Hajde, doddi ovamo. A po m’ndigjon. Zzuri!”. E dëgjoj bash mirë. Por, nuk di si t’ia kthej, njeriut që më thotë t’i afrohem dhe më nguc.
Në Mal të Zi, është e vështirë që t’i dallosh shqiptarët me malazezët e provincës. Ia kthej serbisht. I shpjegoj se dua të iki në Danilovgrad. Pak i intereson. Minuta më pas, e ndjej teksa kuturiset me një gegnishte të butë, drejt një miku të tij. Zgërdhihen të dy. Janë zhytur në kënaqësinë e tyre, duke përfolur me epsh format e një gruaje të re matanë. Tejet, një grua e pambajtur malazeze, që është në shalter-in (sportelin-serb.) e stacionit të autobusit, më jep një shpjegim blic. Numrat e orarit duket sikur i rrotullohen në gojë. I them të mi përsërisë dhe nëse:...A ka mundësi shqip?! “Pak di...”, ma kthen shqip. Dreqin, jam në Ulqin...
Në Mal të Zi, është e vështirë që t’i dallosh shqiptarët me malazezët e provincës. Ia kthej serbisht. I shpjegoj se dua të iki në Danilovgrad. Pak i intereson. Minuta më pas, e ndjej teksa kuturiset me një gegnishte të butë, drejt një miku të tij. Zgërdhihen të dy. Janë zhytur në kënaqësinë e tyre, duke përfolur me epsh format e një gruaje të re matanë. Tejet, një grua e pambajtur malazeze, që është në shalter-in (sportelin-serb.) e stacionit të autobusit, më jep një shpjegim blic. Numrat e orarit duket sikur i rrotullohen në gojë. I them të mi përsërisë dhe nëse:...A ka mundësi shqip?! “Pak di...”, ma kthen shqip. Dreqin, jam në Ulqin...
Në Podgoricë
I bindem instinktit, sipas të cilit në Ballkan është më mirë të fillosh rrugëtimin nga kryeqyteti. Podgorica e ditëve tona, është tejet larg Titogradit (emrit të saj deri më ’90), kur ne e kundronim në televizion dhe si simbol i qytetit ishin pesë pallate të larta. Një orë e gjysmë më vonë jam atje. Stacioni i Podgoricës ka mbetur i njëjtë. Po aq i vjetër, vetëm se është shtuar ai grepshi rrotullues, që nuk të lë të dalësh nga stacioni, pa check-out biletën. Në kujtesën time ka mbetur viti 1991, koha e Luftës së Kroacisë, kur isha duke pritur një autobus mesnate, që do të më përcillte në Rijekë...Pak ‘larg’, por ndanë luftës. Vetëm 150 metra më tutje, në lulishten, nga ku kujtoj paramilitarët, është bërë një ndërtesë shumë-funksionale dhe një klub bash i mirë. Pranë është sërish muri i vjetër. E shikoj më ëndje, mikun e vjetër material. Pallati, nga ku dilnin dikur paramilitarët me ngazëllim dhe tërsëllimë me kamat që u rrëshqinin deri afër gjurit, është po ai. Por është qetësi. Familje të qeta qytetarësh të mesëm shikojnë moskokëçarës, poshtë aparateve të plakur të kondicionerëve. Në një shtyllë, afër, ka mbetur ende një slogan i ndeshjes Mali i Zi-Italia, “Hajmo Cernagorci”... Shqipen e dëgjoj rastësisht nga një grup shqiptarësh, që ankohen për diçka mesveti, në rrugën që të çon në qytetin e vjetër. Çuditërisht kanë zënë paralel të gjithë trotuarin dhe janë të veshur jo mirë. Frizura u ka mbetur me kohën e Zdravko Çoliq...Ankohen. Të gjithë. Në stacion. Në rrugë. Në kafiç. Duke ardhur, kam lexuar tek “Vijesti” se në Nikshiq sindikatat kërkojnë punë për 900 punëtorë dhe jo 600. S’i dëgjojnë. Zonja Krizë ka sjellë dhuratë kudo shkurtime, ndërsa Euro dhimbet. Qoftë dhe këtyre qyqarëve shqiptarë, që po bëjnë aq poterë. Mali i Zi nuk mund të bëjë gjëra të tjera veç reformave të mëdha, sipas shefit të Bankës Botërore, Jan Peters Olters. Dhe, malazezët duhet ta dinë mirë këtë. “Nissta... Oni ne razumi”, më thotë Relja, një miku im gazetar serb, që më rrëfen shpesh anektoda me ta. Qeshim shpesh, kur kujtojmë se Mali i Zi ka të mbushur personazhe, duke mos harruar dhe që shumë syresh kanë emrat e famëkeqëve Radovan Karaxhiq...Sllobodan Millosheviq, Blazha Jovanoviq...Personalisht, nuk më duken aq budallenj, sa i duken mikut tim serb. Me skuthllikun e zakonshëm atavik, pak kohë më parë- gati ua mbyllën të vetmin zë në median e shkruar, shqiptarëve. “Koha Javore”, që është e vendosur në një vend si të harruar në “Bulevar revolucije” u paratha të mbyllej me argumentin e krizës dhe botimin pastaj thjesht si shtojcë e ‘Pobjedës”, pjesë e të cilës është. Dhe, minutat e pakta në televizionin publik shtetëror në gjuhën shqipe nuk mjaftojnë për asgjë. U sensibilizua. Justifikimi? Kriza!!! Diçka duket se po kalon. Mundohem të lidhem me një kolegun tim shqiptar, redaktor te “Koha”, por ai ma kthen se është në Oslo. Nedeljko Raduloviq, një koleg tjetër- mik i vjetër, që në vitet e fundit është bërë i njohur, më thotë se është në Vjenë. Mbyllur. Kudo. Mbyllur. Për fat, në qendrën e re të Qytetit, që është përshtatur vetëm për këmbësorët, është një librari moderne. Atje marr me të mirë kohën. Janë të njohurit serbë Paviq, Kish, Basara, librat e të cilëve qëndrojnë bashkë. Shqip kurrkund. Vetëm se shqiptarët mbesin ende fajtorë për gjendjen e tyre. Kanë të njëjtin numër deputetësh katër edhe pas marsit ‘09, njësoj si më 1990 dhe 1996, por janë gjithmonë të palidhur me njëri-tjetrin për pozitën dhe statusin e bashkëkombasve. Kjo i bën malazezët t’i soditin, dhe t’ua marrin të drejtat pak e nga pak. “Vijesti” këtë ditë lajmëron faktin se po bëhet një klub i politikës shqiptare, por pa Dinoshën. Asgjë nuk kupton nga media ballkanike një i huaj. Kujtoj një publiciste amerikane, që më pyeste 15 vjet më parë për Fatos Nanon...”Pse është në burg ky. Çfarë krimi ka bërë?”. Eh. Çfarë mund të bëjmë ne veç tollovisë?! Ndërkohë malazezët ecin. Me fytyrën e zakonshme të përvuajtur Mali i Zi ka marrë investime pa fund, por të gjitha tashmë derdhen në qytetet e saj bregdetare dhe kuptohet në kryeqytetin e vendit, që ka ndryshuar krejtësisht. Shqiptarët rrinë dhe i vështrojnë. I ndihën për pavarësinë. U binden. Kurse, qyteti që dikur ruante emrin e Mareshallit Tito dhe rrotullohet i gjithë pas hotel “Crna Gorës”, pak kujtohet për ta. Instiktivisht i jam afruar pjesës së vjetër dhe varoshit të vjetër që është te xhamia. Edhe ajo po transformohet nga pak. I ngjan si dy pika uji, lagjeve të traditës së Shkodrës. Fakti është se ky vend, ka qenë thjesht një vend i shqiptarëve dhe si avanpost i mbrojtjes së tyre për Shkodrën hijerëndë. Në vend të kullave të vetme tashmë janë dy ose pak më shumë qendra të mëdha tregtare, që kundrohen që këtu. Malazezët ngatërrohen kur u thua qendra e qytetit: Kanë këtë të vjetrën ku është sahat Kulla dhe atë të renë. “Nisam vidio sahat”, i them dikujt sepse nuk po shoh orën e qytetit të vjetër...”Tamo je, ne ide”, ma kthen një burrë bashkë me të shoqen, duke qeshur dhe më shpjeguar se nuk ka ku të shkojë. Kur, kjo funksiononte, këtu ishin zyrat periferike të tregtarëve shkodranë Jak Bianki, Ndrekë Muzhani, Ndrekë Çoba, Filip Parruca, Pjetër Suma...Ata dërgonin artikuj importi kafe, sheqer, stofra, leshi, pambuku..., shkruan studiuesi Zija Shkodra. Sot, kohët kanë ndryshuar, sapo-evropianët të kërkojnë 10 euro për ‘ekolosskog poreza’ (Taksë ekologjike) dhe 30 euro për prikolici (rulotët). Kjo i ka bërë evropianët e qëmotit, që të mendohen kur vijnë. Jo më kot, 6250 turistë që janë në këto ditë përbëjnë gati 16% më pak se një vit më parë...Kurse 1.1 milion turistët e parashikuar duken si utopi, që të vijnë më në këtë vend. Lëvizja në dy bursat e Malit të Zi në tre muajt e parë të 2009 ka lëvizur nga 54.29 milion euro, që do të thotë 4,5 për qind më pak sesa të njëjtën kohë një vit më parë...Ndërmarrjet kanë rrudhur kapitalet dhe po aq edhe xhepat e njerëzve. Shqiptarët më shumë akoma. Kanë mbetur një grusht në Podgoricë, që u duhet të mbijetojnë. Janë të shkrirë, por pak adresat që kemi duket se nuk na e kanë ngenë në këtë fundjavë. “Ani, herën tjetër po”, më thotë nga pas telefonit, një zë i këndshëm gruaje intelektuale, që nuk do të më flasë për shqipen. A do të ketë vallë herë tjetër? Në Podgoricë mësohet në Universitet shqip, dhe ish Ambasadori i Federatës Jugosllave Marko, një shqiptar i besimit katolik, jepte mësim këtu. Për fat, shqipja ruhet vetëm në fiset e paepura katolike, që janë në kufij me Shqipërinë. Sa për qytetarët, duket se ata e kanë braktisur me kohë, më thotë një kosovar. Iki nga varoshi. Xhamia është e mbyllur?!!!
Intermexo
Nga fundi i shekullit XVIII, borgjezia shqiptare nisi të përdorë dhe shqipen e shkruar me alfabetin latin. Ky fenomen që nisi nga mesi i shekullit të XIX u shtua dhe vazhdonte dhe përbënte një nevojë të dorës së parë, jo vetëm në marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore të shtresës tregtare të pasur por edhe të borgjezisë kombëtare e në disa raste dhe të mikroborgjezisë me shtrirje deri në Podgoricë, shkruan Shkodra.
Mali i Zi, sherr dhe me serbët
Atëbotë, Shkodra kishte në vartësinë e saj shtatë sanxhaqe të mëdha, të cilat përfshinin një zonë të gjerë bujqësore-blegtorale që shkonte nga Tivari, Ulqini, Podgorica...Tregtarët shkodranë arritën ta bëjnë institucion gjuhën e vendit të tyre...Anipse, Shqiptarët sot, i druhen gjuhës së tyre. Përçarja i bën të ngatërruar dhe pak qesharakë. Për ironi të fatit, tashmë me gjuhën po vuajnë dhe serbët. Në vazhdën e modifikimeve gjuhësore, sllavët malazezë, po mundohen t’i shmangen serbishtes, në pak elementë, duke i lënë vëllezërit e mëdhenj të tmerruar. Pak të poshtëruar. Në Podgoricë, shqipja e vetme është e pak banorëve dhe e ndonjë njeriu në stacion, që ngutet të shkojë në perëndim të vendit mikroskopik. Në dokumente, malazezët stërbetohen se respektojnë standardin evropian. Respektin e pakicave. S’duket aq e vërtetë. Shqiptarët po e humbin dukshëm gjuhën, por tashmë me luftën e butë me pambuk. ‘Njësoj’, Presidenti i SNS Momçilo Vuksanoviç kërkon kthimin e gjuhës serbe në fillore dhe të mesme dhe vendosjen e lidhje së drejtë të institucioneve të Malit të Zi me Serbinë. “Vërtet, problemi i vetëm i Malit të Zi është Serbia”, thotë këto ditë Gjukanoviç. Për ne, është ai problemi. Burokracia e bashkëpunëtorëve të tij nuk na e mundëson një intervistë. Po Z.Gjukanoviç ka dhe probleme të tjera. Serbët u kërkojnë malazezëve të kenë kujdes për dy shtetësinë në pasaporta. Ivica Daçiç Ministri i Brendshëm serb, është i zemëruar. Malazezët, sikur të mos ekzistojë fare Serbia- japin një reportazh të gjatë të “Crna Gora” moj dio planete, ku të rinj pastrojnë në Cetinjë, Nikshiq, Kolashin, Rozhaje, Mojkovc, Beranë, për sezonin e ri. Budva, tashmë zonja e rëndë, e turizmit vendas, ka mbledhur të gjithë angazhimin vendas. Shqiptarët atje janë gjithnjë e më pak. Por, të ardhurit nga Shqipëria, gjithnjë e më shumë. Për fat, shumica e tabelave janë pa ciriliken e lodhshme...Dita po i afrohet fundit. Në një dyqan Cd-sh, ku shtyj minutat e fundit, shikoj se janë Cd-të kushtuar Karaxhiqit. Pastaj turbo-folku sllav.
Edith Durham
Të nesërmen në mëngjes, malësorët më shoqëruan te Qafa e Kishës dhe pastaj me kalin u drejtuam për në Podgoricë, pas një përpjekje të vendosur nga ana e kalit që donte të shkonte ose në shtëpinë e vet të vjetër, spitali në Tuz ose në kullën turke të djegur në kufi. Ishte mbrëmja e 3 nëntorit, kur arritëm të lodhur në qytet...Malazezët ishin tërbuar nga dështimi i bisedimeve për dorëzim. Kështu kam shkruar në atë kohë:”Urrejtja dhe egërsia e tyre janë të tmerrshme. Ata nuk bëhen merak në qoftë se fëmijët myslimanë do të vdesin nga uria; ata deklarojnë se do të asgjësojnë gjithë popullsinë myslimane. Malësorët janë të zemëruar me qëndrimin malazias dhe unë parashikoj se në të ardhmen do të ketë ndërlikime të mëdha”...Në Podgoricë, kur misri iu shpërnda grave, të cilat i kishin burrat në front, katolikët më kot kërkuan ndihmë dhe në vend të saj morën fyerje. U njoftua dhe besohej se batalionet e shqiptarëve, që ishin shtetas malazias, me qëllim ishin vënë në pozicionet më të rrezikshme. Podgoricanët zbaviteshin duke vizituar dyqanet e tregtarëve katolikë dhe duke u përshkruar atyre mënyrat me të cilat të afërmit e tyre në Shkodër do të masakroheshin sapo të binte qyteti. Një ditë një i ri me uniformë oficeri u ul afër meje në tryezë dhe u lavdërua se brenda dy vjetëve asnjeri nuk do të guxonte të fliste Shqip në Shkodër.
Për në Ulqin
Po i drejtohem në fakt stacionit. Ia vlen me u qetësu, pas një udhëtimi të pafatë, që të prehesh në një qytet shqiptar. Kujtoj shkrimin e Durhamit dhe çuditem sesi Zonjës i kemi marrë gjithnjë më të mirat. Ajo vetë duket se ka shkuar po aq mirë dhe me serbët dhe malazezët. I kemi vlejtur eksplorimeve të saj antropologjike dhe etnografike. Është vonë, ndërsa një ushtar i ri, pranë meje mbllaçitet fort. Mbase, ndonjë paraardhësi të tij, Durhami i ka rrëfyer se shqiptarët e ruajtën gjuhën dhe me Romën, Bizantin, turqit dhe... flasin sërish shqip..ndërsa Ju...”Shkojmë mirë, gjithsesi me shqiptarët”, më thotë një burrë i vjetër, me të cilin vrasim minutat e mbetura, para se të largohemi. Më pyet pastaj për Shkodrën. Në shtatëdhjetë vitet e jetës së tij, nuk ka qenë asnjëherë dy orë më tej. Hija e Shkodrës i mbyt ende cërnagorasit...Ka pllakosur e tërë mbrëmja dhe më duhet të largohem. Me vete kam libra dhe zhgënjim. Nuk kam mundur të bëjë një intervistë, ndërsa njerëzit thjesht më kanë konfuzuar. Shqipja? Më ka ndihur pak. Duan t’ia presin krahët shqipes malazezët dhe në këtë punë duket se u po u vijnë në ndihmë dhe shqiptarët. Kur mbërrij në Ulqin më duket sikur jam në vendin tim. Intim. I këndshëm dhe shumë arkaik, të jep përshtypjen e Qafës Pazarit në Gjirokastër në Bulevardin Skandërbeg dhe më tej, fill poshtë këmbës së Kështjellës zulmëmadhe të Balshajve, ...edhe pak Sarandë. Ulqini vajton kohën e shkuar, ndërsa një banor, që ka një klub bash përballë xhamisë në qendër, më rrëfen sesi mblidheshin turistët gjermanë dhe kundronin myezinin, që këndonte me zërin e tij mbi minare. Po më bën diçka për të ngrënë. Zhduket. Vjen. Ndërrojmë pak muhabet. “Allahile, tash këndojnë me magnetofon. Nissta ne mogu da ccujess”, ma kthen serbisht me brengë. “Pse serbisht”-i them. “Ani ka mbet”. Po kështu ma kthejnë të rinj, që i pyes për një adresë. Dy djelmosha kosovarë nuk orientohen njësoj si unë. Për fat, ata i kanë thënë vërtetë lamtumirë serbishtes. Duhet t’i ndih unë serbisht me shqiptarët. Duket se aromën e shqiptarëve do e ndjej pak orë më vonë në ag, kur dua të gjej në Merajë, familjen e njohur Mani. Në fakt janë Maniç dhe brez pas brezi ruajnë tyrben e famshme, ku është i vendosur trupi i Mesisë së rremë Sabbatai Zevit, që vdiq pikërisht në ditën e Shpërblesës (sipas kalendarit hebraik 54337 apo shtator te vitit 1676), dy javë para se të ishte pesëdhjetë vjeç. Një grua e re më dërgon atje, por më lutet, që të mos fotografoj. Asllani, i mbeturi gjallë i vëllezërve Maniç, është përgjegjësi kryesor i tyrbes, që nuk hapet. Është krenar për shqipen, ndërsa më paralajmëron se më do të mirën, që s’më le të fotografoj, sepse hija e tyrbes të shiton. Përreth janë varret me elementët e funebrit Islam të familjes. Më tej një tyrbe e Resulbegut. Shikon mbi Pazar dhe dëgjoj, që ka qenë njeriu, që ka pritur Krajl Nikollën këtu. E pyes burrin për shqiptarët dhe gjuhën: Po e vështirë të mbahet gjuha, më thotë burri. Çelet pak nga pak, ndërsa po aq ngadalë i vjen dhe adhurimi për Shqipërinë. Ende është e bukur shqipja, kur e dëgjojnë nga shqiptarët. Familja e tij është një nga familjet më të vjetra të Ulqinit dhe falë tyre është ruajtur dhe një pjesë e integritetit shqiptar. Ndahemi me burrin, por më tej tregut krahasojmë çmimet. Na pyesin serbisht, por dy vajza të reja, që kanë mallin, kënaqen duke folur shqip dhe na kundrojnë për shqipen letrare. Një ditë më pas, një njeri i letrave, Hajro Ulqinaku, me një të folur gati metaforike më thotë se malazezët po ua marrin pak nga pak shqipen. Si ka të ngjarë-i themi. “Po në shkolla nuk ka mësues. Malazezët janë kudo”. Malazezët janë vetëm 10% në qytet por të mjaftë që t’ua shtypin pak nga pak kokën shqiptarëve. Që tash merren vesh mes tyre më shumë sllavisht. “Janë dy elementë në popujt bilingue që kanë lidhje me ruajtjen e gjuhës: Prestigji dhe shkollimi, më ka thënë Znj. Eda Derhemi pedagoge e shkencave të Komunikimit në Illinois. Nëse nuk e shikon këtë mos bëj gjykime”. E ka të vështirë ta kuptojë shpjegimin tim edhe pse shqiptarët e diasporës i njeh shumë më mirë se unë. Nuk më bëhet t’i them se Ulqini është simboli i rënies së shqiptarëve të Malit të Zi. Në vendin, që ishte perla e ish-Jugosllavisë dhe e përkëdhelura e turistëve evropianë, tash është bërë një aneks dhe për malazezët. Shtëpi të tëra bosh. Papastërti. Çmime të larta. Zhgënjim. “Vijesti” i trullos dhe më shumë ulqinakët, kur jep lajmin se Sheiku Isa i Emirateve Arabe, një nga familja e njohur e Al-Nihijan në Abu Dabi, që do të marrë një segment të madh plazhi në Ada Bojana, është paraqitur në një foto marrë nga një vidio e NBS-së duke torturuar një tregtar. Ka pak edhe lajme të mira sepse britanikët e CUBUS LUX kanë përgatitur një projekt për plazhin e Ulqinit, Valdanos, por fjalë dhe fjalë. Në garë janë dhe rusët. “Ah të ktheheshim si më parë. Të gjithë do t’i bënim”, më thotë Resmiu, pronari i hotelit, ku kam ndenjur dhe që ka të shënuar gjermanisht, anglisht dhe serbisht që jep dhoma. Kamarieri i tij shqiptar flet shumë mirë gjermanisht dhe anglisht, serbisht...dhe dobët shqip. Do të ndryshojë thonë ulqinakët dhe presin. Të kujtojnë pak vlonjatet dhe sarandiotët në pritjen e tyre gati ‘homerike’ për klientë. Por, Zoti nuk është gjithnjë kaq dashamirë. Të gjithë presin gjermanët, si dikur. DPA, në këto ditë shprese të tyre, ua ka kthyer serbisht: Nestassica struje i vode(pamjaftueshmëria e energjisë dhe ujit), nedostatak puteve ( rrugët me të meta), loss servil (Shërbimi i keq), visoke cijene(çmimet e larta) i nekontrolisana gradnja mogli bi cernogorski turizam da dovedu do bankrotstva, që me pak fjalë shpjegohet se s’janë larg falimentit...
...
Këto janë nga punët më të domosdoshme të kryebashkiakut, që një mbrëmje e hasim, teksa përuron me botuesin Fatmir Toçin, kujtimet e ish-presidentit Moisiu. Janë shumë shqiptarë të pranishëm, në një sallë të vogël të Pallatit të Kulturës. Për fat, flitet shqip. Kjo s’mjafton për ish-portin e Shkodrës, që kur iu aneksua Malit të Zi më 1880 filloi të rrudhej dhe rrudhej pafund. Dhe, humbja më e madhe e këtij vendi, është shqipja. Atë që e flasin, gjithmonë e më pak të rinjtë dhe moshat e mesme. Këtë e ndjej, kur me një shofer shkodran kthehem pas. “Ej deda, ponovo. Je mirë”-i thotë një malazez çapraz në kufi të vjetrit. “Dreqin sa e duen paranë këta. Po na mësojnë dhe gjuhën”, më thotë plaku. Ikim. Ngucemi.
Para nje muaji nje student shqiptar nga Tuzi cuditerisht me tha se kuotat e shqiptareve te Malit te Zi ne Tirane mbeten gjithnje te pazena. Fakt eshte qe nje pakice e vogel e tyre studiojne ne Tirane, Prishtine apo Gjakove, mirepo shumica e te rinjve studiojne neper Podgorice, Kotorr, Budva, Tivar, Sarajeve apo Dubrovnike, me nje fjale jo shqip!
Nuk duhet te krenohemi vetem me te kaluaren, por duhet te shikojme drejt e ardhmes. Edhe pse ka shume prej shestansave qe e shprehin publikisht qe Gjon Buzuku kinse nuk ka sherbyer neper viset e Shestanit. E vertete eshte qe nje plage e madhe por nuk duhet te vetekenaqemi me kete realitet kur shumica e femijeve te tyre nga Tivari apo Ulqini preferojne me teper gjuhen sllave. Arsyet i kam shume te qarta, sepse femijet e tyre parapergatiten me kete lloj gjuhe "jo-shqip" per diplomim ne te ardhmen neper fakultete te PG!
Tash lind pyetja pse Ulqini (qytet me shumice shqiptare) nuk hap ne nje te ardhme te shkurter ndonje Shkolle te Larte apo Fakultete qe te rinjte e tyre t'i mbaj ne gjirin e saj!??
E rikthesoj qe organizata te ndryshme e revista si Malesia, Buzuku, Zani i Shna Ndout (reviste e fretnve te Tuzit) apo gazeta "Koha Javore" kryejne nje pune kolosale. Por eshte problem pasi qe ato behen me tirazh mjaft te kufizuar pasi qe mbare populli yne nuk e ka aq per deshire leximin. Flas ne pergjithesi, mjafton t'i degjosh edhe gazetaret e Shqiperise apo Kosoves qe ankohen per gazetat e tyre qe nuk shiten gjithsej.
Po ashtu kam verejtur qe neper fshatra te thella te Lezhes (psh. imagjino Torovica!!) shihen me mire TV Malazeze (nder to edhe BOIN e Teuta) qe jane ne shqip. Duhet me teper vemendje nga te dy shtetet shqiptare tashme.
Megjithate mos te harrojme se edhe ne Prizren para do koheve u vinte turp te flisnin shqip shume qytetareve. Pra si ne Prizren apo si ne Ulqin dikurshem si ne Stamboll, ku qytetareve shqiptare u vjen turp te flasin gjuhen e vulgut e te barinjve, e flasin nje gjuhe tjeter ckado.
Ndoshta do ishte e nevojeshme nje studim i tradites qytetare shqiptare dhe nje ridemsionim i saj. Se te vjen keq qe Malesia e Tuzit apo zonat e Ulqinit elementi gjuhesor i shqipes eshte duke u dobesuar. Duhet me teper vemendje per keto "plage"! Fund-prilli 2009
MAPO
No comments:
Post a Comment