Thursday, October 21, 2010

Pellazgët-shqipëtarët

Ishte një ditë,
Që Pellazgitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë;

Duall ng' Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.
 Pas pakë herë,
Duke përzjerë,
Ca me të tjerë
Bënë Elinët; (helenët)

Dhe duke ndarë
Syresh nje farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri Llatinët.

Edhe të tjerët,
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellazginj mbenë;

Maqedhoninjtë,
E Ilirinjtë,
E Mollosinjtë,
Gjith' ata qenë.

Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na Shqipëtarë;

Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe Shqiptarë.

Thot' Herodhoti,
Në Tomor Zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë;

Është m'e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;

Me Grekërinë,
Dhe me Persinë,
Me gjith Asinë,
Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,(Aleksandrin e Madh)
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë
Gjithë Asisë;

Burr' u dëftyem,
Të gjith i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron' e Persisë.

Të tërë dhenë,
Den' e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb' i vumë;

Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint' i vramë
E i tmeruam;

Me Skanderbenë
Turqve sa qenë
U dhamë dhenë,
Edhe i dbuam.

Kush i goditi
Posi petriti,
E i cfiliti Turqit,
barbarët?

Bota s'kuxonte,
Që t'u qëndronte,
Po kush lëftonte? -
Ne Shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,
Se s'kupëtuam,
Dhe nuk e çquam
Të mirën tonë;

Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç'të thotë? -
Nuk' ishte thënë!

Mbajtmë Turqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm' Italinë,
Po SHQIPËRINË?

Pse s'u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç'fituam?
Ç'kemi taninë?
* Botuar për herë të parë në Rev. "Albania", Bruksel, 1897, nr.4, f.50. 

No comments: