Monday, October 19, 2009

Hap dollapin del miu, hap TVSH-në del Saliu...

Kjo ishte një ndër pankartat e protestës së G99 dje, përpara godinës së Radiotelevizionit Shqiptar duke kërkuar ndryshimin radikal të funksionimit të këtij institucioni të informimit publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë.

RTVSh është bërë megafoni i Berishës dhe zëvendësit të tij.


Erion Veliaj, duke iu referuar edhe gjithë raporteve ndërkombëtare (OSBE, Këshilli i Evropës etj.), sidomos sa i përket performancës së TVSh gjatë fushatës elektorale, theksoi se “TVSh është kthyer në një megafon ekskluziv për familjen e kryeministrit e të zëvendësit te tij”.

Ndërkohë, Genc Kojdheli nënvizoi se G99 është e vendosur në përpjekjen për t’ia kthyer TVSh qytetarëve shqiptarë, të cilët me taksat e tyre financojnë këtë institucion. “TVSH është i vetmi televizion që mbahet me taksat e shqiptarëve, të majtë a të djathtë, në jug a në veri, dhe është e

padrejtë dhe abuzive që ky institucion i informimit publik t’i shërbejë vetëm kastës në pushtet”, - tha Kojdheli, duke shtuar se, “është koha që TVSH të transformohet në një institucion profesional që informon publikun në mënyrë të ndershme e të paanshme, pa i shërbyer padronit të radhës”.

G99 deklaroi se do të vazhdojë betejën për reformimin e TVSh, me një sërë dëgjesash publike me grupet e interesit dhe specialistë të fushës, dhe duke e finalizuar me një propozim të detajuar për reformimin e tërësishëm e përfundimtar e këtij institucioni.


Njëra prej banderolave shënon : Hap dollapin del miu, hap TVSH-në del Saliu



Shndërrimi i TVSh në një TV qeveritar


“Faktori Plus”


Grupimi politik G99, mbështetur nga një grup qytetarësh, organizoi një tubim protestë para RTVSh për t’i bërë qëndresë përdorimit të ekranit të taksapaguesve shqiptarë nga qeveria dhe mazhoranca dhe bojkotit që operatori publik i bën opozitës apo çdo zëri të ndryshëm, sa herë që ligjërata nuk i shkon për shtat pushtetit.

Një nga deputetët e mandatuar të PS dhe botuesi i njohur, Fatmir Toçi, një ditë më parë përsëriti të njëjtën kërkesë ndaj ekranit, sipas tij të përçudnuar, për të cilin shqiptarët paguajnë me detyrim nga të ardhurat e tyre modeste.

Situatën e bën edhe më të rëndë fakti se, skandali i varësisë totale të TVSh nga qeveria njihet edhe ndërkombëtarisht. Progres-raporti i KE, i publikuar ditën e djeshme, thekson se reforma në RTVSh është bllokuar dhe se kontrolli i qeverisë ka ndikuar negativisht mbi të.

Në fakt kjo nuk është një panoramë as e panjohur dhe as e papritur për shqiptarët.

Historia profesionale dhe modeli mediatik i Radiotelevizionit publik turpëron çdokënd që ka pasur një kontribut të përhershëm apo të përkohshëm në atë institucion. Që nga viti 1991 ai është objektivi i parë për t’u pushtuar nga çdo parti në pushtet, duke u keqpërdorur në ekstrem.

Deri në vitin 1996 ai ishte ekrani i vetëm dhe i ndaluar për opozitën e asaj kohe.

Rëndësia e këtij ekrani ra ndjeshëm pas vitit 1998, kur në vend lulëzuan televizionet private, por shkolla e tij propagandistike nuk ndryshoi. Ai vazhdoi të përdorej si kobure ndaj opozitës dhe si një institucion pa vlera profesionale. Drejtuesit e tij historikisht kanë qenë njerëz që nuk mund të gjenin dot punë jashtë televizionit shtetëror për të ushtruar profesionin si gazetarë të lirë. Më keq akoma, drejtuesit e fundit nuk kanë as edhe një lidhje me gazetarinë. Këshilli i ri Drejtues, i zgjedhur pas vitit 2005, me Fatos Lubonjën në krye, fillimisht ruajti status quo-në e gjetur para kësaj kohe. Pas propozimeve për ndryshimin e formulës së Këshillit, Lubonja dha dorëheqjen, dhe në vend të tij erdhi Agron Tufa.

Drejtori aktual i RTVSh, Petrit Beci, u emërua në këtë detyrë në vitin 2006, si propozim i ardhur nga TV Klan. Pas dy votimesh të balancuara, ai fitoi në raundin e tretë falë mbështetjes që iu dha edhe nga anëtarët e opozitës në Këshill. Një punonjës mediokër dhe pa asnjë dinjitet profesional nga radhët e ish-Kinostudios dhe me pas në punë të dorës së dytë në Top Channel dhe TV Klan, ai u bë një urë për të gjitha abuzimet dhe keqpërdorimin e RTVSh prej televizionit Klan. Arkiva e RTVSh është transferuar e gjitha në arkivin e TV Klan me çmime që duhet të hetohen, ndërsa nga pikëpamja profesionale, televizioni ka thyer çdo rekord të medieve propagandistike. Për të filluar një reformë serioze në RTVSh, do të duheshin garanci ligjore për shmangien e kontrollit të politikës mbi të dhe krijimi i një modeli të suksesshëm sipas televizioneve publike perëndimore. Me këtë fytyrë ai ofron vetëm një model të qeverisë shqiptare për shtypin, dhe shihet qartë se modeli i saj është më i keqi i mundshëm.

Tema

No comments: