Rritja e numrit të përdoruesve të alkoolit në Shqipëri pas viteve '90-të e ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë që të hartojë një strategji të veçantë, e cila parashikon të zbusë këtë problem me pasoja sociale.
Të dhënat paraprake flasin për një numër tepër të madh të të alkoolizuarve në vend, që arrijnë në masën 20% të popullsisë. Ndërkohë që 2.1% e saj është e dehur çdo ditë. Për specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, implementimi i kësaj strategjie parashikon marrjen e disa masave që synojnë të çojnë në veçanti uljen e numrit të të alkoolizuarve minorenë në vend. "Sipas studimeve të bëra nga ky institut, 1.5% e popullsisë mbi moshën 15-vjeç janë alkool-vartës, ndërkohë që 20% e popullsisë janë përdorues të alkoolit. Shqipëria po bëhet si Gjermania për sa i përket përdoruesve të alkoolit. Kjo strategji synon të ulë kontrabandën e alkoolit në vend dhe të rrisë akcizën e pijeve alkoolike", - ka deklaruar Roland Shuperka në Komisionin e Shëndetësisë.
Strategjia që synon t'i japë zgjidhje këtij problemi shqetësues për shoqërinë u diskutua në komisionin e shëndetësisë. Ndonëse u vlerësua si hap pozitiv, pati edhe rezerva për implementimin e saj. Tritan Shehu theksoi se, "që të mos dështojmë si me duhanin, duhet të merrni në konsideratë promocionin për këtë draft, pasi me duhanin kishim 6 muaj kohë dhe s'e bëmë". Në bazë të studimeve të bëra nga ISHP-ja, rreth 40% e meshkujve në moshë aktive janë alkool-pirës dhe 5 për qind e femrave në vend parapëlqejnë të marrin alkool në mënyrë sistematike.
Sëmundja
Vartësia që krijojnë shumë persona nga pijet alkoolike përbën një sëmundje, e cila në këto vitet e fundit në vendin tonë po përhapet në masë të madhe, jo vetëm tek femrat por edhe tek të rinjtë nën 18 vjeç. "Alkoolizmi është një sëmundje. Dëshira e papërmbajtur për të pirë alkool mund të jetë aq e fuqishme sa edhe ajo për ujë apo bukë. Një alkoolik do të vazhdojë të pijë pavarësisht nga problemet familjare, legale apo shëndetësore. Si shumë sëmundje alkoolizmi është kronik, që do të thotë se ai mund të zgjatë gjatë gjithë jetës së një personi. Zakonisht ai ndjek një ecuri të parashikueshme dhe ka simptomat e veta. Rrisku për t'u bërë alkoolist varet si nga gjenet, ashtu edhe nga mënyra e jetesës se personit", - ka bërë të ditur Shuperka. Sipas tij, studimet tregojnë se alkoolizmi ka bazë familjare. Trashëgimia e gjeneve të një personi e shpjegon pjesërisht alkoolizmin, por edhe mënyra e jetesës është një faktor. Aktualisht po punohet për të zbuluar rolin e gjeneve në alkoolizëm. Shoqëria, stresi si dhe disponueshmëria e alkoolit janë faktorë të tjerë që rrisin riskun e alkoolizmit. Ai tregon se "në stadin aktual alkoolizmi nuk mund të kurohet. Edhe pse alkoolisti mund të ketë një kohë të gjatë që nuk ka pirë, ai prapë do të bjerë në një 'mëkat' të ripirjes. Që të mos ndodhë kjo, ai duhet të shmangë pijet alkoolike". Ndërkohë që pika së cilës ai i mëshon fortë është që gratë shtatzëna të mos konsumojnë pije alkoolike, sepse e pira gjatë shtatzënisë është e rrezikshme. Alkooli mund të ketë një numër efektesh tek fetusi. Fëmija mund të lindë me vonesë mendore ose me probleme të të mësuarit apo sjelljes, që mund të zgjasin për gjithë jetën. Dihet që këto probleme mund të parandalohen 100% nëse nuk pihet alkool gjatë barrës. Mënyra më e mirë për gratë që janë shtatzëna ose kanë ndërmend të mbeten, është të mos pinë asnjë pikë alkool. "Gratë dëmtohen më lehtë se burrat pas pirjes të së njëjtës sasi të alkoolit. Kjo madje edhe kur merret në konsideratë pesha trupore. Kjo ndodh pasi gratë kanë më pak lëngje në trup, kështu që e njëjta sasi alkooli tek ato koncentrohet më tepër. Po ashtu mendohet se gratë kanë një shtresë të brendshme që vesh stomakun më të hollë dhe me sasi më të vogël të enzimës detoksifikuese alcohol dehydrogenase. Si pasojë një grua mund të dehet me gjysmën e sasisë që dehet një burrë", - ka bërë të ditur Roland Shuperka, specialist i ISHP-së. Prandaj për gratë rekomandohet sasi më e vogël alkooli. Përveç kësaj, sipas tij abuzimi kronik me alkoolin i dënon më tepër gratë sesa burrat. Vartësia nga alkooli dhe problemet që lidhen me të si, dëmtimi i trurit, zemrës dhe mëlçisë, përparojnë shumë më shpejt tek gratë sesa tek burrat.
Ermelinda Hoxhaj, G.Shqiptare
No comments:
Post a Comment