Ngado që të futesh në qytetin e Zarës, qoftë në rrugë detare, automobilistike apo hekurudhore, do s’do, duhet të kalosh nëpër Arbnesh. Jo vetëm pastërtia dhe rregulli, por sidomos arkitektura karakteristike e këtij qyteti i tërheqin vëmendjen çdo kalimtari.
Kisha e re me mure guri e me këmbanare të lartë ngrihet lart mbi të gjitha godinat e tjera. Rrugët e ngushta, të shtruara me kalldrëm: Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, Josip Rela etj, janë ciceroni më i mirë për këtë vendbanim që nuk dëshiron të largohet nga e kaluara.
Kisha e re me mure guri e me këmbanare të lartë ngrihet lart mbi të gjitha godinat e tjera. Rrugët e ngushta, të shtruara me kalldrëm: Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, Josip Rela etj, janë ciceroni më i mirë për këtë vendbanim që nuk dëshiron të largohet nga e kaluara.
Arbneshasit, mikpritës, bujarë dhe dashamirës, të ftojnë brenda sapo marrin vesh se je shqiptar: dikush të fton për kafe, një tjetër për një raki, e një i tretë që të bisedojë e të çmallet me gjakun e tij. Biseda fillon shtruar, ashtu valë-valë, si uji i detit që përplaset në Vaun e Joviqit /Gjonit/ e ashtu pa u ndjerë, mblidhen pleq e të rinj kureshtarë për të dëgjuar fjalën shqipe, gjuhën e gjyshërve të tyre, për të rikujtuar të kaluarën e tyre sa tragjike, aq edhe të mjerë.
“Ne banorët e Arbneshit jena prush i ndezur dhe kena gjak arben”, - thotë Bruno. “Sa herë ndjejmë mirë për Arbninë, zemra na rref më shumë, kurse gjaku na valon në trup”, - ia pret Xhani flokëthinjur. “Brigjet e Dalmacisë nuk kanë qenë të huaja për shqiptarët e Shqipërisë etnike”, - rrëfen Pino Gjergja, dhe vazhdon: “Këto troje janë të fisit të Dalmatëve të Ilirisë, e këtu në Zarë gjithmonë ka pasur shqiptarë. Në vitin 1437 kemi disa familje bujare shqiptare, por edhe në vitet e mëvonshme, e sidomos në vitin 1602 kemi 200 banorë shqiptarë si dhe familje bujare, në krye me guvernatorin shqiptarin, Pal Gjinin. Pra ne këtu, që kur jemi vendosur, kemi vazhduar një traditë të moçme të të parëve tanë”. E zonja e shtëpisë, Ana Peroviqi, me një zë melodik, kumbues dhe tepër të këndshëm, pas bisedës së parë njohëse ia fillon një kënge arbëreshe, e si në kor të gjithë e përcjellin. Ky është nderi më i madh që i bëhet mysafirit. Kënga tregon fatin e arbneshasve:
“Nër mal mi Liqen të Shkodrës,
Në Brisk Shestan ele Livarje,
Të veta shpijat i lishoven,
Po ul u gjetën me familje.
Mendimet t’jona po frutulojn,
Të randa vjeteve të parve ton,
Ata kur kejshin të dëbuom,
Për fen krshten - katolike jon”.
Arbneshi dhe lidhja me atdheun...
Arbneshi ka jetuar gjithmonë me ngjarjet që ka kaluar Shqipëria. Me rastin e shpalljes së pavarësisë, një delegacion i përbërë nga burrat më të njohur të Arbneshit, vizitoi Shqipërinë dhe qeverinë e Ismail Qemalit. Ngjarjet e bujshme që shoqëruan shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe lufta për përkrahje ndërkombëtare të shtetit të ri, që shqiptarët u detyruan të zhvillojnë në muajt e parë të pavarësisë, sollën nevojën e thirrjes së kongresit të shqiptarëve në Trieste, në të cilin morën pjesë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të diasporës. Kongresi me pjesëmarrjen e afro 200 delegatëve i zhvilloi punimet prej 1 deri më 4 mars 1913 dhe në të mori pjesë edhe një delegacion nga Arbneshi, i kryesuar nga Pal Gergji. Pali mbajti një referat shumë interesant në gjuhën shqipe me titull: “Ballkani dhe popujt e Ballkanit”, ku nuk harroi të përmendë diasporën shqiptare dhe rolin që ka luajtur dhe që do të luajë në të ardhmen për shtetin amë!
Kontribut të veçantë dhanë arbneshasit edhe gjatë luftës së fundit të kosovarëve, kur këta u detyruan të lëshojnë vatrat e tyre të ndjekur nga okupatori serb. Ndihmat humanitare dhe format e tjera, si dhe pranimi dhe strehimi i disa dhjetëra familjeve refugjate, ishte një kontribut modest, i cili në fakt, siç e pohojnë edhe vetë arbneshasit, u kujtoi atyre fatin e hidhur që kishin pësuar edhe ata vetë para 280 vjetëve. Arbneshin e kanë vizituar personalitete politike dhe kulturore si Fan Noli, Faik Konica, Simon Ferizi, at Gjergj Fishta, Nikollë Ivanaj, at Shtjefën Gjeçovi etj, dhe një pjesë e mirë e intelektualëve tanë, si Fishta, Prendushi, Gjeçovi etj, i kanë botuar veprat e tyre në Zarë.
Shpërngulja e shqiptarëve...
Problemi i diasporës shqiptare, si pjesë përbërëse dhe shumë e dhimbshme kombëtare është gjithnjë e më aktual në rrethet shkencore e politike, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. E kaluara e Arbneshit si koloni shqiptare, jeta shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, gjatë shekujve XVIII-XX ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve vendës e të huaj, të fushave të ndryshme, të shkencave filologjike dhe shoqërore.
Studimet e shumta dhe të llojllojshme linguistike, etnografike, arkeologjike, sociologjike, ekonomike, politike, në të cilat në mënyrë krahasuese është tentuar të studiohet dhe të paraqitet gjendja e tashme e ruajtjes së elementeve gjuhësore, traditës, etnografisë, zejtarisë, përkatësisë kombëtare, e posaçërisht përshtatja e rrethanave të reja shoqërore, politike dhe kulturore në një ambient të ri me ndryshime të konsiderueshme në karakter dhe mentalitet, nuk na kanë dhënë një sintezë apo studim të kompletuar, duke krijuar kështu një boshllëk, të cilën shpresojmë se së shpejti do ta e tejkalojmë, me një studim të plotë, të mbështetur, në hulumtime dhe kërkime disavjeçare, ku janë përfshirë momentet që nga shpërngulja e parë e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Kolonitë shqiptare në brigjet lindore të Adriatikut janë mjaft karakteristike. Në to pasqyrohen shumë elemente të veçantë dhe mjaft të rrallë, të cilat nuk i hasim në diasporën shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël: disa u kanë përballuar rrebesheve të kohës, e disa janë asimiluar dhe për to dihet vetëm se kanë ekzistuar. Arbneshi i Zarës - Borgo Erizzo është njëra nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe ka diçka të veçantë. Përveç këtij emri, të themi zyrtar, sipas dokumenteve që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje fillimisht u njoh me emrin Eriçin Varosh /Ericovo selo/ nga popullsia kroate, e më vonë edhe Arbanasi; dhe Arbnesh, nga vetë banorët shqiptarë.
Në vitin 1726 u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan Ljajre, dhe u vendosën në paralagjen e Zarës, që u quajt Borgo Erizzo, sipas providurit gjeneral për Dalmacinë e Shqipërinë, Nikola Erizzo. Shkaqet e shpërnguljes duhen parë në prizmin e ngjarjeve të kohës dhe rrethanave politiko-shoqërore. Luftërat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, rekrutimi i të rinjve shqiptarë në ushtrinë turke, kushtet e rënda ekonomike, varfëria e madhe, trysnia e ushtruar nga ana e Perandorisë, për të ndërruar fenë si dhe pazarllëqet e dëmshme në kurriz të shqiptarëve për interesa të caktuara në mes të Venedikut, sllavëve dhe disa personaliteteve kishtare janë shkaqe që studiues të ndryshëm i trajtojnë në mënyrë të ndryshme, shpeshherë edhe kontradiktore, varësisht nga pikëpamjet, orientimet, analizat dhe shqyrtimet e materialit arkivor. Iniciator kryesor për këtë shpërngulje ishte kryeipeshkvi i Zarës, Vinçenc Zmajeviqi. Është mjaft indikative marrëveshja sekrete e vitit 1713 në mes Zmajeviqit dhe përfaqësuesve sllavë e Venedikut, në të cilën vendoset që të shpërngulen shqiptarët e rreth Liqenit të Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore. Tokat e të shpërngulurve do t’u ndaheshin serbëve, ndërsa shqiptarët do të vendoseshin në Zarë, në afërsi të Pulës dhe të qyteteve të tjera bregdetare dalmatinase. Deri diku ky plan u realizua, por për fat të mirë jo në tërësi. Në këtë kuadër duhet parë edhe shpërngulja e kelmendasve në vitin 1737, në Srem. Përveç shpërnguljes së vitit 1726 kemi edhe dy shpërngulje të tjera të rëndësishme të shqiptarëve në Arbnesh, dhe në Zemunik dhe Plloqe në vitet 1727 dhe 1733. Përveç këtyre shpërnguljeve kemi edhe disa të tjera, por që janë më të vogla. Janë me qindra familjet e shpërngulura, dhe me mijëra frymët. Në të gjitha shpërnguljet, të shpërngulurit ishin shqiptarë, edhe pse disa studiues kanë tentuar që disa familje t’i nxjerrin me origjinë sllave, duke u mbështetur në prapashtesat me -iq dhe -viq.
Të shpërngulurit...
Pas vendosjes në Arbnesh, Zemunik dhe Plloqe, arbneshasit u dalluan në bujqësi, blegtori, zejtari, tregti dhe një pjesë e vogël edhe në peshkim. U shquan sidomos për prodhime bujqësore me të cilat furnizonin gjithë qytetin e Zarës. U ruajt e drejta zakonore: kryeplaku ose në arbnishte “shkopi i katundit” kishte fjalën kryesore në mosmarrëveshje të ndryshme dhe konflikte. Ai zëvendësonte institucionin e gjykatës. Në Arbnesh janë ruajtur shumë toponime, mikrotoponime dhe antroponime shqiptare si Karma, Fusha e Vorreve, Fusha e Arbneshit, Bregdeti, Vani i Joviqit, Vilat, Grapa, Shkambat, Kisha, Kulla, etj, si dhe mbiemra krejt shqiptarë si: Kalmeta, Gjergji, Petani, Nikpali, Marshani, Deshpali, Marseni, Çoba, Luka, Vuka, Ndreka, Gjoni, Marku, Gjini, Stani, Nika, Duka etj. Që kur u vendosën në Arbnesh, kryeipeshkvi Zmajeviq, kishte vendosur që çdo vit, një i ri nga Arbneshi, të ndiqte mësimet në Seminarin Ilirik të Glagolicës në Zarë. Kështu kemi edhe një numër të madh priftërinjsh. Duhet cekur se arbneshasit janë besimtarë të mëdhenj. Shkojnë rregullisht në kishë. Shkolla shqipe në Arbnesh është hapur në vitin 1901, dhe ka vazhduar deri në vitin 1918, fillimisht si Shkollë Normale me ushtrimoren e saj, e pastaj edhe si shkolla fillore të femrave. Mësuesit të cilët kanë punuar në Arbnesh janë at Pashk Bardhi dhe at Shtjefën Gjeçovi, dr. Gjergj Koleci, prof. Anton Paluca, prof. Shtjefën Rrota dhe prof. Pal Gjergji. Arbneshi si vatër e kulturës dhe e shkollës ka nxjerrë personalitete që kanë shërbyer në vende të ndryshme duke dhënë mësim në gjuhën shqipe si Josip Vlladoviq - Relja në Vuthaj; Tomë Moroviqi në Plavë; Budimir Peroviqi në Pejë; Zef Duka në Gjakovë, Pal Gjergji në Prizren, etj.
Lidhjet me kolonitë e tjera...
Në fund të shekullit XIX, Arbneshët e Zarës vunë lidhjet e para me kolonitë e tjera shqiptare si në Itali, Rumani, Egjipt, etj. ngaqë ata i bashkonte ideja kombëtare shqiptare dhe dëshira për shtetin e tyre të pavarur. Me arbëreshët e Italisë vunë kontakte përmes revistës “La Nazione albanese” në vitin 1897, e cila botohej në Romë. Nuk është rastësi që po këtë vit, d.m.th, më 1897-ën, kur filloi të botohet edhe e famshmja “Albania” e Faik Konicës, arbëreshët bënë përgatitjet e para për botimin e gazetës së tyre në gjuhën arbneshe me emrin “Zani i Shqyptarit”, e cila duhej të dilte dy herë në muaj, por për shkaqe politike nuk e pa kurrë dritën e botimit. Kompaktësia territoriale, lidhjet e ngushta në mes të gjithë anëtarëve të këtij oazi, në fund të shekullit XIX dhe fillim të atij XX, luajtën një rol vendimtar në zhvillimin kulturor, intelektual, ekonomik dhe politik të arbneshëve në Dalmaci. Ky grusht arbneshësh do të shënonte suksese të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të shkencës, fesë, politikës, ekonomisë, diplomatikës, universiteteve, muzikës e sportit, duke e bërë të njohur atë edhe jashtë kufijve të Kroacisë.
Dr. Musa Ahmeti, G.Shqiptare
No comments:
Post a Comment