Thursday, October 21, 2010

Dëshmitë për UFO në Shqipëri

Fotot të rralla, pamje dhe dëshmi të mbledhura që prej vitit 1993, që flasin për prezencë të objekteve të paidentifikuara edhe mbi territorin shqiptarë

E çuditshme! E padëgjuar! Një UFO ka zbritur në Roskovec, në Cërrik, Vlorë, Elbasan e madje edhe në Tiranë. Në daç besojeni, në daç jo, ngjarje të tilla janë bërë shumë edhe për Shqipërinë, sa me to mund të bëhet një kronikë e plotë dëshmish. Më poshtë në listë janë gjashtë të tilla që ne mundëm t’i mblidhnim nga dëshmitë e medias dhe internetit, një pjesë janë bashkë me “prova” filmike dhe me më shumë se një dëshmitarë, që të gjitha të ndodhura brenda kufijve të Shqipërisë.
Frymëzim nga ato që ndodhin në botë apo dëshmi origjinale shqiptare, kjo ende mbetet e paqartë. Ndërkohë dje Nju Jorku u mahnit pas disa objekteve fluturuese të çuditshme që për disa mund të ishin edhe thjeshtë balona, por që u transmetuan live në rrjetin prestigjioz ABC apo në të gjitha faqet zyrtare të gazetave lokale si NyPost, e pushtuan në pak minuta internetin. Pikërisht kjo duket se e bën të pamundur që Shqipëria t’i shpëtojë manisë për të ngritur sytë nga qielli dhe për të parë aty gjëra që nuk mund të identifikohen lehtë. Pamjet e UFO-ve tashmë janë bërë të zakonshme, ndërkohë që po studiohen gjithmonë e më seriozisht. Sigurisht dëshmitë shqiptare kanë mbetur më të pasqaruarat edhe pse misteri mbetet i njëjtë edhe për objektet e shfaqura në Nju Jork, ku me gjithë teknologjinë, pak kanë mundur të thonë se për çfarë bëhet fjalë. 

Korrik 1993
UFO shfaqen në Cërrik
Banorë të qytetit të Cërrikut, panë sipas medias së kohës për rreth dy orë një objekt fluturues të rrallë, të cilin e identifikuan si UFO. Për 2 orë me radhë qyteti u përfshi nga paniku dhe kurioziteti. Një gazetë e kohës lajmëron se policisë asaj nate iu desh të qetësonte qytetarët, të cilët ishin habitur pas pamjes së objektit që sipas dëshmive ishte ndriçues dhe fluturonte. Gazeta raporton se objekti qëndroi në qiell nga ora 20.00 e mbrëmjes deri në orën 22.00 dhe u largua vetëm pas ishte parë nga dhjetra dëshmitarë. Gazeta përmend një objekt të ngjashëm të parë në afërsi të kësaj zone në vitin 1963, por që atëherë debati ishte mbyllur me pohimin e përfaqësuesve të sistemit se bëhej fjalë për një avion të ri të hedhur në ajër nga Shqipëria.

Maj 2006
UFO zbret në Roskovec
Tre dëshmitarë okularë një grua e rritur dhe dy fëmijë, por edhe gjithë banorët e qytezës së Roskovecit, besojnë se 4 vjet më parë në qytetin e tyre zbriti një objekt i paidentifikuar, të cilin ata e quajtën UFO. Tre rradhë të zinj të fotografuar, që sipas banorëve qenë të nxehtë edhe një ditë pas “zbritjes” ishin dëshmia e madhe e objektit që preku tokën dhe në një fragment sekondash bëri që zona për rreth sipas dëshmitarëve të ndriçohej, errësohej në moment dhe më pas të përfshihej nga nj erë e fortë dhe e ftohtë. Një nga gratë, e quajtur Sherife Kola, ka mundur të dëgjojë vetëm zhurmën dhe të vërë re errësirën që u krijua në ato momente. Një pjesë e mirë thonë që kanë parë të nesërmen shenjat e lëna në asfalt, ndërsa tregojnë se petalet e trëndafilit ishin djegur kur i kishin vënë mbi hirin e lënë nga objekti, nëse ka qenë një i tillë. Gjithçka me aq sa mbajnë mend banorët ka ngjarë më 4 maj, rreth orës 19:00 të asaj dite.

Mars 2007
Rojet bregdetare dëshmojnë UFO-t mbi Seman
Mbrëmjen e së martës të marsit 2007, roja bregdetare Admir Jemishaj ishte në shërbim bashkë me komandantin e tij. Rreth orës 19:15 të kësaj dite ata rrëfyen se kishin parë një objekt të palëvizshëm në hapësirë. Objekti shihej me sy të lirë dhe se më pas e kanë parë akoma më qartë me dylbi . Objekti është shfaqur befas mbi hapësirën e bregdetit të Semanit në Fier e për 20 minuta ka qëndruar pa lëvizur në hapësirë. Rojat thanë se ai kishte shkëlqim vezullues, ndryshonte ngjyrat dhe formën e diskut, ndërsa ata e kanë parë me sy të lirë dhe me dylbi. “Ishim me shërbim kur pamë një objekt krejt të veçantë. Ai qëndronte në horizont me detin në një milje lartësi. Ngjyrat e tij ndryshonin herë pas here, nga jeshile në blu dhe në të kuqe. Për disa minuta kishte vetëm ngjyrë të kuqe ose blu. Ishte diçka e frikshme, por njëkohësisht dhe e bukur”, - tregoi për mediat roja bregdetare, Jemishaj.

Dhjetor 2008
Jashtëtokësorë në Elbasan për Krishtlindje
Katër gjahtarë nga Elbasani treguan në dhjetor të dy viteve më parë se u përballën me një disk fluturues mbrëmjen e së enjtes para krishtlindjeve më 2008. Sipas tyre, në orën 20.30 të mbrëmjes, në një fshat rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit kanë parë një gjë të jashtëzakonshme, nga e cila ia kanë mbathur me vrap.  Katër gjahtarët janë nisur drejt fshatit Vidhas të Komunës së Paprit, në kufi me rrethin e Peqinit. Në të dalë të qendrës së komunës, rreth 7 kilometra larg saj, ata kanë marrë një rrugë pylli.
Pasi kanë ecur rreth 15 kilometra, ata janë befasuar në momentin që kabina e makinës së tyre tip fuoristradë është tronditur nga lart dhe motori është fikur. "Na verboi një dritë e fortë ngjyrë blu e çelët dhe një dritë vertikale e kuqe. Për një moment m‘u duk sikur na ndiqnin makinat e policisë nga pas", tregon Muharrem Kaçuli, njëri prej katër gjahtarëve që kanë përjetuar për pak minuta ngjarjen në fjalë. Sipas tij, djali 25- vjeçar që ishte me ta, kishte dashur të gjuante me çifte në drejtim të objektit të shëndritshëm, por i ati nuk e kishte lejuar.

Korrik 2009
Shfaqja vetëm për peshkatarët në Vlorë
Një objekt fluturues i paidentifikuar, i quajtur nga ata që thonë se e kanë parë edhe si disk fluturues, është parë në orët e para të mëngjesit, në Vlorë më 21 korrik 2009, në zonën mbas Karaburunit, pikërisht në vendin e quajtur Gjiri i Dafinës, një zonë e qetë dhe e papopulluar. Ky objekt fluturues, është parë nga disa peshkatar që ishin nisur që në mbrëmje me peshkarexhën e tyre, për aktivitetet rutinë në këtë zonë. Objekti ka qenë në trajtën e një sateliti, me diametër përreth 3 metra, i cili është parë nga tre pjesëtaret e ekuipazhit, që ndodheshin në det, për te tërhequr rrjetat e peshkimit. “Isha duke tërhequr rrjetat e peshkimit, në moment mbi kokat tona kalon një objekt i madh, qëndron vetëm 5 sekonda dhe menjëherë u zhduk duke u larguar me shpejtësi. Objekti gjatë ikjes lëshoi një shtellung tymi dhe ngjyra e saj ishte gri në të bardhë… edhe në këto momente ndihem i shokuar, e pamundur. Dukej vërtet si një disk fluturues”, shpjegon Shpëtim Alushaj, njëri nga peshkatarët.

Gusht 2010
Tirana vizitohet nga hapësira? (Video http://www.youtube.com/watch?v=13d5xXb1XtE)
Në mesnatën e 6-7 gushtit, një i ri në Parkun Rinia në kryeqytet dhe të tjerë persona në Tiranë filmuan me kamera amatore tre drita që lëviznin në qiellin e kryeqytetit. Ishin UFO?! E sigurtë është vetëm që nuk ishin avionë dhe mjete të tjera të njohura fluturuese. Loja me drita u dëshmua në You Tube shumë shpejt ndërsa dëshmitare e ngjarjes një meso grua rrëfeu për median se kishte parë ato që ajo i quajti drita të jashtëzakonshme. Rezmie Lulo tregoi se, "në atë moment nuk mendova gjatë dhe ato dy minuta i shijova. Të tre objektet ishin portokalli me formë sferike dhe ishin të shkëputura". Ajo ka thënë gjithashtu se fillimisht objektet “na u dukën afër dhe sa vinte e ngriheshin më lart. Objekti i parë u shkëput në veriperëndim. Dy objektet e tjerë ishin zhdukur menjëherë. Ka shumë mundësi të kenë qenë UFO".

 http://www.youtube.com/watch?v=y0T7oJU-b48

Rastet më të famshme

UFO-t  e fundit
2006, në Poloni fotografohet një objekt i çuditshëm metalik
2006, një objekt në formë harku dhe ngjyrë argjendi fotografohet në SHBA
2006, një sferë lëvizëse mjaft e madhe dëshmohet të jetë parë në Teksas SHBA
2000, tre trekëndësha në lëvizje fotografohen mbi Los Angeles
1997, një objekt i çuditshëm metalik shihet në Poloni
1990, një objekt gjysmë i rrumbullakët dhe me majë shihet në Britani
1983, një objekt me formën e një trapezi të përmbysur dhe mjaft i madh shihet mbi Britani
1970, një objekt më përmasa të mëdha filmohet për rreth kullës së një televizionin në Firence

Lashtësia
Libri i Ezekelit (Bibla) përshkruan objekte që shfaqeshin në qiell, një inxhinier i NASA-s SHBA, vizatoi prej këtyre shpjegimeve një objekt fluturues
Rreth vitit 1450 para Krishtit ekziston një përshkrim i disa rrathëve në zjarr prej rreth pesë metrash
Ushtria e Aleksandrit të Madh në vitin  329 para Erës Sonë, thuhet të ketë hasur dy disqe të argjendtë që fluturuan mbi ta ndërsa kalonin  një lumë në Indi
Sërish  Aleksandri i Madh në vitin 322 para erës sonë, ndërsa përgatitej të pushtonte një qytet, pa një disk që fluturoi disa herë. Ai përfitoi nga shfaqja dhe sulmoi duke marrë qytetin

Në erën tonë
1491-1492, eksploruesi i famshëm Kristofor Kolombi ka shënuar në ditarin e tij se ka parë një objekt fluturues të ndritshëm, që ka dalë nga deti dhe është zhdukur në ajër
Në 14 prill 1561, në qiejt përreth Nyrenbergut  në Gjermani raportohet të jenë parë disa objekte fluturuese, përshkrimi duket sikur flet për një betejë ajrore
1897, në Texas SHBA raportohet përplasja e një anije fluturuese, gazetat lokale thonë se u gjet trupi i një marsiani
28 shkurt 1904, një komandat anijeje në San Francisko, i cili më vonë u bë gjeneral në flotën e SHBA-së, raportoi te kishte parë tre trekëndësha të lëvizshëm drite
Nga 1932 në 1937, janë raportuar dhjetëra raste pamjesh të objekteve të çuditshme fluturuese. Kinemaja realizoi në këto kohë filmat e parë me alienë
1946, ka më shumë se  2000 raporte për objekte të paidentifikuara fluturuese në vendet skandinave
1954, forcat ajrore amerikane thonë se kanë gjetur një objekt fluturues, pretendohet se ai ndodhet ende në NASA. Zyrtarisht thuhet se është gjetur objekti dhe që ai nuk është i njohur, por nuk bëhet e ditur asgjë për të
Marrë nga www.wikipedia.org
Shpjegimi shkencor për UFO

UFO është shkurtimi në anglisht i unidentified flying object. Në shqip: Objekte të Paidentifikuara Fluturuese. Bëhet fjalë për objekte apo fenomene, për të cilat edhe pas investigimit shkencor nuk arrihet të shpjegohen, kryesisht të shfaqur si ndriçuese në forma të ndryshme sidomos sferike. Një pjesë e mirë e rasteve janë fenomene atmosferike apo fenomene optike, të cilat krijohen nga objekte qiellore meteorë apo kometa. Mjaft të njohur sipas enciklopedive, janë errësimet apo shformimet e Diellit, që krijohen kur mes tij e Tokës kalojnë objekte që kanë akull. Shumë njerëz besojnë se UFO-t janë objekte jashtëtokësore fluturuese, por shkencërisht nuk ka asnjë provë që të mbështesë këtë përfundim. Njerëzit njohin që prej lashtësisë shfaqje të tilla, të cilat më shumë janë lidhur me fenë.


G. Standart

No comments: