Monday, October 12, 2009

Buletini i luftës !

Transmetojmë buletinin javor 05-11 tetor:



- Në Finiq u shemb muri romak, një nga shembujt e rrallë në teknikën "opus reticulatum" të mbetur kësaj ane të Ballkanit. U mbijetoi furtunave të 18 shekujve dhe më në fund, në shekullin XXI, e prishi një fshatar që do të zgjeronte shtëpinë me paratë që kish vënë mënjanë nga kurbeti i Greqisë. Në fakt, ngjarja ka ndodhur para ndonjë muaji, por deri para pak ditësh ishte mbajtur e fshehtë me sukses nga ana e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve.

- Në Tiranë oficerët e përmbarimit filluan veprimet për nxjerrjen në rrugë të madhe të koleksioneve të Muzeut të Shkencave të Natyrës. Pjesa më e vjetër e këtyre koleksioneve janë krijuar që në vitet ‘30 nga françeskanët e Shkodrës. Enveri, françeskanët vërtet që i çoi në litar, por koleksionet ua ruajti me kujdes, duke u shtuar edhe të tjera të krijuara në 40 vjetët e diktaturës.

- Në lulishten para stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", filloi nga ndërtimi një godinë. Meqenëse kemi të bëjmë me një godinë me leje, të paktën kemi të bëjmë me shkatërrim të ligjshëm dhe jo të paligjshëm. Pushtonjësit italianë, 70 vjet më parë, e blenë atë tokë dhe ia dhuruan qytetit duke e bërë lulishte, ndërsa ne çlirimtarët, shtatëdhjetë vjet më pas, po e zëmë me beton.

- Vazhdon me ritme të përshpejtuara shkatërrimi i hotel "Dajtit". I projektuar nga arkitektët më të famshëm të kohës, përfshirë Gherardo Bosion dhe i dizajnuar në detaje nga Gio Ponti (i konsideruar si babai i dizajnit modern europian), për shumë kohë ka qenë Hoteli më modern i Ballkanit. Ka përfunduar plaçkitja tërësore nga brenda deri edhe tek abazhurët dhe kornizat e dyerve dhe të kaloriferëve, ndërsa po punohet për shkuljen dhe vjedhjen e blloqeve të skalitura të mermerit me përmasa të mëdha. Ajo që e bën edhe më interesante këtë proces nga pikëpamja psikologjike është se ajo çka nuk ka qenë e mundur të vidhet për shkak se është e ngjitur në mur, është thyer në mënyrë metodike. Të shkatërrosh me qëllim vjedhjen, ka brenda një komponente utilitare dhe nevoje që përfaqëson formën klasike të barbarisë, ndërsa të shkatërrosh thjesht për qejf, është forma më e lartë e barbarisë. Ashtu siç është arti forma më e lartë e veprimtarisë njerëzore, edhe barbaria për qejf është forma më e lartë e barbarisë.

- Në Korçë vazhdojnë punimet për heqjen e asfaltit dhe shtrimin me pllaka të Bulevard Republikës. Kjo ka qenë rruga më moderne e qytetit në vitet ‘30 dhe një nga rrugët e para në vend të shtruara me asfalt. Sot, në vend që të ndreqim pikërisht këtë element, bulevardit po i hiqet asfalti dhe po shtrohet me pllaka, ndërsa rrugicave të lagjes muze po u hiqet kalldrëmi dhe po shtrohen me asfalt. Ta kisha me të dëgjuar s‘do ta besoja, por e pashë vetë para tri ditësh.

- Me dinjitetin tragjik që i ka karakterizuar në shekuj kafshët shqiptare, një grusht syresh vazhdojnë të vuajnë në grahmat e fundit në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Institucionet po presin me durim ngordhjen e tyre për mbylljen përfundimtare të Kopshtit dhe kthimin e tij në zonë ndërtimi. Shkenca thotë se pas shfaqjes së shenjave të para të artit, kujdesi për kafshët duhet të ketë qenë hapi i dytë drejt njeriut të qytetëruar.

- Në Butrint gjatë kësaj jave u shkatërrua gurorja antike 2400-vjeçare dhe, mu rrëzë kanalit, njëqind metra nga kështjella trekëndore, po punohet me ritme të përshpejtuara për lartimin e një ndërtese trekatëshe. Venedikasve kur e ndërtuan atë kështjellë në shekullin XVII, Ali pashait kur e restauroi në të XVIII-in, Eduard Lirit kur e pikturoi më 1850-n dhe Ugolinit kur e rizbuloi më 1926, nuk u kishte shkuar ndër mënd dot një idiotësi e tillë.

- Në Berat në lagjen "Goricë" me fonde të Institutit të Monumenteve po provohet të restaurohen kalldrëmet. Një grup banorësh të lagjes u ankuan se vunë re që kalldrëmi i restauruar nuk është më me pllaka guri, por me zall lumi. Që ta merrni vesh ju, në Mesjetë dallimi mes qytetit dhe fshatit ishte se kalldrëmi i fshatit ishte me gurë të palatuar ose me zall lumi, që kushtonte pak gjë, ndërsa kalldrëmi i qyteteve (dhe veçanërisht në qytete të fisme si Berati) bëhej me pllaka guri të latuara. Të jetë çështje e fshatarizimit të qytetit, apo thjesht çështje tenderi?

- Nga Durrësi vjen lajmi i ndërrimit të destinacionit të një pjese të parkut të Kampit të Pionierëve, në zonë ndërtimi për Pallate 8-katëshe. Kjo zonë është ndër të fundmet zona të gjelbra dhe të pyllëzuara të mbetura në të gjithë gjatësinë prej 15 km të Gjirit të Durrësit nga Currilat deri në Karpen. E ndërtuar fillimisht nga italianët gjatë Pushtimit dhe më pas i zgjeruar nga Komandanti nën zgjedhën e Diktaturës, pishat gjigante të kësaj mushkërie të gjelbër me ç‘duket nuk ia dolën t‘i mbijetojnë babëzisë së Demokracisë.

- Në qendër të Tiranës vazhdon i quajturi rikonstruksion i Piramidës. Në këtë kuadër, godina po zhvishet nga veshja prej mermeri të bardhë dhe po vishet me pllaka granili gri. Mermeri origjinal ishte sjellë nga Kararra e Italisë, duke zgjedhur kështu mermerin më të bardhë që njihet në Europë. Ata që e ndërtuan Piramidën e Diktatorit, duke e veshur me mermer të bardhë, bënë që godina të mos dukej si varr. Tashmë, çerek shekulli pas vdekjes së Komandantit, duke e veshur me granil gri nga ai që përdoret për të bërë varret në Sharrë dhe në Shish-Tufinë, ia dolën që ta bëjnë që më në fund të duket si varr. Bolshevizmi, përpara se të jetë ideologji, është mënyrë të menduari dhe vepruari.

- Nga Veriu kësaj jave nuk kemi lajme të reja. Sqarim: në Veri meqenëse shkatërrimi i trashëgimisë është i vazhdueshëm ("opus perpetum" do thoshin latinët), nuk përbën lajm java kur prishet diçka, por java që do të kalonte pa prishur ndonjë gjë.

Me kaq mbyllim buletinin javor të luftës së shqiptarëve kundër Shqipërisë.

p.s. Dhe pastaj na vjen keq kur maqedonasit shkruajnë për ne se kemi zbritur nga mali!!!



Të shkatërrosh me qëllim vjedhjen, ka brenda një komponente utilitare dhe nevoje që përfaqëson formën klasike të barbarisë, ndërsa të shkatërrosh thjesht për qejf, është forma superiore e barbarisë, pasi ashtu siç është arti forma më e lartë e veprimtarisë njerëzore, edhe barbaria për qejf është forma më e lartë e barbarisë.


Ata që e ndërtuan Piramidën e Diktatorit, duke e veshur me mermer të bardhë, bënë që godina të mos dukej si varr, ndërsa tashmë, çerek shekulli pas vdekjes së Komandantit, duke e veshur atë me granil gri nga ai që përdoret për të bërë varret në Sharrë dhe në Shish-Tufinë, ia dolën që ta bëjnë që më në fund të duket si varr.

ARTAN LAME, Shqip

No comments: