Monday, October 19, 2009

Debati qytetar dhe vendimet e politikës

Sa herë dëgjon emisionet e mëngjesit, intensitetin e komunikimit televiziv me qytetarët, të krijohet përshtypja se ne shqiptarët merremi shumë me politikën.

Kjo në të vërtetë është dukje mediatike, sepse në të vërtetë pas këtij komunikimi anonim, përtej telefonit, është iluzioni i deformuarit i marrjes me politikë. Në fakt, duhet pranuar se historikisht kemi pasur mungesë të traditës demokratike të lidhjes së qytetarit me politikën aktive. Kjo bënë që sociologjikisht dhe empirikisht të ngatërrojmë konceptin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të qytetarit në debatin politik. Ne kemi një tipologji të veçantë ballkanike, ndaj jemi mësuar me dy mënyra të skajshme: ose me modelin populist, ose me qëndrim pasiv, konformist dhe indiferent. Më shumë flasim kafeneve, llapim për politikën kuturu, me intuitë, me inat personal, por pa qenë në gjendje për një gjykim të përgjithshëm politik, qytetar, konsensual, kolektiv të shëndoshë, që të ketë ndikim mbi politikën. Është tjetër të flasësh pa përgjegjësi për politikën dhe krejt tjetër të jesh i aftë për të bërë gjykime politike me vlerë të shëndoshë, të dobishme për veten tënde dhe shoqërinë në përgjithësi.

“Gjykimi politik” i qytetarit duhet në çdo rast, sidomos kur është para çdo vendimi, qoftë për të aderuar në një parti, para dilemës së kutisë së votimit, të drejtimit që duhet ti japë votës, kur gjykon për përputhjen e politikës me interesat e tij, të familjes, të grupit social ku bën pjesë, kur diskuton për politikat dhe vendimet e qeverisë dhe qëndrimet e opozitës. Në të gjitha këto raste demokracia jonë e brishtë ka nevojë imperative që së pari të përmirësohet aftësia e qytetarit për një gjykim të shëndoshë politik. Natyrisht, në marrjen e vendimit politik nga qytetarët është e vështirë arritja e një konsensusi të gjerë, sepse është vështirë që në një shoqëri pluraliste të udhëhiqesh nga parime të ngurta, sepse politika moderne është e ndryshueshme, e paqëndrueshme, labile. Në politikën e sotme shqiptare nuk ka të vërteta të ngurta, piketa orientative fikse, të qëndrueshme, të përjetshme. Ndaj gjykimet politike të njerëzve tanë nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.

Sipas profesorit të filozofisë politike dhe morale Patrik Canivez, “gjykimi politik vendos në lidhje atë që është e saktë në një situatë të ndryshueshme dhe evolutive” (Patrik Canivez, “Të edukohet qytetari”, f. 141).



Politika shqiptare nuk është aq e madhe, filozofike që të pengojë qytetarin të gjykojë për të. Në këtë kontekst, përgjithësisht ajo merret me gjëra konkrete, me realitete që janë të lidhura me interesat praktike të qytetarit. Në gjykimin politik të njerëzve tanë vendin kryesor e zë gjykimi, debati dhe diskutimi i çështjeve politike që qytetarët bëjnë me veten dhe të tjerët. Por a janë kushtet në shoqërinë tonë që të mundësojnë pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në diskutimin e çështjeve politike që ata ta ndijnë veten të lirë, të barabartë në diskutimin dhe debatin për çështjet e politikës shqiptare?

Pavarësisht fasadës, dukjes publike, idesë se ne shqiptarët jemi popull që “konsumojmë më shumë politikë se sa jemi në gjendje të konsumojnë”, kjo është më shumë një mirazh që krijohet nga karakteri kaotik me të cilin merremi dhe diskutojmë për politikën. Më shumë bëjmë diskutime militante, empirike, të ngushta, pa i parë problemet e politikës sonë në tërë kompleksitetin e tyre moral, juridik, social dhe ekonomik. Debati qytetar për politikën në Shqipëri nuk ka vlerë, nëse është vetëm qëllim në vetvete, apo mjet për të kaluar kohën në kafene, në ambiente të tjera të jetës publike dhe private. Në përgjithësi impakti i diskutimit qytetar të politikës shqiptare është i ulët, jo ndikues në vendimmarrjet e strukturave politike dhe qeveritare. Ca më pak të mund të pretendosh që diskutimet kaotike, me tifozllëk të qytetarëve të ndikojnë në zgjidhjet e problemeve që lidhen dhe varen nga politika dhe qeverisja.

A marrin pjesë të gjithë qytetarët në debatin politik në Shqipëri?

Sipas mënyrës me të cilën ne e konceptojmë politikën, duket se pjesëmarrja në debatin që zhvillohet për politikë, pjesëmarrja e qytetarëve tanë duket sikur është e gjerë. Por në të vërtetë kjo nuk është pjesëmarrje në kuptimin e detyrimit qytetar për të qenë pjesëtar aktiv në diskutimet për politikën dhe vendimet e saj. Nuk është sasia e pjesëmarrjes pasive të qytetarëve në debatin politik, por cilësia e angazhimit politik për të përmbushur detyrimin demokratik, që çdo qytetar të jetë pjesëmarrës në debatin politik. Politika shqiptare ka disa paradigma të vjetra. Kjo ka krijuar idenë e gabuar se të drejtën për debat politik e kanë vetëm politikanët, strukturat dhe institucionet e politikës së shtetit. Ky mentalitet ka rrënjosur indiferencën qytetare ndaj politikës publike. Ajo ka sjellë si pasojë largimin e qytetarëve nga debati i organizuar publik, e ka reduktuar atë në një lojë qytetare më shumë për të kaluar kohën e lire apo “të tepërt”. Reduktimi institucional i debatit politik është mjeti që ka përpunuar politika jonë (e majtë dhe e djathtë) për të mbajtur qytetarin larg proceseve të vendimmarrjeve politike, sidomos kur ato janë të lidhura me interesat e tij jetike.

Në këtë gjendje të vagullt të pjesëmarrjes së dobët në debatin politik nuk është vetëm qytetari individualisht, por edhe shoqëria civile, shoqatat dhe grupet e interesit, të cilat gjithashtu qëndrojnë në periferi të debatit politik ose kanë të kristalizuar një ndjenjë konformizmi të dukshëm ndaj saj. Askush nuk ka të drejtë të jetë “reduksionist”, të mendojë se debatin politik e bëjnë vetëm politikanët profesionistë, se ai bëhet vetëm në Parlament, sepse vetëm aty miratohen ligjet e funksionimit të shtetit. Kjo pikëpamje sempliste është e vjetër, në thelb jo demokratike. Debati politik i qytetarëve, i strukturave të shoqërisë civile nuk sposton të drejtën ekskluzive të Parlamentit për të qenë aula kryesore e debatit të politikës profesioniste.

Pa dyshim në nxitjen e debatit politik të qytetarëve ka rol të rëndësishëm vetë qeveria, e cila nuk duhet të bëhet frenuese e saj. Debatin politik nëse qeveria e bën me veten e saj, nuk ka asnjë vlerë sociale dhe nuk ndikon në përmirësimin e standardeve të qeverisjes së vendit. Vlera e debatit politik është e shtuar kur ajo bëhet jo vetëm me qytetarët, por edhe me shoqërinë civile, me partnerët e tjerë të qeverisë shqiptare. Meqenëse jemi në kohën kur sapo është formuar qeveria së re, do të ishte e udhës që krahas ndryshimeve të tjera që duhen për të shpejtuar integrimin europian të Shqipërisë të punojë edhe për demokratizimin dhe zgjerimin e kontureve të debatit politik, në mënyrë që ai të jetë permanent, i vazhdueshëm, me pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve dhe partnerëve “aleatë apo kundërshtarë” të qeverisë. Në politologjinë moderne aftësia e qeverisë për të nxitur debatin politik me qytetarët dhe partnerët e saj (aleatë apo kundërshtarë) konsiderohet një standard që përcakton qartë aftësitë demokratike të një qeverie. Siç thotë politologu modern Erik Veil, “debati i jep qeverisë autoritet politik, sepse bashkësia politike mund të mbështetet vetëm në debat dhe jo në dhunë...” (Patrik Canivez “Të edukohet qytetari”, f. 143).

Që të përmirësojmë standardin e debatit publik të qytetarit me politikën, është e domosdoshme të ndryshojmë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin drejtim edhe politikën, edhe qytetarin. Sepse është e nevojshme të largojmë mentalitetin e deformuar të trashëguar nga regjimi i kaluar totalitar, sipas të cilit populli është turmë, një bashkim njerëzish që, siç thotë Hannah Arendt, “janë pa pikëpamje apo mendime, por që më shumë shfaqen të infektuar në gjykimin e tyre ose nga paniku, ose nga entuziazmi i tepërt, që vijnë nga përdorimi i sofistikuar i teknikave të propagandës që e pengon qytetarin të gjykojë pikërisht nga dominimi i një ideje absolute ose një miti, të cilat kanë qenë gjithnjë mjete që e kanë penguar qytetarin të kuptojë të vërtetën e politikës”.



Nga ana tjetër, nuk do të kemi klimë të përmirësuar të debatit politik në Shqipëri nëse vetë qytetarët, organizatat joqeveritare të shoqërisë civile nuk marrin pjesë aktivisht në debatin publik për çështjet e politikës shqiptare, nëse ata i mbyt fryma e indiferentizmit, duke e “mbajtur kokën mënjanë” nga politika, ngaqë shpesh janë të mërzitur prej saj. Nëse qytetarët tanë heshtin dhe nuk shprehen politikisht, atëherë edhe sikur qeveria të ketë vullnet të mirë e ka të vështirë të gjejë çelësin e valorizimit të interesave parciale të qytetarëve, nëse ato më së pari nuk shprehen publikisht. Ky është një standard i madh i demokracisë, që nuk është në kuotën e duhur, sipas të cilit “një shtet është demokratik për aq sa qytetarët marrin pjesë në debatin politik...”

Metropol

No comments: