Monday, October 25, 2010

MUNDJE - Elis Guri braktis ngjyrat kuq e zi për flamurin bullgar

TIRANË- Mundësi shqiptar, Elis Guri, braktisi ngjyrat kuqezi për të garuar tashmë nën flamurin bullgar. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Federata Bullgare e Mundjes ka pohuar se 27 vjeçari shqiptar ka marrë nënshtetësinë bullgare.
Ndërkohë, presidenti i Federatës së Mundjes, Viron Bezhani, shpjegoi se "Guri kërkoi të garonte me bullgarët për arsye thjesht teknike. Specifika e tij ishte 120 kile dhe për të arritur rezultate të larta ai duhet të ndeshej me peshën e tij, kur në Shqipëri ishte i vetmi. Në këto kushte ne ishim të detyruar të jepnim largimin e tij".

Por, garimi i Elis Gurit në aktivitetet ndërkombëtare me kombëtaren bullgare duhet të marrë edhe miratimin e KOKSH-it.

"Di që zyrtarisht KOKSH-i i është përgjigjur federatës bullgare se nuk e lejon sportistin Elis Guri të largohet nga Shqipëria. Nëse ne do ta shohim të pamundur pjesëmarrjen e Elisit dhe nëse ai këmbëngul që të marrë pjesë vetëm me Bullgarinë, atëherë edhe KOKSH-i nuk ka përse të bëhet pengesë për pjesëmarrjen e tij", tha Bezhani.

Pas largimit të peshngritësve në vitet ‘90 dhe atletes Mirela Manjani, mundësi Elis Guri është një tjetër sportist që largohet nga Shqipëria për të garuar për një shtet tjetër. "Është një humbje e jashtëzakonshme. Këtë e them me dhimbje sepse Shqipëria i ka me kokrra sportistët cilësorë", theksoi Bezhani.

Ndërkohë mësohet se edhe mundësi tjetër Sait Prizreni ka kërkuar marrjen e nënshtetësisë australiane. Por veç refuzimit nga autoritetet australiane, Prizreni nuk ka marrë as miratimin e autoriteteve sportive shqiptare.

Konkurrimi i sportistëve shqiptarë për flamuj të tjerë, nuk është një risi edhe në sportin më të ndjekur në vend, futbollin.  

FSHF nuk ka mundur të bëjë asgjë në të shkuarën për të mos lejuar lojtarë si Valon Behrami, Blerim Xhemaili apo Sotir Nini të konkurrojë për ngjyrat e Zvicrës dhe Greqisë.

(m.a/ata/BalkanWeb)

No comments: