Tuesday, October 6, 2009

Ndal Karrotrec !

A keni parë në ndonjë kryeqytet tjetër të botës ...se si në bulevardin kryesor, karrotrecat bëjnë garë kush t’ia kalojë njëri tjetrit për të arritur në destinacionin e “viktimave” të tyre? Duken si ca makineri antike dhe në çdo moment pritet edhe të prishin rregullat e trafikut…


Ka një kryeqytet që po bëhet tipik për prezencën e madhe të tyre, unik në Ballkan, që me gjithë madhështinë e vet moderne ka mbetur në psikologjinë “madhështore” të përfitimit dhe provincializmit. Ky kryeqytet është Tirana jonë.
Një shkrim për karrotrecin ka muaj që më vërtitet në mendje. Fatkeqësisht shpenzoj në lagjen e çuditshme të quajtur “Bllok”, shumë orë të ditës dhe përveç rasteve kur e kam pësuar vetë rrëmbimin e makinës (madje edhe para syve të mi), kam parë shumë e shumë raste të tjera të procedurës së karrotrecave, impenjimin e policëve që “viktima” të mbërthehet mirë, indiferencën dhe prepotencën e shoferëve private të këtyre makinave gjigande, dhe shpesh herë përpjekjen e dëshpëruar të qytetarëve që kundërshtojnë pa asnjë shpresë.
Kush është i zoti të telefonojë në veshin e ndonjë politikani apo shefi, është “i fituar”. Kush është i zoti të mashtrojë se punon pranë ndonjë politikani, apo shefi, është “i nderuar”…

Psikologjia karrotrecore...
Karrotreci, si një mjet shërbimi përdoret kudo në botë dhe ka një funksion të caktuar. Si përherë, në eksperiencat e marra nga të tjerët për t’i përshtatur si tonat, kemi shumë pak sukses. Kështu edhe me karrotrecin, i cili është një nga shërbimet e Policisë Rrugore kryeqytetase, më i shumënjohuri për qytetarët, ndërsa për Drejtorin e Policisë Rrugore të Tiranës, z. Osmani, “…më i suksesshmi”.
Drejtori thotë se ai është i kënaqur që nëpërmjet shërbimit të karrotrecit, iu përgjigjet me shpejtësi ankesave të qytetarëve kur vendet e parkimit apo hyrjet e tyre të shtëpive bllokohen nga parkime spontane dhe pa leje….dhe thotë se karrotreci është një veprimtari private. Nuk është i pari punonjës policie që e thotë këtë. Është e çuditshme sa shpejt dhe prerë thuhet ky informacion që gati-gati e mbyll bisedën e nisur.
Pra, policia s’ka të bëjë me këtë procedurë: policia-shërbimi, i shtetit, njofton karrotrecin -shërbimin privat ta ndihmojë në kryerjen e ndëshkimit që duhet të marrë qytetari i parregullt.
Në pamje të parë çdo gjë duket normale. Ndërkohë, nxitimi i policëve për të ndëshkuar është magjepsës, drejtuesit e karrotrecave me emrat e tyre në krye të kabinës, shpesh me drita apo me xhufka, vijnë me shpejtësi të palejuar, por ama…pa kryer ndonjë aksident. Dhe gjithmonë karrotreci vjen në vendin e duhur, në kohën e duhur, shumë më shpejt se edhe se shërbimi i picave.



***
Të më falin ata që mendojnë se e kanë zgjidhur me mekanizmin e karrotrecit problemin e edukimit të njerëzve me rregullin dhe ligjin….
Le t’i kthehemi ligjit. Ligji është bërë që t’iu shërbejë qytetarëve dhe jo t’i pengojë, të mos i respektojë dhe t’i shqetësojë ata. Parashikimi, (nuk e di sipas cilës rregullore) se karrotreci duhet të jetë një aktivitet privat, është shumë i çuditshëm (dyshoj nëse ka shembuj).
Gjoba e vënë, është një tjetër element krejt abuziv - porosinë për të e bën një polic, i cili përgjigjet vetëm për shkeljen, por ndërkohë, është ai që të detyron nëpërmjet uniformës që ka veshur të shkosh e të paguash 4000 lekë, që për asnjë qytetar shqiptar nuk janë një shumë e vogël. Nëse provon të replikosh, ke ose nerva, ose ngritje supesh.
Le ta vazhdojmë fillin. Të shkojmë tek vendi i parkimit (i cili nuk përmbush asnjë kriter për t’u quajtur i tillë) të karrotrecave, pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore, në lagjen “Kinostudio” të Tiranës. Rruga që të çon deri atje është totalisht e paasfaltuar dhe me gropa të frikshme. Përveç kësaj, roja nuk ka një vend ku të futet, ai jep e merr fatura që shpesh janë të padeshifrueshme nga shiu, apo pluhuri, apo edhe mënyra se si ato shkruhen.
Një rast: dikujt që i ishte marrë makina sepse në Bulevardin e Tiranës kishte aktivitet. Ai dikushi shkoi në parkimin afër Drejtorisë së PR, nuk pagoi ndonjë gjobë, por e gjeti makinën të dëmtuar nga një tjetër mjet dhe askush nuk e mbajti përgjegjësinë për këtë. Natyrisht që qytetari i pagoi vetë paratë e riparimit të mjetit të tij.
Një tjetër rast: dikujt që i ishte lëvizur makina sepse e kish lënë në anë të rrugës, pasi shoqëroi në ambulancë nipin e vet invalid, pas shumë kërkimesh e gjeti makinën në vendin e parkimit, por nuk gjeti paratë që kishte lënë në makinë….
Ka raste të tilla dhe qytetarët nuk dinë ku të drejtohen…ose thjesht…lodhen. Asnjë përgjegjësi për stresin, shqetësimin e shpenzimet e tyre.
Kam pyetur shpesh herë: Pse? Pse i ndërlikojmë gjërat kur kemi mundësi t’i bëjmë ato lehtësisht të dobishme për veten tonë? Një nga përgjigjet më të shpejta që më vjen është se kur vjen momenti të vendosim se si duhen bërë gjërat, interesi i qytetarëve është e fundit gjë që mund të konsiderohet. Në fillim kryeson interesi personal, përfitues i atij që drejton. Asnjë merak për humbjet apo fytyrën që po i vëmë shtetit tonë…
A e kuptojmë sa e rëndë është për ne të gjithë të tregojmë se si shefat e administratës shtetërore i fusin paratë në xhepat e tyre. A e dini sa depersonalizues është ky informacion që ne të gjithë e dimë dhe të gjithë e pranojmë…
Është e dhimbshme që qytetarët diskutojnë hapur dhe me normalitet se paratë e karrotrecit ndahen me policinë. Nuk më intereson shumë se ç’lloj policësh janë ata, me këtë duhet të merren organet përkatëse të drejtësisë. Por më intereson shumë të shqetësohem dhe të flas për ato që dëgjoj dhe madje që pohohet edhe nga punonjës të policisë: karrotreci është një marrëveshje e korruptuar midis atij personit privat dhe atij punonjësit të shtetit në kurrizin e qytetarëve, në kurrizin e mbarëvajtjes së shtetit shqiptar, në kurrizin e parimeve të demokracisë, në kurrizin e modelit evropian që duam të krijojmë. Pra, janë grupe të caktuara që përfitojnë nga vjelja e parave prej tij. Në fakt, me një analizë të thjeshtë, kjo qëndron. Shqiptarët janë shumë më “të suksesshëm” kur abuzojnë se sa kur zbatojnë rregullat, kur nisen për të përfituar se sa për të punuar….
Le të kthehemi te fenomeni karrotrec në Bllok, në këtë lagje absurdo-interesante… Thirrja sistematike që i bëhet karrotrecit nga policët, kombinon shumë mirë (për policinë) e shumë keq (për popullsinë), me praninë e madhe të vetë policëve në rrugët e kësaj lagjeje. Po të kujtoj edhe njëherë fjalët e z. Osmani, se karrotreci ndodhet në shërbim të qytetarëve, atëherë s’e kuptoj pse policia “bën mbledhje” çdo ditë në këto rrugë. Nuk ka pamje më qesharake, më të mjerë dhe më pakuptim se ajo e policëve që qëndrojnë gati në mes të rrugës (asnjëherë në buzë të saj apo në trotuar), me blloqet e mëdha të gjobave në dorë, me fytyra shpesh agresive dhe prepotente (por jo kur kalon ndonjë makinë e rëndësishme).
Më mirë se askund tjetër në këto shfaqje qesharake kupton se policia nuk është në shërbim të qytetarëve. Ka një veçori të punës së policisë. “Fluturojnë” makinat e çdokujt, edhe kur nuk prishin rehatinë e të tjerëve dhe qëndrojnë me orë të zgjatura makinat që, pavarësisht nga ankesat e atyre që janë bllokuar, nuk i lëviz njeri. Provoni të ndaloni 2 sekonda për të ndërruar stacionin e radios: në krahun tuaj, pas xhamit do të shfaqet fytyra e policit “energjik” që pastron rrugën. Dhe asnjë nga këta energjikët nuk kërkon llogari për bllokimin e padrejtë të vendeve të parkimit që ruhen me roje nga lokalet përbri, pa asnjë licence. Polici gjithmonë afrohet tek qytetari me kërcënim. Çuditem për paratë dhe orët e shumta të shpenzuara nga komuniteti evropian dhe qeveria shqiptare për trajnimet mbi sjelljen dhe etikën e tyre profesionale…

Po marr një shembull afër nesh, me disa probleme të ngjashme: Selaniku, qyteti i dytë i Greqisë. Ka një trafik shumë të madh, ka një fluks shumë të madh të rinjsh që (po e njëjta kulturë prepotente dhe protagoniste për të qenë i dalluar dhe për t’u imponuar me gjeste të sipërfaqshme), mbushin rrugët dhe zënë hapësirat afër lokaleve ku ata shpenzojnë orë të tëra. Sikurse edhe këtu, dëshira për të parkuar makinën tënde sa më afër, gati përballë vendit ku do të pish një gotë me miq.
Por policia ka disa rregulla. Së pari, nuk është prezente atje, së dyti, ka një rregull që gjithkush e ndjek: qytetarët të lenë në xhamat e tyre numrin e telefonit që të mund të komunikojnë për ndihmë dhe të merren vesh me njëri-tjetrin, së treti, në orët e trafikut të madh, nuk ka rregulla të rrepta për hapësirat, që do të thotë se qytetarëve, të rinjve, mund t’ju lejohet kënaqësia e argëtimit për disa orë, aq kohë sa nuk pengojnë punët e publike që i zbaton bashkia (si marrja e plehrave, kalimi i autobusit, etj), së katërti, nëse ka nevojë për veprime ekstreme nuk futet karrotreci që kërkon hapësirën e vet jo të vogël, por merren targat e makinës… Gjithashtu ka një prioritet për banorët që jetojnë në ato lagje: janë ata të parët (me një shenjë të caktuar nga bashkia), që duhet të parkojnë dhe pastaj të tjerët, nuk lejohet marrja “me qira” e vendeve siç bëhet në Tiranën tonë, etj..
Roli i Bashkisë? Një tjetër problem i madh që kërkon një tjetër shkrim, por që tani më duhet ta përmend për efekt të temës. Sa kohë Blloku, apo lagje të tilla që kanë fluks të rënduar njerëzish në interval kohe të caktuar, do të jenë kaq shumë të populluara me makina, gradualisht do të bëhen të pamundura të jetohet dhe të funksionojnë dhe gjithmonë e më shumë qytetarët kryeqytetas s’do të kenë asnjë mundësi të ëndërrojnë për të pasur një zonë të këndshme.

Le të flasim pak më shumë për të tilla shqetësime, kjo na bën mirë të gjithëve që të mësohemi të përtypim dhe të tretim në stomakun tonë çështjet e mbarëvajtjes së shtetit, raportin e shtetit me qytetarin, personalitetin dhe ndërgjegjësimin e qytetarit, përgjegjësitë e shtetit dhe vullnetin e tij për t’i thënë ndal karrotrecit e të tjerave, si një simbolikë e shëmtuar e korrupsionit.
• Elsa Ballauri , Panorama

No comments: