Friday, October 16, 2009

Kopshti Zoologjik, vetëm me 6 kafshë

Kopshti Zoologjik i Tiranës për vizitorët nuk ofron më asnjë gjë, veç një ambienti të pastër dhe me gjelbërim, pasi kafshët janë drejt zhdukjes në këtë kopsht. Deri tani janë vetëm gjashtë lloje kafshësh.

Midis të cilave ariu, luani, tigri, ujku, dhelpra dhe disa lama. Por ambienti brenda ku janë pjesa më e madhe e këtyre kafshëve, është e pamundur të hysh për shkak të erës së keqe. Edhe pse dritaret janë gjithë kohën hapur, në pjesën ku është luani, ujku dhe tigri është e pamundur që të shkosh sepse mban erë e rëndë dhe ka mjaft insekte. Edhe pse fëmijët kanë shumë dëshirë të shikojnë luanin dhe tigrin, prindërit e tyre nuk i çojnë për t'i vizituar për shkak të ndotjes. Ata mjaftohen vetëm duke parë lamat, pasi ato janë edhe më të shumta, si dhe nuk janë vetëm nga një lloj si kafshët e tjera...!



Gjendja e parkut
Parku Kombëtar Zoologjik përbri Liqenit Artificial të Tiranës, dikur tepër i populluar me kafshë e shpendë të egra, sot është "tkurrur" e lënë në harresë. Parku Zoologjik i Tiranës është krijuar në vitin 1966, afro katër dekada me parë, ndërkohë që nga ajo ditë nuk është vënë dorë. Mjediset ku rrinë kafshët e shpendët e egra janë po ato. Mes problemeve të shumta që ndeshin punonjësit e këtij parku është dhe mungesa e ujit. Luanëve të parkut duket se u merret "fryma" në një hapësirë prej 150 metra katrorë, në të njëjtat kushte është edhe majmuni Silva, të cilit nuk i mungon gjë për të ngrënë, por në atë hapësirë të vogël nuk ka privilegjet e të qenit i lirë. Por pavarësisht numrit shumë të pakët të llojeve të kafshëve, interesi i qytetarëve është shumë i madh, sidomos në fundjavë. Sipas biletashitësit në Kopshtin Zoologjik, vetëm ditën e diel fitimi nga biletat kap rreth 30 mijë lekë të reja, pasi u shkojnë më shumë se 300 vizitorë. Por edhe ditët e tjera të javës kur dhe koha është e mirë, nuk mungojnë vizitorët; gjatë një dite shkojnë mesatarisht 40-70 persona. Bukuria e këtij kopshti ka filluar të zbehet ndjeshëm sidomos me pallatet shumëkatëshe që po ndërtohen rreth tij. Këto ndërtesa "gjigante" jo vetëm që po i zënë frymën këtij parku, por për shkak të ndërtimeve të shumta dhe mungesës së kanalizimeve të ujërave të zeza, ato që më parë njiheshin si liqeni i mjelmave tashmë janë kthyer në këneta. Frekuentuesit më të shumtë të tyre janë bretkosat dhe disa rosa, ndërsa nga mjelmat e shumta tani ka mbetur vetëm një, e cila futet shumë rrallë në ujë për shkak se ai është shumë i ndotur. Por ajo që është lënë në harresë të plotë është godina e cila më parë, kur Kopshti Zoologjik ishte në ditët e lulëzimit, përdorej vetëm për ekspozimin e shpendëve. Në këtë godinë kishte nga llojet më të ndryshme të tyre, përfshi edhe fazanët. Por tani ajo është vetëm një ndërtesë e amortizuar e cila nuk përdoret për asnjë gjë, pasi është drejt shembjes. Vizitoret e këtij parku tregojnë se vijnë në këto ambiente jo më për kafshët, pasi ato kanë mbetur shumë pak, por për të kaluar disa orë në qetësi. Në këtë mënyrë funksioni i Kopshtit Zoologjik ka ndryshuar dukshëm, duke lënë mënjanë qëllimin kryesor, argëtimin e fëmijëve dhe familjeve që vizitojnë këtë park në kryeqytet.

E. Hoxhaj, G.Shqiptare

Citat: Kur keni qenë herën e fundit tek kopshti zoologjik, e kam fjalën si vizitor ?

No comments: