Showing posts with label Kulturë. Show all posts
Showing posts with label Kulturë. Show all posts

Monday, November 8, 2010

"Lufta e karagjozëve..."

Duhet një memorial ku të jenë të shkruar të gjithë emrat e të vrarëve të 1997-ës.

Pse nuk propozohet të ngrihet një memorial për këtë, në krah të Piramidës?

Këtë pyetje unë po ia bëj dhe zotit E. Rama. Një memorial ku të jenë emrat e gjithë të vrarëve nga shteti që u shkërmoq në duart e kryeministrit aktual.

Me çfarë kuraje diskutoni të nderuar parlamentarë për E. Hoxhën kur keni një mori ngjarjesh në këto 20 vitet e fundit që i kanë bërë "konkurrencë" tronditëse asaj periudhe?

Ku është sot vendi im, në cilën rrugë është drejtuar? Cili nga ju e jep këtë përgjigje?

Asnjë, sepse ju jeni të mpirë, të deformuar disa nga paraja, disa nga frika dhe disa nga dreqi e di se çfarë. Kur shoh që kërkojnë të shembin Piramidën në emër të antikomunizmit më vjen për të qeshur e për të qarë.

Aty ishte ajo godinë e bukur prej 20 vjetësh, pse pikërisht tani?
Dhe si mund ta kuptojmë që vetë përfaqësuesit e diktaturës u dënuan me ca muaj burg për teprimet me disa kg kafe, kurse Piramida na qenka kaq fajtore sa duhet shembur?

A e dini që tingëllon marrëzi vetëm duke e menduar?

Seriozisht e keni që shkoni pas kësaj ideje të çmendur? Mjaft! Mjaft, ju injorantë që rrini në pushtet. Mjaft dhe ju të tjerët që i mbani iso kësaj qeverie që tallet me gjithçka të gjallë që ka ky vend.
Unë përmenda 1997-ën për faktin e thjeshtë se banoj në një lagje (Çole) (që ishte e lidhur ngushtë me ngjarjet e 1997-ës).

Asnjë qeveritar, asnjë politikan, asnjë vendimmarrës nuk është dënuar për atë çka ndodhi në atë periudhë.
Kjo të tmerron! Ai ishte viti i tmerrit dhe sot nuk ka përgjegjës. Dhe sot kërkojnë të merren ende me Enver Hoxhën. Turp!
Kjo është një luftë karagjozësh, të cilën ne po e duartrokasim për hir të përkatësisë politike.


Dorian Hitaj Shekulli

Wednesday, October 6, 2010

Voskopoja – “mrekullia” vllehe në Shqipëri

Si çdo mrekulli, edhe te mrekullia vllehe në Shqipëri, që mban emrin Voskopojë ka pak apo aspak gjëra për të besuar. Për të kuptuar se ç'ishte Voskopoja ne shekullin e 18-të ne duhet të shkojmë e të studjojmë se ç'ishte vetë Rumania në atë kohë.



Në shekullin e 18-të, koha kur aromunët bënë çudira në Voskopojë, dhe Voskopoja njohu lavdinë e saj, ishte koha kur rumunët s'kishin parë ende me sy në Rumani një gramatikë të gjuhës rumune. Gramatika e gjuhës rumune e ka parë dritën e diellit për herë të parë më 1787-ën, një vit më vonë se otomanët plaçkitën e shkretuan për herë të parë Voskopojën. Ç'kishte vllehe në Voskopojë për të shkretuar kur aty mungonte ende gramatika e gjuhës vllehe?

Tetë vjet më vonë, thonë se paska qenë Ali Pasha që e rrafshoi atë qytet të lavdishëm. Mos vallë dhe Aliu u zemërua se më 1787 në Bukuresht u botua një gramatikë, pa e shkretoi Voskopojën për herë të dytë, më 1788-ën?

Këto janë përralla që u besojnë vetëm vllehët e Shqipërisë për të na u hequr ne shqiptarëve në shtëpinë tonë më me shkollë e për të zënë si gjithmonë kryet e vendit.

Voskopoja s'qe gjë tjetër veçse një projekt i Evropës për t'i shndërruar trojet shqiptare në një Bosnje të dytë, në një popullsi muslimane, kësaj herë jo me gjuhë sllave si boshnjakët, por në një popullsi musulmane me gjuhë vllehe!

Edhe në këtë çështjen të Voskopojës ne duam të ngremë këto pyetje:

- Kur Zoti hartoi gjuhët e njerëzve, ai i hartoi me gramatikë apo pa gramatikë?

6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. 7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit". Zanafilla 11

Nga këto fjalë të mënçura të Biblës kurrgjë nuk kuptohet. Por, ma do mendja që Zoti gjuhët i bëri me gramatikë, pasi gjithçka ai e bëri të përsosur:

31 Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë. Zanafilla 1

Atëhere, kur Zoti i bëri të gjitha punët e mira që në mugëtirë të kohëve, përse ai u a la punën e gramatikave dhe etimologjisë njerëzve si Çabeu dhe Demiraj? Përse Ai nuk ia transmetoi në vegimet e tyre katër dishepujve të tij edhe këto dije shkencore, por, këto punë me rëndësi ua la në dorë mëkatarëve?

Kështu u deshën mijrave vjet pasi Zoti bëri gjuhët, që më 1787-ën të dilte një rumun dhe të bënte gramatikën e rumanishtes. Pa mendoni pastaj sesi vajti puna e shqipes.

- Ç'donte Akademia Greke në Voskopojë kur vetë Greqia deri më 1824-ën nuk ka patur vetë një akademi?
- Çfarë literature vllehe mund të lulëzonte në Voskopojë në shekullin e 18-të kur: - Rumanisë i mungonte vetë një literaturë e madhe?
- Kur Bibla e parë e plotë në rumanisht është botuar vetëm më 1688-ën?
- Kur poeti i parë rumun, Alecu Văcărescu, ka lindur më 1769-ën, vit kur otomanët thuhet se kanë plaçkitur Voskopojën?
- Kur shkrimet e para në gjuhën rumune janë histori si të gjitha historitë e fallsifikuara të kombeve të Evropës? -


Çfarë zhgarravitesh në atë kohë në Voskopojë, që ne shqiptarëve na çeli dritaret e dijes?

Çlirim  Xhunga

Gjirokastër, errësira e gurtë mbi qytetin pasuri e UNESKO-s

Atje poshtë, atje lart/ te Urat në Dunavat/ po kur hënë ka kudo/ pse i ndez në "Palorto"...

Dikur banorët e Gjirokastrës e kishin kthyer në këngë-parodi bashkëbisedimin e tyre me kryetarin e bashkisë për përzgjedhjet e tij në lidhje me ndriçimin e njërës apo tjetrës pjesë të qytetit. Vargjet janë të njohura edhe pas kalimit të dekadave. Historia e ndriçimit rrugor në njërin prej qyteteve të parë shqiptarë të elektrifikuar rrjedh pothuajse në të njëjtin shtrat, ku asnjëherë ai nuk u ndriçua njëlloj, deri në ditët e sotme, kur pas mesnatës, pasuria e UNESKO-s zhytet në errësirë.

Histori ndriçimesh

Banorët e Gjirokastrës kanë filluar të rikthejnë tashmë historitë e vjetra që lidhen me qytetin dhe dritën. Mund të quhen shkurt "histori ndriçimesh". Janë sa të ndryshme përsa u përket preferencave, por njëkohësisht thuajse identike për mënyrën dhe politikat e ndjekura prej kryebashkiakëve. Data 28 nëntor e vitit 1937 sjell dritën e parë elektrike në qytetin e Gjirokastrës, një ndër qendrat e para urbane në Shqipëri që u elektrifikuan, një element që sipas studiuesve dhe intelektualëve, tejkaloi periudhën otomane dhe shënoi kthesën drejt kulturës perëndimore.
Ndërtimi i centralit elektrik që vijon të jetë ende funksional përfund qytetit, solli ndezjen e llampës së parë në lagjen "Palorto", ndërsa për herë të parë energjia elektrike është instaluar falas në shtëpinë e Mulla Teki Karabinës, nga shoqëria italiane e kësaj kohe që ndërtoi dhe që ishte edhe pronarja e centralit elektrik. E në fakt historia e ndriçimit në Gjirokastër është sa interesante, aq edhe e lidhur me të zgjedhurit që drejtonin qytetin. Një kryetar bashkie ndriçonte një objekt të caktuar, monumental apo fetar, dikush një lagje apo një zonë, ku sigurisht banonte vetë. Për intelektualët, drita shënoi njëkohësisht historinë moderne të qytetit. "Ku fillon historia moderne e Gjirokastrës? Me daljen e qytetit nga marrëdhëniet e mbyllura feudale në komunikimin e saj me qendrat evropiane, me hyrjen e ideve të revolucionit borgjez francez dhe krijimin e shoqërive kulturore- politike, me hapjen e shkollave dhe kështu mund të rendisim 100 pyetje të tjera. Por, pa asnjë diskutim, lidhja e qytetit me ndriçimin është një histori interesante dhe moderne, që e bëri edhe Gjirokastrën të tillë. Janë të njohura historitë e kryetarëve të bashkisë në Gjirokastër dhe politikave të ndjekura prej tyre në lidhje me ndriçimin e qytetit. Disa ndriçonin kalanë, disa pazarin, disa kishën, disa ndriçonin xhaminë, disa të tjerë shtëpinë apo lagjen e tyre",- shprehet Vladimir Qirjaqi, historian e arkeolog.


Ndriçimi sot

Por, për fat të keq apo të mirë, aktualisht historitë e vjetra të para Luftës së Dytë Botërore që lidhen me ndriçimin, nuk tingëllojnë aspak si të dala jashtë mode apo jashtë realitetit.
Sot Gjirokastra pas mesnatës zhytet në errësirë të plotë, ndërsa në orët e mbrëmjes vetëm një pjesë e lagjeve kanë ndriçim rrugor, në të tjera, në mënyrë të veçantë në pjesën e sipërme është thjesht një shërbim i munguar.

Mungesa e ndriçimit rrugor është e pranishme në të gjitha zonat e qytetit, madje edhe në shumë pjesë të Qendrës Historike të Gjirokastrës, duke bërë që me perëndimin e diellit vlerat e rralla arkitektonike të humbasin, një gjendje që vazhdon të jetë e tillë prej dy vjetësh. Nëse udhëton në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë pas mesnatës, zonat rurale që e rrethojnë Gjirokastrën duken si qytete për shkak të numrit të konsiderueshëm të llampave të ndezura, ndërsa krejt e kundërta ndodh me qytetin, i cili të jep përshtypjen e një fshati me 10- 20 shtëpi. E ndërsa banorët ankohen për këtë shërbim sa të nevojshëm aq edhe të munguar e që paguhet për çdo muaj prej tyre, pavarësisht se në shumë raste nuk e kanë thuajse asnjëherë, intelektualët e cilësojnë atë si një ndërhyrje dhe cenim të jetës së secilit në këtë komunitet dhe kërkojnë ndryshimin e menjëhershëm të këtij realiteti. "Nëse del nga një mjedis festiv apo i ngrohtë dhe përballesh me errësirën e plotë në rrugë, menjëherë të krijohet ndjesia e boshllëkut, që është mbytëse. Imagjino kur të duhet të dalësh natën për një hall familjar apo diçka të rëndë, se çfarë ndjesie negative merr. E përveç kësaj, një nga vlerat më të mëdha të Gjirokastrës është pamja, pas së cilës janë mahnitur jo vetëm studiuesit, shkencëtarët, personalitetet apo udhëtarët, por edhe njerëzit e artit, piktorët, skulptorët, fotografët; në buzëmbrëmje e më tëj edhe atyre u humbasin pamjet", shprehet Llambi Margariti, piktor. "Gërmadhë" mund të cilësohet në leksikun vendas Gjirokastra pas mesit të natës, duke e bërë këtë realitet një fakt mjaft tronditës. Ndriçimi është një pjesë e rëndësishme e teorisë së evidentimit të vlerave të pasurive të UNESKO-s.
Specialistë të fushës, arkitektë, inxhinierë kanë dhënë projektet e ndriçimit, si artistik, ashtu edhe funksional të vlerave të qytetit. Ndërkohë, herë pas here shtëpia e Zekatëve ndriçohet në mënyrë profesionale nga dashamirësit e saj, por ndriçimi është një problem i madh qytetar dhe nuk zgjidhet në mënyrë spontane dhe individuale. Politika në nivelin e përgjegjësisë së ruajtjes dhe ekspozimit të qytetit muze duhet ta ndriçojë atë. Të zgjedhurit lokalë në emër të atyre që kanë thënë duhet të bëjnë detyrimisht rekuperimin e kësaj situate. Në qytete moderne përpjekjet bëhen për të shmangur ndotjet e mjedisit nga dritat dhe zhurmat e forta dhe lufta për orare të reduktuara, ndriçime të reduktuara, zëra të reduktuar, por them me bindje se ajo që ndodh në Gjirokastër është më e rëndë akoma, errësira dhe boshatisja e qytetit pas mesnatës të krijon ankthin e vdekjes", thekson më tej Vladimir Qirjaqi, arkeolog.  

Pasuritë botërore të përmasave si Gjirokastra kanë "të drejtën" të pretendojnë për shumë përkujdesje, interes e vëmendje; qytetit të gurtë i mohohet edhe e drejta e ndriçimit, simbol i zhvillimit, jetës, vazhdimësisë. Ndërkohë, nga ana e kreut të bashkisë për këtë problem vetëm heshtet dhe nuk pranohet të jepet asnjë përgjigje.



Entela Bani, G. Shekulli

Thursday, September 30, 2010

Veshjet që joshin më shumë meshkujt

Sipas një sondazhi të publikuar në edicionin e fundit të revistës gjermane "Men‘s Health", ëndrrat më të vazhdueshme të meshkujve përkojnë pikërisht me seksin me një infermiere, ose të paktën një femër me uniformë.


Femrat me uniformë, më të preferuarat
Në Japoni quhet "uniformë-mania" dhe është një fenomen shumë i zakonshëm. Meshkujt janë seksualisht më të eksituar me vajza që veshin uniformë. Është aq i përhapur, sa justifikon edhe shumëfishimin e imekura-ve, shtëpive të takimeve speciale, në të cilat mund të zgjidhet një vajzë e veshur me uniformë, sipas dëshirës së klientit. Dhe mundësitë janë të ndryshme e të pafundme, duke filluar nga ato shkollore me modelin "marinar", me modelin e infermieres, apo të femrave police. Por imagjinata erotike mashkullore, apo femërore, nuk është e nevojshme që të përshkojë oqeanin për të arritur pjesën e saj transgresive. Sipas një sondazhi të publikuar në edicionin e fundit të revistës gjermane "Men‘s Health", ëndrrat më të vazhdueshme të meshkujve përkojnë pikërisht me seksin me një infermiere, ose të paktën një femër me uniformë. Ndër profesionet, ajo që ngjall më shumë epshet mashkullore mbetet infermierja, që qëndron në shkallën më të lartë të podit. De Gregori i këndonte që 20 vjet më parë, "Do të kthehemi sërish të këndojmë dhe të bëjmë dashuri, dashuri si infermiere".  

Tërheqjes erotike të uniformës si meshkujt, ashtu edhe femrat, nuk kanë mundur kurrë që t‘i rezistojnë. Në sondazhin e bërë nga "Men’s Health", në vendin e dytë renditen kamerieret, ndërkohë që pas tyre vijnë stjuardesat, të cilat eksitojnë kënaqësinë e 40% të meshkujve. Vendi i fundit ndër profesioneve u takon femrave që merren me politikë. Kjo mund të jetë për faktin se të bësh seks me një ministre apo deputete ngjall një ndjenjë turpi dhe përballesh me maskilizmin, gjithnjë zotërues në marrëdhënien në çift.

Dhe për të qenë sa më transparentë, në sondazh kanë hyrë edhe femrat, të cilat janë pyetur për profesionin që i eksiton më shumë. Vendin e parë e mbajnë zjarrfikësit, ndjekur më pas nga biznesmenët, nga doktorët dhe futbollistët. Edhe mes zonjave, profesioni i politikanit nuk ngjall shumë entuziazëm erotik. Vetëm 1.7% e tyre dëshirojnë momente të zjarrta nën çarçafë me një ministër apo deputet.
Por që transformimet erotike janë mes fantazive më të votuara të meshkujve dhe femrave, këtë e demonstron edhe biznesi i dyqaneve "Sexy shop", ku në të gjithë Europën janë të ndërtuara me kostumet dhe aksesorët e një paraqitjeje të lartë erotike.
Në krye të klasifikimit qëndron padyshim shtëpia tradicionale angleze në Londër, në Ann Summers, që ka krijuar dhe mban monopolin më të maturuar të merkatos në masë të veshjeve me gomë, me lëkurë, si dhe aksesorëve e veshjeve intime. Gjithashtu ka të licencuara 135 pika shitjeje në Britaninë e Madhe, një në Spanjë dhe ka si objektiv edhe Italinë, ku më të kërkuarat janë infermieret me minifund e dekolte, si dhe femrat police me uniformë e pranga. “Hustler”, supermarketet e mëdha amerikane të erosit, të cilat kanë zbarkuar në Europë një vit e gjysmë më parë, u kundërpërgjigjet "lepurusheve" me kapelat e tyre rozë, të djallëzuara e seksi, si edhe marinaret tunduese.
Një argument që ka dhënë rezultate shumë të mira. Merkatoja është në një rritje shumë konstante dhe shitjet rriten vazhdimisht. Pajisjet më të frekuentuara? Janë pikërisht kostumet seksi, në veçanti ato si murgesha dhe infermiere. Dy kolosët më të mëdhenj të universit të "Sex shop" kanë kuptuar se veshjet e bëjnë seksin.
Stili që nuk vdes
Kohë më parë, stilistja Koko Shanel thoshte: "Moda plaket, ndërsa stili ngelet i njëjtë gjithmonë". Dhe kështu vjetrohen veshjet, ndërsa stili ngelet ai që është: diçka e rrallë, që nuk është në shitje, megjithatë i paarritshëm. Duhet gjetur guximi t’i thjeshtësosh, t’i hedhësh, ose më mirë t’i dhurosh, dhe të mbështetesh te pesë veshjet e famshme e të thjeshta (që mund të jenë edhe dhjetë, edhe dymbëdhjetë, por kurrë më shumë). Fustani i zi, trekuarti me prerje mashkullore, këmisha e thjeshtë, këpucët e sheshta, një golf me jakë të madhe të zezë, vargu i thjeshtë me perla, seti i bluzave prej kashmiri të butë dhe një fustan i thjeshtë që të tregon të hijshme dhe si një zonjë të shtresës së lartë. Me pak fjalë, të seleksionosh pak veshje, por të mira, që nuk vdesin kurrë dhe kanë një sharm të pavdekshëm. Megjithatë, nuk duhet harruar se është veprimi i shenjtë i atyre njerëzve që nuk dinë të gabojnë. Veprimi i atyre që "kultivojnë" iluzionin sekret se mund t’u ngjajnë, edhe pse nga shumë larg, ikonave të modës, sharmit dhe stilit të pavdekshëm, zonjave të vërteta të kalibrit të Odri Hepbërn, të Grejs Kelli, apo të Xheki Kenedi. Në vitin 1934, kur Clark Globe në "Ndodh një natë" hoqi këmishën duke treguar kraharorin pa veshur poshtë bluzën e bardhë, shitjet e saj ranë me 75 për qind në të gjithë planetin.  

Eh, fuqia e ekranit. Po ashtu, modelet "active wear", bluzat prej pambuku, pantallonat sportive, të zgjedhura nga Jennifer Beals në "Flash dance", kanë mbushur tashmë rrugët dhe palestrat e gjithë botës.



G. Shqip

Sunday, September 19, 2010

Të duash mirë!

Të duash mirë!

nga Stop Injorances ! më 2010-09-14 në orën 6:35.MD
Arbëreshët e Italisë, në vend që të thonë: - “Të dua shumë” përdorin, “Të dua mirë”! Këto nuk  janë të barazvlefshme, sigurisht që kanë një ndryshim.
Çdo të thotë:  -Të duash shume dhe të duash mirë?

Të duash shumë, do të thotë: të tundohesh nga dashuria, shpesh të çmendesh, të rrëmbehesh nga marrëzia, të humbësh qetësinë, të marrësh vendime të nxituara, të paarsyetuara, që mund të kushtojnë shtrenjtë për të trija përmasat, dimensionet e jetës, të kaluarëtn, të sotmen dhe të ardhmën.
Në raste të tilla njeriu mund të jetë edhe egoist, i pakontrolluar apo spekullon me madhësinë e ndjenjës në fjalë, për ti shkruar te vetja dhe për  të realizuar qëllimin.
Shembuj të tillë ka shumë në jetë, në letërsi apo në arte të tjera. Ekstremi është tragjedia e Uilliam Shekspir “Otello”. Ai e mbyt Desdemonën ngaqë e donte shumë! Troja, u shkatërrua dhe u shua një komb, nga dashuria për Helenën. Konti i Monte Kristos u dënua, vetëm nga dashuria, e shumë të tjera, që të bëjnë të mendohesh mirë, kur thua –“Të dua shumë”

-Por ç’është të duash mirë?

Të duash mirë, do të thotë:
-Të zotërosh, ose të sundosh dashurinë!
-Ti lejosh vetes të çmendesh (sepse pa çmendje nuk ka dashuri) por jo të rrëmbehesh.
-Të dish të njohësh pikat e dobëta të partnerit, të dish ta falësh, dhe të kesh fisnikërinë të tërhiqesh, kur e ke shkelur atë.
-Të jesh një mik a mikeshë e mirë, që dëgjon me vëmëndje dhe i jep të kuptojë partnerit se e beson dhe e mbështet.
-Të mos e lesh vetëm në rast nevoje për praninë tënde.
-Të duash mirë, do të thotë: Të mbash anët e mira që jep kjo ndjesi; të ndihesh i ri, edhe kur s’je, të ndihesh i vlerësuar, të mos ndihesh i vetmuar, të mos kesh frikë nga vdekja  sa kohë ke në krahë atë, të injorosh rutinën dhe përditshmërinë e bezdisur...
Të duash mirë, do të thotë:
-Të respektosh lirinë e partnerit dh të kujdesesh për lirinë tënde, pa xhelozi, pa zili. Të pyesësh pak dhe të dëgjosh ato përgjigje që thotë partneri. Por ti nuk je e detyruar të thuash ato gjëra që nuk do! Mund të jesh i hapur, por jo i çiltër, dhe mund të jesh i çiltër por jo e hapur.
Të duash mirë, do të thotë:
Të jesh fisnik dhe gati-gati njeri i madh. Sepse të duash mirë, do të thotë, të vish kur s’ke mundësi, dhe të ikësh kur nuk ke fare dëshirë për të ikur.

Njerëz! Të duash mirë, do të thotë, të përpiqet të mos vuash! Të duash mirë,  është më mirë se të duash shumë, ndoshta më e mira është të mos duash fare, por ç’ti bësh ndjenjës...

-E besoni ju këtë teori?

Në fakt ka rrezik të mos e besojë as ai që e ka shpikur, por gjithsesi është mjaft mirë të edukohemi me një ndjenjë të tillë.  :)


Sunday, September 5, 2010

Një vend mbytet në plehra

Ky ishte titulli i referatit të motrës Maria-Kristina Färber në kongresin "Me përgjegjësinë për Krijimin. Sfida ekologjike në Europën Qendrore dhe Lindore" që po zhvillohet këto ditë në Freising të Gjermanisë.
Ai organizohet nga Renovabis, qendra e ndihmës dhe bashkëpunimit të kishës katolike gjermane për Europën Qendrore dhe Lindore. Vendi që po mbytet në plehra është Shqipëria, referati në fjalë është i pari në sallën e madhe të kongresit, pasi janë dëgjuar fjalët përshëndetëse të organizatorëve, kryetarit të bashkisë së Freisingut, arqipeshkvit Schick.
Ka ikur koha kur na digjnin veshët tek dëgjonim vlerësime të tilla për atdheun në forume të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk ndihemi më përgjegjës për këtë vend dhe e dimë që nuk mund të ndryshojmë gjë, as dhe në mendjen e të pranishmëve, sidomos kur ato që dëgjon janë të vërteta.
Heqja e përgjegjësisë (virtuale) nga vetja ka ardhur paralelisht me heqjen e shpresës për të dhënë ndonjë kontribut individual kundër së keqes, ajo nuk përbën ndonjë lehtësim, është thjesht dorëzim i armëve dhe mbyllje e njeriut edhe më shumë në guaskën e tij.
Sidoqoftë, pak u gëlltita kur motra Maria-Kristina e çeli bisedën e saj me pohimin që, sikurse e dinë të pranishmit "Shqipëria është rreth 100 vjet prapa pjesës tjetër të Europës".
Në qoftë se ti nga njëra anë s'e ndjen më veten përgjegjës për gjendjen e vendit tënd, nga ana tjetër je përsëri pjesëtar i tij dhe, kushedi, në mendjen e kolegëve ose interlokutorëve në forume të tilla automatikisht edhe përfaqësuesit nga ky vend duhet të jenë në mënyrë proporcionale 100, 50, 30 vjet prapa tyre.
Është ndoshta mendim absurd, por i vërtetë, si pasojë automatike e identifikimit tënd me kombin. Duke harruar proceset psikologjike (virtuale) që t'i vë në lëvizje një kongres i tillë, ndoqa me shumë vëmendje ato që po tregonte murgesha.
Ajo punon në Shkodër për urdhrin "Udhërrëfyes shpirtërorë" me organizimin e ndihmës për të varfrit, fëmijët, të sëmurët prej vitit 1991. Është bërë shumë e njohur këtu "Varka e Noes", një qendër edukimi e arsimimi për fëmijë.
Tregimi filloi me përshkrimin e plazhit të Velipojës në qershor të vitit 2010, ku kishin shkuar së bashku me motra të tjera për t'u larë.

Ishte e pamundur të gjeje një vend të pastër. Kudo mbeturina, qese dhe shishe plastike, vaj makinash, pampers të përdorur etj.
Pranë derdhjes së Bunës plehrat shumoheshin edhe për shkak të prurjeve të mëdha të lumit në ato ditë. Në një kanal aty pranë, lopë që ushqeheshin me plehra, qen të ngordhur të mbytur me sa dukej nga qese, një erë e padurueshme kërme kudo rrotull. Njerëzit hedhin në plazh gjithçka, copa xhami, mbeturina plastike etj. Të ikim që këtej një orë e më parë.

Velipoja, thotë motra, edhe para 10 vjetësh ka qenë një nga plazhet më të pastra e më natyrore të Shqipërisë. E pakuptueshme ajo që ndodhi në një kohë të shkurtër. E pakuptueshme ajo që ndodh me plehrat në Shkodër e rrethina.
Aty ku banojmë shpesh nuk e mbajmë dot dritaren hapur prej tymit të plehrave që digjen nën qiell të hapur. Varrezat myslimane janë kthyer në një vendgrumbullim plehrash, po kështu varrezat e dëshmorëve. (Kjo është edhe politike, mendova me vete, si i djathtë që është qyteti).
E pabesueshme është gjendja edhe në spitalin e qytetit, ku infermieret hedhin pa asnjë vështirësi nga dritarja age e shiringa të përdorura, fasha e lloj-lloj mbeturinash të tjera spitalore. Oborri i pasmë i spitalit është kthyer në një depozitë plehrash. Tabloja vjen e plotësohet me detaje të tjera.
Një shoqe e saj murgeshë shpëtoi për fije të perit nga një aksident automobilistik kur iu përplas pas xhamit të parmë të makinës një kuti e shqyer kartoni që bridhte mbi asfalt. Kurse ajo vetë kishte gjetur një ditë në një supermarket të Shkodrës një kavanoz me reçel kajsie gjerman.
Tepër e gëzuar për këtë mall nga shtëpia që i mungonte prej kaq kohësh, e kishte hapur dhe kishte lyer bukën me të - për të kafshuar një gjësend me shije të tmerrshme. Kishte parë pastaj mbi kavanoz datën e skadimit të mallit, 9 vjet më parë.

Po përse njerëzit e lënë veten të mbyten në plehra?
Edhe njeriu që po mbytet bërtet për ndihmë, vëren Marie-Kristina.
Ata nuk i njohin mirë pasojat e të jetuarit me plehrat, ata nuk e dinë ç'do të thotë të thithësh përditë dioksinën që vjen nga djegia e tyre, ata nuk e dinë më se si është e bukura, një peizazh ose një qytet pa plehra, ata janë të mësuar me të keqen. Ose e kuptojnë dhe janë depresivë, letargjikë.
Një djalë 25-vjeçar më thotë: kot mundohesh. Ne nuk do të ndryshojmë asnjëherë, ne nuk kemi kulturë. Ose marrin një qëndrim fatalist: dikur do të ndryshojë, d.m.th., e nënkuptuar dikush do vijë dhe do ta ndryshojë, por jo ne.
Ndërsa dëgjon problemet ekologjike që kanë vende të tjera të Lindjes: Hungaria, Rumania, Ukraina, Bjellorusia, vëren se një pjesë janë të ngjashme me ato që ka Shqipëria.
Pas një shfrytëzimi optimist dhe të paskrupullt të rezervave natyrore në frymën e ideologjisë komuniste që thotë se njeriu është zot i natyrës, ka zbritur një kapitalizëm liberal po aq optimist për përfituesit, me moton e rritjes ekonomike dhe GDP-së, por me pasoja tepër të rrezikshme për mjedisin dhe ruajtjen e bazave të jetës. E veçanta e Shqipërisë nuk është thjesht që vendi po mbytet në plehra, jo, kjo është tek e fundit një pasojë e jashtme e një qëndrimi të brendshëm.
Plehrat një ditë do të zhduken dhe nga rrugët, brigjet, plazhet rreth Shkodrës, sikurse po zhduken nga rrugët e Tiranës. E veçanta e Shqipërisë, ajo më e rënda mendoj, është mungesa e mendimit dhe veprimit në bashkësi te shqiptarët.
Në rrethinat e Tiranës, ku banoj, plehrat ka disa kohë që po hiqen.
Por, ndërkaq, me shpejtësi të frikshme grabitja e peizazhit, që dikur përbënte kurorën e gjelbër të Tiranës. Janë shtuar vara-vingot e kamionëve të rëndë që bartin dhe hedhin ku të mundin dheun e gërmuar të kodrave, në radhë të parë rreth e përqark liqenit Artificial.
Ekskavatorët po u ngjiten ullishtave të fundit te zona e njohur si e lapidarit dhe po i shkulin rrënjët shekullore nganjëherë me dhjetëra në ditë. Përmes rrugës kryesore të Saukut vrapon një përrua me ujëra të zeza, prej muajsh, banorët anash mesa duket janë të mësuar me të. Kohët e fundit ka ardhur këtu një grup punëtorësh të ujësjellësit të Tiranës, sepse disa banorë kishin hapur tubacionin kryesor dhe duke e këputur për veten e tyre kishin lënë gjysmën e fshatit pa ujë.
Nga këto pak të dhëna kupton se banorët tanë janë të pambrojtur jo vetëm nga pushteti qendror, që nuk është në gjendje të zbatojë asnjë nga masterplanet e tij apo vendimet e KRTSH (për mbrojtjen e kurorës së gjelbër ka vendime të qarta), por as nga vetja. Banorë të pambrojtur nga vetja do të thotë banorë që nuk jetojnë në bashkësi.
Shqiptarët kanë një kundërshtim gati natyror ndaj bashkësisë. Ata përgjithësisht duan familjen, farefisin, por jo fqinjin. Këtu sundon mosbesimi, dyshimi se fqinji po ia hedh dhe po përfiton në kurriz të tij, çka edhe ndodh shpesh, me sa duket ngaqë pritet medoemos.
Te ne banorët vërtet kanë zgjedhur një kryetar dhe një kryesi komune, kryetari, urbanisti, kryeplaku dhe të tjerët e kuptojnë veten veç si shushunja që pinë gjakun e komunës, si shitblerës lejesh ndërtimi, me një fjalë ingranazhe të atij sistemi që po na merr frymën dhe që ka të vetmin parim: tokës mund t'i marrësh gjithçka dhe nuk duhet t'i kthesh asgjë, përveç jashtëqitjeve.

Mungesa e mendimit bashkësinor dhe komunal bashkë me veprimin në bazë të tij, është sot e keqja më e madhe e Shqipërisë.
Ne tregojmë nga politikanët si e keqja jonë më e madhe, por këtë e bëjmë vetëm për të qetësuar ndërgjegjen e keqe që nuk bëjmë asgjë me njëri-tjetrin, nuk mbrojmë dot as rrugën ose hyrjen ku banojmë.
Shembulli më i parë dhe klasik janë ata që bërtasin më fort, analistët tanë bie fjala, sepse dhe ata janë krejt të paaftë të krijojnë me njëri-tjetrin ndonjë shoqëri civile. Kjo, natyrisht, u krijon kushte qeveritarëve dhe gjithë njerëzve të tjerë me pushtet të bëjnë qejf me pasuritë e Shqipërisë, t'i tregtojnë e koncesionojnë ato si t'u dojë e bardha zemër.
Ja këto mendime më ngjalli referati i motrës Marie-Kristina për vendin që po mbytet në plehra, në vazhdim të përshkrimit që i bëri ajo letargjisë dhe fatalizmit të banorëve. Në mbyllje, murgesha zvicerane tregoi se si e kishte arritur një organizimin e vogël të heqjes së plehrave nga shkolla Varka e Noes që drejton.
Më së pari i ka bërë të vetëdijshëm fëmijët për domosdoshmërinë e ruajtjes së mjedisit. Ata jo vetëm te kjo shkollë po as në vende të tjera nuk munden më të hedhin plehra në rrugë.
Më tej ka organizuar heqjen e plehrave me një karrocë dhe një kalë, pas një fondi që i erdhi nga Gjermani për këtë punë. Karrocierin e parë e pushuan nga puna se gjetën që i zbrazte plehrat në breg të Liqenit të Shkodrës, por tjetri qëlloi punëtor i ndershëm dhe kështu të paktën ai mjedis i vogël në mes të qytetit sot është i pastër.

Por, pyetja mbetet, nëse duhet ta importojmë edhe mendimin dhe nëse ka rrugë të tjera për të ndrequr sadopak kokat në bashkësitë e vogla dhe të mëdha ku jetojmë.





Ardian Klosi, Shekulli, Freising, shtator 2010

Saturday, September 4, 2010

Sami Frashëri (?)

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimea" në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie. Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore.

Shkroi romanin e parë të letërsisë turke me titull  Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872)”

Shkroi  enciklopedinë e parë turke “Kamus-ul Alam (1889-1898)

Shkroi  fjalorin e parë [në kuptimin e plotë të fjalës] modern turk “Kamus-i Turki (1901).

Gjithashtu ka shkruar edhe fjalorët “Kamus-i Fransevi” frengjisht dhe “Kamus-i Arabi” arabisht.



Çfarë pikëpyetjesh ju ngrenë këto fakte?

STOP INJORANCES!

Sunday, August 29, 2010

Gjumi, ende një nga misteret më të mëdha

Ajo çka tashmë dihet, është fakti që gjumi luan një rol parësor dhe të domosdoshëm në jetën tonë. Për të ka shumë teori. Njëra syresh sugjeron se gjumi na shërben për të pasur marrëdhënie më të mira me botën e jashtme.          

Gjumi shpesh konsiderohet i keq për mbijetesën. Kafshët në gjumë, apo të përgjumura, janë pre lehtësisht të kapshme për grabitqarët, ndërkohë që ai është i domosdoshëm për vazhdimin e ekzistencës. Por ka edhe nga ato kafshë që mund t‘ia dalin mbanë pa fjetur për një kohë të gjatë. 

Për shembull delfinët e sapolindur dhe disa lloje balenash nëna mund të kalojnë periudha të gjata pa kryer funksionin e njohur si përgjumje, që te kafshët karakterizohet nga periudha të gjata qëndrimi në një vend.

Këto periudha ndonjëherë zgjasin për javë të tëra, sidomos në dimër dhe te zogjtë para emigrimit. N ë k ë t ë ra s t , zogjtë mund të kalojnë ditë të tëra duke fluturuar e duke mos u ndalur as për ndonjë pushim të shkurtër, ndërsa nxitojnë drejt destinacionit të tyre. 

Që këtej lind pyetja: Nëse gjumi është thelbësor për jetën e qenieve të gjalla, atëherë si është e mundur që ka kafshë apo shpendë që nuk flenë për ditë e ditë të tëra? Sipas një sondazhi të zhvilluar ndaj shumë kafshëve të ndryshme, del se kafshët mishngrënëse flenë më shumë se ato që janë edhe mishngrënëse edhe bimëngrënëse, dhe këto të fundit flenë më shumë se kafshët që ushqehen vetëm me barishte. Kësisoj, duket se roli i gjumit ka të bëjë shumë me ekosistemin e kafshës.

Një shembull është ai i lakuriqit të madh të natës, që fle 20 orë në 24 orë dhe që përbën edhe rekordin e gjumashit për gjitarët. Dikush mund të mendojë se kafshët flenë kaq gjatë për shkak të ndonjë funksioni të panjohur që ushtron gjumi mbi ta. 

Sipas disa shkencëtarëve, funksioni kryesor i gjumit është që të rrisë efikasitetin e kafshëve dhe të minimizojë rreziqet që i vijnë species nga mjedisi rrethues. Të gjitha speciet kanë orë të caktuara gjatë të cilave janë aktive për të kryer funksionet e ekzistencës së tyre dhe orë të tjera që i kalojnë në gjendjen e gjumit.

Kështu mund të shohim specie që optimizojnë periudhat e tyre të pasivitetit në marrëdhënien që kanë ndaj ambientit që i rrethon. Kësisoj, gjumi, në rastin e kafshëve, i ndihmon ato që të përshtaten me botën përreth. Ndërkaq, në lidhje me funksionin e gjumit ka shumë teori të tjera. 

Njëra përfshin rolin e krijimit të lidhjeve mes qelizave të trurit dhe atë të spastrimit të atyre që janë të panevojshme. Largimin e stresit që akumulohet gjatë periudhës kur jemi zgjuar. Zgjatjen e jetës. Megjithatë gjumi nuk mund të shpjegohet përmes madhësisë së trurit, jetëgjatësisë, përmasave trupore apo variablave të tjera që janë analizuar prej vitesh, duke dhënë gjithmonë rezultate konfliktuale, apo konfuze në lidhje me gjumin.

Kështu, nëse njohim masën trunore të një kafshe, nuk do të mundemi kurrsesi që të parashikojmë apo shpjegojmë kohën e tyre të gjumit, apo thellësinë e tij. Një majmun ka të njëjtën kohëzgjatje gjumi si edhe një derr. 

Një elefant jetëgjatë ka një nga periudhat më të shkurtra të gjumit te kafshët, ndërsa një lakuriq nate jetëshkurtër ka një nga periudhat më të gjata. Gjumi i njeriut ka shumë pika të përbashkëta me të ashtuquajturat "gjendje inaktive" të bimëve, mikrobeve, pra të specieve që nuk kanë një sistem nervor. Kjo është një sfidë ndaj idesë se gjumi është produkt i trurit.

Gjumi nga ana tjetër konsiderohet edhe si një periudhë karikimi i energjisë dhe ruajtjeje të saj. Megjithatë këto janë vetëm disa ide në lidhje me gjumin, natyrën dhe rëndësinë e tij te qeniet e gjalla dhe veçanërisht te njeriu. 

Ai vazhdon të mbetet një mister i madh, edhe pse shumë shkencëtarë i janë vënë sfidës për ta "çmontuar" këtë mister e për të zbuluar ndoshta mekanizma të rëndësishëm të përshtatshmërisë së specieve ndaj ambientit.

 Gazeta Shqip

Komunizmi, çfarë është?

                                                                                                                                                     

Komunizmi është një filozofi jete antinatyrale, kundër ligjeve të natyrës, e dënuar të falimentojë, sepse është false me premisat logjike, e gabuar dhe pa themel në arkitekturën e ideve dhe fiksion imagjinate të sëmurë.

Epistemologjia na mëson se ligjet e natyrës nuk janë të barabarta me ligjet e shkencave dhe kurrë nuk venë në akord me këto; na mëson edhe se ligjet e shkencave nuk janë absolutisht të vërteta, por relativisht: 2+2 nuk bëjnë 4 as në fizikë, as në kimi. Nuk ekziston barazi absolute në asnjë ligj të jetës dhe të natyrës (mendo inteligjencën mendore njerëzore dhe shtazore).

Porse kjo mosbarazi jep barazinë harmonioze të çdo jete organike. Po të prishim këtë ekuilibër, vemi në gabim të sigurt. Komunizmi, marksizmi, leninizmi janë të dënuar si një utopi, nga të gjithë heronjtë e mendimit të shekujve të 19-të dhe të 20-të.Epistemologjia që vjen si kritikë matëse: peshim distance në të katër dimensionet e esencës dhe ekzistencës së filozofisë së shkencave, provon që komunizmi, me brenda marksizmin, engelizmin, leninizmin, nuk ka bazat e nevojshme për t’u quajtur filozofi, sepse nuk paraqet asnjë strukturë aparati origjinal të mendimit ndërtonjës, por është vetëm një spekulim idesh sofistike të prejardhura nga baza false, subjektive dhe nga statistika të pasakta dhe të painterpretuara në kohë të caktuar, në vend të caktuar, në funksion të caktuar.

Kështu, komunizmi mbetet vetëm një fushatë politike për atë kohë kur u konceptua, u shkrua dhe u përhap, në një popull të prapambetur: anakronik për qytetërimin perëndimor dhe teknologjinë moderne.Po të kuptohet mirë Sooren Kierkegard, Martin Heideger, Jean Paul Sartre, Gabriel Marcel, Benedeto Croce –(për të përmendur vetëm pak heronj të mendimit) zbulohet mirë dhe shpjegohet qartazi dobësia, sipërfaqësia, fjalamanëria, falsiteti integral i komunizmit, i cili, duke shkuar nëpër shoshën e logjikës së lirë, reduktohet në hime dhe nuk mbetet tjetër, veçse një novelë fiksioni e një imagjinate të dobët, që nuk respekton as ligjet më të thjeshta të mendimit natyral (senso commune), pale ligjet e logjikës shkencore.

Statistika e komunizmit, që jep përfundimin në Mbivlerën, është një anëvështronjëse (unilaterale – të një ane të interesit), është sipërfaqësore, përgjithësonjëse, që i vështron gjërat në përgjithësi dhe jo në analizë e në veçantësi, sikurse janë virtytet e Epistemologjisë, prandaj nuk është shkencore në interpretimin gjenetik, duke mos përmendur që nuk është as matematikisht e saktë. Materializmi është vetë një filozofi gjysmake, sepse mohon ose harron, ose nuk sheh si i verbuar nga dukja dhe mirazhet aspak vlerat e instinktit, intuitës, imagjinatës, evolucionit krijues të neuro-transimterve femra, që, me një fjalë, me një term teologjik, quhen SHPIRT, vlera, aktivitete mendore të jetës ndjenjëse (sensibiliteti krijonjës) që kanë krijuar qytetërimet (21 sipas Toynbee) dhe sidomos qytetërimin e 21-të euro-amerikan. Po të zbresim nga materializmi i gabuar në interpretimin materialist të historisë, atëherë gabimet e Komunizmit zmadhohen shumëfish në teori, derisa arrijnë aberracione mendore në praktikë, si një shkëmb me borë, që, duke u rrëzuar nga mali, duke u rrukullisur, mbledh borë të re dhe bëhet aq i madh sa më shumë distancë udhëton tatëpjetë. Për të provuar këtë të vërtetë, nuk është nevoja që njeriu të jetë as filozof, as epistemolog, mjafton t’i hedhësh një sy Historisë së Shkencave, për të parë e kuptuar që qytetërimin nuk e kanë krijuar masat proletare, porse e kanë krijuar gjenitë individuale me dritë truri mbi normale.

Kjo është një nga padrejtësitë e Natyrës, që në funksion të dinamikës, siç është netropia në fizikën e nxehtësisë së pakthyeshme, që është Drejtësia e Shenjtë, e cila formon ekuilibrin dhe harmoninë e Përparimit. Vini një milion proletarë bashkë për njëqind vjet imagjinarë, në kazerma studimi dhe pritni që ata të shprehin një sistem filozofik ose një krijim shkencor si telefoni i Belit, penicilinën e Flemingut, ose ligjet elektromagnetike të Ajnshtajnit. Pritni që masat proletare të përparojnë (jo që të krijojnë) teknologjinë moderne. Pritni që ata bashkë të shkruajnë një poezi; poezi, jo himne diktatorëve që u ngjajnë kakarimave të patave natën kur e ndiejnë dhelprën përreth qymezit… Po të vemi nga Komunizmi si filozofi agnosticiste që polli (dështoi) Marksizmin dhe Engelizmin si teori ekonomike dhe politike dhe nga kjo fazë mendoni, të shohim në praktikë, marksizmin si aparat shteti, do të gjejmë në praktikë falsitetin e teorisë, në falimentin e trishtuar konkret.

Brenda gjatë 70 vjetëve, ashtu si prova laboratorike me më shumë se treqind milionë derra të Guinesë ose minj të butë, ky regjim e pruri të gjorin popull rus në mjerimin ekonomik më të tmerrshëm që njeh historia universale, duke mos përmendur këtu degjenerimin mendor, moral dhe fizik. Gorbaçovi tha: “Komunizmi falimentoi në misionin e tij historik: nuk kemi sapun në spitale që të lajnë duart mjekët, nuk kemi bukë në vatër, nuk kemi një buzëqeshje miqësore në popull…”. Kur kapitalisti i vërtetë dhe i lirë vete në shtrat, nuk e zë gjumi, duke menduar disa orë se si ai të përmirësojë fabrikën e tij që kjo të prodhojë prodhime më të mira e më të lira. Nuk ka rëndësi fakti që këtë sakrificë e bën për interesin e tij financiar, sepse ai nuk do të shpjerë në varr ose në qiell thesarin e tij për të blerë një apartament luksoz në Parajsë, por ka rëndësi shqetësimi, kërkesa, rropatja etj., për përmirësinë, përparimin që ai bën në shërbim të shoqërisë njerëzore.

I dimë të gjitha të metat e Kapitalizmit, porse këto të meta janë aq të vogla dhe aq të kollajshme për t’i korrigjuar që t’i pranojmë përkohësisht, derisa me një proces evolutiv të arrijmë në ligje më të sakta që të rregullojnë marrëdhëniet mes punës e kapitalit, siç po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Veriut, në Kanada dhe në Europën Perëndimore. Po të zemërohemi për të metat e kapitalizmit dhe të hidhemi në ekstremin e kaosit komunist, vemi kundër ligjeve të natyrës, sepse ata kapitalistë dhe ky sistem e bënë Amerikën në 100 vjet shtetin më të fortë në botë, popullin më të lumtur në botë, teknologjinë më të lartë në botë dhe vendin fatbardhë, sa që të quhet Vendi i Perëndisë = God’s Country.

Të refuzosh kapitalizmin e demokracive për të metat e tij, është njëlloj sikur një vashëz refuzon të martohet me një djalë me cilësi mendore, shpirtërore, morale ose punëtore, sepse djali ka flokët e kuq, ose sytë të verdhë, ose hundën e madhe! Marksi “gjenial” parashikoi që sa më shumë të përparojë teknologjia, aq më shumë vobegësi do të kenë popujt, sepse punëtori do të zëvendësohet me makinën automatike… dhe tani ne shohim që ndodhi e kundërta: në vendet më të përparuara në teknologji (SHBA, Europa Perëndimore) masat proletare kanë standard jetese më të lartë. Në këto vende masat proletare kanë, sipas rastit, prej 20-30-40 për qind kursime bankare, shtëpi dhe makinë moderne dhe siç tha Gorbaçovi: “punëtori amerikan ka konfort më të mirë se unë që jam kryetar shteti”. Si konsekuencë e gabimeve, të metave dhe falsiteteve të filozofisë marksiste, shtetistët komunistë edhe sikur të ishin gjeni (gjë që s’ka ndodhur deri më sot, sepse në këtë rast do të hiqnin dorë nga UTOPIA)janë të detyruar të falimentojnë siç falimentuan të gjithë në botë, sepse nuk e kanë fajin ata 100 për qind, porse e ka fajin TEORIA, e cila e ka mikrobin e kancerit në bërthamën e farës së saj.

Ky kancer fare në teori forcohet në praktikë, si çdo farë tjetër ideje ose organike dhe jep rezultatin e saj. Kështu që shtetistët komunistë, përpara falimentit politik, ekonomik, shoqëror, shkencor, artistik, përpara frikës së popullit të deziluzionuar e të zhgënjyer, transformohen në tiranë (satrapë, kasapë, gjaksorë, cinikë) dhe, për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe të klikës, krijojnë policinë sekrete, e cila bëhet aparati mbishtetëror; shteti rrëgjohet në një aparat burokratik, qeveria rrëgjohet në një zyrë ekzekutive si një kryepunëtor dhe të tërën nën tmerrin e Tiranit, ky nën tmerrin e vetes së tij, që jep si pasojë eliminimin fizik të çdo njeriu mendonjës, qoftë ky edhe shoku i tij.Roli i policisë sekrete është zhdukja e vlerave mendore dhe morale, e mendimit të lirë, sepse këto vlera për ligje natyrore i përkasin idealit antirobëri, qoftë dhe jo liri perfekte. 

Ku dhe kur ndonjëherë në histori kemi bërë përparim e mirëqenie ekonomike, politike, mendore në regjime tiranike? Në gjysmën e parë të shekullit XX, Historia, që është bija e Politikës, pranoi të vërtetën e madhe që Italia, Gjermania dhe Japonia kishin të drejtë për luftën që shpallën, sepse nuk kishin mjaft “tokë” për të ushqyer popujt e tyre as me bukë thatë. Filozofia e Historisë dhe Epistemologjia provuan që me po atë tokë të vogël, këta popuj jetojnë 200 % më mirë me demokraci, sesa kur patën koloni dhe jetonin në mizerje, duke u shtuar pas Luftës së Dytë popullsia afër 42% në Itali, 38% në Gjermani dhe 31% në Japoni. Engelizmi (ose Socializmi Shkencor) është një teori ekonomiko-shoqërore anakronike dhe utopike, që gabimisht pretendon të përkufizojë dhe të caktojë ligjet që do pjellin Kodet e legjisluar në mes kapitalit e të punës. Falimentoi në të gjitha Legjislaturat e shteteve komuniste dhe popujt e Europës Lindore e Juglindore që ishin më të përparuar se popujt e prapambetur të Bashkimit Sovjetik (një Babiloni racash, besimesh, gjuhësh, traditash etj.) e kuptuan shpejtazi pas pak vitesh robëri komuniste-ruse, p.sh.: Hungaria, Polonia, Balltikët, Gjermania Lindore, Çekosllovakia (dhe Jugosllavia e akrobatit majmun Josif Broz Tito), porse nuk dilnin dot më nga thonjtë e Moskës.

Me zhvillimin e teknologjisë moderne në vendet e lira, punëtorët që kanë tri koqe në karroqe, transformohen në aksionistë të industrisë, tregtisë, duke kursyer dhe blerë aksione në bursat e vlerave tregtare. Sipas statistikave, në SHBA ka, sipas shteteve 15-20-30 deri 42% të punëtorëve aksionistë (pjesëtarë pasurie) të grupeve konglomerate kapitaliste; në Europë statistikat tregojnë më pak përqindje punëtorësh të kapitalizuar, megjithëse, ironikisht, Europa Perëndimore ka legjisluar relacionet në mes të punës e të kapitalit më në favor të punëtorit, sesa janë në SHBA.

Provë e kësaj të vërtete është fakti që në vendet e lira popujt dhe masat punëtore përbëjnë turizmin më pasanik të botës. Shifrat e statistikave duken të pabesueshme: nga SHBA fluturojnë në të gjitha kontinentet 58% punëtorë amerikanë. Në Europë, vitin e kaluar hynin në Itali dhjetë milionë automobila në javë nga veriu e verilindja; por më impresionante janë shifrat që vetë italianët dilnin nga veriu me 6 deri 8 milionë automobila në javë dhe niseshin nga veriu i Italisë për në jug 8 deri 10 milionë automobila në javë. Shumica e këtyre janë “proletarë”, sipas termit marksist. Leninizmi është një kopje e keqe e këtyre tri teorive: Komunizëm –Marksizëm –Engelizëm që, transformuar në platforma politike – administrative dha si rezultat gabime, falimentime dhe llahtare më të shproporcionuar, sesa e parashikonin sociologët, psikologët, shtetistët e lirë të Europës Perëndimore dhe amerikanë; jo vetëm pruri vobegësinë ekonomike lindore deri në uri buke, por shtypi dhe zhduku vlerat morale, intelektuale, shpirtërore, sa miliona njerëzish nuk prodhuan dot as shkrimtarë, poetë, as teknologë gjatë 70 vjetëve në rusi, 50 vjetëve në Europën Lindore e Juglindore. Shih statistikat e Çmimeve Nobel, shih teknologjinë ruse, industrinë e rëndë, industrinë e lehtë. Mundohen vetëm të vjedhin me anë të spiunazhit formulat fizik-kimike të luftës, si energjinë nukleare etj. Hrushovi tha se kemi nevojë të mësojmë nja dhjetë vjet nga amerikanët për të arritur të prodhojmë ushqimin e nevojshëm në agrokulturë, industri, konfort dhe u impresionua kur pa një fermë, ku njëqind mijë pula lëshuan vezët kur dëgjuan sirenën-urdhër. 

Stalinizmi, kopje e keqe e leninizmit dha atë përfundim që dimë: statistikat që dha Hrushovi thonë që në vitin 1950 ekzistonin në Rusi 219 fusha përqendrimi, afër 40 milionë njerëz kryenin punë të detyruar, 8 deri 12 orë në ditë punë, pa pagesë, me ushqim nën 600 kalori në ditë. Po të mendojmë që, për të ushqyer këto pellgje me elementë njerëzorë, gjatë 50 vjetëve, duke zëvendësuar të vdekurit me të gjallë të rinj, me “fajin” që ishin mendonjës të lirë, ose pa faj, me artimetikë të thjeshtë, pra, numri i atyre viktimave të gjora i kalon 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë frymë). Po të zbresim nga Stalinizmi me njëfarë rrethi njerëzish kompetentë tek tirani i vogël i popullit tonë dhe në 14 grupet etnike të Europës, pas Perdes së Hekurt, do të gjejmë një nga pikturat më të shëmtuara të komunizmit dhe të komunistëve që administruan 45 vjet të mjerin popull shqiptar: uri buke, robëri aziatike parakristiane, terror nazist, degjenerim fizik e moral, zhdukje të vlerave morale shqiptare: Besë, Nder, Burrëri, Dinjitet – Pudor – Drejtësi – deri gjykimin logjik.

Kanë vdekur një përqindje shqetësonjëse e njerëzve nga Azeimer Disease (çmendje, humbje kujtese dhe ndërgjegjeje) që njeriu vegjeton si një bimë deri sa vdes, për mangësi ushqimi. Duket e pabesueshme që tirani vocrrak dhe xhandarët e tij kanë depozituar në bankat e Europës miliona dollarë në po atë kohë kur vdisnin foshnjat nga tuberkulozi për mungesë antibiotikësh e të tjera, dhe populli vdiste për bukën e gojës dhe vlerat morale e intelektuale në atdheun tonë të gjorë, ose jetonin në anonimi, në terr, shurdhë, qorra dhe memecë, ose vdisnin në burgje, ose në plumb e litar, ose pasi konvertoheshin në kufoma ambulante, mbaronin në pleh. Ana tjetër e medaljes është tallja cinike ose ironia e fatit që ka akoma, disa Iliro-Thrakë mendjetredhur ose ndërgjegje shterpe që mbahen për përparim të Epokës së Tmerrit, sepse u vunë disa tuvulla për mure, u shtruan disa udhë qorre, u ndezën disa llamba elektrike ose u shpuan disa vrima në dhe për të nxjerrë metale e minerale gjatë afro gjysmë shekulli pune me 10 dollarë në muaj rrogë.

Në SHBA rroga e punëtorit të thjeshtë fillon me 3.75 dollarë në orë, ligjërisht, porse në realitet nuk ekziston punë që të mos paguhet prej 10 dollarë në orë deri 37 dollarë në orë. Ata mendjemykur të gjorë shohin vetëm prapa, duke e krahasuar epokën e Tmerrit me atë të shkuarën, porse nuk kanë mendjen femër t’u pjellë imagjinata se ç’do ish bërë në Shqipëri brenda 47 vjetëve me një shtet-shtet, me një fuqi legjislative europiane, me një qeveri demokratike moderne, me një brez rinie të shëndoshë, në një vend të Europës, prej ku me ajër, me tokë ose me det, në pak orë arrin në Romë, Paris, Londër, Berlin, duke pasur atdheu ynë klimën më të mirë të botës, me një sasi të lumtur rezervash të nëndheut në metale e minerale; që është toka ose shprehja gjeografike më e pasur e botës, po të marrim në konsideratë proporcionin me vendet e tjera; vajguri, çimento, krom, flori (ar) etj. Përpara panoramës gjeopolitike, ekonomike e shoqërore – fetare, psikologjike, morale, shpirtërore, një shqiptar që njeh jetën në botën e lirë, po të mendojë shumë fatin tragjik të kombit, ose sëmuret, ose prishet nga mendtë, ose vdes nga dëshpërimi, po nuk pati fuqi vullneti të mbijetojë si nëna pas vdekjes së djalit të vetëm që e rriti pa baba. Përndryshe, duhet të ketë lindur njeriu me ndërgjegje të fshehur nën lëkurën e elefantit, që të mos ndiejë as gëzimin e përkëdheljes, as kërbaçin që rreh. Është ligj i natyrës që mediokriteti bashkohet kundër gjenive dhe fiton mbasi është shumica: Sokrati, Krishti, Galileo Galilei, Xhordano Bruno, Martin Luteri, Savonarola dhe legjione martirësh, në të gjitha kombet, në të gjitha kohët. U duk me kohë që komunizmi dështoi në ligjin e tij dhe në palcën e lëndës së tij që kur u provua që nuk mundi dot të edukojë breza marksistë as në Europë, as në Amerikën Latine, as në Azi.

Për këtë arsye diktatorët komunistë kur e ndien qartë që ideja nuk zuri rrënjë dhe nuk pati vazhdim, s’kishin udhë tjetër veçse të formonin shtet policesk, me një polici sekrete të zgjedhur për karakteristikat tipike të punës që do të kryenin: besnikëri të paskrupullt, të pa vlerash morale, gjaksore, mentalitete të mbyllura që veprojnë qorrazi nën urdhrat e një diktatori ose tirani, pa ligj, pa rregullore, pa përgjegjësi. U pezulluan të gjitha ligjet njerëzore dhe, si konsekuencë, njeriu arrestohej, burgosej, internohej, vritej dhe zhdukej pa asnjë justifikim, pale më arsye. Në një proces evolutiv, Policia Sekrete u bë vegël e domosdoshme e tiranit, sepse sa më shumë krime bënte tirani, aq më shumë armiq shtoheshin, aq më shumë tirani kish nevojë për atë. Kështu, Policia Sekrete në të gjitha regjimet komuniste u bë Fuqi Mbishtet. Nga ana tjetër, edhe Policia Sekrete kish nevojë për tiranin, kështu që Qeveria dhe të gjitha organet e shtetit zbritën në shkallë ligjore, duke u konvertuar në zyra burokratike në shërbim të Policisë Sekrete.

Gjenocidet e Policisë Sekrete në të gjithë botën kanë vrarë më shumë njerëz të vlefshëm e të pafajshëm, sesa vrau Lufta e Dytë Botërore. Sipas gradës së kulturës së popujve dhe sipas peshës specifike të qytetërimit të secilit, në këtë graduacion iu desh popujve të kuptonin Falsitetin e Komunizmit. Popullit rus dhe kombësive heterogjene të Rusisë Sovjetike iu deshën 70 vjet; Europës Lindore dhe Juglindore 30 vjet, Kinës 40 vjet dhe ende s’e ka kuptuar mirë; Kuba pas saj; Italisë 3 vjet; Francës një ditë; Anglisë një orë; SHBA kurrë nuk i pëlqeu dhe as që e vuri në bisedim. Epistemologët mendojnë që vetëm mentalitetet e prapambetura pranojnë qorrazi si solucion të vetëm dhe të vetmen udhë shpëtimi nga çdo tirani ose kolonializëm komunizmin. Duke qenë komunizmi, për natyrë të tij, një ideal absurd dhe kanceroz, nuk mund të japë tjetër rezultat veçse: ateizmin, absurditetin, korrupsionin, imoralitetin, tradhtinë, degjenerimin, depersonalizimin, vdekjen e të gjitha vlerave mendore, morale, shpirtërore. 

Ky proces evolutiv negativ ndodh, sepse një ligj gjenetik i natyrës provon që, kur duam të bashkojmë, të shartojmë ose të martojmë elementë heterogjenë me elementë homogjenë, një në shtatë ka shans që të na japë si konkluzion elementë të një kategorie të pastër, qoftë heterogjene, qoftë homogjene. Ky ligj është 100% i provuar në pemë, në kafshë, në insekte dhe më mirë në njerëz. Prej këtu, në sociologji (shoqëri njerëzore të organizuar), prej këtu në Shtet dhe organet e tij. Psikologjia luan një rol kryesor, përveç biologjisë dhe raca, gjuha, tradita, besimi e zakonet janë përvojë nga do të rrjedhin konsekuencat. Në shoqërinë shqiptare të mesit të shekullit XX patëm një formulë kimike elementësh të ndryshëm të pabashkueshëm: a) për mentalitetin; b) kulturor; c) fetar; d) ekonomik; e) nivel inteligjence natyrore; me ndërhyrjet dhe presionet e jashtme: a) Traditat turko-bizantine; b) embrione sllave, greke, latine; c) influenca politike dhe ideologjike fashiste, komuniste. Në këtë kazan, ku po valonin elementë heterogjenë, duhej të gatuhej brenda një ide hegjemone, që të dilte gjella: KOMUNIZËM.

Për fat të keq të kombit shqiptar, udhëheqësit komunistë ishin të gjithë njëqind për qind të huaj, të panjohur dhe të panjohshëm me filozofinë e shekullit XX dhe me Ekzistencializmin që shpjegon esencën dhe ekzistencën, gjenin dhe eksperiencën, të vetmet vlera të ndërtimit të njeriut dhe, për konsekuencë, të shoqërisë njerëzore dhe Shtetit. Pas kancerit të ideologjisë komuniste shtoheshin të tjera sëmundje, që vinin nga padituria e drejtonjësve të Partisë Komuniste, duke filluar që nga udhëheqësi; një student i falimentuar në studime, pa asnjë kulturë qoftë dhe sipërfaqësore, deri te shokët e tij që ishin studentë të falimentuar që në fillore e shkolla të mesme, elementë negativë, Zero absolute për procesin filozofik konstruktiv.

Mbi gënjeshtrën nuk mund të ndërtohet kështjellë. Atë që natyra s’ta jep, salamanka (Salamanka qe i pari Universitet) nuk ta jep dot hua dhe, kur s’ke as natyrën, as salamankën, je i detyruar të falimentosh, thotë një proverb spanjoll. Si rrjedhim: nga një ideologji kanceroze e përqafuar nga elementë sifilitikë, tuberkulozë, xhahilë, gjaksorë, tradhtorë, aventurierë, ç’rezultat do të pritej? (Këtë studim e kam bërë që në vitin 1954, në librin tim “Lumenjtë zbresin të kuq”, (LOS RIUS BAJAN ROJOS), botuar nga Editoriali ULTRAMAR - SPANJOLL-ARGJENTIN; që tani vonë gazetarët e këtyre vendeve, duke ekzagjeruar (siç është mentaliteti i gazetarit) e kanë mbiemëruar “Libri Profetik”). Përveç këtyre faktorëve negativë heterogjenë, të sëmurë e të paditur, vjen si konsekuencë fatkeqësia e ligjit kimik të Pasterit “Origjina e mikroorganizmave” dhe ai i Mendelit në pemë “Gjenet” dhe ai i August Compte në Sociologji. Ç’ndodhi si konsekuencë në shoqërinë tonë njerëzore të viteve 1939-1945? 1) Pati pothuaj krejtësisht komunistë që nuk njihnin Filozofinë e lirë dhe askush Epistemologjinë. 2) Pati pothuaj krejtësisht komunistë që nuk njihnin aspak Komunizmin e përfaqësuar nga Marks, Engels, Lenin. 3) Pati pothaj krejtësisht komunistë që nuk njihnin kritikën amerikane të Ideologjisë Marksiste. 4) Pati komunistë që nuk interesoheshin të dinin, as që do mund të dinin se ç’ishte Komunizmi as në praktikë, pale në teori; ky grup i fundit (i katërt) përbën masën e tërë udhëheqësve luftarakë ose lapurakë. Në pati në gjirin e partisë ndonjë djalë (me aq sa mund të dinte një djalë i ri në atë kohë, qoftë mjek, oficer, mësonjës) kjo klasë njerëzish të vlefshëm pësoi njërën nga dy alternativat: ose plumbin, litarin, burgun, ose u vu më një anë si i tredhur apo amorf. 

Fatkeqësisht, edhe ana tjetër e medaljes nuk kish një formulë kimike më të mirë dhe të ngjashme me të parën, me përbërjen heterogjene – homogjene të njëllojshme, me përjashtim të pak të rinjve që kishin një kulturë të mjaftueshme sa për të dalluar të zezën nga e bardha. Kjo ana tjetër, demokracia, kish brenda viruse dhe mikrobe që e shpinin në falimentimin e idealit demokratik. Le të mendohet në bashkëpunëtorët me të huajt (ndonëse pakicë); mbeturina të kalbura turko-bizantine në hierarkitë anakronike: Kapitalistët iliro-thrakë (MENTALITET) dhe aventurierët, si dhe në kategorinë e mëparshme. Më së fundi, ishin dy anët po ajo… hallvë… e gatuar po me… ata elementë kimikë; me po atë fuqi centrifugale, fizike, me po ata numra, që u ngjajnë aplikimit të teorisë së kuanteve, në gatimin e energjisë nukleare që do të pëlcisnin si një bombë atomike që pëlcet brenda në një vatër familjare, që ish familja shqiptare e gjorë, si vëllavrasjet absurde. Këtij konglomerati homogjen-heterogjen i ra përsipër si një mallkim a dënim publik padituria, inkompetenca, sipërfaqësia mendore ose fati i zi, të mbledhur të gjithë në trurin e sëmurë të rakitikut Ruzvelt, i cili, i dështuar siç pati lindur, mendjetredhur, xhahil, sa një dembel Stambolli, ra viktimë e buzëqeshjes cinike të Stalinit dhe në mes të vodkës e haviarit në Jaltë, ia dhuroi Europën Lindore e Juglindore çeço Stalinit. Konsekuencë e këtij vendimi, Radio BBC e Londrës me bukuroshin Tajar Beu, e anestezoi pjesën e shëndoshë të popullit shqiptar që qëndroi spektator i ftohtë përpara tragjikomedisë së kombit, duke pritur kush do fitojë, kur të bjerë perdja e skenës së fundit të Dramës së Kombit, për të rrahur shuplakat ftohtësisht në një duartrokitje: NERONIT.


Në një bisedim të shkurtër që pata me filozofin frëng Zhan Pol Sartre, kur ky erdhi mik i thirrur i Universitetit ku unë mësoja filozofinë e tij (si një pjesë të kurseve të ekzistencializmit), ky më tha: “Sa më shumë i sinqertë, i vendosur, i zgjuar, trim të jetë një komunist – kryetar shteti, aq më shumë gabime, aq më të pakorrigjueshme gabime, aq më të tmerrshëm gabime do të bëjë, pa pasur tjetër alternativë veçse krimit, për të vazhduar në udhën e tij të gabuar, i udhëhequr nga filozofia e gabuar marksiste-engeliste-leniniste”.Epitafë lapidarë? 

Dëmi më i madh që i bëri popullit shqiptar komunizmi nuk është vetëm terrori, krimet, gjenocidi 1944-1945, burgjet 1945-1990, nuk është verbimi xhahil me deklaratën ateiste, nuk është tradhtia vetëdashëse e paimponuar nga të huajt, kundrejt historisë; jo. Dëmi më i madh që i bëri kombit tonë komunizmi është demoralizimi – degjenerimi – pluhurizimi – çoroditja – mallkimi që i bëri popullit shqiptar në tru – në nerva – në të gjitha shtresat e ndërgjegjësore Frojdiane, deri në gjenin (xhinin), që dhanë për pjellje, një seri brezash shqiptarë me të gjitha vlerat morale të vdekura.

Në panoramën që paraqet kombi ynë, në këta pesë vjetët e fundit, kur deri diku u la i lirë të thoshte kush ish, të shihej në pasqyrë sa i shëmtuar ish; të analizohej në laborator, gjeni – esenca dhe ekzistenca të sëmura, në këtë panoramë, njëkohësisht heroi-komike dhe tragjikomike, duket qartazi vdekja mendore, shpirtërore, morale e popullit tonë shqiptar i njohur nga disa sociologë europianë:

Fillimi i radioterapisë dhe kimioterapisë Për të shëruar popullin shqiptar nga kanceri i kuq, duhet një proces intensiv dhe ekstensiv paralel: A) Radioterapi – kimioterapi dhe ndërhyrje kirurgjike, rrënjësore, si pastrimi i trurit, nervave, gjakut, xhinit deri në mikrozomin më të thellë. Faza e dytë është një terapi higjienike, duke i larë trurin popullit nga kanceri i kuq me anë të edukatës në të gjitha mjetet e saj: shkollat, librat, radio-televizioni, revista, gazeta etj. Duke pastruar bibliotekat nga leukemia që i mbulon dhe duke rimbushur bibliotekat me libra të qytetërimit euro-amerikan: filozofi-sociologji – epistemologji – me kurse mbi filozofinë e historisë, diplomacisë – shkencave. Me interpretimet të besimeve, p.sh., Gabriel Marcel – Journal metaphysique. Për vazhdim natyror më pastaj shkencat – teknologjia. Të gjithë këta faktorë mund të imponohen nga qytetërimet e shëndoshë që kanë dhënë për rezultat – lumturinë e njeriut. 

Populli shqiptar duhet të njohë sinqerisht gabimet e tij dhe si përfundim të njohë veten e tij; ta vendosë veten e tij në pikën e trajektores së ekzistencës së tij; të rindërtojë ndërgjegjen e tij, të njohë kimikisht mikrobet e tij, t’i vdesë këta dhe të zërë udhë të re, me një ideal të ri, për një demokraci të sinqertë, për një jetë të re, besim në Zotin, besim në historinë fatmadhe të tij, besim në vlerat morale, besim në veten e tij, për t’i hapur udhën e re Historisë Kombëtare, sa më shpejt, përndryshe, do të humbasë akoma 50 vjet të tjerë, në një lëkundje tutje-tëhu; një çap para, dy çapa prapa. Po qe akoma i aftë, i sëmuri të ngrihet në këmbë (jo si kufomë ambulante, po si hero), atëherë lind shpresa që në një ditë të afërme të mund të zërë vendin që i përket, si një popull historik, në qytetërimin europian dhe në shoqërinë e kombeve. Le t’i lutemi Zotit për këtë mrekulli!



I.Luzaj:Gazeta Shqiptare

Monday, July 26, 2010

Xhubleta Shqiptare - Veshja më e vjetër e botës, e mbetur ende gjallë



Xhubleta në UNESCO?





Vetëm një orë në Galerinë Kombëtare të Arteve për veshjen më të vjetër në botë e mbetur gjallë. Në prani të ambasadorit amerikan, ministrit të Kulturës i kërkohet vëmendje për ta anëtarësuar veshjen kombëtare në UNESCO
Shenjat në veshjen e malësores shqiptare, në një veshje tipike siç është xhubleta kanë përcaktuar dhe rrugulluar statusin e saj familjar dhe farefinsor. Si kulturë e tillë tek e cila janë trashëguar dija e shenjave, e mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit që nga kohërat më të lashta e deri në vitet 70 të shekullit të XX, një grup njerëzish të ftuar nga poetja koleksioniste, Luljeta Dano, kanë qenë prezentë kur ajo ka kërkuar një shans për “anëtarësimin” në UNESCO të veshjes më të vjetër në botë e mbetur gjallë.
Kjo ndodhi dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve ku Dano për një orë ka ekspozuar një pjesë të koleksionit të saj të jashtëzakontë, 12 xhubleta, tallaganë dhe aksesorë të çmuar të veshjes së gruas së veriut, gati 150-vjeçare. Ajo ka botuar së fundi “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike” , një studim mbi shenjat e qëndismave mbi veshjet mashkullore dhe sidomos femërore duke i përkufizuar ato si kultura e “shkrimeve të fshehta në ornamentikën mijëravjeçare të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës e Pukës” si një territor mitesh antike i ruajtur në trashëgiminë etnokulturore.
Në “Expo-Xhubleta” e organizuar nga “Miqtë e Galerisë” ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Tiranë John Ëithers i cili ka duartrokitur lutjen e poetes: “Do të lusja ministrin e Kulturës, të kryejë veprimet e duhura që këto dy veshje (xhubleta dhe xhokeja), kudo ku janë shpëtuar nga koleksionistë t shqiptarë dhe të huaj, të merren në mbrojtje nga UNESCO si pasuri botërore.”

Çfarë tipologjish paraqesin 12 xhubletat e koleksionit?
Jam përpjekur të përfshihen gjithë tipologjitë, megjithëse nuk kisha mundësi të vendosja xhubletën që rri në këmbë. Në koleksionin tim prej 100 xhubletash, kam 3 të tilla. Gratë malësore, kur mbaronin ndërtimin e xhubletës, thurjen, bënin gara midis tyre dhe xhubleta që qëndronte në këmbë ishte padiskutim më e mira.
Kjo është një ekspozitë thjesht etnografike apo mitike ku vihen në dukje shenjat e qëndisura mbi veshjet për të cilat ke ndërtuar një alfabet leximi?
Para disa vitesh, kam dëgjuar në Vermosh një legjendë për Macolen e bukur, një nuse e re që ka qenë e fundit që më 1970 ka mbajtur xhubletë dhe nuk e hiqte. Macolja kishte ikur në Amerikë në këto vitet e fundit.
Mendohet që xhubleta, asëll-asëll, ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më, sepse janë përdorur ato që kanë qenë xhubletat e pajave. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë. Nuk është prodhuar më, sepse ndërtimi i xhubletës është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë.
Do të thuash që të gjitha figurat janë mirë të menduara?
Çfarë është më e rëndësishmja janë të trashëguara sepse xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e ushtarakëve, përfaqëson gradat e jetës civile.
Në lidhje me këtë ide ti përmende brezin e njërës xhubletë që është realizuar nga dhjetë mijë thumba.
Po, me dhjetë mijë thumba plumbi. Është një brez që bëhej tek zanatçinjtë e pazarit të Shkodrës. Çiraku numëronte 10 mijë thumba plumbi. Ai ka yllin e Davidit, ka simbolin e lashtë të ilirëve, hënën me yll që do ta shohim në stoli të tjera.

Në krye të radhës është xhubleta e bardhë. Nga kush vishej ajo?
Është xhubleta e çikave, në veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht e bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes. Dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.
Dhe vijmë tek brezi i rrallë që e vishte jo çdo lloj nuse.
E vishnin nuse që vinin nga familje të para, që ishin familje të pasura dhe me një status të privilegjuar shoqëror. Ishte simbol i forcës, bukurisë dhe pasurisë, tre nocionet e përjetshme.
Gjithçka e universit të xhubletave tregon një alta modë,pra çdo element, që nga çorapja çizme, përparëset e mbivendosura, grykashkat, pa folur për trungun e veshjes që është mrekullia arkaike.

Xhubleta e manekinit me shpinë nga të tjerat, ka ndonjë histori?
Është xhubleta e “thakut të premë”, e gruas së divorcuar. Ajo është xhubletë e Dukagjinit dhe në bajrakët e Mirditës apo të Dukagjinit, ka qenë ligji që kur burri divorconte gruan, i priste thekët ose të xhubletës ose të xhokes së bardhë të Mirditës. Mendohet që është e fillimit të shekullit XX.
Interesant është që krejt fundi i xhubletës është qëndisur me simbolin e gjarpërit siç thua ti.
Cila është domethënia?
Kur gruaja e ka qëndisur atë simbol nuk e mendonte që do të bëhej një grua e divorcuar. Por zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote.
Cili është simboli më shumë i hasur në kostume?
Është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja.

A mund të varrosej një grua me xhubletë?
Gruaja varrosej me xhubletën që martohej. Xhubleta më e mirë i shërbente asaj në këto dy momente të rëndësishme të ndërrimit të statusit civil të saj, nga vajzë në grua e martuar dhe kalimin në jetën tjetër ku ajo duhej të shkonte me këtë xhubletë që bart për mua kode të vjetra, që dmth ato duhen lexuar, që nuk janë thjesht të bukura, por kanë një rregullsi, një alfabet leximi. Dihet nga studiues shqiptarë dhe të huaj që vijnë nga qytetërimi kreto-mikenas. Xhubleta identifikohet me veshje të gjetura në pallatin e Knosit në Kretë, para 4000 vjetësh. Por kjo s’do të thotë që nuk zbulohet një objekt tjetër i lashtë dhe xhubleta befas nga festa e 4000 mijë vjetorit të saj mund të festojë 10 mijë vjetorin e saj. Sido që të jetë, ngelet veshja më e vjetër të botë ende e gjallë dhe misioni i kësaj ekspozite, mendoj se është tërheqja e opinionit publik dhe institucioneve përkatëse që kjo veshje të merret në mbrojtje nga UNESCO si veshja më e vjetër në botë ende e gjallë.





Vetëm në Shqipëri e ke fjalën?
Xhubleta jeton në Shqipëri, në Malësinë e Madhe, në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës, në Malin e Zi, mendohet dhe në një fshat të Bullgarisë ku janë me origjinë shqiptarë dhe në Norvegji.

Atëherë UNESkO veshjen kombëtare të kujt do të mbrojë?
Do të mbrojë pikërisht këtë tip veshjeje dhe që në Shqipëri ne e kemi simbol të Nënës Shqipëri në artet figurative ose në psiqikën tonë, simbol të Rozafës legjendare.
Ngjyrat duken se janë ngjyra të zhdukura sot në veri, e kuqe gjaku, e gjelbër e thellë.
Mendohet që xhubleta ka qenë e bardhë dhe u bë e zezë. Madje ka pasur një këngë popullore për këtë.





Atje kemi një tingëllimë të kohërave, bluza e kuqe, mëngëza, brezi i qëndisur me rruaza nga të gjitha ngjyrat që udhëtari hungarez i shekullit të 18-të Daniel Kordinez, ka thënë: as palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.


Nga Elsa Demo, G. Shekulli