Saturday, October 24, 2009

Komisioni kërkon heqjen e taksës së ndotjes për makinat e vjetra të importuara.

Brukseli: Shqipëria po shkel MSA-në.

Komisioni Europian e konsideron taksën e ndotjes që shqiptarët paguajnë për makinat e përdorura të importuara si shkelje e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit dhe ka kërkuar heqjen e kësaj takse, por qeveria shqiptare ka më se një vit që reziston. Në raportin e progresit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, thuhet në mënyrë eksplicite se "taksa e ndotjes për makinat e importuara nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Anëtarësimit".



"Kjo çështje është diskutuar në shumë raste gjatë vitit të fundit dhe qeveria shqiptare ka premtuar shumë herë marrjen e masave për heqjen e taksës, por ka hezituar për shkak të të ardhurave të konsiderueshme të buxhetit nga kjo taksë", tha një burim i mirinformuar.

Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian si pjesa më e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit, e cila hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2008. Sipas kësaj marrëveshjeje, diskriminime të tilla të importuesve të makinave të përdorura janë të paligjshme. Si rregull, komisioni nuk shqetësohet për masën e taksimit të një malli, por konsideron si shkelje të marrëveshjes kur i njëjti mall taksohet me standarde të ndryshme.

Taksa e ndotjes

Në vitin 2004, një lobing kompanish importuese të makinave të reja propozoi në Parlament përmes disa deputetëve të opozitës vendosjen e një takse të posaçme për makinat e vjetra të importuara në Shqipëri, nën justifikimin se makinat e vjetra ndotin ambientin, ndërkohë që synimi kryesor qe shitja e makinave të reja. Deputetët e mazhorancës së majtë e votuan pa shumë debate taksën e re. Në vitin 2007, qeveria e djathtë e rriti taksën e ndotjes në masë të konsiderueshme me qëllim që të kompensonte humbjet që buxheti i shtetit pësoi nga vendosja e taksës së sheshtë dhe ulja e tatimfitimit për korporatat në 10 për qind. Në atë vit, qeveria e hoqi taksën doganore prej 15 për qind për të gjitha makinat e importuara pasi doli në konkluzionin se nuk qe në gjendje të verifikonte certifikatat e origjinës që paraqiteshin në doganë nga importuesit e makinave nga vendet e BE-së. Por kjo heqje e taksës doganore nuk ia lehtësoi xhepin qytetarëve.

Taksa e ndotjes ia dyfishoi koston makinave të vjetra dhe në shumë raste, shqiptarët u detyruan të paguajnë më shumë vlerë takash sesa vlerë makine. Formula e taksës favorizoi më shumë makinat me dhomë djegieje motorike të vogël kundrejt makinave me motorë të mëdhenj dhe favorizoi makinat me benzinë përkundrejt atyre me naftë.

Shkelja e konkurrencës

Bashkimi Europian është përballur edhe më herët me një problem të tillë, kur Polonia vuri një taksë të ngjashme për makinat e importuara nga Gjermania duke justifikuar me teorinë e mbrojtjes së ambientit, krijimin e avantazheve për prodhuesit vendës të makinave. Por Polonia është një treg i rëndësishëm me 30 milionë banorë dhe presioni i Bashkimit Europian qe shumë i lartë. Taksa u hoq në vitin 2004, pikërisht kur në Shqipëri u vendos.

Logjika është se një makinë e importuar e re në vitin 2004 në Shqipëri, sot është pesëvjeçare dhe mund të shitet e blihet në tregun e brendshëm pa paguar kurrfarë takse, ndërkohë që një makinë e importuar sot nga Gjermania dhe që ka të njëjtën moshë, duhet të paguajë një taksë të rëndë ndotjeje. Në terma tregtarë, ky është një diskriminim i papranueshëm për tregtarët e makinave të vjetra. Për më tepër, një makinë e sapoimportuar nga vendet e BE-së, ka shumë gjasa të jetë më pak ndotëse sesa një makinë e përdorur në Shqipëri për shumë vjet.




Një taksë që nuk e mbron ambientin

Taksa e ndotjes, pavarësisht se synon të mbrojë ambientin nga ndotja që shkaktojnë makinat e përdorura, duket se nuk ka asnjë ndikim në këtë drejtim. Përkundrazi, sipas ekspertëve, ajo është një shkaktare e rëndimit të ndotjes. Për më tepër, edhe pse kjo taksë ka pesë vjet që zbatohet në Shqipëri, nuk është vënë re apo nuk është raportuar nga qeveria asnjë përmirësim në cilësinë e ajrit. Taksa e ndotjes i ka shtyrë shumë shqiptarë të investojnë në rinovimin e makinave shumë të vjetra si një mënyrë me kosto më të ulët për të pasur një makinë sesa importi i një makine të përdorur, por relativisht të re. Një pjesë e shqiptarëve janë mësuar tashmë që të riparojnë motorin e një makine 20-vjeçare duke shpenzuar rreth 1 mijë euro, në vend që të blejnë një makinë 10-vjeçare në Europë për të njëjtën shumë. Arsyeja është e thjeshtë, sepse importimi i një makine me vlerë 1 mijë euro, shoqërohet me detyrime doganore me vlerë 2 apo 3 mijë euro. Statistikat tregojnë se ndonëse numri i makinave të importuara ka rënë nga viti në vit, numri i makinave në qarkullim në Shqipëri ka vijuar të rritet.

Nga ana tjetër, favorizimi i makinave të vogla dhe që punojnë me benzinë, i ka bërë rrugët më të rrezikshme dhe ka rritur konsumin kombëtar të karburanteve. Makinat me benzinë kanë një normë konsumi karburanti shumë më të lartë se ato me naftë, por sot për sot, vlera e taksave doganore të tyre është më e ulët se makinat e naftës.

Zëvendësimi

Në qarqet e qeverisë po kërkohet një zgjidhje për zëvendësimin e humbjeve që mund të pësojë buxheti i shtetit nga heqja e taksës së ndotjes për makinat e përdorura. Rreth 2 për qind e importeve të Shqipërisë përbëhen nga makinat dhe taksa e ndotjes sjell në buxhetin e shtetit disa dhjetëra milionë euro në vit.

Gjergj Erebara, Shqip

No comments: