Showing posts with label Psikologji. Show all posts
Showing posts with label Psikologji. Show all posts

Wednesday, May 8, 2013

Si ndryshoi edukimi prindëror pas viteve 90'?


Jo konflikt interesi, konflikt arsyetimi

Nuk e kuptoj konfliktin e interesit si term, pasi vetë termi, ka konflikt arsyetimi brenda tij.

Me termin konflikt interesi nënkuptojmë rastet kur një individ apo një organizatë nuk jep gjykim të shëndoshë e objektiv rreth një tematike të caktuar, nisur nga interesa të fshehta dytësore, korruptive, nepotizmi, përkatësie, përfitimi personal etj...

Eshtë logjika e të verbrit që kalb frutin e vet, logjika e tifozit që mbyll sytë para defekteve të skuadrës së tij të zemrës, logjika e militantit që tek partia ku aderon nuk sheh të meta, logjika e besimtarit fetar që ofendohet dhe nuk pranon t'ia kritikosh besimin.
Logjika e provincialit që nuk lejon të bësh shaka me qytetin, krahinën apo dialektin e tij, logjika e sëmurë prindërore që nuk pranon gabimet e fëmijës së vet duke e llastuar dhe e mbështetur në vese.
Eshtë logjika e të mjerit, që mendon se ia shkatërrojnë arritjet kritikat e jo sy-mbylljet.

Nuk kritikon dot shëndetësinë se rebelohen mjekët e studentët e mjekësisë, nuk kritikon dot drejtësinë se rebelohen juristët, nuk kritikon dot arsimin se rebelohen mësuesit...

Po mirë more të mjerë, sipas kësaj logjikës tuaj asgjë nuk u dashka kritikuar, pasi çdo fushë i ka përfaqësuesit e vet...

E si dreqin shpjegohet atëherë që gjithçka është një mynxyrë kaq e pështirë mbi të cilën shfryjmë bashkarisht çdo ditë, kur asgjë nuk u dashka kritikuar, sipas jush?

Shikoni se çfarë nuk ju lejohet të kritikoni për të kuptuar se çfarë ua mbyt lirinë - thoshte Volteri.
E si do mundej vallë të shkonte para një shoqëri në rast se ne nuk guxojmë që servilizmin, puthadorjen, bythëlëpirjen, hipokrizinë, falsitetin, nepotizmin, histerinë kolektive, etj ta zëvendësojmë me kritikën e shëndoshë konstruktive?

Dikush nga ju do thoshte "Po pse dikush që është punësuar në administratë jo falë aftësive të tij, por falë formave korruptive përmes njohjeve e miqësirave, do duhej të jetë kundra kësaj praktike"?
Duke e parë në sy të parë dhe në prizëm personal, të jep idenë se këtu s'ka asgjë të keqe, për aq kohë sa ti si individ fiton një punë e një pagë të mirë, por ç'ndodh nëse e shohim në plan më të gjerë?

Ndodh që shoqëria dalëngadalë nuk nxjerr më në krye dhe në nyjet e saj më të rëndësishme e jetike njerëzit më të aftë, të përgatiturit, njerëzit me vullnet, njerëzit me ide që do ti kontribuonin pozitivisht të gjithë shoqërisë. Përkundrazi, qytetari më i përgatitur demotivohet, demoralizohet, injorohet, shkelet me këmbë dhe kur nesër pasnesër frenat e shoqërisë ti kenë marrë të verbrit e të paaftët edhe vetë sistemi do të ndalë së prodhuari qytetarë të denjë e përparimtarë.

Kush të rreh të do - thotë një margaritar i trashëguar në shekuj nga eksperienca jetike e popullit shqiptar dhe nuk është një shprehje aq banale sa e trajton shqiptari sot, duke nisur në mënyrë sipërfaqësore tek termi rrahje, i cili nënkupton dhunë. Aspak. Tek kjo shprehje populli ka dashur të trashëgojë dijen e tij shekullore se atë që e duam e ndëshkojmë, pikërisht sepse e duam. Ai që nuk na ndëshkon për gabimet tona, nuk është ai që na do të mirën, por ai që do të na shohë të mbetemi gjithmonë peng të atij gabimi.

Prandaj, nuk ka konflikt interesi, ka konflikt arsyetimi. Nuk mund të ketë interesa të ngushta. Interesi është një dhe i përbashkët. Meritokracia, drejtësia, demokracia! Kështu ecën përpara shoqëria dhe sa më parë ta kuptojmë këtë, aq më pak do zgjasë ky mjerim ndër ne!

Shkroi: Stop Injorancës !


Thursday, April 18, 2013

Gratë tradhëtojnë si burrat, shkak Facebook-u dhe telenovelat

Sipas një studimi të bërë dhe të cituar nga “Wall Street Journal” shihet se gratë janë në gjëndje të tradhëtojnë po aq sa burrat. Barazia e gjinive duket se po përhapet kudo: në punë,në ushtri,dhe sipas të dhënave të fundit,edhe në fushën e tradhëtisë.

Sipas të dhënave të një studimi amerikan,burrat tradhëtojnë në 23 për qind të rasteve,ndërsa gratë 19 për qind. Një diferencë shumë e vogël kjo,pot ë kemi parasysh se 20 vjet më parë burrat tradhëtarë ishin sa 2-fishi i grave. Një problem i përhershëm i kërkuesve është se duhet të pyeten për besimin ata njerëz të cilët gënjejnë bashkëshortët e tyre. Hulmutuesit në përgjithësi besojnë se numjuri i njerëzve që tradhëtojnë është më i madh se këto shifra aktuale të paraqitura.

“Miqësitë emocionale që kthehen në ato fizike janë pikat tradicionale të hyrjes për aferat e gruas”-thotë Peggy Drexler psikologe amerikane. Tashmë është e lehtë që këto lloj miqësish të krijohen në internet. Disa thonë se rrjetet sociale janë vetëm një shtytës i tradhëtisë dhe se tradhëtarët gjithmonë do të gjejnë mënyra për të bërë një gjë të tillë.

Megjithatë,nëse dikush ju ka mbetur në mëndje nga mbrëmja e maturës,sot shanset janë më të mira për të gjetur atë person.

Barazia shihet edhe në aspektin cilësorë të tradhëtisë.

Sipas psikologes Drexler barazia në tradhëtia mes burrave e grave nuk është vetëm sasiore,por edhe cilësore.

Sipas saj,gjithnjë e më shumë ka gra që jo vetëm tradhëtojnë,por janë në kërkim të aventurave të reja.
P.K


Thursday, April 4, 2013

Shqiptarët dhe gënjeshtra

Moralistët: Gënjeshtra është e keqe.
Pseudoanalistët: Fajin nuk e ka ai që gënjen, por ne që gënjehemi.
Fetarët: Të vërtetën e di vetëm Perëndia.
Humoristët: Gënjen bukur kush gënjen i fundit.
Përgjithsuesit: Të gjithë gënjejnë.
Inferiorët: Ne shqiptarët gënjejmë më shumë nga gjithë të tjerët.
Politikanët: As sot nuk mund ta bëjmë një ditë pushim.
Intelektualët: Të firmosim një peticion kundra gënjeshtrës.
Shoqëria civile: Gënjeshtra ka dalë prej xheneti.
Media: Lufta ndaj gënjeshtrave është sulm ndaj fjalës së lirë.
Edmond Tupe: Kush gënjen e ka të madh...
ABC News: Edi Rama i ka këmbët e shkurtra.
J. Topalli: Kamunistët s'mun ta rrejn ma ket popëll.
Vangjel Dule: Në Shqipëri minoritarët gënjehen sistematikisht.
Henri Çili: Kujt i plasi trapi pse gënjejmë?
Argita: Nuk është e vërtetë që hundën e bëra operacion dhe e shkurtova. Thjesht, mbylla gojën për një javë rrjesht.
Arvizu: SHBA-të i ftojnë gënjeshtrat dhe të vërtetat të ulen dhe të arrijnë një konsensus mes tyre.
BE: Themeli bazë i demokracisë është e drejta për të gënjyer dhe për t'u gënjyer.

Stop Injorancës: Ç'faj ka gënjeshtra pse e vërteta është e shëmtuar?

Kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit


Valbona Begu, vajza e ekzekutuar nga babai i saj, ndoshta do të ishte gjallë nëse policia nuk do e kishte kthyer në shtëpinë ku edhe gjeti vdekjen.
19-vjeçaria mëngjesin e së martës është paraqitur në komisiariatin e Policisë së Lezhës ku dhe ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga njerëzit e shtëpisë.
Në denoncimin e bërë në Policinë e Lezhës, Valbona ka kërkuar mbrojtjen e strukturave të policisë pasi dhunohej nga babai i saj. Sipas denoncimit të bërë, mësohet se Valbona ka kërkuar një mbrojtje dhe një strehë për të qëndruar.
“Nuk mund të kthehem në shtëpi pasi im atë më rreh dhe më keqtrajton. Vetëm pse nuk i bindesha, më ka thyer dhe televizorin kokës”, mësohet të ketë rrëfyer Valbona Begun në komisariatin e policisë së qytetit të Lezhës.
Fakti që vajza 19-të vjeçaria ka denoncuar babin e saj për ushtrim dhune pohohet dhe në familjen Begu. Vëllai i saj, Pashk Begu, thotë për TemA-n se Valbona ka shkuar në polici për të denoncuar të atin dhe pse ai nuk ndodhej aty.
Sipas tij, Valbona ka ikur nga shtëpia mbrëmjen e së hënës dhe askush  nuk e di se ku ka ndenjur dhe si ka përfunduar në komisariatin e policisë, ku dhe ka bërë denoncim  për ushtrim dhune nga anëtarët e familjes së saj.
“Ne nuk dimë se kush e ka marrë Valbonën nga shtëpia apo se kush ishin dy personat që e kanë çuar në polici ku dhe ka bërë denoncimin. Kanë qenë atë të policisë që kanë telefonuar babain ku i kanë treguar sa kishte ndodhur. Ne jemi kthyer menjehë atë ditë dhe Valbona erdhi në shtëpi. Babai pranoi që ajo të vinte në shtëpi”, rrëfen Pashk Begu.
E ndërsa askush në shtëpinë Begu nuk di arsyen se përse Valbona ka denoncuar të atin dhe me kë ka kaluar mbrëmjen e së hënës, duket se policia e qytetit të Lezhës nuk ka barë qoftë dhe hetimin me të vogël për të vërtetuar akuzat e Valbona Begut, çka mund të kishte parandaluar vrasjen e saj.
Brenda ditës vajza është dërguar nga policia në shtëpinë e saj ku është përballur me babain e saj vrasës. Me t’u kthyer në shtëpi, Nikolla ka insistuar të dijë se me kë e ka kaluar natën e së hënës 19-vjeçaria. Sipas dëshmive në familjen Begu, vajza nuk ka pranuar në asnjë moment të tregojë miqtë e saj. Madje dhe pasditen e së shtunës, ditë në të cilën ka gjetur vdekjen, kjo ka qenë arsyeja që atë e bijë kanë debatuar sërish, ku në gjaknxehtësi e sipër Nikollë Begu ka marrë pistoletën e ka qëllur mbi të bijën në oborrin e shtëpisë.
Pashkë Begu thotë se në momentin e krimit askush nuk ndodhej në shtëpi. Sipas tij, askush nuk e di se si i ati është konfrontuar sërisht me Valbonën, por 59-vjecari ka insistuar tërë kokën për të ditur se më kë kishte ikur nga shtëpia e vajza e tij.
“Unë nuk di si ka ndodhur ngjarja pasi në atë moment në shtëpi nuk ka qenë askush, por di nëse policia do të kishte treguar me kujdes dhe do kishte hetuar ngjarjen babai im nuk do ishte në burg dhe Valbona do ishte gjallë”, thotë Pashkë Begu.
Nga ajo që thuhet në familjen Begu duket se turpi për nderin e humbur, që e bija ka bërë duke kaluar natën jashtë shtëpisë, duket se ka detyruar Nikollë Begun të marrë armën për të vrarë vajzën e pabindur.

Tale, aty ku të vrasësh për nder është burrëri
Dyert e mortit nuk janë hapur në shtëpinë e Nikollë Begut. Një grusht njerëzish vetëm sa kanë shti në dhe trupin e 19-vjeçares. Në asnjë derë, si e do zakoni, nuk kanë çuar lajm për vdekjen e Valbonës. Kanuni thotë se kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit. Trupi varroset, por askush nuk mban zi. Kështu ka ndodhur në shtëpinë e Nikollë Begut, i cili mbasditen e së shtunës vrau të bijën në oborrin e shtëpisë. Valbona kishte turpëruar derën e shtëpisë e askush nuk ka derdhur qoftë dhe një pikë lot për vajzën e re. Valbona kishte ikur dy herë nga shtëpia e kjo ka mjaftuar për të merituar vdekjen. Ndaj në shtëpinë e Nikollë Begës nuk gjen grua a burrë që të jetë në zi për jetën e tretur nën dhe të Valbonës.
Në shtëpi, një ndertesë njëkatëshe, ku syri nuk të sheh asnjë orendi komode, jana mbledhur vetëm të afërmit e Nikollë Begut. Dhe pse kanë pak orë që e kanë mbuluar me dhe 19- vjeçaren, askush nuk i përmend qoftë dhe emrin. Halli i vetëm i njerëzve të shtëpisë është Nikolla, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Me punën e tij, emigrant në Itali, familja mban frymën gjallë, ndaj dhe Liza, nëna e Valbonës nuk guxon të derdhë qoftë dhe një pikë lot për vajzën që sapo kishte varrosur. Burrat e shtëpisë kanë vendosur të mos mbahet zi e kafe nxirret veç për ato që vijnë për të qarë hallin e burgosjes se Nikollës, burrit që nxorri pushkë për të vënë nderin në vend.

Në fshat
Asnjë prej banorëve të Bregut të Lumit, në fshatin Tale të qytetit të Lezhës nuk ka shkuar për mort në shtëpinë e Nikollë Begut. Banorët e zonës, kryesisht të ardhur nga Mirdita, ashtu si dhe familja Begu, e dinë fort mirë se Nikolla ka vepruar si e do zakoni. E kur burri vret për nder, i urohet pushka e nuk i shkohet për mort. Dile Prenga, një prej banorëve të zonës, thotë se turpin e Vlobonës vetëm plumbi e lante. Megjithëse Valbonën askush nuk e kishte parë dy herë në rrugët e fshatit, fakti që ajo kishte guxuar të ikte dy herë nga shtëpia ka bërë që askush mos të ndjejë qoftë dhe keqardhje për vjajzën e re. “Valbona iku një herë nga shtëpia dhe i ati e fali, por të hënën kishte ikur prapë. Nuk mund të hash bukën e babës e të ikësh e të flesh ku të duash dhe të vish prapë në shtëpi. E sipas Kanunit vetëm me plumb mund të vësh nderin në vend e nuk mund as të hapsh mort”, të thotë Dilja.
Sipas gruas 60-vjeçare, Valbona kishte merituar vdekjen duke turpëruar derën. Në Bregun e Lumit nuk gjen njeri që të dënojë krimin e kryer nga Nikollë Bega, ndërkohë që arrestimi i tij konsiderohet një hall për shtëpinë.
“I shkreti, nuk e meriton të rrijë në burg, vuri nderin në vend, pse duhet të arrestohet. Me punën e tij mbahet familja me bukë. Në fund të fundit ajo vajzë ia plasi buzën”, thotë Preng Voci, fqinji i familjes Begu.
Dhe pse askush në fshat s’i ka dëgjuar zërin Valbonës, fakti që ajo iku nga shtëpia dy vjet më parë, pa vendosur kurorë, ka mjaftuar që ajo të quhet e përdalë, e askush mos ta dëshirojë për nuse.
Prenga thotë se dera e Nikollës u turpërua një herë, por vajza nuk zyri mend.
Ndërsa kur guxoi të ikte për të dytën herë, veç plumbi vinte nderin në vend.
Tema

Ç'rëndësi ka nëse nëntori është i ftohtë?! Lali të ka xhan...

Ç'rëndësi ka nëse Shqipëria e merr apo jo statusin e vendit Kandidat për në BE?!
Ç'rëndësi ka nëse Shqipëria bashkohet apo jo me Kosovën?
Ç'rëndësi ka nëse kombëtarja shqiptare kualifikohet për në Botërorin e 2014-ës?
Ç'rëndësi ka se kush i
fiton zgjedhjet e 23 qershorit?

Një këngë si "Të ka Lali xhan" arrin 12 milionë klikime, ndërsa Jericho me "Nëntorin e ftohtë" nuk arrin dot as 100 mijë klikime!

Kjo është një pasqyrë e ftohtë që tregon qartësisht dramën shpirtërore të këtij populli! (S.I)

Jericho - Nëntori i ftohtë
A ka një kujtim të më ngrohë në këtë ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthejë kokën t'shikoj?
A ka një kujtim, të na jep një kuptim, a s'më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndojë?

Akoma të freskët e kam at' shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskta edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pashë.

Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Jehon në mot.

Kaluam një shekull në ecje por prapë u rrëzuam
Kaluam një shekull por prapë s'mund të qëndrojmë në këmbë
Kaluam një shekull mësim, e si asgjë s'mësuam?
O i paditur, syri i pangopur një popull e shemb.

Sa gjatë do të shkojë derisa do ta duam vetvehten
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vetë ta ndryshojmë
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t'ja çmojmë jetën
A më tregoni, ku ta gjejmë forcën sot të këndojmë?

Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Nëntor ...
----------------------------------------­----------------------------------------­-
Më shanë e më ranë, i pabesë do të bëhesh më thanë
Më zhveshën e veshën, as vehten s'e njoh më kush jam.

Vellon që ma kanë qepur, sa krenar sot e mbaj
Vallës që ja kanë hedhur, sikur një nuse sa bukur hapin që e mbaj.

Shkroi: Stop Injorancës !

Monday, February 25, 2013

Ëndrra më e shpeshtë? Të tradhtosh partnerin

Ju ka ndodhur ndonjëherë të shihni një ëndërr duke tradhtuar partnerin? Me sa duket, kjo është një ëndërr mjaft e shpeshtë dhe shpesh profetike.

Ekspertët e një agjencie takimesh në Itali kanë bërë një sondazh, për të gjetur lidhjen mes tradhtisë në jetën reale dhe asaj në ëndërr. Rreth 57% e të anketuarve thanë se kishin ëndërruar tradhtinë e partnerit para se ta tradhtonin në realitet.
Sipas studimit, kjo është një simptomë e mungesës së bashkëpunimit në çift dhe jo një dëshire seksuale e kufizuar ndaj një personi të caktuar.

Rreth 42% e atyre që dhanë këtë përgjigje, kanë deklaruar gjithashtu se kjo fantazi kishte si protagonist të saj një person të panjohur. Pjesa e mbetur, 15%, tha se kishte ëndërruar duke tradhtuar partnerin me një mik ose koleg.

Por së bashku me këto të dhëna është edhe një pjesë tjetër e të anketuarve, 28% e atyre që duke e ëndërruar tradhtinë e partnerit, kanë mundur ta tradhtojnë atë edhe në realitet. Në këtë rast, ëndrra mund të interpretohet si një dëshirë e kahershme, e cila më në fund ka gjetur hapësirën për të tradhtuar edhe në realitet.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

SHPIRTI "i shenjtë"!

Kemi diskutuar shumë shpesh rreth konceptit "Shpirt", zakonisht nisur me natyrën e tij, kur ai krijohet, kur vdes nëse vdes dhe a ekziston realisht shpirti, apo është vetëm një term letrar për të shprehur ndërgjegjen njerëzore.
Pjesa më e madhe e njerëzve janë plotësisht të bindur që shpirti ekziston dhe pas vdekjes tonë fizike, ai largohet prej trupit tonë dhe shkon gjetiu, duke ekzistuar kështu përgjithmonë.
Natyrshëm, që pjesa më e madhe e atyre që besojnë se shpirti ekziston dhe pas vdekjes tonë ç'lirohet prej trupit, i lirë, e lidhin atë pashmangërisht me pasjetën, përjetësinë, ferrin, apo parajsën, ashtu siç mendohet se propogandojnë edhe vetë librat e shenjtë fetarë.
Sot, fare rastësisht më bie një libër fetar në duar, që citonte pikërisht nga Bibla Ezekiel 18:20, nga versioni i autorizuar i Mbretit Xhejms që i ka fillesat nga vitit 1604.
Shprehimisht Ezekiel 18:20 thotë: "Shpirti i mëkatarit do të vdesë".
http://www.biblegateway.com/passage/?search=Ezekiel+18%3A4%2CEzekiel+18%3A20&version=KJV

Tani, duke menduar se po sipas dogmave fetare thuhet shprehimisht se të gjithë njerëzit janë mëkatarë, atëherë rrjedhimisht shpirti i të gjithëve do të vdesë, e që detyrimisht, parajsa do të mbetej një vend i lulëzuar, por i shkretë.

Versioni zyrtar i Biblës nga Mbreti Xhejms, http://en.wikipedia.org/wiki/Authorized_King_James_Version ka qenë në fuqi deri në vitin 1970. Pikërisht pas këtij viti, Bibla vjen në një variant të ri, i cili quhet "Versioni i Ri Ndërkombëtar", e cili ka futur minimalisht 8 herë duart në shkrimet e Biblës, madje përpunimi i fundit ishte i vitit 2011.
http://en.wikipedia.org/wiki/New_International_Version

Dhe pikërisht në Versionin më të fundit, Ezekiel 18:20 nga "Shpirti i mëkatarit do të vdesë", kishte shkuar në formën "Ai që do të mëkatojë, është ai që do të vdesë".
http://www.biblegateway.com/passage/?search=Ezekiel+18%3A4%2CEzekiel+18%3A20&version=NIV

Së pari, nëse ne i trajtojmë shkrimet e shenjta si të shenjta, nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që të na justifikojë ndërhyrjet e mëtejshme në to dhe së dyti edhe sipas rishikimit të këtij vargu, (i cili i ndryshon komplet idenë), përsëri nuk është shmangur absurdi logjik, pasi ne e dimë mirë që çdokush do mëkatojë, ashtu siç dimë që çdokush do të vdesë.

Vazhdimi i Ezekiel 18:20 thotë se fëmija nuk do të marrë fajin e prindit ashtu si as prindi nuk do ndëshkohet për fajin e fëmijës.

Dakord more zotërinj, shumë dakord, po përse vallë atëherë u dënua i gjithë njerëzimi, për atë të shkretë mollë që hëngri Adami mijëra vjet më parë?

Shkroi: Stop Injorancës !

Rrëfehet prostituta: Gratë duhet të ma dinë për nder


Rebecca Dakin, 37 vjeçare, nga Britania e Madhe, ka vendosur të shkruajë një libër për eksperiencat e saj si prostitutë.
Për nëntë vite me radhe ajo ka punuar si escort girl dhe tani thotë se gratë duhet t’ia dinë për nder.

© Rebecca Dakin
“Nëse burri juaj nuk po kërkon më seks nga ju, atëherë ai do e kërkojë atë diku tjetër. Ai nuk do e pranojë një martesë pa seks.Jam e sigurt se gratë e dinë se burri i tyre po i tradhton, por janë të lumtura sepse nuk duan që të bëjnë seks me të.
Ato ndoshta ndjehen të liruara dhe vendosin të bëjnë një sy qorr. Madje ka shumë gra që ndjehen mirë që ka prostituta vërdallë,” thotë ajo.
Ajo thotë se prindërit e dinin për karrierën e saj.
Gjithçka nisi kur ajo ishte 25 vjeç.
Madje ajo thotë se fitonte deri në 1400 sterlina për një sesion.
“Banka më dha direkt kredi sapo mori vesh që punoja si escort girl,” rrëfen ajo.
Sipas saj, arsyet se përse meshkujt tradhtojnë janë nga më të ndryshmet.
Gjatë karrierës së saj ajo ka shkuar me 900 meshkuj të ndryshëm dhe thekson se nuk duhet parë kurrë bardh e zi tradhtia e meshkujve.
Sipas saj, shumica e meshkujve me të cilët dilte, ishin të martuar ose kishin të dashura.
Për çudi, shumicën e punës e kishte ditëve të Shën Valentinit.
Madje njëherë ajo tregon se ishte duke bërë seks në hotel me një burrë të martuar. Pasi mbaruan, ai porositi shampanjë dhe çarçafë të pastër poshtë, pasi për 30 minuta do i vinte gruaja.
“Isha shumë e zemëruar,” thotë ajo.
Klienti i saj i preferuar ishte një 70- vjeçar. Ajo thotë se më shumë se seks, ata kishin një miqësi.
“Ai ishte i martuar, por nuk flinte me të shoqen, pasi ajo thoshte se ai gërhiste. Ai ishte pronar fabrike dhe shpenzonte mijëra sterlina për rroba e bizhuteri për mua. Më pëlqente se ishte shumë i dashur dhe i respektueshëm,” thotë ajo.
Prej tre vitesh ajo e ka lënë këtë zanat, edhe pse thotë se ndonjëherë ia ka nevojën parave të shpejta.
Por tani po shkruan libra dhe jep këshilla për marrëdhëniet.
“Disa gra e kanë problem që u jap këshilla, por kjo është puna që bëj sepse kam eksperiencë me 900 meshkuj. E di se si njerëzit mund të ruajnë një marrëdhënie”. G. Tema

Indiferentët

I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh partizan» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.
 Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritura në moçalet  e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjeherë i bën edhe të  tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori. Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të ç' organizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuara më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike …
 Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t’i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbrrijnë në pushtet  të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t’i përmbysë. Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër vetëm se pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese.
 Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mëndjen të lodhet për një gjë të tillë. Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetiake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t’ja dijë për pasojat. Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëhere, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar… e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia  nuk është gjë tjetër përveç se një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brënda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qënë indiferentë.
 Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshëron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja.  Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: nëqoftëse do ta kisha kryer edhe unë detyrën time apo nëqoftëse do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi ?
Por askush ose pak njerëz mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ja dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të eviruar të keqen propozoi të luftonte për të fituar drejtësia.
 Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatrruara përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu, t’i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente. Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpe dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale ; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë  përgjegjësije historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë.
 Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre « inocentëve të përjetshëm »  më bezdisin. I kërkoj llogari sejcilit prej tyre për mënyrën se si e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndjej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i ndaj lotët e mija me të tyret.
 Unë jam partizan ; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qënia ime. Dhe brënda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementesh; brënda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitetit, por është vepra inteligjente e një qytetari.
 Ndërgjegja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë.  Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, - atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët.
"Bota e së ardhmes"

Antonio Gramshi

Monday, February 4, 2013

Krijimi i stereotipit shqiptar


Një 59 vjeçar italian, Raffaele Vorrano, ka vrarë me 4 plumba gruan e tij shqiptare, 47 vjeçaren Donika Xhafa dhe vrasja dyshohet të jetë kryer për motive xhelozie.

Tani dua t'iu shoh të gjithëve në kor të shkruani:


a.) Itali hesapi.
b.) Nuk bëhet Italia me italianë.
c.) Ç'të bësh, jetojmë në Itali?!
d.) S'ka shtet prandaj.
e.) Meshkujt italianë janë kafshë që s'kanë pikën e respektit ndaj gruas.
f.) Policët italianë janë rob të trashë.
g.) Këta italianët e veriut janë malokë etj, etj, etj që i dini shumë mirë vetë...

Shkroi: Stop Injorancës !

Thursday, January 24, 2013

Lumturia

Nuk mund të gjesh kurrë një njeri të lumtur, që kërkon të jetë i lumtur. Lumturinë padyshim do ta kërkojnë ata që nuk e kanë.

"Nuk bëhet ky vend"


"Nuk bëhet ky vend"
"Ça të bësh, jetojmë në Shqipëri"
"Si në Shqipëri"
"Shqiptar hesapi"

Nuk ka zot që ta kuptojë këtë vend!"


Situata ku ndodhemi dhe kjo elitë kulturore pubertale që kemi, po mbjell një sistem hipokrizie dhe paditurie publike, i cili mund të sjellë vrulle të pallogaritshme energjish destruktive në të ardhmen nga poshtë lart. Kjo sepse gradualisht, përveç kafepirjes së pafund, po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar thelbësisht Shqipërinë.

Kjo lloj simulakre intelektuale e paplotësuar dhe e dekontekstualizuar, ka ngritur një rend shoqëror i cili ka tendencën të kryeje një pastrim të ri etnik të trojeve tona nga çdo njeri që ka nevojë jetike të respektojë veten e vet.
Pjesa më elegante ekzistenciale e këtij diskursi elitar arrin deri atje sa të artikulojë që pjesa më e madhe e njerëzve në ketë vend jetojnë kot.

E pra kjo kotësi e projektuar mbi të tjerët, mund të jetë tashmë duke instaluar një model humnere dhe hendekësh artificialë.

Realiteti nuk është absurd, as i yni, as i juaji, as i huaji, dhe pa një reflektim më të gjerë në këto procese identifikimi dhe rivlerësimi të vetes, rrezikojmë të mbetemi përjetësisht një vend qesharak. Jona Shanaj

Lexo të plotë: http://stopinjorances.blogspot.com/2010/08/absurdi-eshte-i-vdekur.html#ixzz2IPxPTXna

E vërteta nëpërmjet medias


Thonë rëndomtë që Media është pushteti i katërt.
Si mund të jetë media pushtet i katërt kur vihet në shërbim të pushtetit të parë? (S.I)


Të përpiqesh të kuptosh se ç'ndodh në botë, nëpërmjet leximit të gazetave, është njësoj si të përpiqesh të gjesh orën e saktë duke parë vetëm akrepin e minutave. Ben Hecht

Thursday, January 10, 2013

Dikush duhet ti ndalë këta adoloshentë, përpara se të jetë shumë vonë


Vendosin një foto fëmije të sëmurë, 1000 të tjerë "E pëlqejnë", ndërsa qindra të tjerë komentojnë në rradhë si të droguar "Amin-amin".
http://www.facebook.com/media/set/?set=a.207637745972787.48739.176214599115102&type=3

Kujtoj rastin e një të njohurit tim, njeri shumë normal brenda të gjitha normave, që duke e bombarduar trurin për afro 1 muaj me propagandë fetare mbi ditën e Gjykimit në një faqe Facebook-u, një natë sheh një ëndërr të tmerrshme dhe të nesërmen fillon të falë 5 vaktet sipas riteve.
Aq shumë është transformuar si njeri, saqë mendon se edhe anëtarët e familjes po i bëjnë magji, ndërsa ai nuk po i vret, vetëm pse është besimtar!
Duhet krijuar patjetër një "Polici Kibernitike" që të kontrrollojë materialet që lundrojnë në internet, ose në të kundërt prindërit të monitorojnë të gjithë aktivitetin virtual tek fëmijët e tyre.
Po na drogohet pjesa më vitale e shoqërisë, shpresa e së ardhmes.


Shkroi: Stop Injorancës !

Hipokrizia shoqërore në Facebook


Të bën shpesh përshtypje tek lexon komentet nëpër fotot e çifteve jo nëpër faqe ku njerëzit nuk njihen me njëri-tjetrin, por në profilet tona private.
Nëse psh fotoja e mëposhtme do ti përkiste 2 të njohurëve tanë, komenti i parë në këtë foto do të ishte:


"Bukur çifti. Komplimenta. jeni yje"!Na dolën të gjithë yje na dolën...

Shkroi: Stop Injorancës !

Puritanët virtualë


Ditën e Gjykimit, Ditën e Qametit apo ditën e Fundit të Botës në 21 dhjetor 2012-tës, postova për paksa shaka, një foto provokuese me një gjysëm orgji erotike në një shesh publik të populluar, duke pyetur se çfarë do t'iu mbeste peng në rast se vjen realisht fundi i botës.

Sigurisht që fotoja u prit me humor ashtu siç ishte edhe qëllimi, e nuk munguan as komentet "puritane", pavarësisht se faqja jonë nuk mund të vizitohet nga minorenë.
Si pasojë e raportimeve të moralistëve ndaj asaj fotoje (me siguri e kanë raportuar sikur iu ka nxjerrë dikush fytyrën pa i kërkuar leje) fotoja fshihet dhe profili im bllokohet për 3 ditë.

Ajo që më bën përshtypje është sesi vallë kanë guxim këta pseudomoralistë të ankohen, të raportojnë imazhe me përmbajtje erotike, kur vetë janë persona të rritur që lundrojnë në internet me dëshirën e tyre?
Duan të tregojnë që kanë moral mbi të tjerët, apo duan të tregojnë që nuk kanë parë kurrë imazhe erotike më parë?

Eshtë interesante se një Studim i Fundit tregon se vetëm faqja e njohur Youporn, ka marrë 93 miliardë klikime në 6 vitet e fundit. Me 7 miliardë njerëz që ka bota, i bie që një njeri i vetëm (pavarësisht gjinisë) ka parë plot 14 video.

Dhe kjo, vetëm në faqen Youporn, duke mos përfshirë faqet e tjera.

Shkroi: Stop Injorancës !

Topless apo Bottomless?


Gjetja më e fundit që po bën bujë në pasarelat e modës quhet "Bottomless" me moton "Mos kini frikë të jeni humanë", apo siç mund të quhej në shqip veshur "DAC".
http://youtu.be/IRJrbiVpWkM
Bottomless vjen si konkurente e denjë e stilit të famshëm "Topless" dhe ne rikujtojmë këtu sesi para pak vitesh në Sarandë dhjetra turistë u zhveshën topless për banjo dielli dhe brenda pak minutash plazhi u zbras nga pushuesit duke u mbushur me policë që me duar e këmbë përpiqeshin t'iu shpjegonin turistëve rregullat shqiptare etike në publik.

Megjithatë, asgjë për t'u bërë merak. Duke qenë se Shqipëria ndodhet disa shekuj pas, e disa anash, kjo modë do të mbetet ende shumë e largët për ne.
Stop Injorancës !
http://notashamedtobehuman.tumblr.com/post/17955378162

Gjendet më në fund sekreti i lidhjeve "E Bukura dhe Bisha" (S.I)


Studimi më i fundit sugjeron se femrat që janë në lidhje me një mashkull më pak atraktiv janë më të lumtura.
Hulumtuesit nga UCLA dhe universiteti Tennessee kishin grumbulluar 82 çifte, të cilët janë të martuar për një vit dhe ata që në minimum njihen për tre vjet në mënyrë që t'i xhirojnë se si ata zgjidhin problemet e tyre personale.

Meshkujt më tërheqës gjatë zgjidhjes së problemeve karshi partnereve shpreheshin me fjalët si "ky është problemi yt, ti merru me të", ndërsa ata më pak tërheqës mundoheshin më shumë që partneres t'ia ti gjendeshin sa herë të kishin nevojë.

Nga ana tjetër, meshkujt e hijshëm të vetëdijshëm se dëshirohen edhe nga femrat e tjera, ishin më pak të predispozuar për t'i zgjidhur problemet.
Në lidhjet ku të dy parterët ishin të hijshëm, ofronin më pak mbështetje për njëri-tjetrin.
(Portalb)

Monday, December 17, 2012

"Dita ime e parë"


Sapo dal nga dera e shtëpisë përballem në hyrje të pallatit me administratorin, të cilit nuk i kisha bërë pagesën e ashensorit dhe ai bëri sikur nuk më pa. Mora frymë lirisht dhe vazhdova rrugën me duar në xhepa kur shoh tek gomat e një makine një kotele të vogël që m'u dhimbs pasi po dridhej prej ftohtit dhe afrohem ta përkëdhel. Ajo nuk luajti vendit, por as përkëdheljet e mia
nuk e qetësonin. Një çast u pamë në sy dhe ajo e lebetitur klithi dhe ia futi me të katra si e marrë. E gjora - mendova me vete, kushedi sa shumë e kanë dhunuar që i ka kaq shumë frikë 2 këmbshat.

Aty në një kthesë të rrugicës shkëmbehem me një bukuroshe, e cila mi mangetizoi sytë sa nuk e di as vetë sa u hutova dhe e hëngra me sy, por ajo nuk e vuri aspak ujin në zjarr dhe vazhdoi atë ecjen e vet të shkujdesur pa e fshehur atë buzëqeshje ëngjëllore e krenare që i dallohej për së largu.
Hipi në urban dhe njerëzit ishin ngjeshur aq shumë saqë një grua ishte e detyruar të më hidhte krahët në qafë për t'u mbajtur tek doreza sipër kokës time. Kalon faturinoja dhe unë ashtu me siklet të madh i nxjerr qindarkat e mia dhe ia drejtoj. Ai jo vetëm që nuk më dha biletë, por madje as nuk mi mori fare paratë. Pashë njëherë nëse po më shikonte apo jo njeri, pastaj si me lezet i rrëshkas lekët dalëndalë në xhepin tim.
Fillova të ndjehem mirë. Dita më kishte nisur kaq mbarë.
Ndërkohë urbani ndalon dhe ashtu përmes shtyrjesh mes njerëzish zbres. Kalimtarët si gjithmonë indiferentë kalonin shkujdesur drejt meje, saqë pothuajse në çdo rast më duhej të shmangesha unë që të mos përplaseshim. Pas 3-4 tentativash shmangieje vendosa edhe unë të eci njëherë drejt që të detyroja dikënd tjetër të shmangej, por ishte e kotë. Ata vinin gjithmonë drejtë dhe më acaruan aq shumë saqë njëri i ulërita: "Hapi sytë o qorr", por edhe këtij nuk i bëri përshtypje dhe vazhdoi rrugën e tij. Sytë më kapin një dyqan këpucësh që kishte afishuar një reklamë të madhe ofertash fundviti në reklamën e saj. Hyj brenda dhe i buzëqesh lehtazi shitëses së re dhe ndryshe nga çdo herë tjetër ajo nuk hodhi sytë të më shikonte nga këpucët, siç më ndodh zakonisht dhe më bëri të ndjehem goxha komod. Një komoditet që m'u zhubrosh shpejt sapo nisa të lexoja çmimet në euro të këpucëve. Para se të dilja e përshëndes shitësen dhe i kërkoj ndjesë për shqetësimin, por ajo nuk reagoi abolutisht dhe vazhdonte të shkruante mbi tastierën e kompjuterit të saj. Nga përfshirja që e kishte kapluar, padyshim do ishte duke diskutuar në internet. S'ka faj e shkreta - mendova me vete. Paguhet me rrogë bazë qesharake e ndonjë përqindje akoma më për të qeshur, prandaj dhe ia justifikoj disi këtë mungesë etike.
Më pas ndaloj tek Muzeu Kombëtar dhe kujtohem se aty prehen përkohësisht armët e Gjergj Kastriotit. Shkoj të paguaj biletën, por ajo gruaja që priste biletat po më injoronte e të gjithë po hynin pa rradhë. Prita sa prita dhe më humbi durimi sa hyra pa paguar fare biletë. Një dyndje e madhe njerëzish e njëkohësisht muzeu dukej bosh. Të gjithë ishin ngjeshur aty pranë armëve të Skënderbeut, a thua se objektet e tjera në muze nuk kishin asnjë lloj vlere. U bezdisa dhe vendosa të dal sërish.
Isha tashmë në qendër dhe po më bëhej ujët e hollë. Ku dreqin të shkoja përveçse në ndonjë lokal e të porosisja vetëm një ujë pa gaz - dhe kështu bëra. Prit se po vjen kamarieri, e kamarieri hiç. Unë bëj me shenjë, ai e pinte a nuk e pinte rehat atë kafen shoqëruar me cigare në banak. Po kulmi ishte kur erdhi dhe mu ul në tavolinë një çift, madje ai burri do më ulej në prehër nëse nuk do kisha ndërruar karrigen në kohë. Në fillim më bëri vërtetë habi, po pastaj mendova "Njerëz të gjallë jemi, kemi nevojë për shoqëri, kemi nevojë për njëri-tjetrin për t'u socializuar" paçka se nuk më morën fare leje të uleshin me mua.
Përfitoj nga rasti të dal në tualet dhe pasi u çlirova hap rubinetit nga uji i ngrohtë që nxirrte ujë të ftohtë të laja duart dhe sytë më shkuan nga pasqyra. U lebetita dhe ulërita me sa kisha në kokë. Në pasqyrë nuk isha, nuk shikoja veten, por pllakat e banjës pas meje...

Shkëputur nga Ditari i një Fantazme me titull "Dita ime e parë"

Shkroi: Stop Injorancës !