Në një vend ku kronikat e mbushura me rrëfenja rozë të disa Vip-ave kanë tashmë lirinë e skajshme mediatike, kronikat e zeza do të ndihen më ngushtë. Qe një e kaluar e viteve nëntëdhjetë kur nëpër gazeta e televizione me këto rubrika të fundit shpërdoroheshin hapësira e kohë në përmasa të mëdha, deri në errësim të realitetit. Porse me sa dukej kjo bënte pjesë dhe shkonte sadopak me humorin tonë ato mote ende jo fort ngazëllues. Tani që pak nga pak po mëkëmbemi, na ndodh natyrshëm të përmbytemi edhe nga një gjendje shpirtërore më e mirë dhe për pasojë edhe nga kulti i jetës së trëndafiltë.
Kështu ngjarja tronditëse e ditëve të fundit, kur një burrë Gjelosh ia vuri thikën në fyt një gruaje Mimoza, kaloi si t’ia merrte vrapit. Policia e ndali vrasësin, ne të tjerët, pra shoqëria, nuk mundëm ta bëjmë këtë me ngjarjen.
Ndodhinë kriminalisht shumë makabre e lamë t’ia mbathte, sepse e kuptuam si kronikë, kurse në të vërtetë ishte problem, madje tepër i madh.
Pothuaj asnjë elitë sociologësh apo të specializuarish për raportet brenda familjes, trupë gjyqtarësh apo grup legjislatorësh dhe nëpunësish të lartë të administratës shtetërore, shoqata feministe apo bashkësi që merren me trajtimin e fëmijëve, gazetarë apo në fund të fundit edhe këngëtarë e poetë, pra njerëz që kanë mendje dhe ndjenja të holla, nuk u mblodhën për ta analizuar.
Ata që kaq shumë herë manifestojnë protagonizëm debati deri në zënkë për tema nga më të larmet, jo rrallë aspak më urgjentet, dëshmuan apati, pothuaj si të kishin rënë në dremitje. Foli vetëm Gjelosh trimi, i cili shpjegoi çfarë e shtyu në krimin e tij ndaj një femre, saktësisht gruas së vet tridhjetedyvjeçare, me të cilën kishte dy fëmijë. Kështu patëm rastin të merrnim vesh sado përcipërisht çfarë shtyse të vërtetë kishte pasur.
Sigurisht nuk qe krizë nervore. Ishte pasojë e një krize mendësie. Nuk kishte pasur traumë psikologjike, por humbellë e zbrazësi të thellë në formimin e tij shoqëror. Nuk vuante prej xhelozisë mashkullore, por prej arrogancës dhe dhunës së saj. Nuk paraqiste shenja të kulturës së më të fortit fizikisht, por atë të sundimit mbi një qenie tjetër njerëzore. Iu lut së shoqes, shkuar tashmë në shtëpinë e të vëllait, të merrte pjesë në katërvjetorin e lindjes së vajzës së tyre dhe pastaj e vrau atë në sy të saj.
Patologjikja në pohimin e tij para gjykatësit se “Mimoza thërriste fort për ndihmë, ndërkohë që unë ngulja pa pushim thikën në trupin e saj. Kjo zgjati derisa tehu i thikës u shkëput nga bishti... Vëllai i saj është shurdhmemec. Unë e dija këtë dhe isha i bindur se ai nuk e dëgjonte zhurmën...”, është pjesa më e dalë mendsh e krimit, por gjithaq edhe më tunduesja për të na futur në grackën e interpretimeve se kemi të bëjmë me një njeri të bërë zap nga të meta psikike.
Gjeloshi jo si rasti më i fundit dhe as i pari në dhunën gjer në jetëmarrje të një femre e ka mendjen të mbushur se gjithçka që kreu erdhi për pasojë e një debati me të shoqen dhe pas një vendimi të Mimozës për t’u divorcuar. “Kjo më tmerroi”, ka pohuar. Mirëpo ajo i kishte thënë disa herë se nuk e duronte dot jetën me të, jo sepse nuk kishin përputhje temperamentesh apo karakteresh, se ai e tradhtonte apo sepse qe pijanec, se kishte ndonjë sëmundje ngjitëse a merrej me drogë. Asgjë të tillë nuk kishte Gjeloshi. Sipas vetë atij Mimoza po divorcohej, sepse “prej tij kishin frikë fëmijët dhe ajo vetë”.
Pra ajo me prishjen e martesës po i largohej një rreziku fizik, jo thjesht një parehatie shpirtërore. Nuk po i shmangej ndonjë fjale të rëndë apo edhe ndonjë shpulle emotive, nga ato që ende kemi rëndom, por po ikte nga një kërcënim për t’iu marrë jeta. Martesa dhe bashkëjetesa me burrin i qe shndërruar në një qeli, ku priste me ditë dhe orë ekzekutimin e dënimit me vdekje.
Sipas asaj të cilën burri i paburrë Gjeloshi para gjykatësit e pohoi si një shkak apo arsye, për vrasjen e kryer kishte qenë edhe gjendja e varfërisë. Atij mund t’i jetë dukur edhe kështu, por në të vërtetë pasi ka gënjyer veten nuk ka përse të na mashtrojë ne. Varfëria është e keqe dhe mjaft poshtëruese, burim konfliktesh, shpesh e tillë sa disa njerëz i bjerr moralisht dhe i shtrëngon të marrin rrugë të keqe, por kjo ndodh me fare pak të dobët.
Shumica, pra ata që nuk jepen, bëjnë gjithçka të pranueshme për të mbijetuar. Kanë kapërcyer kufijtë kur të vriste kufitari, kanë sulmuar ambasadat kur nuk dihej si kokëkrisja do të përfundonte, kanë hipur nëpër gomone me skafistë që nëpër terrin e natës dhe pa asnjë busull kalonin detin e trazuar për t’u zbarkuar në bregun fqinj vetëm me rrobat e trupit. Janë të varfër, me qindra, ata që edhe në mes të Tiranës, qytetit shqiptar më të mirëqenë, zënë radhën e hidhur në sheshin te “Partizani i Panjohur” në pritje kush i merr për ndonjë punë disaorëshe. Apo ata pothuaj fëmijë që me një kuti të kartontë enden nëpër buzëtrotuare dhe bare duke shitur ndonjë paketë cigare, kartë telefonike apo çakmak.
I gjithë “kodi” që shpjegon gjestin makabër të “burrit” të mësipërm, të cilit si për të dhënë kuptimin e një simboli kapardisës (gjel) ndaj një tjetër simboli plot jetë të brishtë (lule mimoza), është një dhe vetëm një: gruaja si një hiçgjë.
E shumta një plaçkë, një send. Ajo mund të përdoret, madje edhe për të krijuar familje, por familja nuk është e saj. Mund të ngrejë edhe shtëpi, ta mbajë pastër dhe plot rregull, por as muret e saj nuk i takojnë. Mund të lindë edhe fëmijë, t’i ushqejë e veshë, t’i shoqërojë për në shkollë dhe kur kanë temperaturë të mos bëjë një sy gjumë, por as fëmijët nuk i përkasin asaj. Në rastet kur do të marrë diçka nga familja e vet atë do ta vendosë burri. Ky sigurisht nuk është më bashkëshort, pra njeriu që ndan barabar fatin me një grua, aspak shok jete me një nënë të fëmijëve të vet, madje nuk është as burrë. Ai është thjesht një mashkull, i cili epërsinë fizike, pra masën më të madhe të muskujve, një favor thjesht biologjik, e ka kuptuar dhe e përdor siç bëjnë vetëm disa kafshë të egra, por edhe këto rrallë.
Gruaja dhe nëna që tashmë nuk jeton më, u vra në mënyrë aq të dhunshme, sepse qe femër. As në këtë krim ajo nuk u trajtua sikur të qe mashkull. U ther si një pulë. Gjeloshi dhe çdo rast tjetër i tillë, edhe pse para gjykatës do të marrë masën e merituar të ndëshkimit ligjor, nuk mund të tolerohet dhe mbyllet pa një reflektim të të gjithë opinionit tonë publik. Jo sepse ky është dakord me çfarë ndodhi. Ndoqëm reagimin e qindrave prej bashkëkombësve në bloge të ndryshme të internetit dhe zemërimi ndaj vrasësit qe shumë i madh. Thërritnin “Mallkuar qofshin ata burra që lënë fëmijët pa nënë!”, “Mallkuar qofshin të gjithë meshkujt që përdorin forcën në vend të fjalës dhe dialogut!”, “Ngelshin në jetë të jetëve skllevër të mjerë të egoizmit, inferioritetit dhe injorancës pa kufi!”, “Zoti i bekoftë femrat, janë si shpirt të mira!”...
Asnjë fjalë më tej nuk do të shkruanim për të kujtuar sentencat e filozofëve për rolin e gruas në një shoqëri. Për shqiptarët do të mjaftonte vetëm çfarë ka shkruar Naim Frashëri. Nuk do ta çonim më tutje këtë shkrim edhe duke iu rikthyer një teme tjetër: kontributit të madh të femrës në vetë një qytetërim. Apo në jetën e një kombi, në identitetin e një populli,
Ne shqiptarët, të cilët për arsye shumë të ndryshme akoma mes nesh, por edhe thellë mendësive tona, kemi një moskuptim të rolit të plotë të femrës ndoshta tani për tani, sa ta kapërcejmë këtë handikap, do të bënim mirë ta mbushëmendnim veten se bashkëshortet tona nuk janë gjysma jonë, por më tepër se kaq. Pra në rast se hë për hë ka një më pak se gjysmë, kjo është dhe mbetet në anën tonë.
Namik Hoti, një shqiptar i çuditshëm që theku edhe ca pasion në politikë, e përdorte shumë citimin e urtësisë popullore. Ai e kishte zakon që sa herë shkruante emrin-mbiemrin e tij ta shoqëronte atë edhe me emrat e të dy prindërve: të nënës Fadile dhe pastaj të të atit Vehbi. Gjë shumë e mençur sikur të bëhet ligj. Eh sikur edhe femra në një lidhje martesore ta ruante mbiemrin e prindërve të vet dhe në historinë e ndërlikuar të trashëgimeve pronësore, por edhe thjesht “pemëve” gjenealogjike, biografive të të parëve, titujve...
Në shekullin e trembëdhjetë perandori gjerman Conrad III, pasi kishte rrethuar armikun e tij të paepur, dukën e Bavarisë Gelphe, para se të masakronte mbrojtësit meshkuj pati lejuar të dilnin nga kështjella vetëm gratë. Nuk do t’u prekej gjithçka që mund të merrnin me vete, duke e mbajtur fizikisht në krahë. Kur për të dalë turma e tyre bëri ballë në portën e madhe të kështjellës perandori mbeti i shtangur nga pamja. Të gjitha gratë kishin vënë mbi supe jo vetëm fëmijët, por edhe burrat e tyre. Qe sigurisht një përpjekje mjaft e mundimshme, një pamundësi reale për fizikun e tyre të brishtë, për ato më pak muskuj që kanë, por e kishin një mesazh për të dhënë. Conrad III u mahnit dhe po aq u prek në zemër. Kështu i fali dhe i la të lirë të gjithë.
A ka ndodhur e kundërta, pra burra që mbajnë në krahë gratë e tyre për t’u shpëtuar jetën e ruajtur të bashkuar familjen? Me gjithë respektin që ne “burrat” kemi për vete, deri tani kronika e botës as në formë legjende apo përralle nuk thotë gjë.
Ylli Polovina, G. Shqip
No comments:
Post a Comment