Tuesday, October 20, 2009

8 mijë serbë kërkojnë nuse në Shqipëri

Një kompani private në Shkodër ka lidhur deri tani 86 çifte. Kërkesat vazhdojnë të rriten.

Serbia dhe Shqipëria, dy vende që dikur flisnin me gjuhën e luftës, sot duket se kanë krijuar një marrëdhënie më shumë se miqësore. Prej dy vitesh, 86 vajza shqiptare janë martuar me djem nga Serbia, por fakti që aktualisht ka tetëmijë djem që janë vënë në radhë për t‘u martuar me vajza shqiptare flet qartë se tashmë mes dy vendeve po fryn një erë e re, shumë miqësore.

Në lagjen "Rus", në periferi të qytetit të Shkodrës, ndodhet shoqata "Moraça Rozafa", e cila përfaqëson pakicat serbo-malazeze në Shqipëri. Pranë zyrave të kësaj shoqate ushtron aktivitetin e saj edhe një kompani private "Maruel 2008", e licencuar për konsulencë familjare dhe që në bashkëpunim me kompaninë serbe "Novi Varosh" kanë marrë përsipër të bashkojnë në martesë djemtë serbë me vajzat shqiptare.

Çdo ditë, pranë shoqatës "Moraça Rozafa" të zë syri makina të shumta me targa të Beogradit. Janë të rinj nga Serbia të cilët kanë ardhur në Shkodër vetëm për një arsye: të gjejnë nuse. Kompania serbe është ajo që gjen djemtë, ndërsa kompania shqiptare merr përsipër të gjejë vajza dhe pasi djali me vajzën shihen dhe njihen, vendosin nëse duan të martohen. Kërkesat e djemve serbë për t‘u martuar me vajza shqiptare kanë kaluar çdo parashikim edhe të vetë dy kompanive që kanë marrë përsipër të martojnë djemtë serbë me vajzat shqiptare.

Procedurat nuk janë aspak burokratike dhe tepër praktike, madje ka raste kur fejesat ndodhin dhe brenda një dite, mjafton që djali dhe vajza të pëlqehen dhe nëse vendosin të fejohen duhet të bëjnë dhe një pagesë te kompanitë private që mundësuan njohjen.

Një tjetër anë pozitive është fakti se njerëzit e dy kombësive nuk shohin as përkatësinë fetare, as etnike dhe as të kaluarën, duke treguar një emancipim të brezave.

Një nga kandidatët për t‘u bërë dhëndër në Shqipëri është Vidan Mitroviç nga qyteti i Uzhlicës, 40 kilometra larg Beogradit. Atë e gjetëm duke u interesuar pranë shoqatës "Moraça Rozafa" ku ndodhet edhe kompania "Maurel 2008". Vidan Mitroviç duket me fat, sepse për të kompania propozon një vajzë në fshatin Grudë të Shkodrës. Kandidati për dhëndër së bashku me drejtues të kompanisë niset për në fshatin Grudë, ku e pret familja e Kanto Isufit, për t‘u njohur me vajzën e shtëpisë.

Pasi prezantohen, djali me vajzën pëlqehen dhe siç i takon zakonit të shqiptarit, fjala jepet nga i zoti i shtëpisë. Me lot në sy, Kanto Isufi jep fjalën e burrit se është dakord të krijojë miqësinë e re.



Vidan Mitroviçi është shumë i gëzuar. Në Serbi ka qenë e vështirë të gjejë nuse, sepse siç thotë ai, vajzat serbe po largohen drejt Perëndimit. Vidani thotë se u interesua për nuse nga Shqipëria pasi disa shokë të tij të martuar me vajza shqiptare kishin krijuar familje të lumtura. "Mua nuk më intereson e kaluara, as çështjet etnike, as ato fetare. Më intereson që të gjej një njeri të mirë", thotë Vidani, i cili sqaron më tej se në Beograd, shqiptaret kanë namin për vajza të thjeshta, të ndershme dhe punëtore.

Ndërsa nusja shqiptare që do shkojë në Serbi, Diana Isufi, pas fjalës së dhënë nga babai thotë se është e kënaqur që do të shkojë nuse në Serbi. Ajo pohon se do vazhdojë të ruajë traditat dhe zakonet e familjes dhe vendit, pa harruar më kryesoren, që nesër fëmijët e saj përveç serbishtes do të flasin dhe gjuhën e nënës, shqipen.

Miqësia mes familjes serbe Mitoviç dhe familjes shqiptare Isufi merr formë pas një dasme të vogël familjare të organizuar në një nga zonat turistike të Shkodrës.

ARDI HOTI

No comments: