Thursday, October 22, 2009

Gjirokastër, 215 mijë lekë në muaj për të ruajtur flamurin shqiptar...

Ngrihej çdo mëngjes dhe hidhte sytë në qytet, por nuk shihte asnjë flamur shqiptar të valëvitej. Sytë përballeshin vetëm me flamurin e shtetit fqinj, i cili ngrihej në ndërtesën e konsullatës greke. Konsullata, me kërkesën e palës greke, vite më parë, është ngritur në qendër të qytetit.

Tajarin nuk e dëshpëronte prania e këtij flamuri. Është normal, thoshte ai. Flamuri i tyre valëvitet në godinën ku ata kanë konsullatën. Dhe kjo është gjë e mirë. Po pse të mos ketë dhe një flamur shqiptar në një vend të dukshëm. Kjo e mundonte shumë. Ndaj një ditë, profesori i gjimnazit të Gjirokastrës, Tajar Kokalari, mori një flamur shqiptar kuq e zi, me shqiponjën dykrerëshe, dhe e vendosi në cep të çatisë së lokalit të tij, një tip kafeneje, ngritur përballë konsullatës greke. Disa ditë ishte lumturuar duke parë përditë këtë flamur të valëvitej, krahas flamurit bardh e blu. Por një ditë gjithçka ishte përmbysur. Herët në mëngjes ai vjen të hap lokalin, por nuk i bëri dora të fuste çelësin në bravën e derës. I mungonte simboli i kombit të vet. Flamurin e tij të dashur, jo vetëm që ia kishin hequr nga vendi ku valëvitej, por e kishin hedhur në përrua.



Tajar Kokalari, ky burrë i fortë rreth të shtatëdhjetave, mësues në vite dhe njeri që i dhimbset ky vend, interesat e tij, njeri që ndjen dhimbje për të gjallë e të rënë të këtij kombi, atë ditë pësoi një trishtim të madh. U ul buzë trotuarit, vuri të dy duart mbi ballë dhe e lëshoi kokën mbi to, sikur qafa të mos kishte më fuqi ta mbante kokën sipër vetes. Qëndroi ashtu disa çaste, i përhumbur e zhytur në mendimet e veta. Kushedi sa kohë do të kishte qëndruar në atë pozicion, sikur të mos i afrohej i vëllai, Nuri Kokalari, i cili vuri re shqetësimin dhe e pyeti me merakun e vëllait, se çfarë kishte që nuk po hapte lokalin. Tajari u shkund sikur të zgjohej nga ndonjë gjumë i thellë dhe me sy të përlotur i thotë të vëllait se i kishin hequr flamurin. Nuriu e kishte venë re mungesën e simbolit kuq e zi, por për ta qetësuar Tajarin i thotë:



- Mos u mërzit, ore vëlla, se gjejmë një flamur tjetër dhe e vendosim prapë këtu.

- Mirë, po e vendosim prapë, po kush e ruan? Flamurin grek e ruan polici shqiptar, por flamurin shqiptar kush e ruan? Ata e ruajnë nga shqiptarët mos e heqin, gjë që nuk bën vaki. Po ne kush na e ruan flamurin nga grekët, apo ata që janë kokë e këmbë në shërbim të tyre? Nuk them, në Shqipëri jemi, mes shqiptarëve jetojmë, por paska prej tyre që nuk e duan Shqipërinë. Puna është ta gjejmë se cili është ai qen bir qeni që ka hequr flamurin. Përse tërë kjo armiqësi? Ne duam të jetojmë në paqe, në harmoni, por pa prekur njëri tjetrin në interesat kombëtare.



- Nuk është nevoja ta ruajmë. Ne jemi në vendin tonë, - shton Nuriu.

- Po të ishim në vendin tonë, përse na hiqet flamuri? Dhe u ngrit rrëmbimthi, ftoi të vëllanë për ta ndihmuar dhe po vështronin për rreth, mos gjenin ndonjë gjurmë. Pas rreth një ore e gjejnë të hedhur në një përrua, aty pranë dhe u hidhëruan edhe më shumë. E mori flamurin në dorë, e puthi dhe vuri re se ishte dëmtuar.



- Do ta rivendosim, por do të marrim masa për ta ruajtur, - tha ai, pa e parë të vëllanë në sy. Hapi lokalin dhe në çast dhjete vetë që prisnin në këmbë dhe shihnin hutimin e pronarëve, u futën brenda. Atë ditë në qendër të bisedës ishte flamuri. Tajari u kërkonte ndihmë për të financuar në ruajtjen e flamurit.

Dikush nga të pranishmit habitej me këtë kërkesë, ndonjë tjetër i jepte të drejtë, pasi sipas tij, ka shumë njerëz që nuk e duan vatanin, që u shërbejnë të huajve. Njerëzit shtoheshin një e nga e një dhe pas dy ore lokali nuk kishte më vend për t’u ulur. Ranë dakord, kush 5000 lekë në muaj, kush 3000 lekë, Tajari 100.000 lekë dhe mundën të grumbullonin 215 mijë lekë. U vendos që kjo shumë do të paguhej nga të gjithë për çdo muaj, pasi do të paguanin një person, i cili do të përgjigjej për ruajtjen e flamurit. Tajari u tha se do të vazhdonin të kërkonin ndihma edhe nga të tjerë dhe po u gjetën më shumë burime, kuota mujore do të pakësohej, sidomos për ata të moshuar që i hiqnin nga pensioni i vogël që marrin në muaj.

Jeta, Forumivirtual.com

No comments: