Wednesday, October 21, 2009

Shqipëria do të hyjë në BE së bashku me romët e saj

Nga ngjarjet me të veçanta të jetës sime, ka qenë në Çekosllovaki, kur u bë Kongresi i pestë i romëve të botës dhe u ngrit flamuri shqiptar. Thosha me vete, “More Guri, ja, edhe ti dhe diçka të veçantë për atdheun tënd, bërë të ngrihet flamuri me shqiponjën me dy krerë mes flamujve të të gjithë botës”.


Sigurisht që nuk është mirë që burrit t’i shikojë njeri lot, por, unë atë ditë... Dhe as që u përpoqa Që t’i fshihja ato. Ma do mëndja që, romë e Shqipërisë dhe autoktonët kanë shkruar gjithmonë mirë,kanë qarë halle me njëri-tjetrin dhe kanë qenë krah njëri-tjetrit, kur na kanë rënë halle kombëtare se p.sh përballimi krizës kosovare. Edhe atëherë më kujtohet që ne bëmë çmos që të strehoheshin sa e sa familje refugjate kosovare dhe romët shqiptarë, u çelën zemër bujarë dhe e ndanë kafshatën e tyre me ta.A do të kishte lezetin e vet shoqëria shqiptare pa këngëtarët rromë, pa këngët e vallet e tyre? pa prezencën e tyre të bukur dhe që jemi mësuar të gjithë. Frederiko Garcia Lorka, py rrom spanjoll i njohur për poezitë dhe trimërinë e tij të pashoqe ka pas shkruar “Një vend pa romë është një vend pa liri”. Mirëpo ne vëmë re diçka të dhimbshme. Sa më shumë që varfërohet populli, se dikush po pasurohet shumë e dikush tjetër po varfërohet, aq më dendur po lindin e rriten ndjenjat raciste që populli shqiptar nuk i ka pasur.
Ne e kuptojmë – fukarallëk, maskarallëk. Mirëpo, shqiptarët dhe Shqipëria vetë, tanimë po kërcasin në dyert e BE-së. Në kuadrin e reformave që kërkohet nga ky gjigand i bashkëjetesës evropiane, si BE-ja, qeveria shqiptare po bën shumë përpjekje. Deri edhe ligji për martesën e të njëjtit seks është miratuar. Sigurisht, kjo për të plotësuar kërkesat që duhen për të hyrë në BE.
Mirëpo...po dale bre, siç themi ne nga Korça, po janë dhe romët. Po kush të pranon në Evropë ore, pa rregulluar e sistemuar problemin e romëve? Secili nga politikanët e të të gjitha krahëve e di fare mirë këtë. Ata e dinin edhe në vitin 2003, kur u miratua e famshmja “Strategji”, e cila mbeti krejtësisht në letër. Vetëm në kuadrin e mbledhjeve dhe çfarë ka bërë ndonjë nga organizatat e shoqatat e romëve, ndihmuar nga ndërkombëtarët.
Kur duhet bërë shumë më tepër. Do të sugjeronim që të ngrihej një ministri për problemin e minoriteteve, apo ndonjë drejtori e veçantë që të merrej edhe me punësimin, strehimin dhe sistemimin e romëve anembanë vendit. Që të gjithë organizmat rrome të vendit tonë, i njohin mirë kërkesat e vjetra që ua kam përsëritur së pari unë, autoriteteve shqiptare dhe miqve të mi të shumtë politikanë të cilët më duan dhe i dua. Çfarë u prish, more motra dhe vëllezër, nëse jepet rregullisht një orë në jave një program vetëm për romët? Në Televizionin Publik Shqiptar; nuk them për televizionet private. E sa është ajo djall kostoje financiare për këtë gjë kaq të ndjeshme?



Na zuri goja lesh për këtë kërkesë – vetëm gurët në trastë. Por romët e Shqipërisë – mbi 130 mijë, nuk kanë as gazetë, as revistë. Bëmë aplikim herën e fundit te një fondacion zviceran në Tiranë që të na ndihmonte të ridilte revista jonë e romëve, dhe prit e prit, më së fundi na thanë se fatura financiare ishte e madhe. U kërkuam së paku pjesërisht që të kontribuonte, së paku për disa muaj, nuk na kthyen më përgjigje. Faleminderit edhe për kaq. Fundja ka kaq fondacione shqiptare, po ka edhe ministri, ka shtet, e përse duhet të sakrifikojë, për sado që kërkuam ne, një fondacion i huaj?
Edhe për sa na kanë ndihmuar më parë për të nxjerrë gazetën dhe revistën, i falënderojmë që të gjithë me gjithë zemër. Ama romët shqiptarë nuk kanë as gazetë, as revistë , as dritare e televizion e as ndonjë radio. Romët janë shtresa më e varfër e popullit dhe ata nuk kanë fonde as të ngrenë TV privat e as të përballojnë fondet për nxjerrjen e revistës së tyre. Kjo gjë dihet; është e qartë për të gjithë. Edhe nëse është i kapur ndonjëri prej romëve, as që bëhet fjalë të investojë në këto pika të kulturës e arsimit.
Ama, kur të përmbushë edhe kërkesat e tjera të BE-së, siç u përmbushën ata për homoseksualët e martesat e tyre, Shqipëria do të vejë në provim. Për të hyrë apo jo. Dhe BE-ja do të pyesë në kor: “Shumë mirë që e paskeni rregulluar problemin e homoseksualëve dhe martesave të tyre. Edhe këto të tjerat, shumë mirë. Por...pa na thoni një herë, si është puna e romëve? Si, more, as revistë, gazetë, televizion e radio nuk paskërkan? Ahaaaaaa".

President i romëve shqiptarë të “Amaro Dives” T.Observer

No comments: