Shembet muri antik i Finiqit në Sarandë. Muri antik 3 metra i lartë dhe 6 metra i gjerë, gjendej vetëm 30 metra nga vendi ku është punuar për rikonstruksionin e rrugës, por ndryshe nga sa është bërë publike nga shumë media dje paradite, dëmtimi nuk erdhi nga punimet e pakujdesshme për hapjen e rrugës, por për shkak të ndërtimit të një shtëpie nga një banor i zonës.
Ajo çfarë ka ndodhur me monumentin është konstatuar para dy muajsh gjatë një ekspedite të arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë, të cilët lajmëruan për këtë problem institucionet që janë të ngarkuara me detyrën e mbrojtjes së monumenteve. Por, lajmi u bë publik vetëm dje, e me sa duket iu ka shpëtuar hallkave që përpiqen t'i "mbulojnë" me heshtje këto probleme. Por, si dhe pse ka ndodhur kjo ngjarje, në mes të ditës dhe në sytë e të gjithëve? Versionet janë të ndryshme. Hipotezat, po ashtu. Për disa nuk është shembur muri antik, por muri i një shtëpie e për disa të tjerë ajo që ka ndodhur është një hap më shumë drejt zhdukjes së lashtësisë sonë. Gurët e murit antik janë thyer. Janë të shtrirë përdhe, të thërrmuar copa-copa. Diku tjetër një llamarinë ka mbuluar një pjesë të tyre. Ndanë tyre qëndrojnë rrënoja të tjera antike të Finiqit të hershëm, e diku më tej disa kolona betoni të kohëve të sotme. Edhe këto të shtrira përdhe. Afër "thërrimeve" të gurëve të murit antik, i lartë dhe "krenar", qëndron një bolier dushi...Shekulli i gjashtë në këtë sit arkeologjik sapo ka humbur një dëshmi të veten. Pas 15 shekujsh, dëshmia u zhduk pothuajse fare.
Versionet
Për ngjarjen ka dy versione. Njëri i takon Institutit të Arkeologjisë dhe tjetri drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papës. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë tha për "Gazetën Shqiptare" se, ky problem është konstatuar nga arkeologët e institutit që para disa javësh, kur këta të fundit shkuan atje në një ekspeditë. "Ne shkuam atje për gërmime dhe gjatë punës sonë konstatuam se muri që është zbuluar atje që në vitet '30 nga Luigi Maria Ugolini është shkatërruar". E pyetur se cila është arsyeja që muri është shembur, duke pasur parasysh hipotezat mbi shembjen e tij për shkak të punimeve të pakujdesshme gjatë ndërtimit të rrugës, Gjongecaj tha se shembja nuk ka të bëjë me rrugën. "Aty afër është një shtëpi, pronari i së cilës do që ta zgjerojë atë, për t'i dhënë shtëpi edhe të vëllait. E gjitha kjo është bërë në kurriz të murit antik. Aty është komuna, është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare të Sarandës, është parku i Finiqit, e të gjitha këto varen nga Ministria e Kulturës dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik (ASHA), dhe me sa shoh nuk kanë bërë asgjë". Por, a ka Instituti i Arkeologjisë përgjegjësi për këtë ngjarje, ose cili është roli i tij në objektet e sitet arkeologjike? Drejtoresha Gjongecaj thotë se, instituti prej kohës nuk ka në dorë asgjë. "Ne, ka kohë që na i kanë hequr që të gjitha kompetencat dhe na kanë lënë vetëm të drejtën që të gërmojmë, të bëjmë kërkimet e specializuara dhe të kryejmë ekspedita sipas planeve që aprovohen nga Komisioni i Kombëtar i Arkeologjisë. Ne kemi gërmuar, i kemi mbaruar detyrat tona, pas gërmimeve ato që gjejmë i dorëzojmë tek monumentet, dhe janë institucione të tjera që duhet t'i ruajnë ato". E revoltuar, ajo thotë që pasi arkeologët kanë parë dëmtimin e murit, kanë njoftuar për problemin institucionet e lartpërmendura, duke iu treguar gjendjen reale të monumentit dhe duke kërkuar një zgjidhje për të. Por, çfarë thotë për këtë problem drejtori i Drejtorisë së Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papa. I kontaktuar në telefon nga "Gazeta" dhe i pyetur se si qëndron problemi i shembjes së murit dhe çfarë ka ndodhur realisht, tha se, "aty para dy muajsh, pronari i shtëpisë ka tentuar të prishë një pjesë të shtëpisë së tij. Për këtë ai është ndaluar nga komuna dhe DRKK-ja e Sarandës. Janë bërë konstatimet dhe të gjitha procedurat e nevojshme. Pas zhurmës që u bë tani në media, ne vajtëm sërish dje dhe e gjetëm murin në të njëjtën gjendje që e kishim lënë herën e parë". I pyetur për një reagim të tijin pas asaj që deklaroi drejtoresha e IA-së, ai tha se aty nuk është ndërtuar shtëpi, sepse ndërtimi i paligjshëm është ndërprerë nga komuna. Papa tha se aty ka qenë një shtëpi, dhe pronari i saj ka dashur të prishë njërën nga dhomat, dhe kaq ka ndodhur. "Ai ka prishur dhomën e tij. Me sa pashë unë në vendngjarje, muri nuk është mur antik", - shtoi ai. Për t'u siguruar e pyetëm sërish, nëse ai në fjalën e tij po thoshte që muri për të cilin bëhet fjalë është mur antik apo jo, dhe përgjigja e tij ishte: "Muri që është shembur nuk është mur antik, por është muri i njërës prej dhomave, dhe kjo mund të shihet shumë qartë, është muri i vazhdimit të shtëpisë". Ai hedh poshtë publikimin në media të faktit që muri është dëmtuar për shkak të punimeve të pakujdesshme të rrugës që po ndërtohet. "Muri është në anë të rrugës. Siç thashë, aty pranë tij është një shtëpi, të cilën i zoti e prishi për të ndërtuar diçka tjetër, por kjo u pezullua edhe nga komuna edhe nga DRKK-ja Sarandë".Fatmira Nikolli, G.Shqiptare
No comments:
Post a Comment