Sunday, October 18, 2009

Miqtë e pushtetit nuk janë miq të Shqipërisë

I tërë tabori me ml (marksistë-leninistë nga ata "metrolinearët" që mblidheshin dikur në Tiranë) që na vizitonte aq shpesh në kohën e diktaturës së proletariatit, qenë rrogëtarë të regjimit të Hoxhës dhe nuk bëheshin fare merak nëse Shqipëria e atyre viteve qe vërtet "fanar ndriçues" i socializmit në Europë.

Atyre u interesonte vetëm të mbushnin dhëmballët e prishura nga përtypja e gjatë, të bënin pushime në vilat e udhëheqjes ml shqiptare, të merrnin rrogat kur të iknin, të lëshonin ato deklaratat mallëngjyese për "mrekullinë e socializmit shqiptar" dhe të prisnin me padurim për ftesën e radhës, që të nisnin nga e para të njëjtin cikël...

Cikli i mësipërm i metrolinearëve që mblidhte regjimi i Hoxhës për t‘i shtuar hosanrat edhe në gjuhë të huaja, i kishte dehur aq shumë pushtetarët e diktaturës, sa të porositnin kalemxhinjtë e pallatit të Lanës edhe për atë këngën e pabesueshme me refrenin paranojak: "Lum moj Shqipëri që na ke!"...

Në të gjithë historinë e shkruar të njerëzimit, edhe diktatorët i kanë thënë atdheut vetëm: "Lum që të kemi!", kurse pushtetarët tanë të diktaturës arritën ato kufij marrëzie sa t‘i thoshin dhe Atdheut: "Lum moj Shqipëri që na ke!"... Ndoshta qe pikërisht kjo shkallë marrëzie e pushtetarëve tanë të diktaturës së Hoxhës, ajo që i bëri dhe metrolinearët e botës të na quanin deri edhe "fener i kuq i Europës"...

Kjo hyrje më duket e nevojshme për të respektuar edhe atë brez të ri që deshi Zoti të mos e përjetonte kohën e Shqipërisë kur "Diktatura e proletariatit ishte demokracia më e kulluar", kur të gjithë "miqtë tanë të shtrenjtë" prisnin radhën për të dalë njëri pas tjetrit "tradhtarë të marksizëm-leninizmit dhe të shitur tek imperializmi amerikan", kur udhëheqja jonë e ndritur metrolineare e këshillonte Kinën e Maos të pushkatonte dhe Ten Hsiao Pinin, kur radhët e qumështit për fëmijët e vegjël nisnin qysh në orën dy pasmesnate, sepse tregu nuk kishte as gjizë dhe Shqipëria Socialiste dhe Popullore njëherësh merrte çmimin ndërkombëtar të "Ushqimit më të mirë për popullin"...

Duket sikur ndërkombëtarët po përpiqeshin t‘i kujtonin pushtetarët tanë, aq të dhënë pas industrisë së rëndë e metalurgjikut rrangallë, që të shtonin pak ushqime të domosdoshme në tregun ku miu thyente kokën. Por nuk kujtoheshin dot për këtë nevojë popullore pushtetarët tanë të diktaturës dhe as miqtë e tyre metrolinearë nëpër botë. Të parët e kishin të siguruar mirëqenien e tyre si shërbëtorë të diktatorit, kurse të dytët e kishin mendjen te përsëritja e ciklit: kongrese, mbushje dhëmballësh, pushime në bregdet, rroga të majme e deri shpërblime për të zhvilluar bizneset e tyre private, gjithnjë "në luftë me sistemin e kalbur kapitalist"...



Të gjitha ato që thashë në radhët e mësipërme, nuk kanë vetëm respektin për brezin fatlum që nuk e provoi diktaturën dhe "mrekullitë" e socializmit-feudalizëm ushtarak aziatik të regjimit të Hoxhës. Jam i detyruar të respektoj me ato radhë edhe kujtesën e miqve ndërkombëtarë të pushtetit të sotëm. Dhe dua t‘u them këtyre miqve, aq haptazi sa u thuhet miqve: Zonja dhe zotërinj të botës së lirë, kemi një traditë sa të gjatë dhe të hidhur në këto anët tona: Miqtë e pushtetit nuk kanë qenë, nuk janë e nuk do të jenë kurrë miq të Shqipërisë, sepse miqtë e pushtetit nuk mund të jenë edhe miq të shtetit të së drejtës e të vetë demokracisë!

Me gjithë respektin për përpjekjet e shumta dhe ndihmën bujare të institucioneve europiane dhe amerikane në këto vitet e pambaruara të tranzicionit tonë, tranzicion që duket se nuk merret vesh se për ku shkon pas rënies së diktaturës e më duket se nuk e marrim vesh jo vetëm ne si popull, por nuk po e merr vesh se për ku shkojmë as klasa jonë politike e mbetur tetëmbëdhjetë vjet në një klasë, po nuk e marrin vesh as miqtë tanë aq të dhënë pas pushtetarëve tanë të tranzicionit, në vend që të jepeshin pas demokracisë, që gëzojnë prej kohësh në vendet e tyre të zhvilluara.

Se nuk ka si të kuptohet ndryshe qëndrimi aq i habitshëm i mjaft miqve të pushtetarëve tanë të tranzicionit, kur na vizitojnë si mësues të demokracisë dhe na ikin si nxënës të pushtetarëve tanë. Na ikin për të na vizituar sërish, duke përsëritur po të njëjtin cikël: Takime vëllazërore me pushtetarët, dalje dhe nëpër tribunat e mitingjeve partiake si tifozë të pushtetarëve tanë, urimet për jetë të gjatë pushtetit të radhës dhe deklaratat si avokatë, jo të demokracisë, por të pushtetarëve tanë edhe në institucionet euroatlantike...

Të nderuar miq të pushtetarëve tanë, kudo që jeni në Europë apo në Amerikë, ne shqiptarët e thjeshtë presim me padurim që ju, si përfaqësues të vendeve me demokraci të zhvilluar, të na i mësoni paksa dhe pushtetarët tanë të radhës që të heqin dorë nga bindja e tyre e vjetër se "edhe demokracinë mund të zhvillojnë më mirë komunistët me shërbëtorët e diktaturës, të heqin dorë më në fund nga bindja e tyre se standardet e demokracisë mund të vonohen dhe ca kohë, duke pasur ca miq në institucionet euroatlantike...

Zonja dhe zotërinj të nderuar, që na vini si miq të thekur të pushtetarëve tanë të radhës, duke dëgjuar vetëm pushtetarët tanë si miqtë tuaj, ju nuk mund të përfaqësoni më as institucionet euroatlantike dhe as demokracinë e vendeve tuaja. Duke shpërfillur të drejtën e popullit për hir të miqësisë suaj personale me pushtetarët, ju arrini të shpërfillni jo vetëm institucionet që ju dërgojnë te ne, por edhe vetë popullin tuaj. Sepse, sikundër e dini fare mirë, zonja dhe zotërinj të nderuar, parimet e lirisë e të demokracisë nuk ndryshojnë dot sipas zjarrit të pritjeve që ju bëhen nga pushtetarët e vendeve të ndryshme, qofshin këta dhe pushtetarët tanë aq të përgjëruar për miq personalë në institucionet e rëndësishme euroatlantike. Tymi i pritjeve festive që ju sigurojnë pushtetarët tanë, nuk mund ta fshehë tymin e institucioneve të djegura të demokracisë... Duke dëgjuar vetëm zërin përkëdhelës të pushtetarëve, ju nuk i vini veshin as të drejtës së shenjtë të popullit dhe as vetë detyrës suaj fisnike për të ndihmuar demokracinë edhe në vende si Shqipëria jonë e varfër e tranzicionit rraskapitës, por na silleni edhe në Shqipërinë tonë të lodhur nga tranzicioni si të ishit në Afrikën Qendrore të Papa Bokut...

Si e kreu detyrën, për shembull, zotëria i nderuar Tom Rixh, që erdhi prej Amerikës së largët me synimin fisnik të këshillonte qeverinë tonë për çështjet e sigurisë? Mori rreth 500 mijë dollarë shpërblim dhe duket se e mësoi qeverinë tonë vetëm për dy gjëra: të mbante të fshehtë shpërblimin që i dha atij për punën e këshilltarit të sigurisë me shënimet e Fazlliçit dhe të shpëtonte nga drejtësia fajtorët e krimit shtetëror të Gërdecit, por nuk na e rriti dot sigurinë sa të shpëtonte ata 26 qytetarët e pafajshëm të mbetur në kraterin e Gërdecit, as të shpëtonte ata qindra qytetarë të plagosur dhe as ato fshatra të tëra të rrënuara nga shpërthimi i korrupsionit të qeverisë sonë, të këshilluar prej tij për problemet e sigurisë...

Na erdhi për vëzhgimin e zgjedhjeve ambasadorja e nderuar Gllover, që kishte thënë të vërtetën pa dorashka për një palë zgjedhje të kaluara e ta paharruara, por na zemëroi shumë pushtetarët tanë dhe kjo e detyroi zotërinë e nderuar Grosruk të vinte me një frymë për të qetësuar mikun e vet pushtetar në Tiranë. Dhe rezultati qe një raport kaçamak bajat për zgjedhjet e 28 qershorit, një raport ku frazat hedhin poshtë njëra-tjetrën në mënyrë aq skandaloze, sa duket më shumë si ato raportet e komisioneve tona parlamentare me dy konkluzione të kundërta...

Në atë raport, gjysma Grosruk e gjysma Gllover, quhen si progres:

a- Kartat e identitetit - a thua se nuk u lanë pa to rreth 300000 zgjedhës shqiptarë e nuk u seleksionuan më tej prej pushtetarëve partiakë edhe mijëra të tjerë, duke u hequr kështu të drejtën e votimit qindra mijëra shqiptarëve. Vërtet harron zotëria i nderuar i OSBE-së se edhe me kartat e identitetit zanatçinjtë tanë të manipulimit mund të vjedhin vota po aq sa dhe me certifikatat?...

b - Lista elektronike e zgjedhësve - a thua se hedhja në kompjuter e një liste zgjedhore, ku voton dhe vetë i ndjeri Shefqet Vërlaci, është vërtet një progres në standardet e zgjedhjeve...

c - Pajisja me video e qendrave të numërimit - duke harruar se po në atë raport thuhet se "në 1/3 e qendrave të numërimit, numërimi i votave qe i keq ose shumë i keq"... Kësaj, zotëria i nderuar Grosruk, nga anët tona të pamësuara sa ju me zgjedhje të lira e të ndershme, i themi thjesht: "Hiç po Habili"... Po qe se kini dhe ju aq vështirësi sa thonë pushtetarët tanë se paskan rusët në përkthimin e shqipes, nuk është faji i shqiptarëve. Shqiptarët e përkthejnë saktë Stalinin dhe e dinë mirë që ai mbante për vete vetëm numërimin e votave, se të tjerat nuk i hynin fare në punë... Këtë mangësi të vogël e keni vënë re dhe ju në raportin tuaj e prandaj nuk merret vesh se nga e nxirrni atë konkluzion aq të bukur që "zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri qenë një hap përpara, pasi qenë më të mira edhe se të mëparshmet, por patën vetëm ndonjë mangësi të vogël si numërimi i votave"... Përpara për ku shkon ky hap i hedhur në zgjedhjet e 28 qershorit, zotëria i nderuar Grosruk, në qoftë se numërimi i votave ishte i keq apo shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit? Sa deputetë mund të shpiken me këtë numërim të shpifur? Vërtet nuk e dini ju se 1/3 e votave të numëruara shumë keq mund t‘u ndërrojë krahun 15% të deputetëve të Kuvendit të ri shqiptar? Vërtet nuk jeni kujtuar të bëni llogarinë më të thjeshtë, apo ajo llogari e thjeshtë nuk është në interesin e miqve tuaj pushtetarë?...

Ja pse nuk është faji i shqiptarëve, zotëria i nderuar Grosruk, por i miqve tuaj pushtetarë, nëse shqiptarët lihen jashtë votimeve me qindra mijëra, nëse dhe opozitës i shkelet e drejta ditën për diell edhe nga juristë që shkelin ligjin duke recituar edhe deklaratat tuaja si deklaratat e pushtetarëve, të cilëve u shërbejnë verbërisht edhe në kundërshtim me ligjin... Nuk është faji i shqiptarëve nëse raporti që i mbani ju atij institucioni të lartë të Europës së Bashkuar, është një raport as mish as peshk, që nuk u duhet as shqiptarëve të penguar edhe nga ju për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, nuk i duhet as Europës dhe as Amerikës mike të lirisë e të demokracisë së shqiptarëve dhe jo të pushtetarëve të tyre stalinistë. Ai raport u duhet vetëm miqve tuaj pushtetarë në Tiranë, që u siguron dhe ca kohë më shumë në pushtet, duke u mohuar shqiptarëve një gjë çuditërisht të shpërfillur me aq lehtësi në raportin tuaj, u mohon - shqiptarëve që nuk janë miqtë tuaj personalë - të drejtën e shenjtë për administrimin e ndershëm të votës së tyre. Këtë të drejtë edhe shqiptarët e tranzicionit të gjatë të udhëhequr nga komunistët stalinistë të Partisë së Punës e kanë të garantuar në letër nga të gjitha Konventat Ndërkombëtare dhe është detyrë edhe e institucionit që përfaqësoni ta ndihmojë atë garantim realisht me çdo mënyrë demokratike e jo t‘ua mohojë për hir të miqësisë suaj me pushtetarët tanë të radhës. Ja pse miqtë e pushtetit nuk mund të jenë miq të vërtetë të Shqipërisë.

Daut Gumeni, Shqip

No comments: