Tuesday, October 6, 2009

Kontributi yt në korrupsion


Ç'është korrupsioni?
Fjalin i Sekretarit të Përgjithshmëm të OKB-së, Kofi Annan:

”“Korrupcioni dëmton të varfërit, në mënyrë jo të barabartë, duke devijuar fonde të cilat janë të destinuara për zhvillimin, duke vënë në rrezik aftësinë e një qeverie për të siguruar shërbime bazë, duke ushqyer pabarazinë dhe duke ç’inkurajuar ( larguar – dëmtuar ) ndihmën dhe investimet e huaja.”



Kur dikush e shpërdoron pushtetin apo vendin e punës, për të pasur përfitime personale, gjithashtu ai quhet i korruptuar.

Ajo që vlen të theksohet është se niveli i lartë i korrupsionit nuk është një fabul e krijuar, por një realitet i hidhur që ndikon në mënyrë vendimtare tek cilësia e jetës së shqiptarëve. Në përgjithësi kostoja e korrupsionit ndikon në mënyrë vendimtare tek ngadalësimi ose frenimi i rritjes ekonomike.
Korrupsioni ndikon gjithashtu tek cilësia e shërbimeve që merren nga publiku, pasi zyrtarët e korruptuar do ti përqendrojnë aktivitetet e tyre atje ku marrja e mitës është më e lehtë dhe më pak e dallueshme. Ai ndikon tek ndjenja e sigurisë pasi korrupsioni shkatërron sistemin e rendit publik dhe zbatimit të ligjit. Po ashtu niveli i lartë i korrupsionit dekurajon investimet si pasojë e arbitraritetit, paparishikueshmërisë dhe pasigurisë që shkaktohet prej tij.

Por ka disa të tjerë që mendojnë se korrupsioni është një çështje kulturore, që të gjithë shqiptarët nuk janë të ndjeshëm ndaj korrupsionit. Në fakt pandjeshmëria e shqiptarëve është e kuptueshme, duke patur parasysh se korrupsioni në Shqipëri është shndërruar në një sistem të përditshëm dhe shqiptarëve për hir të mbijetesës, iu është regjur lëkura duke e duruar. Pavarësisht nga gjithpërfshirja në forma të ndryshme korrupsioni, duke variuar nga kontrabanda deri tek shtënia në dorë e disa shërbimeve elementare duke paguar një ryshfet, korrupsioni mbetet për t’u luftuar. Dhe gjithpërfshirja nuk duhet përdor si alibi për të imunizuar ata që janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga korrupsioni, të cilët janë pikërisht ata që kanë pasur edhe fuqinë dhe detyrën për ta ndaluar, por që nuk e kanë ndaluar. Dhe bëhet fjalë për ata titullarë të institucioneve shtetërore të cilët duhet edhe të ishin gardianët e sistemit dhe të vetmit që mund të bënin diçka kundër tij. Pjesa tjetër e popullsisë me të vërtetë mund të ketë qenë e përfshirë, mirëpo ka qenë e detyruar dhe nuk e ka pasur të mundur që ta shmangë. Pra përgjegjësit kryesor të korrupsionit janë ose njerëzit që kishin për detyrë të siguronin zbatimin e ligjit, ose politikanët që kishin pushtetin për të bërë reforma ligjvënëse, ose përfituesit kryesorë më masiv të tij. Ndërkohë shumica tjetër është viktimë e një sistemi ku ata ishin të shantazhuar të jepnin ryshfet. Dhe bëhet fjalë për atë shumicë qytetarësh që mbase ka rastisur të pagojë një mjek për një serum bërë fëmijës së vet, apo kanë paguar një zyrtar për të marrë në mënyrë të përshpejtuar një pasaportë që i takonte por që, po ti vonohej i digjte dokumentet në Greqi.

Edhe pse gjithë segmentet e shoqërisë mund të jenë të përfshirë në korrupsion, pra edhe pse shumë të varfër apo pjesëtarë të tjerë të shtresave të ulëta mund të japin e marrin mitë, duhet të vihet në dukje se mitmarrja është një dukuri elitare. Me zhvillimin e korrupsionit mund të krijohet një situatë si kjo jona, ku një grup individësh paratë e fituara nga korrupsioni përpiqen të paguajnë për të mbajtur pozicionet e tyre zyrtare e për rrjedhojë të përfitojnë në mënyrë të vazhdueshme nga pjesa tjetër e shoqërisë. Në kushtet kur institucionet ligjore janë të dobëta, anëtarët e këtij rrjeti elitar kanë imunitet e nuk tremben nga ligji. Gjithashtu një pjesë e mirë e njerëzve që janë të lidhur me këta nuk paguajnë të njëjtat taksa që paguajnë të tjerët, bile përkundrazi janë mbledhësit kryesorë të mitës. Zyrtarët e vegjël që janë mbledhësit më të shpeshtë të mitës nuk guxojnë t’u kërkojnë ryshfete të fortëve me pushtet, bile i paguajnë ata që të sigurojnë imunitet në postet e tyre. Për rrjedhojë barra kryesore e korrupsionit bie mbi ata që janë më të dobët. Shumë të varfër detyrohen të përfshihen në korrupsion, sepse nuk kanë alternativa të tjera, ndërsa ata që mund të ndryshojnë situatën dhe kanë mundësi zgjedhje janë elitat. Prandaj viktimat kryesore janë të varfrit pasi korrupsioni vetëm thellon pabarazinë shoqërore.

Kjo ndodh në radhë të parë sepse korrupsioni dëmton progresivitetin e taksimit pasi ata që paguajnë ryshfet dhe bëjnë evazion fiskal, paguajnë vetëm taksat fiks e nuk paguajnë për fitimin e padeklaruar prej tyre, ose thjesht nuk paguajnë gjë. Korrupsioni bën që baza e taksapaguesve të ulet dhe për rrjedhojë shteti të mbledhë vetëm paratë e të ndershmëve dhe taksat e buxhetorëve si mësuesit, të cilët apriori janë të paguar keq. Zvogëlimi i buxhetit të shtetit bën që të pakësohen edhe shërbimet publike nga të cilat përfitojnë kryesisht të varfërit e jo të pasurit. Të pasurit e kanë më të lehtë të paguajnë shërbimet private. Familjet me të ardhura të vogla paguajnë një përqindje më të lartë të të ardhurave të tyre për ryshfetet.

Përveç dëmeve ekonomike dhe politike, rreziku tjetër që vjen nga mosprekja për një kohë të gjatë e korrupsionit për një kohë të gjatë është rreziku social. Nëse mosndëshkimi i korrupsionit mbizotëron, të korruptuarit e dikurshëm shndërrohen në heronjtë e mëvonshëm dhe parimet e ndershmërisë dhe të të qenurit punëtor, bëhen të përçmuara. Fatmirësisht shumica e popullit shqiptar me verdiktin e datës 3 korrik 2005, tregoi se edhe pse i madh, dëmi i korrupsionit është i kthyeshëm dhe i zgjidhshëm. Dhe ç’është me e rëndësishmja dëshmoi se shumica e njerëzve në Shqipëri, duan ta heqin qafe korrupsionin ndërkohë që vetëm një pakicë ishte për status quo-në. Në tre korrik shumica e shqiptarëve dëshmoi bindshëm se do ndershmërinë dhe jo ryshfetin, dhe hodhi poshtë alibinë antropologjike që shumë persona përpiqen të përdorin për të fshehur korrupsionin e tyre.

Cili ka qënë kontributi yt në korrupsion, psh. si e keni zënë vendin e punës ? http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: