Saturday, October 24, 2009

Sokoli, shpikësi i motorëve të çuditshëm në Tiranë

Elektroauti rrëfen pasionin e çmendur për motorin, dëshirën për transformim, ambicien për shpejtësinë dhe xhirot e largëta...

Një limë në dorë dhe pak fantazi të shfrenuar. Kjo është lënda e parë, të cilën personazhi ynë ka përdorur për të krijuar motorin më të çuditshëm që mund të keni parë ndonjëherë. Në botë janë ndërtuar fabrika moderne për prodhimin e motorëve, ndërsa në Tiranë brenda një ofiçine gjashtë me katër Sokol Suçi sapo ka përfunduar veprën e tij të radhës. I ngjashëm me Harley-n dhe i ngjizur në çdo detaj nga dora e Sokolit.


Përmasat janë 2 metra e 95 centimetra i gjatë, me 450 kuaj fuqi dhe harxhon të paktën 6 litra për 100 kilometra.
Këto janë të dhënat që eloktroauti na tregon në momentin që na prezanton me mallin e tij më të ri. Një punë që ushqehet nga pasioni dhe dëshira për të renë. Motori ka vetëm pak muaj në dorën e tij dhe tashmë thuajse ka përfunduar, por ky nuk është i vetmi krijim i Suçit.

Po për çfarë mund ta përdorësh?
Normalisht, jo të shkosh e të blesh bukë . Janë të paktën 5 të tillë që mbajnë firmën e kësaj dore. Atij po i ra një gjë në dorë, dije se nuk do ta kesh më si më parë. Shansi i vetëm është ta mbash mend si ka qenë, sepse padyshim që do të jetë ndryshe. Dëshira për të ndryshuar dhe për të modifikuar, është një ndër pasionet e tij të veçantë, gjë për të cilën është përzgjedhur edhe të jetë pjesë e "Sh2"-it. Kur e pyetëm Sokolin se kur i ka hipur një motori për herë të parë, me buzëqeshje kujton kohët e largëta të fëmijërisë. Kam qenë gjashtë apo shtatë vjeç, rrëfen ai dhe fshehurazi tim eti merrja motorin e tij e bëja xhiro në lagje. Isha me fat se ai e kishte këtë mjet që e përdorte për të shkuar në punë. "Më pas, në vitet e gjimnazit, arrita të blija një biçikletë personale, por për kohën ishte një gjë e madhe, të gjithë më shihnin me zili". Pjesa e veçantë e tij është se ai asgjë nuk e lë në formën e saj, ashtu siç është prodhuar. Na tregon se biçikletës së rinisë i ndryshonte ngjyrën çdo javë.
Është çështje psikologjike, thotë Suçi. Nuk e mbaj dot në të njëjtën formë, apo ngjyrë. Bashkë me rrotullimin e rrotave, iknin edhe vitet. Mundësitë ishin që Sokoli të kishte më shumë "hekurishte" në duar, siç i thotë ai. Viti 1994 do ta bënte Suçin "Usta" për rregullimin e makinave. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme për të pasur një strehë për dhuntinë e tij të veçantë, e cila nuk kishte ardhur as nga shkolla dhe as nga kurset profesionale, por nga vetë dëshira e Sokolit. Ai ndërtoi ofiçinën e tij, e cila do t'i shërbente për të mbajtur familjen. Por, nga ana tjetër, në të kishte një frymëzim të veçantë, për të krijuar motorin e radhës, apo për të bërë modifikimin. Tregon se orët e para të mëngjesit e gjejnë në ofiçinë, detajet kanë shumë rëndësi për të.

Ndërsa i vëmë re tatuazhet në dorën e tij, na rrëfen se e ka bërë vetë edhe atë, është emri i një grupi të famshëm rroku (dhe s'kishte se si të ndodhte ndryshe), metali dhe rroku janë rrymat muzikore të tij të preferuara. Sokoli na tregon se ka shëtitur pothuajse të gjithë Shqipërinë me motorin e tij, po më shumë pëlqen rrugën Tiranë - Pogradec. "Ndërsa Tiranë - Sarandë, mesatarisht e bëj për 3 orë me gjithë ndalesat rrugës". Po shpejtësia? "Aaa, pika ime e dobët, më pëlqen t'i jap pak gaz më shumë se normalja. Aty është kënaqësia, te rritja e adrenalinës". E kush është stimuluesi në të tilla raste? Normalisht për pak alkool nuk thotë "Jo" Sokoli, të sjell në qejf, shprehet ai. Shpejtësia më e madhe që ka provuar është 260 kilometra në orë. Çdo darkë, thotë ai, i hipi motorit dhe bëj xhiro, më është kthyer në një ves të përditshëm, të paktën rrugën për në malin Dajt e kam "racion".
Po të kthehemi pak në rininë e hershme, kujtimet janë edhe më të bukura. Nuk mungojnë netët e kaluara në komisariatet e policisë, për shkak të prishjes së qetësisë publike, apo deri te joshja e femrave me anë të motorit. Në fillim të viteve '90, një djalë me motor shihej me sy tjetër. Personazhi ynë e kishte këtë fat. Sokoli tregon me shaka se, nuk më rrinte asnjëherë shala bosh. Pjesë e kësaj aventure ka qenë edhe bashkëshortja e tij aktuale, më të cilën ka edhe dy vajza. " Me të kam kaluar rrugë pa rrugë, shpesh i them miqve të mi me shaka, se gruaja ime, ka parë vende që ju as në kartolina nuk i keni hasur".
Ofiçina është një punë që i shërben 40 - vjeçarit për të ardhurat familjare, ndërsa nga motorët ai del vetëm me humbje, por aty ku ka pasion të tjerat nuk vihen re. Puna e elektorautit përveçse e ushqen, e mban edhe në kontakt me njerëzit, e bën më të komunikueshëm dhe më elastik. Më duhet të komunikoj me doktorë dhe me horra thotë ai. Ambicia e tij e fundit, të cilën pretendon ta realizojë së shpejti, është një motor i tipit amerikan me përmasa gjigante kushton pak vërtet, por unë do të sakrifikoj dhe do ta bëj. Për të gjitha këto, ideja dhe realizimi kanë vetëm një emër, Sokol Suçin.

Foto ilustruese, motorr i krijuar vetëm me pjesët e orës.


Dashuria e parë!
Motori është dashuria e tij e parë, të cilin nuk e ndërron me asnjë mjet tjetër. Të jep kënaqësi dhe është i lehtë në manovrim. Ajo që nuk duroj dot, thotë Sokoli, është kaska, më pëlqen më shumë të udhëtoj pa të, edhe pse bie në kundërshtim më rregullat. Vajzat janë më të brishta si natyrë dhe motori, ndoshta, do të ishte pak i ashpër për to, nga ana tjetër peng e kam një djalë, për t'ia trashëguar pasionin dhe profesionin, sepse edhe unë që jam këtu, nuk jam rastësisht, por e kam në gjen këtë punë.

Shekulli

No comments: