Tuesday, October 27, 2009

"Kujdes me mashtrimet me lotarinë amerikane"

Prej datës 2 Tetor e deri më datën 30 nëntor 2009 do të luhet Lotaria ndryshe për Grin Kartën Amerikane, e njohur në Anglisht si Diversity Visa - 2011 (DVS - 2011). Çdo shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe në çdo vend të botës përfshi këtu edhe SHBA-në ka të drejtë të aplikojë për këtë lotari të mirënjohur e mjaft bujare për shqiptarët.


Lotaria luhet në Internet në adresën
http://travel.state.gov/visa/immigrants/types/types_1322.html
Aplikimi është i lirë dhe pa asnjë pagesë. Çdo shqiptar kudo në botë ka të drejtë të aplikojë drejtpërsëdrejti dhe falas. Mjafton të zbatojë udhëzimet përkatëse e shumë të sakta të Departamentit Amerikan të Shtetit.



Çdo shoqatë, organizatë, person, që orvatet ta paraqesë veten si përfaqësues i shtetit apo i qeverisë amerikane, që ua shton shanset etj. Janë vetëm mashtrues që synojnë t'ju zhvatin paratë. Përzgjedhja e fituesve bëhet si në çdo lotari tjetër, pra vetëm nga fati juaj.


Përditë po dalin në skenë piramida të reja mashtruese. Ato ju njoftojnë me internet, me letër ose dhe me telefon se keni fituar Loto - Vizën 2009 për Grin Kartë në SHBA, se keni fituar miliona dollarë ose euro pa pasur luajtur asnjë cent, se është gjetur një thesar, ku ju mund të bëheni pjesë pa pasur asnjë lidhje me të ....


Letrat kanë në krye stema të falsifikuara shtetërore të SHBA-së. Letrat apo kërkesat që ju dërgohen me e-mail, me poste apo në çfarëdolloj rruge janë krejt të rreme dhe japin adresa dhe informacion mashtrues në Bangkok, Hjuston Teksas Uashington DC etj..... Madrid, Nigeri, Kanada, anekënd botës.... .


I vetmi qëllim i tyre është t'ju zhvatin paratë për shërbime, Grin Kartën. Këta mashtrues e kriminelë nuk harrojnë as t'ju ofrojnë edhe "bileta falas udhëtimi me aeroplan për në Amerikë".... Hajde bamirësi mafioze hajde!!


Ato jo vetëm zhvatin paratë tuaja, por edhe ju marrin informacion personal me shumë vlerë që e shfrytëzojnë për mashtrime të tjera si lotari milionëshe, vende pune në Perëndim... etj. etj. Sudja, Alimuca, Gjallica, Populli..... janë vetëm sardele krahasuar me këto piramida mashtruese.

Shekulli

No comments: