Showing posts with label Talentë. Show all posts
Showing posts with label Talentë. Show all posts

Wednesday, December 9, 2009

Lazaratasja 12-vjeçare, nxënëse e shkëlqyer në SHBA

Është cilësuar nga presidenti Barak Obama si një ndër krenaritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Nuk bëhet fjalë për ndonjë figurë të njohur botërore, por për një nxënëse shqiptare 12- vjeçare, nga fshati Lazarat i rrethit të Gjirokastrës, e cila është tashmë pjesë e elitës së shkëlqyer të nxënësve amerikanë.

Nxënësja e klasës së gjashtë, Fitiola Dalani, nga Lazarati, e emigruar disa vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar si një prej personave që nderojnë shtetin më të fuqishëm të botës. "E kujtdo kombi që të jeni, ju nderoni Amerikën".

Fitiola Dalani


Me këtë thënie presidenti amerikan Barack Obama i është drejtuar 12- vjeçares shqiptare në përshëndetjen e veçantë për vlerësimin e nxënësve të shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E emigruar disa vite më parë nga vendlindja e saj Lazarati, së bashku me familjen e saj, falë vullnetit, punës e zgjuarsisë, Fitiola Dalani arriti të ishte një ndër nxënësit më të shkëlqyer të sistemit arsimor amerikan, duke marrë edhe letër të posaçme falenderimi nga presidenti Obama.

Jehona e kësaj arritjeje është pasqyruar edhe në vendlindjen e saj, ku të gjithë shprehen krenarë. "Së bashku me Fitiolën është nderuar edhe Lazarati ynë nga bija e tij, e cila, ashtu si di t'i ngrejë emrin vetes dhe familjes së saj, di t'i lartojë emrin edhe vendlindjes së saj. Por, duhet theksuar diçka shumë e rëndësishme. Ashtu siç ishin aftësitë e vajzës lazaratëse për të dalë në krye të nxënësve të shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe merita e këtij shteti që di t'u krijojë kushte dhe t'u shpërfaqë nxënësve të ardhur nga e gjithë bota gjithçka të mirë që ka në arsenalin e saj arsimor: lirinë, barazinë, kushtet, nderimin njerëzor.

Lazarati ka një traditë të shkëlqyer arsimore dhe është krenar për Fitiolën dhe dhjetëra bij të tjerë të tij, si Olti Meçi, Xheni Brahimi, Enida Aliko etj, që e kanë vënë veten në krenarinë e shkollave të Miçiganit dhe shteteve të tjera amerikane e europiane", shprehet Hito Brahimaj, një prej mësuesve të vjetër të Lazaratit.

Janë të shumta rastet kur nxënës e studentë shqiptarë kanë shkëlqyer në botë, por secili prej tyre përbën një krenari më vete.

Shekulli

Tuesday, November 17, 2009

Nasi Papa, fshatari nga Polena që mposhti kampionin jugosllav të mundjes

Në të gjithë qytetin e Korçës ishin vënë afishe të cilat tregonin se Pavllo Dopugia, përveç titullit kampion të Jugosllavisë, e quante veten edhe njeriu më i fortë i botës dhe jepte 1000 korona për atë që do të arrinte ta mposhte.



KORÇË - Kampioni i mundjes i Jugosllavisë mposhtet nga një fshatar i Polenës së Korçës. Një gjë e tillë ka ndodhur në vitin 1923 në qytetin e Korçës ku jugosllavi Pavllo Dopugia rrihet nga Nasi Papa. Kampioni mbërriti në qytetin juglindor dhe pasi u strehua në një nga hotelet shpërndau kudo reklama në vendet publike duke tërhequr vëmendjen e banorëve. Në to thuhej se Kampioni i Jugosllavisë në mundje, por edhe njeriu më i fortë i botës ofronte 1000 korona për atë që do të ndeshej me të dhe do ta mundte. Por mësohet se kampioni është mposhtur pikërisht nga dikush që "si një shqiptar dhe kalorës" i fali 800 korona dhe i mori vetëm 200.


***


Kjo histori vjen përmes arkivit të një përmbledhjeje gazetash të botuara në Shqipëri në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar. Dhe botuesja e këtij lajmi është gazeta lokale korçare "Zëri i Popullit" në numrin e saj të datës 31 janar të vitit 1923. Gazeta në këtë numër shkruan me gërma kapitale "Triumfi i Z.Nasi Papa në mundje me Z.Pavllo Dopugia". Ajo e hap lajmin me tekstin që vijon. "Para një jave vizitoi vendin tonë z.Pavllo Dopugia, i cili me anën e afisheve dhe reklamave që përhapi në qytet, deklaroi se është më i forti njeri i botës dhe atij që do ta mundë i jep 1000 korona.



Gjithë populli, - vazhdon gazeta kronikën e kësaj ngjarjeje, - vrapoi për të parë çuditë e njeriut më të fortë të botës. Më 26 filloi nga puna. Ngriti anembanë dhe ca hekura. Natën e dytë bëri gjithë ato. Lajmin e përhapi në tërë rrethin e Korçës dhe populli si i paparë dhe padëgjuar ndonjëherë e konsideroi si gjë të çuditshme.


Për këtë u lajmërua në katundin e tij Polenë edhe z.Nasi Papa, i cili erdhi me vrap dhe pasi u takua me z.Pavllo Dopugia i propozoi se kërkon të mundet me të. Z.Dopugia e pranoi me kenaqësi. Duhet të shënojmë se zoti Dopugia është 15 okë më i rëndë se sa z.Papa, - thotë gazeta. - Mundësi shqiptar pranoi te mundet me të duke dashur t'i japë një mësim mundësit jugosllav".


Ndeshja dhe fundi i hidhur i kampionit


Ashtu siç bën me dije gazeta, si ditë mundjeje u vendos e diela e datës 28, në orën 7:30 të mbrëmjes. Pas formaliteteve të duhura, u mor leje edhe në polici. Që në orën 6 populli nxitoi të blinte bileta kështu që gjer në orën e caktuar salla u mbush. "Mund të themi pa ekzagjerim se ishin më teper se 500 njerëz", thuhet në gazetë, ndërsa vijohet se për të mbajtur rregullin e mundësve u vendosën dy arbitra me pëlqimin e të dyve.
Në orën e caktuar filloi mundja e pare, e cila zgjati 7 minuta, sado që ishte caktuar për 20 minuta. "Z.Dopugia qëndroi si i pafuqishëm, por meqenëse populli dëshironte t'i jepej fund mundjes, gjithçka u përsërit prapë", thuhet në gazetë. Mundja e dytë zgjati 9 minuta dhe z. Papa doli plotësisht fitues në mes të duartrokitjeve të pareshtura të popullit. Z. Dopugia deklaroi se nuk mund të rezistonte para fuqisë së shokut të tij, i cili siç u provua kishte një diferencë shumë të madhe. Lëvizjet dhe manovrat që bënte z. Papa provuan qartazi aftësia e tij në mundje.
Një shumicë e entuziazmuar prej popullit u ngjit në skenë dhe ngriti mundësin shqiptar duke thirrur: "Rroftë Shqipëria!"


Kjo qe skena e ndeshjes që sjell para kohës sonë gazeta e viteve '20 të shekullit të kaluar. Fitorja ndaj sfidantit të huaj rriti entusiazmin patriotik.



Atmosfera festive
Nga kjo gazetë mësohet se populli i tregoi me shumë entusiazëm dashurinë dhe mirënjohjen për dhuratën e çmuar që i bëri qytetit të vet mundësi Papa. Nga kronika e kësaj ngjarjeje shkëpusim fragmentin: "Më shumë se gjysmë ore vazhduan duartrokitjet dhe brohoritë dhe gjindja e entusiazmuar dhe e mallëngjyer prej triumfit të z.Papa u derdh dhe i shtrëngoi dorën luanit shqiptar për nderin që i bëri Korçës dhe gjithë kombit të tij. Lëvizjet trupore të z. Papa, aftësia dhe kuraja e tij na solli ndërmend kohërat e vjetra të trimërisë shqiptare dhe na dha të kuptojmë se raca shqiptare larg nga çdo demoralizim parashikon me një të pritme të lumtur dhe glorioze".



Ndarja e trofeut dhe kalorësia e fitimtarit
Kronika e "Zërit " vijon mbi zhvillimin e mëtejshëm të "mundjes" mes dy protagonistëve: "Të nesërmen në mëngjes u thirr z.Dopugia që të zbatonte kushtet kundrejt mundësit dhe të paguante shumën e deklaruar prej 1000 koronash. Por z. Papa duke marrë parasysh se z. Dopugia është një i huaj dhe në vend të huaj deklaroi këto: "Si shqiptar dhe kalorës që jam, i fal prej shumës së caktuar 800 korona dhe kërkoj vetëm 200. Më mjafton vetëm që e munda dhe kjo më kënaq pa masë!"


Por i munduri me sa duket nuk e ka vlerësuar këtë gjest fisnik të fitimtarit. Gazeta nuk shkruan se si është përgjigjur ai, por thjesht sjell atmosferën e keqardhjes dhe më pas të justifikimit të sjelljes së humbësit jugosllav. Për këtë gazeta, duke përcjellë opinionin qytetar korçar, thekson: "Na erdhi keq se sjelljet e të mundurit Dopugia ishin shumë larg që të ishin fisnike, po mund të falet meqë çdo gjë që bëri dhe çdo gjë që tha, e bëri nga e keqja e madhe që e gjeti, duke rënë i mundur në këmbët e shqiptarit, të cilin e konsideronte si te pafuqishëm".


Nasi Papa kishte mundur edhe një ari më parë
Duke u nisur nga shkrimi në gazetë mësojmë se Nasi Papa kishte lindur në vitin 1890 në katundin Polenë, 2 orë larg Korçës. Në vitin 1905 ai kishte emigruar në SHBA, ku kishte punuar në fabrika të ndryshme. Nga pasioni që kishte për sportin, ai qe regjistruar në shoqërinë e gjimnastikës YMCA, ku kishte marrë edhe mësimet e para te gjimnastikës dhe zhdërvjellimeve te trupit. Ai në këtë shoqëri ka qëndruar për një periudhe 12-vjeçare, duke marrë pjesë edhe në garat e ndryshme të mundjes që organizonte shoqata sportive. Sipas gazettes, ai kishte marrë shumë përvojë dhe kishte marrë pjesë në shumë gara mundjeje, ku shumë herë kishte dalë fitues. Pra, nisur nga periudha që e ka ushtruar, ai është marrë me sport deri në moshën 27-vjeçare. Me kampionin jugosllav ai është ndeshur në moshën 33-vjeçare.


Kronika e "Zërit" të Korçës vijon jetëshkrimin e tij duke treguar se me fillimin e Luftës së Parë Botërore, ai duke pasur nënshtetësi amerikane ka shërbyer për dy vjet në frontin francez të luftës. Gazeta nënvizon se: "Më 6 korrik të vitit 1919 ushtritë aleate bënë një takim mes aleatëve, ku Papa doli fitues në klasin e tij. Për këtë fitim mori edhe dekoratë.

Gazeta vijon me aventurat e tij duke treguar se si "në Brixhport Kaun, në teatrin " Zers" u mund me një ari për 5 minuta dhe kur e pushtoi mirë që ta rrëzonte, ky u egërsua dhe me thonjtë e tij i bëri shumë plagë në sup, të cilat i njihen ende."

Shekulli

Thursday, October 29, 2009

Shqiptari i rekordeve Gines

Ai është shqiptari që ka vendosur një rekord “Guiness”, por kjo nuk ia ka zbehur dëshirën për të bërë sërish diçka që do ta rishkruante emrin e tij në librin e rekordeve botërore.

Spartak Hamiti tashmë është pjesë e “çudirave” njerëzore në mbarë botën dhe duket se të qënit njëherë pjestar i këtij rrethi, ka ndikuar shumë tek ai.

Ai e ka shënuar emrin e tij në “Guiness” për thyerjen e rekordit të mëparshëm botëror për mbajtjen e topit të futbollit në ecje e sipër. Spartaku në atë kohë 52 vjeçar, qëndroi më shumë se 4 orë me topin e futbollit në këmbë, duke u kthyer në këtë mënyrë në një nga njerëzit e rrallë të globit, që bënte diçka të tillë dhe jo vetëm.



Më parë, ai kishte bërë një tjetër çudi me një top tenisi, të cilin e kishte mbajtur për më shumë se 1 orë e 32 minuta. Atëherë ai e goditi topin e tenisit plot 10.482 herë dhe krijoi jo pak habi tek njerëzit e pranishëm në atë provë.

Gjithsesi, rekordmeni shqiptar i mbajtjes së topit, i cili posedon edhe një çertifikatë të “Guiness”-it, kërkon më shumë. Në Shqipëri nuk janë të shumtë njerëzit që kanë dëgjuar për të, por në rrethet sportive dhe në admiruesit e të veçantave njerëzore, ajo që bën ai me topin, qoftë ky tenisi apo futbolli, nuk ka kaluar pa u vënë re. Spartaku ka një lidhje të veçantë me sportin, pasi ai përveç garës që është thelbësore në çdo sport, në aktivitetin e tij të përditshëm ndërthur edhe spektaklin. Xhonglimet e tij me çfarëdolloj sfere që mund të mbahet me këmbë, kanë habitur breza të tërë, madje edhe vetë sportistët më të mirënjohur në vendin tonë. Por habia shtohet edhe më shumë teksa mendon se është plot 56 vjeç dhe mund të xhonglojë një top futbolli me të dyja këmbët për më shumë se 1 orë. Megjithatë, përveç habisë që të vjen natyrshëm dhe që të shtohet edhe më shumë kur dëgjon vetë Spartakun të shprehet se do ta thyejë shumë shpejt këtë kohë që ka vendosur me mbi 10 minuta, të lind edhe dëshira për të mësuar më shumë rreth jetës së këtij njeriu, që ndryshe nga shumë sportistë që topin duan ta dërgojnë në rrjetë, ai kërkon që ta mbajë sa më larg tokës. Në intervistën ekskluzive Spartaku ka rrëfyer diçka mbi veprimtarinë e tij të deritanishme dhe sigurisht, ka folur edhe për objektivat e tij të ardhshme.

-Si lindi ky pasion mjaft i veçantë tek ju?
-Mund të them se jam apasionuar pas mbajtjes së topit të futbollit shumë herët dhe fare rastësisht. Kur isha fëmijë, së bashku me shokët e lagjes kishim dëshirë që të bënim xhonglime me top dhe në atë kohë mbaj mend që një gjë të tillë e bënim me topa të përmasave dhe të një cilësie shumë më të vogël se topi i futbollit. Megjithatë ishte diçka që më pëlqeu shumë. Fillimet e mia i takojnë një periudhe shumë të hershme dhe më kujtohet që topi im i parë ka qenë një top llastiku, ose siç i thoshim ne në atë kohë “50-lekësh”. Por më vonë ky pasion u bë edhe më i madh dhe mund të them se koha që kaloja me topin ishte gjithmonë e më e madhe.

-Gjithsesi, ju njiheni si shqiptari i parë që keni hyrë në “Guiness” për mbajtjen e topit të tenisit me këmbë?
-Është e vërtetë dhe padyshim që për të arritur këtë vlerësim, më është dashur një punë mjaft e madhe. Por tashmë kam një tjetër objektiv. Dua të thyej rekordin e mbajtjes së topit të futbollit me këmbë.
-Keni kohë që punoni për këtë gjë?
-Në fakt unë gjithmonë e kam praktikuar këtë gjë. Megjithatë, rezultati i fundit që kam arritur në mbajtjen e topit të futbollit me këmbë ka qenë mjaft i mirë.

-Sa është koha që keni arritur në këtë disiplinë?
-Herën e fundit e kam mbajtur topin e futbollit 1 orë; 2 minuta dhe 6 sekonda. Është një rezultat mjaft i mirë, që mendoj se mund të jetë i krahasueshëm me rekordet e vendosura deri tani në librin e rekordeve. Gjithsesi, dëshiroj që të bëj të ditur se në garën tjetër zyrtare që do të zhvillohet, do të tentoj ta thyej kohën e vendosur dhe kam shumë shpresa se do ta arrij një gjë të tillë.

-Kur është zhvilluar kjo garë?
-Kjo garë është zhvilluar në datë 11 janar të vitit 2006. Në fakt, të tilla gara janë zhvilluar vetëm 6 herë dhe duhet thënë se kjo është një garë që nuk është mjaft e përhapur në vendin tonë.

-Po në garat e mëparshme si kanë qenë rezultatet e arritura?
- Në dy garat e para, që janë zhvilluar në gusht të vitit 2005 në “Pallatin e Pionierëve” dhe ku gjyqtar ka qenë Hiqmet Kuka, unë kam arritur respektivisht këto kohë: 17 minuta në të parën dhe 44 minuta në provën e dytë. Ndërkohë, 4 garat e tjera janë zhvilluar në “Kompleksin Sportiv Dinamo”, nën mbikqyrjen e inspektorit të këtij klubi, Gani Xhafës. Në 3 garat e para rezultatet kanë qenë të pakënaqshme, ndërkohë që në garën e fundit, unë arrita edhe kohën që përmenda më sipër, prej 1 ore, 2 minuta dhe 6 sekonda. Duke pasur parasysh edhe moshën time, mendoj se ky është një rezultat shumë i mirë.

-Pra ju pretendoni se ky është një rezultat për “Guiness”?
-Them se po. Ndoshta nuk është një rekord Guiness, por është e sigurtë që është një rezultat i krahasueshëm me rekordet e vendosura deri tani nga bashkëmoshatarët e mi nëpër botë.

-Çfarë do të bëni për ta bërë zyrtar në arenën ndërkombëtare këtë rezultat?
-Unë i kam drejtuar një kërkesë FSHF-së, ndërkohë që më pas do të paraqes edhe rezultatet e mia tek sektori përkatës që merret me arkivimin dhe krahasimin e këtyre rezultateve, pranë drejtuesve të këtij institucioni. Megjithatë, në verë do të zhvillohet një tjetër garë dhe unë kam shumë besim se do ta thyej këtë rekord që kam vendosur vetë dhe madje do ta përmirësoj kohën me më shumë se 10 minuta.
Urime dhe suksese të mëtejshme
Faleminderit dhe gjithashtu urime të sinqerta nga ana ime.

Tifozatkuqezi.com 07'

Ndiqni videon e tij në YT:http://www.youtube.com/watch?v=lFO6y6KBSI4

Monday, October 26, 2009

Bardhyli i vogël në Botërorin e shahut

Njëri nga talentet më të mëdhenj austriakë, shqiptari nga Kumanova, Bardhyl Ukshini, (jeton në Graz), i cili nuk ka më tepër se tetë vjet, do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror U-11 në shah, i cili gjatë muajit nëntor të këtij viti do të mbahet në Antalia të Turqisë.

Javorja austriake "Woche" (Java), përmes një aksioni të saj, ka arritur që nga politikanë të ndryshëm lokalë të sigurojë mbi 1000 euro për këtë qëllim, si dhe me kursimet e prindit të tij, Bardhyli do të udhëtoj për në KB. Futbolli, tenisi, çiklizmi apo basketbolli, sporte këto me të cilat çdo i ri merret në moshën e vet, Bardhylit nuk i interesojnë aq shumë sa i intereson sporti i tij: shahu.

Bardhyl Ukshini


Djaloshi tetëvjeçar nga Kumanova, është duke mësuar në klasën 2a të shkollës popullore Jägergrund në Straßgang dhe llogaritet si njëri ndër talentet më të mëdhenj të shahut në Austri. Si pjesëmarrës më i ri, gjatë muajit shkurt të këtij viti, ai e fitoi vendin e parë në Olimpiadën e shahut për juniorë dhe vendin e dytë në Kampionatin U-10 vendor. "Ëndrra e tij më e madhe është të marrë pjesë në KB të shahut që do të mbahet në Antali të Turqisë gjatë muajit nëntor të këtij viti. Por, babai i tij momentalisht është i papunë dhe është prind edhe i tre fëmijëve të tjerë, kështu që familja nuk mund t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për pjesëmarrje në KB", kishte deklaruar Wilhelmine Riedl, drejtorja e shkollës popullore Jägergrund, e cila është angazhuar jashtëzakonisht shumë për nxënësin e saj. Në një artikull të shkruar gjatë muajit maj të këtij viti, javorja austriake "Woche" (Java), kishte publikuar një shkrim përmes të cilit gazetari i kësaj gazete Dieter Demmelmair kërkonte publikisht sponsorë të mundshëm për Bardhylin e vogël.

Le të shpresojmë se Bardhyl Ukshini do të fitojë ndonjërën nga medaljet në Kampionatin Botëror.

Reshat IBRAHIMI G.LAJM

Sunday, October 25, 2009

Patriotizëm shqiptar me mbretin e pop-it.

Një ngjarje po zhvillohet këto ditë. Ajo herë duket sikur bën shpalosje para syve tanë dhe shumë herë të lë përshtypjen se na rrëshqet nga vëmendja.

Po përjetojmë një çast kur janë pleksur me njëra-tjetrën, në një masë mjaft viskoze, tema të sovranitetit kombëtar dhe të ruajtjes së kufijve, bashkimit të trojeve shqiptare në projekte etnike apo të ekzistencës së dy kombeve, edhe atij kosovar. Në këtë debat të madh nuk mungojnë edhe ata që duan të çmitizojnë kultet e ngritura nga e kaluara, mes tyre nuk kursejnë edhe atë të Nënë Terezës. Pikërisht këto kohë çmitizuesit kanë ndezur edhe pasionin për të zbrazur nga fryma e romantizmit dhe e idolatrisë vetë patriotizmin. Ky i fundit, thonë jo pa të drejtë, duhet të jetë modern, sepse arkaik apo edhe me pamje folklorike ai nuk u nevojitet gjeneratave të reja.



Pikërisht në këto çaste, vetëtimshëm nëpër disa pak tituj të parë, por më shumë i shtyrë tutje në sfond të ngjarjeve më të rëndësishme të ditës, bie në sy një siluetë njeriu. Ai quhet Saimir Strati. Ka një portret sugjestionues dhe një jetë ca më tepër të tillë. Strati është një artist që merret me krijimin e mozaikëve me synimin e futjes në Librin e Rekordeve Botërore "Guinnes". Bashkëkombësi origjinal me një shpejtësi të rrufeshme dy-tre vitet e fundit ka realizuar disa herë fitimtarin e hyrjes në këtë libër dhe këto ditë po i jep jetë përpjekjes tjetër të tij. Çmimin e kampionit botëror me një gjë të veçantë, të cilin në glob nuk e ka kryer tjetër kush, kësaj radhe Saimir Strati e ka sipër marrë me realizimin e një mozaiku me portretin e Majkëll Xheksonit. Më parë e pati kryer me një peizazh mesdhetar apo deri edhe me pamjen e Leonardo Da Vinçit. Në punët e mëparshme ka përdorur si lëndë sendërtimi artistik tapat e shisheve të verës apo edhe gozhdët, kësaj radhe po e ngurtëson veprën e tij me penela pikturimi. Bëhet fjalë për treqind mijë penela që kanë nisur të mbushin një portret të Majkëll Xheksonit në një hapësirë prej tridhjetë metrash katrorë. Këtë punë Saimir Strati duhet ta përfundojë më 10 nëntor, kohë që përcakton ditën ndërkombëtare të çmimit "Guinnes".

Sigurisht edhe këtë herë ai ka për të hyrë sërish në Librin e Rekordeve Botërore, tashmë duke u bërë mes nesh një fenomen i jashtëzakonshëm. Veç do të jetë i tillë jo thjesht sepse do të rimarrë edhe njëherë tjetër këtë çmim të madh, por sepse me mbretin botëror të Pop-it ka gjetur një mënyrë të veçantë publiciteti kombëtarist. Krijesa e tij artistike e vendosur në shpinën e një kamioni do të lëvizë nëpër disa qytete kryesore të Shqipërisë dhe më pas edhe në Prizren e Prishtinë. Siç edhe ndërkohë e bëri në Fier, në secilin qytet, në sheshin më të madh të tij, Saimir Strati do të punojë nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë në mjedis të hapët, para vështrimit të njerëzve. Artisti që po bën këtë emër të bukur edhe më parë e ka shpjeguar se nxitja për të hyrë vazhdimisht në Librin e Rekordeve Botërore "Guinnes" ka pasur motive atdhetare. Strati nuk duket aspak nga ata që patriotizmin e shpërdor për të marrë prej tij. Ai i jep. Kur bëri mozaikun e tij "Mesdheu" bëri të ditur për opinionin se "Ndihem shumë mirë që jam pasardhës i ilirëve në teknikën e mozaikëve". Më pas mori pjesë modestisht në një nga koncertet televizive "Dua më shumë Shqipërinë"...

E krijuar me një milion gozhdë


Kjo vepër e tij e fundit dhe njëkohësisht një spektakël atdhetarizmi, i ideuar nga vetë autori, një nga sipërmarrjet imazhpozitive më të spikatura prej të cilës edhe një shtet apo të dy shtetet shqiptare mund të marrin shembull dhe shtysë, do ta ketë në qendër këtë artist me shtat të pabujshëm, por me një pamje artistikisht sugjestionuese, me në ballë lidhur një rrip me ngjyrën e kuqe dhe shqiponjën e zezë në mes. Pra në mbi tridhjetë ditët e punës së tij intensive, nëpër atë karvan që do të përshkruajë gjerë e gjatë trojet e shqiptarëve, Saimir Strati do të ketë rreth kokës flamurin kombëtar.

Mos duket kështu, me këtë rrip flamuri rreth ballit, një anakronik? Mos ai është ca tepër romantik në këtë kohë kur flitet se duhet të shpërngulemi nga shprehjet folklorike të atdhetarizmit? A duhet që për kombin të jesh kaq shumë tifoz? Mos përhap kjo mënyrë shprehjeje frymë nacionalizmi të skajshëm? Mos ndoshta Saimir Strati duhet të jetë më i përmbajtur?!

Në të vërtetë duke krijuar në tridhjetë metra katrorë me treqind mijë penela portretin e Majkëll Xheksonit dhe duke fituar hyrjen rishtazi në "Guinnes" bashkëkombësi ynë po jep një mësim për të gjithë debatin e madh që na ka rizënë dhe që bëhet për të mirën tonë, si edhe të vetë gadishullit, ku kemi popuj miq. Saimir Strati po ashtu tani i ka të gjitha autoritetet të bëjë të mendohen më thellë ata që kanë marrë përsipër kryqëzatën për të përhapur përreth nesh të vetë ndjerit e provincializmit apo fajit se gjoja ne e ekzagjerojmë ca si shumë në çështjet e atdhetarizmit, se shpirti romantik i motit të Rilindjes duhet lënë pas.

Shumë nuk e dinë, një pjesë harruar natyrshëm për shkak se kanë kaluar mbi dhjetë vjet, se Majkëll Xheksoni në luftën e vitit 1999, bashkë me UNICEF bëri në SHBA një koncert të madh në mbrojtje e ndihmë të fëmijëve të Kosovës. Ata që e kanë ndjekur, qoftë edhe nëpërmjet internetit, kanë mbetur të mahnitur nga dhjetëra mijëra shikues si edhe nga titrat prezantuese "Michael Jackson & Friends, Kelly Family". Edhe tani disa video të tij kanë arritur deri në një gjysmë milioni ndjekës. Ndërkohë, dihet që ato çaste mbreti i Pop-it dhuroi për fëmijët shqiptarë të Kosovës 1 milion dollarë.



Në një intervistë të ditëve të fundit të vetë Saimir Stratit thuhet se e ka zgjedhur Majkëll Xheksonin edhe sepse kënga dhe imazhi i tij qenë frymëzues dhe i dhanë shpirt revolucionar të rinjve shqiptarë kur në fillim të viteve nëntëdhjetë përmbysën diktaturën. Mirëpo, për hir të së vërtetës ne shtojmë se kënga e tij frymëzonte për një jetë të lirë edhe rininë kosovare në protestat e saj heroike të vitit 1981.

Ja që patriotizmi ynë paska tridhjetë vjet që u bashkuaka me Mbretin Botëror të Pop-it! Thua edhe kësaj here ndokush do të shqetësohet se të bësh patriotizëm edhe me një rreth flamuri kombëtar përreth ballit është anakronizëm?

Ylli Polovina, Shqip

Faqja e Saimir Stratit http://www.facebook.com/pages/Saimir-Strati/43721343601?v=wall

Saturday, October 24, 2009

Sokoli, shpikësi i motorëve të çuditshëm në Tiranë

Elektroauti rrëfen pasionin e çmendur për motorin, dëshirën për transformim, ambicien për shpejtësinë dhe xhirot e largëta...

Një limë në dorë dhe pak fantazi të shfrenuar. Kjo është lënda e parë, të cilën personazhi ynë ka përdorur për të krijuar motorin më të çuditshëm që mund të keni parë ndonjëherë. Në botë janë ndërtuar fabrika moderne për prodhimin e motorëve, ndërsa në Tiranë brenda një ofiçine gjashtë me katër Sokol Suçi sapo ka përfunduar veprën e tij të radhës. I ngjashëm me Harley-n dhe i ngjizur në çdo detaj nga dora e Sokolit.


Përmasat janë 2 metra e 95 centimetra i gjatë, me 450 kuaj fuqi dhe harxhon të paktën 6 litra për 100 kilometra.
Këto janë të dhënat që eloktroauti na tregon në momentin që na prezanton me mallin e tij më të ri. Një punë që ushqehet nga pasioni dhe dëshira për të renë. Motori ka vetëm pak muaj në dorën e tij dhe tashmë thuajse ka përfunduar, por ky nuk është i vetmi krijim i Suçit.

Po për çfarë mund ta përdorësh?
Normalisht, jo të shkosh e të blesh bukë . Janë të paktën 5 të tillë që mbajnë firmën e kësaj dore. Atij po i ra një gjë në dorë, dije se nuk do ta kesh më si më parë. Shansi i vetëm është ta mbash mend si ka qenë, sepse padyshim që do të jetë ndryshe. Dëshira për të ndryshuar dhe për të modifikuar, është një ndër pasionet e tij të veçantë, gjë për të cilën është përzgjedhur edhe të jetë pjesë e "Sh2"-it. Kur e pyetëm Sokolin se kur i ka hipur një motori për herë të parë, me buzëqeshje kujton kohët e largëta të fëmijërisë. Kam qenë gjashtë apo shtatë vjeç, rrëfen ai dhe fshehurazi tim eti merrja motorin e tij e bëja xhiro në lagje. Isha me fat se ai e kishte këtë mjet që e përdorte për të shkuar në punë. "Më pas, në vitet e gjimnazit, arrita të blija një biçikletë personale, por për kohën ishte një gjë e madhe, të gjithë më shihnin me zili". Pjesa e veçantë e tij është se ai asgjë nuk e lë në formën e saj, ashtu siç është prodhuar. Na tregon se biçikletës së rinisë i ndryshonte ngjyrën çdo javë.
Është çështje psikologjike, thotë Suçi. Nuk e mbaj dot në të njëjtën formë, apo ngjyrë. Bashkë me rrotullimin e rrotave, iknin edhe vitet. Mundësitë ishin që Sokoli të kishte më shumë "hekurishte" në duar, siç i thotë ai. Viti 1994 do ta bënte Suçin "Usta" për rregullimin e makinave. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme për të pasur një strehë për dhuntinë e tij të veçantë, e cila nuk kishte ardhur as nga shkolla dhe as nga kurset profesionale, por nga vetë dëshira e Sokolit. Ai ndërtoi ofiçinën e tij, e cila do t'i shërbente për të mbajtur familjen. Por, nga ana tjetër, në të kishte një frymëzim të veçantë, për të krijuar motorin e radhës, apo për të bërë modifikimin. Tregon se orët e para të mëngjesit e gjejnë në ofiçinë, detajet kanë shumë rëndësi për të.

Ndërsa i vëmë re tatuazhet në dorën e tij, na rrëfen se e ka bërë vetë edhe atë, është emri i një grupi të famshëm rroku (dhe s'kishte se si të ndodhte ndryshe), metali dhe rroku janë rrymat muzikore të tij të preferuara. Sokoli na tregon se ka shëtitur pothuajse të gjithë Shqipërinë me motorin e tij, po më shumë pëlqen rrugën Tiranë - Pogradec. "Ndërsa Tiranë - Sarandë, mesatarisht e bëj për 3 orë me gjithë ndalesat rrugës". Po shpejtësia? "Aaa, pika ime e dobët, më pëlqen t'i jap pak gaz më shumë se normalja. Aty është kënaqësia, te rritja e adrenalinës". E kush është stimuluesi në të tilla raste? Normalisht për pak alkool nuk thotë "Jo" Sokoli, të sjell në qejf, shprehet ai. Shpejtësia më e madhe që ka provuar është 260 kilometra në orë. Çdo darkë, thotë ai, i hipi motorit dhe bëj xhiro, më është kthyer në një ves të përditshëm, të paktën rrugën për në malin Dajt e kam "racion".
Po të kthehemi pak në rininë e hershme, kujtimet janë edhe më të bukura. Nuk mungojnë netët e kaluara në komisariatet e policisë, për shkak të prishjes së qetësisë publike, apo deri te joshja e femrave me anë të motorit. Në fillim të viteve '90, një djalë me motor shihej me sy tjetër. Personazhi ynë e kishte këtë fat. Sokoli tregon me shaka se, nuk më rrinte asnjëherë shala bosh. Pjesë e kësaj aventure ka qenë edhe bashkëshortja e tij aktuale, më të cilën ka edhe dy vajza. " Me të kam kaluar rrugë pa rrugë, shpesh i them miqve të mi me shaka, se gruaja ime, ka parë vende që ju as në kartolina nuk i keni hasur".
Ofiçina është një punë që i shërben 40 - vjeçarit për të ardhurat familjare, ndërsa nga motorët ai del vetëm me humbje, por aty ku ka pasion të tjerat nuk vihen re. Puna e elektorautit përveçse e ushqen, e mban edhe në kontakt me njerëzit, e bën më të komunikueshëm dhe më elastik. Më duhet të komunikoj me doktorë dhe me horra thotë ai. Ambicia e tij e fundit, të cilën pretendon ta realizojë së shpejti, është një motor i tipit amerikan me përmasa gjigante kushton pak vërtet, por unë do të sakrifikoj dhe do ta bëj. Për të gjitha këto, ideja dhe realizimi kanë vetëm një emër, Sokol Suçin.

Foto ilustruese, motorr i krijuar vetëm me pjesët e orës.


Dashuria e parë!
Motori është dashuria e tij e parë, të cilin nuk e ndërron me asnjë mjet tjetër. Të jep kënaqësi dhe është i lehtë në manovrim. Ajo që nuk duroj dot, thotë Sokoli, është kaska, më pëlqen më shumë të udhëtoj pa të, edhe pse bie në kundërshtim më rregullat. Vajzat janë më të brishta si natyrë dhe motori, ndoshta, do të ishte pak i ashpër për to, nga ana tjetër peng e kam një djalë, për t'ia trashëguar pasionin dhe profesionin, sepse edhe unë që jam këtu, nuk jam rastësisht, por e kam në gjen këtë punë.

Shekulli

Sunday, October 18, 2009

Ehad Berisha; Shqiptari 14-vjeçar që po mahnit Broduej

Në një nga skenat më të famshme të botës, në teatrin e Nju Jorkut, në Broadway një djalë simpatik, fare i ri, 14 vjeç, ka mahnitur spektatorët duke shpërthyer emocione dhe duke kthyer vëmendjen e aktorëve të njohur të teatrit amerikan, si Tim Blake Nelson, Richard Mawe, Shorey Walker, Valerie Redd, Judson Jones, William Franke, Benard Cummings, Matt Savings, Doug Sheppard dhe Helen Merino.

Ai është djali nga Shqipëria, Ehad Berisha, i cili ka ngjitur skenën e “Theater East” duke qenë protagonist në premierën e shfaqjes “Eye of God”, të shkruar nga Tim Blake Nelson dhe vënë në skena nga Lisa Devine.

Aty ku me shekuj aktorëve, yjeve të Hollivudit u është dashur të prisnin për t’u bërë të famshëm, aktori i vogël shqiptar ka triumfuar në një mbrëmje. Aktori i rrallë është cilësuar shqiptari Ehad ka qenë dominues dhe i përsosur në skenë.

Suksesi që ka pasur shfaqja, që së pari është vënë në ekran, është ndër shfaqjet më të vlerësuara nga kritikët e producentët amerikanë.

Ndërsa 14-vjeçari ka pasur rolin e Tomit, dëshmitarit të vetëm që ka parë ngjarjen makabre dhe tragjedinë që ndodh në dramë. Ehad Berisha komentohet nga mediat profesionale se është një personazh i munguar, ndërkohë që ka mjaft Tom-ë në shoqërinë e sotme. Ndërsa 14-vjeçari e ka përballur me talent të rrallë duke marrë mbi vete dhe kapur deri në detaje edhe tragjedinë e njerëzve të tjerë.



Aktor i bukur, që ka përcjellë në mënyrë të alternuar pamjen e tij simpatike dhe egërsinë, duke sjellë shëmbëlltyrën e një të riu të zymtë.

Ngjarjet e kësaj drame janë të vendosura në një lagje të qytetit Kingfisher në Oklahoma. Drama e shkruar nga Nelson është një histori dashurie mes një gruaje të pafajshme dhe një çifti të ri dhe një njeriu të fortë të besimit. Gjithë kjo ngjarje, e cila në skenë zgjat më shumë se një orë e gjysmë, është interpretuar nga trupa e teatrit "The East Theater", me aktorët Morgan Baker, Ehad Berisha, Benard Cummings, William Franke, Judson Jones, Helen Merino, Riçard Mawe, Valerie Redd, Matt Savins, Doug Sheppard, Shorey dhe Walker. Drama tregon se "Në qytetin Kingfisher, Oklahoma, një grua e re, ka shënime që i plotëson dëshmitë se është e pafajshme, është një njeri me besim të fortë. Pas vrasjes së saj një djalë i ri Tomi (në rol Ehad Berisha) është dëshmitar i vetëm i një vrasje brutale në qytetin Kingfisher, Oklahoma, ku në mes të kësaj ngjarje makabre, është vija ndarëse ndërmjet një historie morale dhe radikale". Katërmbëdhjetëvjeçari Ehad Berisha vjen nga një familje patriote e atdhetare nga qyteti i Mamurrasit, me origjinë nga Kosova. Aktori i vogël shqiptar e ka nisur karrierën e tij katër vjet më parë, ku ka marrë pjesë në një konkurs teatral në Los Angeles - IPOP 2008. Këtu fiton me sukses tri çmime. Gjithashtu Ehadi ka marrë vendin e tretë edhe për TV Commercials, vendin e tretë për monologun dhe vendin e dytë si aktor i vitit, më 2008. Pas kësaj aktori i ri shqiptar Ehad Berisha ka luajtur një nga rolet kryesore për Comedy - net, një shfaqje teatrale për fëmijë në New York City.

Pas shfaqjes së premierës në skenën e teatrit "The East Theater" në Nju Jork, Ehad Berisha dha këtë intervistën e mëposhtme ku sigurisht edhe atij vetë nuk i mungojnë emocionet dhe befasia që mori pas rolit duke treguar dhe historinë e jetës së tij.

Kur emigruat në Amerikë, shkolla dhe rruga juaj këtu?

Në gusht të vitit 1997 familja ime emigroi në SHBA. Unë kam qenë dy vjeç. Prindërit e mi, nëna Lavdia dhe babai Milazim Berisha, janë lindur dhe kanë jetuar në Mamurras, po ashtu edhe unë me vëllanë kemi lindur në Mamurras. Pas ardhjes në SHBA, kemi jetuar në një lagje shqiptarësh, në Brooklyn - NY, për 4 vite, ndërsa tani kemi 8 vite që jetojmë në Manhattan. Jam në vitin e parë të shkollës së mesme në NYCI.

Ehad, çfarë të nxiti që të bëhesh aktor? Kur e nise këtë karrierë?

Kam 4 vite që kam nisur këtë karrierë. Kam qenë vetëm 10 vjeç, kur për herë të parë kam konkurruar.

A ishte e vështirë për ju t’i hynit kësaj rruge për të tërhequr vëmendjen, për ta njohur talentin juaj?


Po kam pasur vështirësi. Por, kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga prindërit e mi, të cilët sakrifikojnë gjithçka dhe nuk kursejnë asgjë për mua, që talenti im të njihet. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe më ka bërë gjithsesi edhe më të lehtë këtë rrugë për të cilën kam shumë pasion.

Ehad, në mos gabohem, ju keni ka qenë i përfshirë në disa produksione teatrale në Booker T. Washington dhe Emily Dickinson School. Keni studiuar në John Robert Powers, New York. Përveç kësaj, jeni ai që keni fituar disa çmime si: "LA iPOP" në aktrim komercial dhe monologues. Dëshirojë të pyes, Ehadi a është i ngazëllyer për t'u bërë një aktor i madh?


Pyetje e vështirë kjo për mua, pasi dëshira ime për t'u bërë një aktor i madh është një ëndërr imja, por më duhet shumë punë për të arritur deri atje.


Mirëpo, cili është rezultati i gjithë kësaj pune të bërë deri më tani?


Si rezultat i kësaj pune 4-vjeçare, kam pasur fatin të konkurroj në Los Angeles - IPOP 2008, ku pata sukses dhe fitova 3 çmime. Fitova vendin e tretë për TV Commercials, vendin e tretë për (monologun) monologue dhe vendin e dytë si aktor i vitit 2008. Pas kësaj kam luajtur një nga rolet kryesore për Comedy - net, një shfaqje teatrale për fëmijë këtu në New York City. Gjithashtu, në korrik të këtij viti kam punuar me një këngëtar kanadez, për të përgatitur një videoklip, ku shpresoj se do të ketë sukses pasi është jo vetëm një këngë, por një mesazh për të gjithë fëmijët në botë. Por, suksesi më i madh ka qenë me Theater East, pasi kam pasur fatin të punoj me aktorë të njohur të skenës dhe si rezultat i kësaj pune, momentalisht jemi duke luajtur “Eye Of God” në New York City. Jam shumë i lumtur që pata fatin të luaj një nga rolet kryesore në këtë premierë tipike njujorkeze, të Tim Blake Nelson, aktor i njohur, producent dhe autor i disa filmave dhe skenës së teatrit në Amerikë.

Cilët janë idhujt e tu të artit skenik?

Idhujt e mi janë shumë, por disa prej tyre që janë Hugh Lanrie, Adam Sandler, Ben Stiller e shumë të tjerë.


Çfarë duhet të ketë një aktor si ju (14 vjeç) që e nis kaq herët karrierën, për të pasur një rrugë të suksesshme si aktor teatri?

Për të nisur një karrierë në moshë të re për mua duhet kurajo, besim në vetvete, përkushtimi dhe puna e madhe në skenë.

Na trego diçka nëse di edhe për aktorin e shquar shqiptar Aleksandër Mosiu, lidhur me këtë emër se sa mundet, edhe ju të keni mësuar nga ai?

Po, di që Aleksandër Moisiu ka qenë një aktor shumë i madh në skenat e teatrit evropian. Emri i tij, rruga dhe puna e Aleksandër Moisiut, me jep kurajo, besim, dhe shpresë se me shumë punë ëndrrat mund të bëhen realitet.

A është teatri, skena dhe interpretimi i juaj, pra, gjithçka që ju keni si ëndërr?

Pyetje e bukur kjo - shumë faleminderit! Ëndrra ime është pa dyshim për të pasur suksese si aktor, por kam dëshirë në të njëjtën kohë për të mbaruar shkollën e mjekësisë.

Çfarë do të thotë për ty që të jesh aktor shqiptar, 14 vjeç, dhe të luash një rol kryesor në Brodway, ku kanë hedhur hapat e parë dhe aktorë të mëdhenj amerikanë - më pas edhe yje të Hollivudit?

Më shumë përgjegjësi dhe më shumë kërkues ndaj vetes për të treguar se jemi me të vërtetë një popull i traditës, nga më të qytetëruarit e Ballkanit, të Evropës. Teatri shqiptar sipas zbulimeve arkeologjike zë një vend të veçantë në historinë e Ballkanit, qysh në kohën e ilirëve, ndaj do të thosha se jam shumë i gëzuar dhe i lumtur, që kam fatin të luaj në skenat e teatrit njujorkez, por gjithashtu jam shumë krenar që jam shqiptar. Dhe që të gjithë kolegët e mi e dinë që jam shqiptar.

Keni qenë ndonjë herë në Shqipëri apo në Kosovë?

Jo, nuk kam qenë as në Shqipëri e as në Kosovë, megjithëse me prindërit, të afërmit, miqtë dhe shokët bëjmë një jetë si në Shqipëri. Kemi krijuar një “Shqipëri të vogël" së bashku me komunitetin këtu në Nju Jork. Por, sidoqoftë besoj se së shpejti do të vizitoj Shqipërinë dhe Kosovën. Kanë qenë disa nga obligimet e mia në shkollë, teatër e tjera, që nuk më kanë dhënë gjer tani mundësinë. Por, me zor po e pres të vijë vera tjetër dhe të shkoj në Shqipëri edhe në Kosovë, pasi babai im është nga Gjakova.

Çfarë vlerësoni më shumë tek ne shqiptarët, në Amerikë?


Shqiptarët në Amerikë janë shumë të respektuar kudo. Kur thua që jam shqiptar, sheh një respekt të madh nga të tjerët e sidomos nga amerikanët, që pas ngjarjeve në Kosovë, i kanë shtuar njohuritë dhe dinë më shumë për historinë tonë. Kjo, pra, më jep një kënaqësi të madhe shpirtërore.

Cilat janë disa nga planet e tua për të ardhmen?


Do të vazhdoj me teatrin, por në të njëjtën kohë do të punoj me Tim Blake Nelson, pasi ai ka një projekt për një film që besoj do të realizohet vitin që vjen.

Standart

Video e Ehad Berishës në YT : http://www.youtube.com/watch?v=x062DDc13cg

Saturday, October 10, 2009

Paganini 12-vjeçar shqiptar "trondit" skenat botërore

Një talent shqiptar që ende nuk i ka mbushur 12 vjec, ka korrur sukses në skenat më prestigjioze të artit botëror. Elvin Hoxha, i cili është quajtur nga mediat botërore si "gjeniu më i ri i muzikës", ka fituar në një konkurs prestigjioz ndërkombëtar në Poloni, në të cilën zbulohen gjigantët e së nesërmes, ku kanë marrë pjesë 120 muzikantë nga 28 vende të botës, përfshirë edhe Japoninë.

Ne qytetin e Lublinit ne Poloni, u organizua nga datat 16-24 shtator, aktiviteti i rendesishem muzikor per te 11-in vit radhazi, qe mban emrin e Karok Lipinskit dhe Henri Vienijavskit, ku pervec demonstrimit te virtuozitetit te talenteve te rinj boterore, eshte zhvilluar edhe nje panair i vertete instrumentesh muzikore te rralla (violina), qe jane pjese e koleksioneve qe vlejne miliarda dollare.

Elvin Hoxha


Ne kete konkurs nderkombetar, 12-vjecari shqiptar Elvin Hoxha ka fituar cmimin e dyte. "Paganini" i ri jeton ne Ankara, por eshte fryt i punes se nje familje artistesh shqiptare. Babai i Elvinit, Hajredin Hoxha, eshte nje muzikant i njohur nga qyteti i Shkodres, pinjoll i nje familjeje te njohur shkodrane me tradita te spikatura qytetare, e cila ka nxjerre intelektuale dhe artiste. Konkursi i zhvilluar ne Poloni ishte ndare me dy raunde dhe u vleresua nga nje juri prej 17 profesoresh dhe violiniste virtuoze nga e tere bota. Kategoria e pare ishte ajo qe perfshinte artistet e moshes 11-17 vjec ndersa e dyta 17-25 vjec. Ne raundin e pare u skualifikuan 51 pjesemarres nga 68 te kategorise se pare, ndersa ne raundin e dyte per ne finale mbeten vetem 8 violiniste, nder te cilet edhe 12-vjecari Elvin Hoxha. Ne kete konkurs, pervec virtuozitetit, nje rol te vecante kane luajtur edhe koleksionet e rralla te violinave qe i perkisnin antikuareve te rralle. Ky eshte nje fakt mjaft i rendesishem per t'u nenvizuar, pasi vendin e pare e zuri nje vajze japoneze e cila luante me nje "Stradivarius" me vlere 5 milione dollare, ndersa vendi i dyte shqiptari Elvin Hoxha, i cili luante me nje violine te zakonshme. Ky rezultat perben ne fakt nje sukses te madh, pasi Elvini eshte i pari muzikant shqiptar qe ka marre pjese ne historine 11-vjecare te ketij konkursi prestigjioz nderkombetar.

Koha Jone

Videoja e tij në YT :http://www.youtube.com/watch?v=rL7M1jrte9E

Tuesday, October 6, 2009

Bledi, 17-vjeçari dibran shpik tastierën që prodhon energji

Nëse shpikjet më të mëdha të njerëzimit kanë ardhur "nga halli", e tillë është edhe kjo që do t'ju tregojmë sot. Bledar Kazia është vetëm 17 vjeç dhe është nxënës në Medresenë e Kavajës në vitin e tretë. Ai ka menduar t'i shërbejë vetes dhe komunitetit me diçka që fillimisht iu duk të gjithëve e pabesueshme, por tashmë është realitet.
Ka të bëjë me një energji alternative për të ushqyer kompjuterin kur mungon energjia elektrike.
Bledi e shpjegon kështu, krijimin e tij; "Poshtë butonave të tastierës vendoset një bobinë dhe një magnet. Në kohën kur ne e shtypim butonin krijohet një shkëndijë magnetike vlera e së cilës rritet me shtypjen e butonave dhe energjia mekanike kthehet në energji elektrike. Më pas bëjmë lidhjen me një multi metër që tregon se me të vërtetë prodhohet energji".
Por nuk mbaron këtu. Bledi shpjegon më tej se "Këtë energji ne e depozitojmë në një bateri të rikarikueshme. Bateria e merr energjinë duke shtypur tastat e tastierës. Ngjitur me baterinë është një llampë dhe kur ajo ndizet do të thotë që po karikohet. Në qoftë se në një lapë top shtypim një mijë herë tastat e kompjuterit do të karikonim një bateri 19 voltësh, pasi kjo është më e madhja. Në qoftë se jemi në rrugë ose në autobus dhe na duhet patjetër ta përdorim kompjuterin duke përdorur këtë projekt për 10 ose 15 minuta ne e karikojmë baterinë e lapë topit e cila mban 6 orë punë në të. Kur një bateri kompjuteri zgjatë dy ose tre orë, me këtë projekt ajo shkon në 6 orë. Është një projekt që kursen dhe prodhon energji".
Energjia që prodhohet në këtë rast është energji alternative, pra nuk është korrent direkt, është alternativë. "Na duhet ta mbledhim njëherë energjinë pastaj ta përdorim". Ideja ka lindur verën e kaluar në kushtet e shtëpisë, më pas më fillimin e shkollës me ndihmën e profesorit të informatikës Salih Dede.
Në fillim ka marrë çmimin e parë, në olimpiadën e Fizikës në Tiranë. Më pas është bërë e mundur që ky projekt të përfaqësojë Shqipërinë në një konkurs ndërkombëtar në Turkmenistan. Këtu Bledar Kazia është vlerësuar me medaljen e argjendit kjo i ka dhënë mundësin që po me këtë projekt të përfaqësojë Shqipërinë në Nevada të Amerikës.
Kur e pyesim Bledin çfarë kanë menduar personat që kanë dëgjuar për shpikjen e tij!? Në fillim janë treguar mosbesues thotë ai, po kur juria ndërkombëtare e vlerësoi këtë projekt, atëherë gjithçka ishte më e qartë dhe shumë ndërruan mendim.
Familja e tij jeton në Peshkopi ndërsa Bledari në Kavajë, fundjavave shkon në familje të prindërit të cilët nuk kanë ndonjë "dell" shkencëtari në fis por që janë të lumtur për djalin e tyre.
Suksesi i shpikësit tonë nuk mbaron me kaq, gjatë kohës së qëndrimit në Turkmenistan, përfaqësuesit e Indisë kanë treguar interes për projektin e djaloshit shqiptar.
Ajo që do ta bënte të lumtur është shpikësin është të bëhej i mundur prodhimi i tastierave të tilla që do i shërbenin shumë njerëzve, dhe për një gjë duket i lumtur Bledari që i ka shërbyer njerëzimit për diçka.

Shekulli

Sunday, September 20, 2009

Notari 11-vjeçar nga Tirana që i shkruante Celine Dion



Ai është mësuar të dalë gjithmonë i pari. Nuk është ndalur tek një çmim i vetëm. Këtë herë ka marrë më shumë se kaq. Ka thyer një rekord kombëtar. Nuk behët fjalë për sportistë apo njerëz të kualifikuar. Bëhet fjalë për një fëmijë që duket sikur e ka pasion të jetë më i miri.

Dilan Reka është vetëm 11 vjeç dhe sapo ka thyer rekordin e notit për fëmijë në Shqipëri. E takojmë në pishinën pranë kodrave të Liqenit në Tiranë, gjatë garave. Një lumturi naive i përshkonte fytyrën. Sapo i thirret emri për të marrë diplomën, shkon vrik pranë anëtarëve të jurisë. Mes 250 fëmijëve nga i gjithë vendi, spikati emri i tij. Por nuk ka qenë e lehtë për të. Përveç talentit, duhet edhe punë, po shumë madje. Ai që kujdeset për të "non sotp" është gjyshi i tij, Gudari. Në të nxehtë e në të ftohtë, ata të kapur dorë për dore, nuk u janë ndarë pishinave. Stërvitje dhe vetëm stërvitje, deri sa erdhëm në këtë rezultat, i cili nuk arrihet me gjë tjetër, përveçse me punë. Rrallë mund të gjesh ndonjë personazh të rëndësishme, i cili karrierën e tij e ka filluar në moshën 2 vjeç e gjysmë. Fama e ka përqafuar që kur Dilani ka dalë në Festival të Fëmijëve duke kënduar "Eja, eja luleborë". Këtu ka edhe një kujtim tjetër të regjistruar, që nuk do të mundet t'i shpëtojë dot. Në qoftë se në një të ardhme do t'i bëhet pyetja: "Kur dhe ku ke puthur për herë të parë?" Dilani, edhe po të dojë, nuk mundet të gënjejë. Është e regjistruar! Pas përfundimit të këngës në Festivalin e Fëmijëve, djali 2-vjeçar u dha një të puthur në buzë zonjushave të vogla që e shoqëronin dhe lë skenën i lehtësuar. Tani që është vetëm 11 vjeç ka drojë ta pranojë, por as nuk e mohon. Kur e pyesim se kush do të jetë profesioni i tij i ardhshëm, ka dy përgjigje paralele: Notar dhe informatikan. Për të parën tashmë është në rrugë të mbarë, ndërsa edhe për të dytën nuk e thotë me hamendje, po me llogari. Është një nxënës shumë i mirë në shkencat ekzakte. Ka ftuar çdo vit olimpiadat e matematikës në shkollën e tij. Duket sikur ky fëmijë i bën të gjitha. Me daljen në skenë për herë të parë dhe me atë "puthjen e parë", ka filluar edhe karriera muzikore për Dilanin. Nën kujdesin e veçantë të zotit Edmond Zhulali, i cili ka qenë "oguri" i parë i tij, tashmë ai numëron në përmbledhjen e tij muzikore 19 këngë. Një vesh absolut. Kështu e kanë klasifikuar mjeshtërit e muzikës. Në fakt po të bësh një vizitë në dhomën e tij, muri nuk është i mbushur me foto idhujsh, po me diploma dhe certifikata nderi. Një rekord për një fëmijë në moshën e tij. Ajo që të bie në sy është se ai ka kapur gjithnjë çmime të para, ose çmimin e publikut. Në Festivalin Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkup, vitin e kaluar Dilani kishte marrë herën e fundit "Çmimin e karrierës". Si një artist i kompletuar, ai studion literaturë artistike, njeh kompozitorët e famshëm dhe muzikën e tyre, i bie pianos...
Një fëmijë që është rritur vazhdimisht nën përkujdesjen e gjyshit, i cili e ka "birësuar" nipin e vet që kur ishte 6-muajsh. Ndoshta ka ndikuar marrja me sport, sepse Dilni nuk është një fëmijë i imët, ai është i shëndetshëm dhe me muskuj të fortë. Por me gjithë këto, ai ka instinktet dhe veprimet e një fëmije në moshën e tij. "Nuk dal asnjëherë të luaj më shokët", -thotë 11-vjeçari. Stërvitje-shkollë-mësime, kjo është dita e tij normale. Në fund na drejtohet me fjalë që të habisnin: "Dua të bëhem një sportist, një informatikan dhe një këngëtar", të gjitha këto më një "shumë i mirë", nga pas.

Kur i shkruaja Celine Dion-it...
"Isha vetëm 4 vjeç e gjysmë. Në një darkë me miq të familjes, më kërkojnë që të këndoja. Kënga që po dëgjoja në sfond ishte ajo e Celine Dion, kolona muzikore e filmit "Titaniku". E dëgjova. E këndova, e dëgjova edhe njëherë dhe e këndova sërish". Kaq iu desh Dilanit për të kënaqur të pranishmit. Gjyshi të nesërmen në mëngjes e merr për dore vogëlushin dhe as më pak e as më shumë, po drejt e në studion e Mond Zhulalit. Kënga u regjistrua. Tashmë është pjesë e 25 DVD-ve të koleksionuara nga gjyshi. Pse jo?! Një e-mail i dërguar në postën elektronike të këngëtares, të shkruar nga gjyshi me fjalët e Dilanit, pas disa ditësh do të merrte përgjigje. Falënderim special për Dilanin e vogël nga ana e këngëtares më famë botërore dhe një kartolinë për Vitin e Ri. E ku kishte më bukur se kaq!


Stërvitja
Nga ora 19:30 deri më 22:00 të mbrëmjes, nip e gjysh i gjen në pishina. Kjo disiplinë pune bëri që Dilan Reka (Beqiraj) të jetë kampion në Kampionatin Kombëtar për moshat 11-12 vjeç. Këto rezultate ai i ka arritur duke u stërvitur intensivisht. Sipas gjyshit Gudar Beqiraj, Dilani ka bërë edhe diçka tjetër nëpërmjet sportit: ka thyer edhe mentalitetin e përhapur ndër prindër, se sporti i pengon fëmijët në mësime. Dilanin nuk e ka penguar aspak, ndërsa shkëlqen në të tëra lëndët. Por matematika është pasioni i dytë i tij, porta ku do të firmosë të ardhmen...

Jeta me gjyshërit
Një anomali e vogël në shëndet në muajt e parë të lindjes, bëri që Dilani i vogël të transferohet nga shtëpia e prindërve tek ajo e gjyshërve nga mami. Sot e kësaj dite, kur i ka kaluar të 11 vitet, jeton te shtëpia e gjyshërve, ndërsa në të vetën shkon si "bujtës" ose me raste festash. Kur e pyesin për mbiemrin, i përdor të dy, edhe Reka, edhe Beqiraj.

Ku ka kënduar Dilani?

I pyetur për këngën e parë Dilani përgjigjet prerë: "Te 'Katër stinët', pastaj kam kënduar në Festivalin e Tiranës kur isha 8 vjeç 'Beni-Beni biznesmeni'. Në Festivalin e Shkodrës kam kënduar 'Kopshtin magjik'; kam kënduar tek 'Mis Shqipëria 2008'; në Maqedoni në aktivitetin për fëmijë 'Ylberi'. Çdo vit kam fituar Çmimin e Publikut dhe herën e fundit, Kupën e Karrierës. Në 10-vjetorin e këtij festivali këndova këngën e Majkëll Bubles.




Shekulli