Thursday, October 28, 2010

Maya

Jo, mos mendoni se ky artikull ka për qëllim të informojë lexuesit për fiset Asteke Maya (maja) të Amerikës Jugore , të njohura së fundmi për kalendarin e tyre të profetësive mbi fundin e botës (apokalipsin e qametin) 21.12.2012, pasi edhe kjo datë u shty së fundmi edhe me 50-vjet.

Jo, nuk bëhet fjalë as për Fatbardha Aliçkajn, këngëtaren që po trondit skenat shqiptare, me nofkën Maya.

Maya është filmi më i ri shqiptar që po shfaqet në kinematë e kryeqytetit, e të cilit po i bëhet një marketing i fuqishëm në mbarë shtypin shqiptar. 
Një film artistik me metrazh të gjatë, prodhim i “Art Film P&D”, i titulluar “Maya”, si emri i gruas së bukur që do të “përziejë” gjithë fshatin. Filmi është mbështetur mbi një tregim të Luljeta Lleshanakut,  e cila e ka përshtatur atë në një skenar filmi së bashku me Pluton Vasin.


Nuk mund të rri pa shkruar diçka rreth ngacmimit që më shkaktoi ky film i ri Shqiptar. Duke nisur që tek titulli që nuk është aspak shqip dhe duke lundruar përmes tematikës që ai trajton.

Kritikët e publicistë të ndryshëm, e kanë quajtur këtë film një kronikë provinaciale, që ndodh në të gjitha provincat shqiptare dhe rëndomtë ngjarje të tilla mbushin e nxijnë çdo ditë shtypin shqiptar. Pra, është parë si një fenomen negativ në shoqërinë shqiptare dhe shumë aktual.
Nuk e kuptoj fillimisht se përse edhe ata pak filma që bëhen pothuajse shqip e me aktorë pothuajse shqiptarë, e prekin kaq përciptas realitetin shqiptar, por edhe kjo prekje kaq sipërfaqësore.

A thua është vërtetë kjo problematika reale e shoqërisë shqiptare?

Në pjesën më të madhe të filmave realizuar pas 90-ës gjithçka na shfaqet gri e zymtë, mbushur me bunkerë, pa dialog, me kriminalitet, prostitucion, drogë.
Filmi trajton një provincë e thashethemet që bëhen në të. A ka ndonjë provincë në botë ku nuk bëhen thashetheme, apo vetëm ne shqiptarëve nuk na lejohet?

Filmi trajton gjithashtu fanatizmin dhe nga ana tjetër vendos si personazh kryesor, një paruker që lyen përlyen e zbukuron gjithë gratë e zonës. Po më thoni more zotërinj të nderuar, se si ka mundësi që në një provinë kaq fanatike, të gjithë meshkujt lejokan gratë e tyre të lyejnë flokët tek parukeri? Ose nuk ka fanatizëm, ose nuk ka parkuer mashkull, të dyja nuk shkojnë...

Ajo që të tërbon edhe më shumë është fakti se janë po këta aktorë, regjizorë e skenaristë shqiptarë që japin gjithashtu kontributin e tyre tek filmat e rinj të Hollivudit, ku ne shqiptarët etiketohemi e trajtohemi si kriminelë, hajdutë, tutorë, fanatikë, të prapambetur, të pazhvilluar...

Kur do të dalë një skenarist shqiptar që të prekë realisht, dramën shqiptare?
Për korrupsionin qeveritar apo ndërkombëtar, për rrezikun e madh që i kanoset gjuhës shqipe (MAYA), për radikalizimin e besimtarëve fetarë, për xhamitë që këndojnë akoma arabisht dhe për kishat që thurin plane shoviniste, për mjerimin migjenian të zonave rurale të Shqipërisë, për shkatërrimin e florës e faunës shqiptare, për plehrat që po na mbulojnë dhe për ato që po importojmë, për degradimin e sistemit arsimor, për dezertfikimin total moral të mjekësisë shqiptare dhe kushtet skandaloze në spitale, për shërbimet e mjera dhe infrastrukturën, për nivelin skandaloz në sport dhe degradimin e muzikës e artit në përgjithësi, për humbjen e identitetit, traditave, zakoneve, etj, etj.


Një popull shterp në art, është shterp edhe për të ardhmen e tij.

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: