Tuesday, October 12, 2010

"Plepistë dhe xhepistë"

Dje filloi viti i ri akademik në Shqipëri. Nuk mund t'i mungonin kësaj dite urimet euforike e butaforike të atyre që drejtojnë vendin ku radhiten si përherë shifra stahanoviste. "Mbi 70 për qind e maturantëve, do të vazhdojnë universitetin, - tha midis të tjerash kryetari i qeverisë së vendit.



Universitetet?
Cilat universitete?
Cili është niveli i mësimdhënies në këto "universitete"?
Çfarë bëhet me studentët e tyre pas diplomimit!?


Sa për qind e tyre janë punësuar apo do të punësohen!?

Asnjë fjalë... Asnjë shifër... Asnjë pipëtimë nga kryeministri llafeshumë. Pse?

Sepse të gjithë shqiptarët që kanë paguar e paguajnë qimet e kokës për shkollimin e bijve e të bijave të tyre e dinë se universitetet e Shqipërisë janë fabrika papunësie.
Sepse, si prindërit edhe studentët e dinë fare mirë se diplomat e universiteteve shqiptare janë "pasaporta për asgjëkund".

Pse!? Sepse niveli i universiteteve, më të cilat vetëshërbehet e vetëlëvdohet kryeqeveritari janë si: "Universiteti i Domosdovës", - siç i quante Noli universitetet që nuk ekzistonin fare në atë kohë.
Sipas studimeve akademike botërore, niveli i Universitetit Politeknik të Tiranës, që vlerësohet si me i avancuari në Shqipëri, është me i ulëti në Botë.
 (shih renditjen e universiteteve të botës në BBC News)Kjo sëmundje që do të na infektojë krejt të ardhmen, e universiteteve që nuk janë universitete, ka nisur herët që kur vetë kryeministri i sotëm inkurajonte "kurset e Plepave".

Është fjala për "kurset kundër analfabetizmit" që pat hapur ish-qeveria e z. Berisha për drejtësinë shqiptare në fillimet e sundimit të tij, ndërsa flakeshin nga puna juristë, ekspertë të mirëfilltë, specialistë me emër. Vendin e tyre e zinin plepistat. Pasojat e këtyre veprimeve i shohim sot në mungesën e drejtësisë reale në vend. Njësoj, universitetet e sotme, janë një tragjedi për të ardhmen akademike e shumëplanëshe të Shqipërisë.

E ndërkohë, mbi 96 për qind e studentëve të shkëlqyer shqiptarë që studiojnë në universitetet më në zë të SHBA-ve dhe Perëndimit, në përgjithësi nuk janë kthyer mbrapa në Shqipëri... Pse!?
Sepse ua kanë zënë vendet plepistët e Shqipërisë. Nuk kanë asnjë shans për punë e për zbatimin e njohurive të tyre në fushat e veta në vendin e vet... Pra janë një xhevahir i tepërt për qeverisjen e mangët. Harxhet përsëri i paguan Shqipëria dhe e ardhmja e saj.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe me një vend që po përmbytet nga "Universitetet e Plepave dhe të Domosdovës" po aq sa edhe nga shifrat marramendëse të kryeministrit që fluturon me presh kur vjen puna te shifrat.


E-mail nga adresa verarta@aol.com, G. Shekulli

No comments: