Sunday, October 17, 2010

Manifesti i ekscentrikut

Dashurohuni mor brez i pakuptimtë, se po vdisni të shëndetshëm! – Leart Kola
E vërteta shkencore është që ti nuk je në qendër të universit, dhe nuk ke asnjë arsye për të hyrë në marrëdhënie narciziste me vetveten, aq më pak tani, që universin e njohim kaq të madh. Në vend të dëshpërimit, ky fakt duhet të të injektojë dëshirën për të rritur vetveten tënde intelektuale, shpirtërore e shoqërore, e për të bërë këtë ka vetëm një mënyrë, nëpërmjet pasionit. Është dashuria për të tjerët, solidariteti, dashuria për dijen, për mendimin, për artin, për detajin e për të tërën që do të të bëjë pjesë domethënëse të jetës.


Dhe të qenit i veçantë, kreativ, modest, logjik e konsistent. Kjo është ajo që aktualiteti dikton, të qenit ekscentrikë. Dhe i tillë duhet të jesh. E përditshmja jote duhet t’i dedikohet pasionit, kërkimit të dashurisë të shpallur a të fshehtë, jo kënaqësisë momentale, jo dekadencës apo bjerrjes sentimentale, por shkundjes e turbullimit shpirtëror e fizik. Vetëm mbi urat delikate të këtij turbullimi do të mund të kthjellohesh, vetëm nëpërmjet kësaj tronditjeje ktonike do të mund të përmbysesh, të shkatërrosh ngrehinën perverse që rri brenda teje, e që quhet herë common sense, herë moral, herë pragmatizëm, herë hedonizëm , herë traditë, herë disiplinë, e herë qejf. Largohu prej “normales” dhe synoje, stimuloje tek vetvetja të veçantën, të renë, të papërsëritshmen. Ndiq artistë, filozofë e mendimtarë, pra shkel shtigjet e tua, e arratisu drejt periferisë, lërja qendrën zakoneve tashmë të mërzitshme dhe vanitetit të njerëzve të suksesshëm. Braktise dhe suksesin, sepse ti e dini mirë se ç’do të thotë të jesh i suksesshëm në një shoqëri të sëmurë, në një shoqëri agresive, në një shoqëri të korruptuar. Largohu prej suksesit, kësaj shfaqjeje të pështirë të një jete moçalore, kriminale deri në vogëlsi.

E kurrë mos e mendo veten vetëm, apo çift, apo pak. Njeriu nuk mund të jetojë jashtë shumësisë së miqve, bashkëqytetarëve, bashkëbiseduesve. Dedikoja jetën vetvetes, po më shumë njerëzve që keni pranë. Ji zemërgjerë e zemërhapur, dashuro dhe dashurohu, në çdo ditë e në gjithçka që bën, syno të gjesh dashurinë.
Dashuro seksualisht, dashuro intelektualisht, dashuro në mënyrë trupore, apo artistike, apo artizanale, apo poetike. Përbuze dashurinë platonike, apo virtuale, përbuze sipërfaqësinë, përbuze indiferencën. Dashurohu me trupin e bukur, me mendjen e ndritur, me sytë shprehjeplotë, me zemrën e dhimbsur, me buzët e bukura, me duart e afta, dashurohu me talentin, me pasionin, me intimitetin e gjithkujt që ofrohet të ndajë me ty vetveten. Bëhu dashnor, prind, vëlla, bashkëpunëtor, shok, e sidomos bashkëbisedues. Në gjithçka që bën, jep vetveten. Dhe atë çka nuk mund ta dashurosh, por je i detyruar ta bësh prej kushteve të urryeshme të përditshmërisë, urreje. Mos urrej me fjalë, me sharje, me shpifje apo me thashetheme. Urrejtja njeh vetëm një mënyrë të shfaqjes, kërkoje dhe kultivoje. Grushti nuk është organ rudimentar.

Kultivoji pasionet e tua artistike e artizanale, koleksiono e prodho. Koleksiono monedha, pulla poste, libra, disqe muzikore, gazeta, mendime, dashuri apo lule të thara. Bëhu piktor, poet, marangoz, kopshtar, shofer, arkitekt, thurës, qëndistar, gdhendës, inxhinjier, mjek, këngëtar, matematicien apo balerin. Dhe gjithçka bën, dashuroje, bëhu amator i saj, e kurrë profesionist. Apasionohu e fillo ta njohësh për së brendshmi se ç’do të thotë aktivitet krijues. Prodho për kënaqësinë tënde e për dobinë e të tjerëve. Përpiqu ta ndjesh ndër gishta atë që po bën, e në rast se të detyrojnë të punosh për të jetuar, në rast se ta kërrusin kokën nën kularët e përjetshëm të vartësisë, atëherë nis të sabotosh. Nëse dashuria zhvishet përdhuni prej ditëve të tua, atëherë mos ki drojë të demonstrosh urrejtjen. Shkatërro sa më shumë që të mundesh nga prona e skllavopronarit, qoftë ky shtet, qoftë ky privat, dhe vijo të mashtrosh eprorët e të marrësh të ardhurat e tua. Fundja faji është i tyre që e vrasin pasionin e dashurinë nëpër proçese burokratike, administrative, hierarkike apo teknike të një rutine të krijuar enkas.

Kujdesu për detajet, vishu qartë, shfaqu bukur, shfaqu ndryshe. Mos e bli shfaqjen tënde, krijoje atë. Dashuroje mënyrën se si i shfaqesh botës, dhe dashuroji ata që si ty kontribuojnë në bukurinë e përgjithshme. Urreje këdo që synon të propagandojë shëmtinë. Refuzoji, përbuzi e zmbrapsi ata që të detyrojnë të veshësh polo apo tailleur për të shkuar në punë, ata që të detyrojnë të veshësh minifund për të dalë në semafor, ata që të detyrojnë të veshësh firmato për të dalë në mbrëmje, ata që të detyrojnë të vishesh me të zeza për të shkuar në varrim apo me të bardha për të vajtur në dasëm. Gjithçka është idiote, e papërputhshme me shijen, është gërryese e harmonisë në rast se nuk ndjek rregullat mahnitëse të kaosit, gjendjes së lirisë e drejtësisë sociale, ku të gjithë janë njësoj të rëndësishëm, pavarësisht pozicionit, kahut, drejtimit apo shfaqjes. Dhe të gjithë njësoj të bukur.
Lexo shumë, e mos studio kurrë. Mos bëj detyra, mos iu nënshtro provimeve. E gjithë kjo do të qe kohë e humbur prej leximeve të tua, dashuroji librat, përhumbu në lexime. Dëgjo muzikë, stërvit sytë me piktura e me foto. Vendose ti se ç’është e bukura e ç’është e shëmtuara, pasi të kesh lexuar, të kesh dëgjuar, të kesh pyetur e të kesh gjykuar, dhe arsyetoje e artikuloje qartë të bukurën, sepse tëndja është detyra që ta dashurosh. Po ashtu siç ke për barrë të urresh të shëmtuarën nga e cila duhet të distancohesh qartë, e ta kundërshtosh në mënyrë aktive. Mos ki frikë nga teknologjia, merre atë dhe përdore, dashurohu me të. Ashtu si gjithçka tjetër, ajo është shpikur për të përmirësuar jetën, e jo për ta thyer atë. Dashuroje teknologjinë, urreje teknikalitetin. Dashuroje proçesin, urreje proçedurën. Ji antiaktual, vishe pasionin me forma të reja.

Dhe ji gjithnjë në pritje të trenit apo vaporit që do të të marrë për të të shpënë në periferi, se nuk ka gjë më të shëmtuar sot se sa qendra, qendra e qytetit, qendra e vëmendjes, media qendrore, universiteti qendror, qeverisja qendrore, qendra e partisë, qendra e pushtetit… Qendra është kampi i vërtetë i përqendrimit për njerëzit e sotëm. Qendra është vendi ku stivohen shije përmbi shije, sipërfaqësi përmbi sipërfaqësi, vanitet përmbi vanitet. Qendra është sado-mazo, vendi i hipokrizisë, i biznesit, i pazarit. Mjalti që mbledh rreth vetes vetëm miza. Vendi i makthit, i shëmtisë dhe i ndotjes. Aktualiteti të detyron të jesh radikalisht ekscentrik. Bëhu snob. Bëhu punk. Në shfaqje, por mbi të gjitha dhe thelbësisht, në shpirt. Jepi frymës tënde aromë molotovi, dhe jetoje ditën me perspektivën e shekujve që vijnë, duke mos harruar që ti jeton në solidaritet me të tjerët si ty, e të tjerët që ti dashuron sot kanë nevojë për ekscentrizmin tënd revoltues.

Lëshoje pushtetin, lëshoje paranë, lëshoje ankthin e përditshëm që rrjedh prej konkurrencës dhe propagandimit të lifestyle-it postmodern. Postmoderniteti i përket të djeshmes, ti i përket të ardhmes, dhe e ardhmja është plot me njerez të apasionuar, njerëz që janë politikë në çdo grimcë të qenies së tyre, njerëz që mendohen e thellohen, që kur urrejnë tërbohen, që kur dashurojnë, harrohen.
Pi, kërce, lufto, krijo, dashuro, zihu. Lëre zemrën të t’i sjellë agimet me ngjyrën e saj të trëndafiltë, dhe kuptoje, ka gjithnjë terren përtej atij që sot duket i zënë! 

Shkroi: Arbër Zaimi

No comments: