Monday, October 26, 2009

Kanceri i gjirit, 400 raste çdo vit, 1 në 9 femra preken

Muaji tetor njihet si muaji i sensibilizimit për të luftuar sëmundjen e kancerit të gjirit. Strukturat e Shëndetësisë në vendin tonë shprehen të shqetësuar për përhapjen me shpejtësi të kësaj sëmundjeje. Në vendin tonë diagnostikohen çdo vit rreth 400 femra me kancer në gji.

Por, shumë prej tyre duke qenë se kryejnë kontrolle shumë të pakta tek mjekët specialistë, kur u evidentohet sëmundja janë në fazë të avancuar. Sipas mjekëve të ISHP-së, nëse kjo sëmundje do të diagnostikohej më herët, atëherë jeta e shumë femrave do të ishte e sigurt.

"Çdo vit zbulohen 350-400 raste të reja dhe pothuajse të gjitha kanë fund fatal, pasi shkojnë tek mjeku në stadin e fundit, atëherë kur mjekësia mund të bëjë shumë pak", - u shpreh Lumturi Mërkuri.

Disa nga faktorët që ndikojnë për përhapjen e kësaj sëmundjeje janë mosha, konsumi i alkoolit apo duhanit. Mjekët thonë se në rast se diagnostikimi i kësaj sëmundjeje kapet në fazë të hershme, ajo është e shërueshme. Sipas mjekëve, një herë në 1-2 vjet duhet që femrat të bëjnë mamografinë, e cila këtë muaj është ofruar falas nga disa klinika private në Tiranë, por edhe nga spitali onkologjik në QSUT. Java e mamografisë falas është mbështetur nga UNFPA.




Sipas statistikave, 1 në 9 gra preket nga kanceri i gjirit, por ajo që është më shqetësuese është neglizhenca e grave për të kryer kontrollet që parandalojnë vdekjen e tyre.
Ndonëse kjo sëmundje prek masivisht gratë, në Shqipëri janë shënuar edhe raste të vdekjes së burrave nga kanceri i gjirit. Në muajin kundër kancerit të gjirit, u kujtohet grave të kryejnë kontrollet dhe sipas eksperteve, EKO-n e gjirit duhet ta bëjnë të gjitha femrat mbi 20 vjeç, ndërsa mamografinë të gjitha femrat mbi 35 vjeç. Kanceri i gjirit prek më shumë femrat që jetojnë në zonat urbane sesa në zonat rurale. Kjo për disa arsye, që lidhen direkt me mënyrën e jetesës. Lindja e fëmijëve në moshë të vonë, dietat, jeta sedentare, seksi, por edhe mosha ndikojnë në formimin e kancerit të gjirit. Por, kjo sëmundje mund të parandalohet nëse bëhen çdo vit mamografi dhe kontrolle tek mjekët specialistë.

"Në zonat urbane ndeshet katër herë më shumë se në ato rurale. Po ashtu, varet edhe nga lindja e fëmijëve. Një grua qe ka lindur në moshën 20-vjeçare është më e mbrojtur se ajo që lind pas moshës 35-vjeçare", - kanë bërë të ditur specialistë të Shëndetësisë.

Ermelinda Hoxhaj, G.Shqiptare

No comments: