku zotëron 50 për qind të aksioneve.

Investigimi i gazetarit Tedi Blushi i botuar sot në "Gazeta Shqiptare",  zbulon se pikërisht mbesa e kryeministrit Berisha, (vajza e motrës) Shpresa Brecani figuron të ketë qenë eksperte kontabël në kompaninë e njohur në fushën e lotarive dhe basteve sportive “Bet Plus”.


Motra e Majlinda Bregut, biznes me Prudentinon

Aktiviteti i biznesit në Shqipëri i Albino e Angelo Prudentino, dy prej kokave të “Sacra Corona Unita” përfshin lidhje me njerëz të fuqishëm.
"Gazeta Shqiptare" vazhdon sot publikimin e investigimeve mbi aktivitetin e familjes Prudentino dhe zbulon se e motra e ministres së Majlinda Bregut, Ornela Bregu dhe bashkëshorti i saj Ervis Gjeçaj figurojnë të jenë bashkëpunëtorë të Angelo Prudentinos ( djali i Albinos) në një prej kompanive të tij.

Në kryeartikullin e sotëm me titull “Motra e ministres, ortake e mafiozit” zbulohet se “32-vjeçarja Bregu, një show-girl e njohur e spektakleve shqiptare, është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës e kompanisë “Betting System Albania”.

Në të njëjtën kompani bashkëshorti i saj, Ervis Gjeçaj mban dy funksione: përfaqësues ligjor dhe bashkëpronar me 20% të aksioneve. 80% e aksioneve të “Betting System Albania” i përkasin bosit të “Sacra Corona Unita”.



“Betting System Albania” u themelua me 12 shkurt 2010 dhe figuron “aktive” në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ajo ka një veprimtari të gjerë që përfshin bingon, llotaritë, lojërat elektronike, llotot sportive, kazinotë etj.

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit figurojnë të regjistruara në emër të familjes Prudentino dhe 2 kompani të tjera bastesh “Bet plus” dhe “Casino Italia”.

59 vjecari Albino Prudentino u arrestua dy ditë më parë në Vlorë për llogari të drejtësisë italiane pasi gjykata e Leçes kishte lëshuar urdhrin e arrestit për veprat “Bashkëpunim kriminal të tipit mafioz”, “Trafik droge”, “Grabitje në rrethana rënduese."

Emri i Shpresa Breçanit u bë i njohur për opinionin public sepse nga hetimet rezulton se ka punuar dhe si eksperte kontabël e dy kompanive të tij, të biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç si dhe kishte audituar pasqyrat financiare të viteve 2006-2007 të ndërmarrjes “MEICO” dhe të Uzinës së Poliçanit.
G. Tedi Blushi, Ballkanwe.com

No comments: