Tuesday, October 27, 2009

Tekst

Hyri në një dyqan bojrash. Kërkoi me nxitim një sprajt të kuq. E futi sprajtin në xhep. Dhe u nis mendueshëm drejt qëndrës së qytetit...

E kishte parë në një sebep. Hiret e Saj j'a patën pluguar trurin. Kishte arritur të këmbente disa fjalë. Pa lidhje dhe pa kuptim. Nga ato fjalë që edhe lidhjen edhe kuptimin e kanë, por kurrë këtu dhe tani. Diku larg. Mbi një truall pa peshë. Nën një Qiell pa emër. Ku nuk kuturis asnjë mëndimtar. Ku nuk rrezikon asnjë poet. E gjitha ndodhi në pak çaste, që j'u dukën kohë e ndalur. Në një distancë nga disa centimetra, që j'u dukën vite drite. As e preku dhe as emrin j'a mësoi dot. Të nesërmen duhej të kthehej në Itali.
Kur me sprajtin në xhep j'u afrua qëndrës së qytetit, ndali pak dhe hodhi sytë rrotull. Gjeti një faqe anësore pallati që j'u duk me madhësi të përshtatëshme dhe që mund të shihej nga sa më tepër kalimtarë. Pa Qiellin, mori frymë thellë, nxorri nga xhepi sprajtin, ja hoqi tapën, u përkul, shkeli me gisht butonin, e drejtoi nga muri. Bëri një vijë të kuqe të shkurtër horizontale që j'u duk si jeta e tij deri në momentin para se të shihte Atë. Pastaj, tek nisi të fërgëllojë lehtë, nga mesi i vijës horizontale bëri teposhtë një vijë vertikale më të gjatë. U trondit nga ndërlikimi i beftë i pamjes me dy vija, dy qoshe, disa kthesa. U bë T-ja. Apostrof nuk vuri se as që e njihte. D-ja i doli si patate. S'do ishte keq të dilte mirë, tha me vete. Se me "D" nisin Dëshira dhe Dashuria, por s'po i kthehem, se kështu paska qënë e shkruar. Ndërkohë rretheqark ishin grumbulluar njerëz. U-ja j'a erri paksa sytë, sepse i kujtoi ulërimën. Prandaj e bëri shpejt që të evitonte ndonjë klithëm që mund t'i dilte pa dashur. A-ja e pafundme me majën drejt infinitit, aq solide, me këmbët edhe të lidhura edhe të ngulura në tokë, i dha kënaqësi të madhe. U largua paksa, lexoi TDUA. U drodh.
Mund ta lë edhe me kaq, tha, përderisa kjo fjalë i përmban të gjitha dhe të tjerat janë dëngla. Por është pak. Sepse po ta lë me kaq është njëlloj sikur t'i thuash dikujt "Të dua" dhe të mos e puthësh, apo "Të urrej" dhe të mos e rrahësh. Mori frymë thellë sikur të ishte hera e fundit që po merrte frymë në jetë. I vuri tapën sprajtit, dhe e futi në xhep. I hipi një autobuzi për t'i rënë një herë rrotull qytetit që t'i jepte kohë vetes për tu menduar. Por sa hipi në autobuz, u rrënqeth i tëri kur mendoi se mund të ndodhte që në mungesë të tij para murit mund të kalonte ndonjëri nga të shumtët që me Dashurinë s'ka asnjë lidhje dhe që mund ta zhgarraviste, t'i shtonte a t'i hiqte diçka magjisë, pra magjinë ta prishte. U shqetësua. Mezi priti të zbriste nga autobuzi. Kur u ndodh përsëri përballë murit me katër gërmat e fundbotëshme të pa prekura, nisën ta mbysin pyetje torturuese; Vazhdimi duhet të ketë lidhje me cilësinë apo me sasinë e Dashurisë ? Nëse me cilësinë, cila cilësi e Saj duhet pavdekësuar mbi mur ? Duhet shprehur një cilësi e krahasuar, apo një cilësi e pa ngjajshme që të kishte lidhje vetëm me Atë ? Nëse vazhdimi do kishte karakter sasior, është lehtë që sasinë e Dashurisë, si bëjnë ca të mjerë që as dijnë as ndjejnë, ta lidhësh me pafundësinë duke thënë "Të dua pafundësisht". Por kjo do ishte gjetje e kollajtë, jo bindëse, çka nuk do ishte mirë, sepse do binte menjëherë në sy si e tillë, dhe mund të rrënonte gjithçka, përderisa në fund të fundit e pafundme nuk duhet të jetë fjala por efekti. Pra e mira do ishte të gjej një mënyrë për të shprehur, jo një Dashuri pafund, por një Dashuri që shtohet pafundësisht. U mendua edhe pak, dhe i dha karar të vazhdonte me sasinë. Por në një mënyrë të tillë që brenda sasisë të përfshihej edhe cilësia, pra të kombinoheshin të dyja. Dhe bëri një M. M-ja, megjithse j'u duk se i sharroi brinjët, e la më se të kënaqur me gjithato ngritje e zbritje të drejta dhe të vrazhda si rrugët e jetës. M-së i shtoi shpejt një Ë. Por pa dy pikat që j'u dukën të tepërta. Pastaj, pas një hapësire, shpejt e shpejt shkroi SHUME. S-ja, me dy çengela të lidhura si dy zemra të kundërta dhe të afërta, j'u duk shumë e bukur dhe kuptimplote. H-ja nuk i pëlqeu. J'u duk e thjeshtë, tepër e hapur. Por e la, ngaqë vuri re se, pavarësisht që atë fjalë disa në Shkodër e mbajnë mbiemër, po ta hiqte H-në, dilte një fjalë e pisët. U-ja, e cila këtë herë i kujtoi U-në e patkoit të Fatit, bëri që t'i shkundej kurrizi, por pa zarar. Me M-në dhe me Ë-në pa pika, tashmë ishte i familjarizuar. E pa edhe një herë atë që kishte bërë; TDUA ME SHUME. Shumë mirë deri këtu që e dua shumë me tendencë në rritje edhe në sasi edhe në cilësi. Por, sa më shumë e dua, dhe më shumë se çfarë ?! Ndërkohë që mendohej, pas shpinë shtohej gjindja. Ca ikinin, ca vinin, të shumtëve u pëlqente, të pakve jo. Por, veç murmurimave, as këta as ata nuk flisnin. Të gjithë prisnin të shihnin si do mbaronte. Të moshuarve, tek kalonin dhe shihnin, u binte cigarja nga buzët që nisnin tu dridheshin. Dy vajza që kaluan andejpari, sapo panë hatanë, nuk ndalën. Duke ikur, ndreqën hapat, drejtuan kurmet. Nuk j'u duk ide e mirë të largohej edhe një herë me autobuz. U fut në një lokal aty pranë që ta shihnin që po i shihte dhe të mos guxonte kush të bënte ndonjë prapësi. Në lokal u mendua duke ngrënë. Ta bënte vazhdimin; "Më shumë se nënën t'ime", as Ajo dhe askush tjetër nuk do ta besonte. "Më shumë se veten t'ime", do ishte meskine, egoiste, përderisa ai e dinte mirë se vetja e vet nuk ishte veçse një kokrrizë rëre në botën e pafundme. "Më shumë se ëndërrat e mia", tepër poetike dhe ndoshta e pa kapëshme. Atëhere më shumë se çfarë ? Zgjidhja i erdhi rrufeshëm. Në pak çaste i gurgulloi në tru e gjithë jeta; Fshati ku pat lindur. Mëngjezet e freskëta, mbrëmjet e flladëta, zhegjet, acaret. Taksiratet e familjes. Fukarallëku. Zbritja në qytet. Nja dy vrasje në fis. Një mijë e një hallet e transferimit dhe nguljes në periferi. Ngritja ngadalë e shtëpisë së re me paret e kurbetit të vëllait ikur e ardhur kushedi sa herë në Greqi nëpër male pa dokumenta. Pas vëllait, gjetja e parave dhe arratisja me gomone në Itali e atij vet'. Italia, tmerret e gjetjes punë, tmerret e mbetjes pa punë, tmerret e punës, tmerret e jetës etj, etj. Flaku në kosh gjysmën e Hamburgerit mbetur si hënë e ngrënë. Nxorri me shpejtësi sprajtin nga xhepi. U nis vrik përballë murit. Aty shkroi me një frymë; SE jETN TIME. J-në e bëri j të vogël dhe me pikë. E-në mes T-së dhe N-së e harroi fare. U ngazëllye dhe u lehtësua aq tepër nga kjo gjetje si derdhje, sa s'i vuri re' fare ato gabime. Nxorri një hungurrimë të mbytur vetkënaqësie. Por prap' s'mbeti plotësisht i kënaqur. Diçka mungonte. Nisi të vrasë mëndjen për një mbyllje. Për diçka që t'i lidhte të gjitha. Një lloj kafazi brenda të cilit, fjalët si tigrat, mund t'i admirosh pa pasur frikë se mund të kafshojnë. Dhe e gjeti; MOS ME HARRO. Kjo gjetje e lumturoi aq tepër sa trupi j'u mbush i tëri me mornica, mëntë j'u morën, dhe desh u rrëzua. Por u mbajt. Me sprajtin e kuq në dorën që i dridhej, j'u vërsul edhe një herë murit. E bëri këtë si gladiatori i lodhur dhe i gjakosur, në përpjekjen e fundit për ta mundur, i vërsulet tjetrit gladiator, edhe më të lodhur edhe më të gjakosur. Dhe ashtu i dërrmuar dhe i përgjakur, vizatoi një zemër dhe një shigjetë. Zemra i doli si domate. Shigjetën, në vend që ta bënte me drejtim lart drejt Qiellit të shpresës dhe Lirisë, e bëri drejt tokës së rëndesës. I vuri re' këto papërsosmërira, por, tha me vete, më falet, e kam nga lodhja. Pastaj, triumfues si një gjeni' që sapo ka bërë një zbulim, dhe turfullues si një kalë që shkrofëtin, me duar e këmbë të hapura dhe kokën lart, bëri disa hapa mbrapsht nga kryevepra që sapo kishte mbaruar dhe sokëlliu;

TDUA ME SHUME SE jETN TIME
MOS ME HARRO





Qëndroi pak çaste në pozicionin triumfues. Drejtoi sprajtin kah perëndimi. Vizatoi në qiell një diell edhe më të madh edhe më të kuq se dielli që po perëndonte.
Dhe uluriti për së dyti;
Ajo nuk do më harrojë ! Kurrë ! Sepse bëra diçka më të paprekshme se koha e pa ndalshme. Më të fuqishme se boshi i heshtjes. Më të bukur se e folura më e bukur. Bëra tekst !
Edison Ypi
Panorama 14/09/09

No comments: