Saturday, October 17, 2009

Shqiptarët duan të jenë bashkë në një shtet të përbashkët.

Të kaluarën e kemi të përbashkët, e ardhmja na do të bashkuar. Ne shqiptarët vetëm në të tashmen jemi të ndarë.

- E kemi historinë e përbashkët si histori e rezistencës së përbashkët, e vuajtjeve dhe arritjeve të përbashkëta, e kryengritjeve dhe luftërave të përbashkëta çlirimtare.
- I kemi karakteristikat e përbashkëta: gjuhën shqipe, kulturën, traditën, doket e zakonet, vazhdimësinë territoriale.
- E kemi të përbashkët vullnetin për bashkim:
- referendumet e shqiptarëve do të na e mësonin atë që tashmë e dimë: shqiptarët duan të jenë bashkë në një shtet të përbashkët.
- E kemi interesin e përbashkët ekonomik: dyfishimin e tregut që sjell kushte më të mira për prodhim të brendshëm dhe investime nga jashtë. Aq shpesh e kemi dëgjuar të flitet për mirëqenien e shqiptarëve me ç'rast merret disi e mirëqenë qenia te kjo mirëqenie, mirëpo ne e dimë se ajo mbetet e ndarë në shtete të ndryshme dhe e parealizuar.
- E kemi edhte interesin e përbashkët të sigurisë: shqiptarët e ndarë paraqesin kafshata më të kollajshme për t'u kapërdirë nga Serbia e Greqia, fashizmi i të cilave nuk u ndëshkua sikurse ai i Italisë (sa i përket trevave të okupuara jashtë shteteve të tyre). Rrudhja e territorit të shqiptarëve është bërë nga lindja, veriu e jugu. Nuk është bërë vetëm nga ana e perëndimit, jo për shkak të perëndimit, por për shkak të detit.


Kur u njoh Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, nga 1.850.000 banorë shqiptarë, vetëm 750.000 u bënë banorë të Shqipërisë, kurse të tjerët mbetën jashtë shtetit nën mëshirën e regjimeve të huaja shtypëse.



Përveç lidhjes së Prizrenit, projektet më të detajuara dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e çështjes shqiptare i kishin Serbia e Greqia. Madje, kjo s'varej as nga ideologjia që ishte në pushtet në ato vende. P.sh. Partia Komuniste e Jugosllavisë në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, të përfunduar me 28 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjes, i ndau shqiptarët që kishin mbetur jashtë Shqipërisë nëpër republika të ndryshme të sllavëve të jugut: më shumë shqiptarë në Serbi sepse ajo ishte më e fuqishme, mesatarisht eksploatimi i resurseve të shqiptarëve.

Edhe sot e kësaj dite mbretëron një asimetri drastike e të drejtave: në shtetet ku shqiptarët trajtohen si pakicë, ata kanë shumë më pak të drejta sesa pakicat kombëtare në vendet ku shqiptarët janë shumicë. Kjo asimetri, kjo mungesë e reciprocitetit i lë shqiptarët pa dinjitet kolektiv (sidomos karshi fqinjve të tyre). Ky deficit i dinjitetit kolektiv rezulton me inflacion të dinjiteteve të vetësforcuara individuale, e që më së miri shihet te krerët e ndryshëm shqiptarë të partive politike.

Në vend se të kemi politikë shtetërore për shqiptarët kemi politika partiake për Shqipërinë. Elitat politike janë të pasura përderisa kombi është i ndarë. Nuk mund të gjeni politikanë të varfër, atyre thjesht, iu konvenon kjo gjendje. Vetëcensura është aq e shprehur kur vie puna te bashkimi kombëtar saqë jo vetëm që bashkimi kombëtar është vetëcensurë por edhe vetëcensura është bashkim kombëtar. Diskutimi dhe afirmimi i bashkimit kombëtar të ndihmon të çlirohesh nga vetëcensura si e tillë. Në anën tjetër, të gjithë ne kemi dëgjuar të thuhet edhe që bashkimi kombëtar është utopi. Mirëpo, ata që thonë kështu zakonisht angazhohen në forma të ndryshme t'i pengojnë të gjitha organizimet apo individët që bëheshin qesharakë?

Rreziku që u kërcënohet shqiptarëve nuk është vetëm fizik, nuk ka të bëjë vetëm me humbjen e territorit, të resurseve natyrore dhe të ngushtimit të perspektivës ekonomike. Rreziku është edhe shpirtëror: duan që Kosovën ta largojnë sa më shumë prej Shqipërisë, ta forcojnë aspektin e pavarësisë së Kosovës që konsiston në pavarësi nga Shqipëria, ta shkombëtarizojnë popullin shqiptar në Kosovë duke imponuar idenë e kombit të paqenë kosovar. Kësisoj, në Kosovë, në vend se të kemi proces të shtet-ndërtimit, kemi projekt të komb-bërjes.



Më lejoni të përfundoj duke thënë se ose do të bëhet Shqipëria etnike duke e përfshirë edhe Kosovën, ose e ndarë nga Kosova edhe Shqipëria do të bëhet multietnike. Do të shpikin minoritete edhe në Shqipëri, do të sajojnë minoritete vllehe, maqedone, arumune, malazeze, rome, ndoshta edhe një minoritet të dytë grek e kushedi se çka tjetër. Ndikimi ndërkombëtar do të rritet drejt një sundimi joformal dhe përmbajtësor të tyre. Prandaj, ose do të na merrni ju neve, ose do t'iu marrim ne juve. Unë them që më mirë të na merrni ju në mënyrë që të bëhemi tamam ne - Ne Shqiptarët.

(Fjalim i mbajtur në tubimin me studentët e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, më 27 tetor 2008).

No comments: