Saturday, October 10, 2009

Prifti shkatërrues i murit të Finiqit arratiset në Greqi

Autori i prishjes së murit arkeologjik në afërsi të qendrës së fshatit të sotëm të Finiqit, prifti Thoma Fani, mësohet të jetë shpallur në kërkim nga policia pas denoncimit të bërë për të nga ana e komunës dhe pas ndalimit të ndërtimit në atë truall nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Sarandë.



Nga ana e komisariatit të policisë të Sarandës është shpallur person në kërkim, por mësohet se ai ka kaluar kufirin përpara se të bëhej i kërkuar. Bashkëfshatarë të tij, të cilët janë edhe fqinj me të, na thanë se ai është rezident në shtetin grek, duke lënë për disa kohë edhe shërbesat fetare në një nga fshatrat e komunës së Finiqit. Ata deklaruan se Fani kishte ardhur në Finiq vetëm për të hapur truallin për rikonstruksionin që përgatitet t'i bëjë shtëpisë ekzistuese. Muri me vlera arkeologjike ishte pengesë për këtë projekt dhe me gjithë lutjet e shumta dhe ofertat e rralla për të mos e prekur, ai veproi mbi të javë më parë. Madje Thoma Fani nuk u tundua as nga oferta e biznesmenit T.Babi në Sarandë, i cili, i apasionuar në fushën e pasurisë arkeologjike, në shkëmbim të mosrrëzimit të murit i kishte premtuar atij një apartament në Sarandë. Prishësi i murit të Finiqit tashmë është një prift në kërkim. Shembet muri antik i Finiqit në Sarandë. Muri antik 3 metra i lartë dhe 6 metra i gjerë, gjendej vetëm 30 metra nga vendi ku është punuar për rikonstruksionin e rrugës, por ndryshe nga sa është bërë publike nga shumë media dje paradite, dëmtimi nuk erdhi nga punimet e pakujdesshme për hapjen e rrugës, por për shkak të ndërtimit të një shtëpie nga një banor i zonës. Ajo çfarë ka ndodhur me monumentin është konstatuar para dy muajsh gjatë një ekspedite të arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë, të cilët lajmëruan për këtë problem institucionet që janë të ngarkuara me detyrën e mbrojtjes së monumenteve. Por lajmi u bë publik vetëm pardje, e me sa duket iu ka shpëtuar hallkave që përpiqen t'i "mbulojnë" me heshtje këto probleme. Por, si dhe pse ka ndodhur kjo ngjarje, në mes të ditës dhe në sytë e të gjithëve? Versionet janë të ndryshme. Hipotezat po ashtu. Për disa nuk është shembur muri antik, por muri i një shtëpie e për disa të tjerë, ajo që ka ndodhur është një hap më shumë drejt zhdukjes së lashtësisë sonë.

Deklaratat
Për ngjarjen ka dy versione. Njëri i takon Institutit të Arkeologjisë dhe tjetri, Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papa. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë tha për "Gazetën Shqiptare", se ky problem është konstatuar nga arkeologët e institutit që para disa javësh, kur këta të fundit shkuan atje në një ekspeditë. "Aty afër është një shtëpi, pronari i së cilës do që ta zgjerojë atë për t'i dhënë shtëpi edhe të vëllait." Por, a ka Instituti i Arkeologjisë përgjegjësi për këtë ngjarje, ose cili është roli i tij në objektet e sitet arkeologjike? Drejtoresha Gjongecaj thotë se instituti prej kohësh nuk ka në dorë asgjë. "Ne ka kohë që na i kanë hequr që të gjitha kompetencat, dhe na kanë lënë vetëm të drejtën që të gërmojmë, janë institucione të tjera që duhet t'i ruajnë ato". Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papa, i kontaktuar në telefon nga "Gazeta" dhe i pyetur se si qëndron problemi i shembjes së murit dhe çfarë ka ndodhur realisht, tha se "aty para dy muajsh, pronari i shtëpisë ka tentuar të prishë një pjesë të shtëpisë së tij. Për këtë ai është ndaluar nga komuna dhe DRKK-ja e Sarandës. Janë bërë konstatimet dhe të gjitha procedurat e nevojshme. "Ai ka prishur dhomën e tij. Me sa pashë unë në vendngjarje, muri nuk është mur antik", - shtoi ai. Për t'u siguruar e pyetëm sërish, nëse ai në fjalën e tij po thoshte që muri për të cilin bëhet fjalë është mur antik apo jo, dhe përgjigja e tij ishte: "Muri që është shembur nuk është mur antik, por është muri i njërës prej dhomave, dhe kjo mund të shihet shumë qartë, është muri i vazhdimit të shtëpisë".

Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur ditë më parë, por denoncimi i saj është bërë vetëm ditën e djeshme. Fshatari fiqiniot i quajtur Thoma Fani, ka guxuar të prishë dhe të hedhë tërësisht përtokë një mur me dimensione 3.2 metra të lartë e mbi 6 metra të gjatë, që ishte i veçantë në llojin e vet. Arsyeja pse ai guxoi të vërë kazmën mbi këtë mur që mbartte vlera arkeologjike, ishte shumë banale. Ai i prishte planin e bërë për rikonstruksionin e banesës vetjake, që gjendet në pjesën e poshtme të fshatit, poshtë rrugës kryesore. Na thanë se ai kishte kohë që kishte bërë këtë plan dhe dyshohet të ketë pasur dijeni për vlerat e këtij muri arkeologjik, që sot nuk ekziston më për shkak të kokëfortësisë së tij. Duke shkuar dje për në vendin ku pamë copëra gurësh dhe tullash, që dukej qartazi se vinin nga një kohë tjetër dhe mbartnin vulën dhe kulturën e asaj kohe, dikush nga bashkëfshatarët e tij tregoi se Thoma Fani kishte thirrur një skrepist për ta prishur murin, por ai kishte refuzuar. Thoma Fani e paskësh gjetur mënyrën për t'i dhënë fund hijes që bënte muri antik në truallin e shtëpisë së tij, për t'i hapur rrugë ndërtimit të ri. Krimi nuk u parandalua dot dhe muri i rrafshuar iu shtua zhbërjes të sa e sa objekteve të tjera në zonën e banuar të Finiqit, në afërsi të akropolit, ku janë kapur edhe florikërkues nëpër varret e kësaj zone, që u shoqëruan për një natë në komisariatin e Sarandës dhe u lanë të lirë, bashkë me pajisjen moderne arkërkuese. Kryekomunari i Finiqit, Ziso Lluci ka bërë saktësimin se nuk është fjala për murin e ujësjellësit të Justinianit, sikurse është trakti i tij në afërsi të Kranesë, por një mur jo pa vlera arkeologjike, që daton në shekullin e 6-të. Kjo ka qenë arsyeja që ai tha se jo vetëm është evidentuar, por edhe është denoncuar personi që e kreu këtë akt, edhe pse ai e bëri prishjen dhe u largua në drejtim të Greqisë ku është rezident. Lluci sqaron se kishte ardhur me idenë për të liruar truallin për rikonstruksionin e shtëpisë që ka në Finiq dhe me siguri që punimet do të vazhdojnë, pas rrënimit të murit arkeologjik.

Sherif Kola, G.Shqiptare
What's that ?

No comments: