Tuesday, October 6, 2009

Lashtësia e kapeles së bardhë - PLISIT (Qeleshes)


Kapuçi i bardhë që shqiptarët e quajnë plis, qeleshe ose qylah, i bërë nga lesh deleje i shkelur, konsiderohet si kësulë tradicionale e shqiptarëve. Për plisin ekzistojnë tek ne do gojëdhana në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e tij. Në lidhje me këtë po sjellim ca shënime të shkurtra interesante.

Duke bërë kërkime rreth studimit të zejes të qeleshepunuesve (ose plistarëve) ndër zejtarët e Kosovës si dhe në popull, kemi hasur në ca gojëdhana interesante, që meritojnë të shënohen.

Një nga tregimet më inteeresante është ai që bën fjalë dhe konfirmon se plisi i bardhë, kapuçi tradicional i shqiptarëve është trashëguar nga Ilirët. Duke mos u bazuar në dokumentat historiko-arkeologjike, por vetë në kushtet e atëhershme ekonomike të fiseve ilire, del e logjikshme që këto tregime të kenë bazë reale. Fise të ndryshme ilire merreshin me njërën nga degët kryesore të ekonomisë, me blegëtorinë. Kjo e vërtetë e konfirmuar edhe nga të dhënat historike na bën që t'u besojmë edhe gojëdhanave popullore lidhur me plisin. Duke pasur lesh delesh në sasira të mjaftueshme, Ilirët prej këtij punonin veshjet e tyre, ku hyn edhe pjesa që mbulon kokën - kapuçi. Pothuaj të gjitha pjesët e veshjes në të kaluaren njerëzit i bënin vetë në shtëpi. Më vonë shfaqen zejtarë profesionalë. Kështu qëndron puna edhe me punimin ose prodhimin e plisave.
Pirro i Epirit me qeleshe
Në popull si dhe ndër zejtarët tanë qeleshepunues të Kosovës dhe jashtë saj ekziston një gojëdhanë shumë e vjetër. Ajo thotë se këtë zeje e solli në Gjakovë një plak, që në kohërat e moçme ishte shpërngulur nga Malësia në këtë qytet. Kjo tregon qartas se në kohërat më të lashta, kapuçat punoheshin nga vetë anëtarët e familjes porsi edhe pjesët e tjera të veshjes popullore të përditshme (tirqtë, ndërresat, mintanat, xhokat, japunxhat, gjurdiat, gëxofët etj.).

Për lashtësinë e këaj zeje, respektivisht të vetë plisit, dëshmon edhe emri i një lloji të tij që shqiptarët e quajnë vorri i Skënderbegut. E dihet mirë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468. Që nga vdekja e këtij vigani, shqiptarët filluan të mbajnë një kapuç të një forme të posaçme, me fundin ose majen e trusur, të thelluar në formë varri. Ky tip kapuçi mund të ishte i zi ose edhe i bardhë. I përngjet pjesës cilindrike të kapelës moderne (u muar vesh pa rreth) por, siç u tha më sipër, me fund ose maje të gropuar si varr në drejtim nga prapa kah balli. Këtë lloj plisi e mbajnë njerëz pak si më pleq dhe më seriozë në qytete e fshatra. Sot përdoren fort rrallë, kurse në shekujt e kaluar ka qenë shumë më shpesh i përdorur.


Isa Boletini
Tipi i plisit i quajtur me maje ka trajtë kupe me maje të theksuar. Një tip tjetër me maje jo të theksuar e quajnë i rrumbullakët. Në të kaluaren këta plisa ishin edhe më të gjatë, me maje më të theksuar, sepse punoheshin vetëm prej një tasllaku (polle trekëndhshe), dhe kur i ngjiteshin skajet, kapuçi merrte trajtë barizani të gjërë. Këtë lloj kapuçi mbanin pjesëtarët e fisit ilir të Dalmatëve. Kjo shihet në një pllakë guri nga Graduni, i cili ruhet në Muzeumin arkeologjik në Split. Kjo rrasë guri ka një relief në të cilin shihen figurat e dy ushtarëve ilirë të zënë robë lufte nga ushtarët romakë. Njëri nga këta dy ilirë mban në kokë një kapuç që për nga trajta është krejt i njëjtë me plisin tonë të sotëm me maje të theksuar (të shihet Mihovil Abrani?: O predstavam Ilira na antiknim spomenicima. ?asopis za zgotovino in narodopisje, Maribor, let. XXXII, snop. 1-4, 1937:12,15).

Në popull dhe tek zejtarët qeleshepunues kemi dëgjuar dhe shënuar një tregim se në Dibër dhe rrethinë, në të kaluaren nuk mbaheshin plisat e rrafshtë si sot. Banorët e kësaj treve mbanin plisa të tipit të Kosovës. Mirëpo, rreth vitit 1832 Pashallllëku i Kosovës me në krye Jashar Pashë Xhinollin ra në konflikt me Dibrën duke dashur ta zgjërojë pashallëkun e tij. Me këtë rast u bë një betejë e rreptë. Jashar pashë Xhinolli, bir i Maliq pashë Xhinollit, me prejardhje nga Luma, i theu dhe i mundi dibranët, ose siç thotë populli i shkeli. Që prej kësaj, gjoja, dibranët mbakan plisa të shkelun, d.m.th. të rrafshtë, kurse kosovarët si fitimtarë vazhduan ende të mbanin plisa me maje.

Në lidhje me lashtësinë e plisit , ndër shqiptarët ekziston edhe një gojdhanë tjetër që përcjellet brez pas brezi. Kjo gojdhanë tregon se në Betejën e Kosovës më 1389 moren pjesë edhe shqiptarët nga Kosova bashkë me mirditasit. Këta, me këtë rast, mbanin plisa të bardhë po të asaj trajte që mbajnë edhe sot.

Nuk janë në gjendje të dijë e të konfirmoj se a ka dhe ç'baza ka kallximi popullor se do klerikë katolikë, varësisht nga rangu kierarkik, gjatë meshës në kishë mbajnë kësula të bardha në formë plisi të shqiptarëve. Madje të tillë i mban edhe vetë pontifiku katolik në Romë, papa.

Ndoshta kjo traditë popullore mbështetet në këto fakte historike.

Dihet mirë se pas okupimit të tokave ilire në Ballkan, romakët moren prej tyre shumë gjëra nga kultura materiale, duke përfshirë edhe pjesë të ndryshme të veshjeve popullore. Duket se një lloj këmishe ose pelerine, që romakët e quanin tunika (tunica) e moren nga fisi dalmat i ilirëve, sepse atë e quanin dalmatika (dalmatica). A është e mundur të kenë përvetësuar edhe kësulën e bardhe ilire? Më vonë kjo veshje, duke pësuar ndryshime, dalëngadalë doli nga përdorimi i përditshëm. Ajo u ruajt dhe qendroi duke u përdorur vetëm në kishë katolike dhe ruhet edhe sot dhe ende quhet dalmatika. Hyn në përdorim, veshet nga priftërit vetëm gjatë meshës.

Në krijimin e gojdhanës për kësulën e bardhë të papës që i përngjet plisit tonë të rrumbullakët (jo atij me maje të theksuar), mund të ketë ndihmuar edhe një fakt tjetër i njohur historik. Ky fakt është se në fillim të shekullit XVIII u zgjodh papë Klimenti XI, që kishte prejardhje shqiptare, i fisit Kelmend. Me iniciativën e tij, më 1703 u mbajt një konzilium i peshkopëve të Shqipërisë, ku u muar vendimi që literatura kishtare të përhapej në gjuhën shqipe.

Po t'i shtojmë të gjitha këtyre që thamë më sipër se papët me të vërtetë mbajnë kësulë të bardhë të rrumbullakët, shumë të ngjashme me plisin shqiptar, atëherë na është plotësisht e qartë se nga rrjedhin këto tregime popullore.
Zeusi duke gjuajtur pjatel me qeleshe

No comments: