Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë rreth 200 komunitete etnike triracore. Këto bashkësi filluan te krijoheshin me arritjen e kolonëve të parë evropianë të cilët sollën me vete afrikanë dhe gjetën këtu banorë autoktonë që Kolombi, gabimisht i quajti indianë.
Anëtarët e një prej grupeve te tilla janë përfshirë sot nga një krizë identiteti. Ata njihen me emrin Melungeon dhe ka kohë qe janë hedhur në kërkim të rrënjëve të tyre etnike dhe disa prej tyre mendojnë se mund të jenë me prejardhje shqiptare.
Melungeonët jetojnë të përqendruar kryesisht në Apalache, vargmale që shtrihen në një sërë shtetesh në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Thuhet se mbreti i rrokandrrollit Elvis Presley, aktorja e njohur Eva Gardner dhe presidenti i 16-të amerikan Abraham Linkoln kanë qenë me prejardhje melungeun. Në listat e regjistrimit te popullsisë melungeonët nuk kualifikohen as si indianë, as si zezakë dhe as si të bardhë.
Ndoshta është ky status i papërcaktuar etnik e racor, që i ka bërë Melungeonët të përfshihen nga një krizë identiteti dhe kjo krizë duket se është aq komplekse saqë po të pyesësh 10 melungeonë mbi prejardhjen e tyre etnike do të marrësh 10 përgjigje të ndryshme.
Ata thonë se të parët e tyre kanë qëne nga fisi i humbur i Izraelit, ndoshta turq, portugezë, ballkanas, shqiptarë, grekë, kroatë e të tjerë të ardhur në Amerike nga mesi i viteve 1500. Por ç’thonë burimet historike?
Kur evropianët filluan kolonizimin e Amerikes në shekullin e 17, u befasuan kur duke hyrë në brendësi të kontinentit hasën grupe njerëzish që jetonin në gjendje thuajse primitive.
Çuditërisht ata kishin tipare te ngjashme evropiane, por me një ngjyre lëkure paksa të zeshkët. Disa historianë thonë se melungeonët e sotëm jane pasardhës të qindra robërve armenë, grekë, boshnjakë, kroate e shqiptarë. Këtë përfundim ata e bazojnë në shënimet e admiralit britanik të shekullit 16, Fransis Drake. Në vitet 1500, Britania ishte përfshirë në luftë më Spanjën, dhe flota e admiralit Drake duke lundruar në ujrat e Mesdheut u ndesh me një anije turke që britanikët menduan se ishte spanjolle dhe e sulmuan.
Kur beteja përfundoi në hambarin e anijes turke, britanikët gjetën qindra robër, kryesisht nga vende te Ballkanit. Admirali Drake në shënimet e tij thotë se i mori këta robër në bordin e anijes se tij dhe në ndalesën më të parë që qëlloi në brigjet e Virxhinias, i zbriti në tokën e re. Fakti që melungeonët shikohen tani si një grup i përzier racor e etnik, studiuesit argumentojnë se me kalimin e kohës, këta ish-robër ranë në kontakt me fiset vendase indiane dhe u përzien me ta. Historiani Brent Kennedy, profesor pranë kolegjit Wise në Virxhinia thotë se tek melungonët edhe sot mund të vihen re tiparet evropiane.
Zoti Kennedi vetë është melungeon. Në librin e tij, Melungonët, Rilindja e nje Populli Krenar, Brent Kennedy, thotë se lidhjet e tyre evropiane duken edhe në një numër fjalësh e toponimesh. Për shembull është pranuar se vetë emri Melungeon rrjedh nga frëngjishtja Melange që do të thotë i përzier. Por zoti Kennedi këmbëngul, se melungeon rrjedh nga turqishtja melunkam - të mallkuar. Ky argument duket disi bindës po të mendohet gjendja pa asnjë shpresë e ish-robërve per t'u kthyer në vendlindjet e tyre. Por ndonjë studiues hedh tezën se melungeon mund të rrjedhë edhe nga shqipja mall-kam, ose kam mall, po të kihen parasysh shënimet e admirali Drake ku thuhet se mes robërve kishte qindra armenë, grekë, boshnjakë, kroate e shqiptarë. Historiani Kennedy thotë se edhe emri i fisit indian Cherokee vjen nga fjala shirokë - e shprishur, e përhapur.
Por Shirokë quhet edhe era që sjell apo përhap retë e shiut; një fjalë kjo mbarë ballkanike. Toponimin Alabama, Brent Kennedy e shpjegon me turqishten Allah - Bama, varreza e Zotit. Apo mos ndoshta rrjedh nga Albania, si kujtim nostalgjik i të shpërngulurve për atdheun e të pareve të tyre?
Syri3.com
No comments:
Post a Comment