Kompleksi "diellor", bartësit e të cilit mendojnë se dinë gjithçka, kanë në dorë fatet e qytetarit? Apo kompleksi i "inferiritetit" , që bartet nga ato/ata që gjithçka të arrirë apo edhe të paarrirë ia atribuojnë "zotit", atij nga lart, politikës, qeverisë, padronit? Si rrjedhojë, të dyja këto komplekse gjenerojnë dhunë, që veç të tjerash rrudhin hapësirën e lirisë së ndërgjegjes shoqërore e individuale. Pse?
Se liria, që niset nga koncepti bazë “unë jam i ndryshëm nga tjetri, madje edhe nga pjesëtarët e tjerë të familjes e komshiu”, është e prirë të lëvizë progresivisht, të shtrihet horizontalisht e "vertilialisht, të çkyçë të "fshehtat" që ka monopol dikush, se liria priret për ta vënë njeriun në zotërimin e asaj çka ai është dhe për ti lejuar atij përgjegjësinë e plotë mbi veten; se e vë në lëvizje ti! Mendoj të arsyetoj e të gjykoj mbi dukuritë e fenomenet që ndodhin rreth tij e më tej. Më në fund se lirinë e ndërgjegjes qytetare, që mund ta pagëzojmë si “Promete të ditëve tona”, për të arritur te liria e çliruar nga këto komplekset e quan të mirëqenë konceptin kantian "mos e trajtoni kurrë tjetrin si mjet, por si qëllim" (Jean-Paul Sartre", Eksistencializmi" f, 31). Këto e mendime të tjera të lindin kur je para qenieve njerëzore që nuk e konceptojnë dot përballimin e jetës me forcat e tyre, por çdo gjë ia atribuojnë atij nga lart, qoftë ky padron a lider. Por edhe kur je para politikanëve të "helmuar", që mendojnë se janë në qendër të botës, se të "ligat" që ndodhin atje nuk gjejnë hapësirën e nevojshme ku jeton e drejton ti, se dinë gjithçka që ka krijuar njerëzimi në shekuj, se janë të aftë të thonë fjalën e fundit për gjithçka edhe për. Ekonominë e gjeohistorinë, të drejtën, politikën, historinë, sociologjinë e filozofinë... Po një gjë e njohin shkëlqyeshëm: ti shërbejnë me çdo kusht e me cilësi oborrit familjar e klanor. Kjo kategori njerëzish janë si nën kthetrat e kompleksit diellor, ashtu edhe nën pushtetin e inferioritetit. Pse? Se në tërë hapësirën e vet ata që janë infektuar nga këto bacile, që ose e kanë të kufizuar njohjen e janë në delir të ngjitjes në "rrethin" e parë të saj, ku e ndiejnë veten mirë (mendojnë se me këtë "rreth" merr fund procesi i njohjes): ose përtej interesave, vetjake (e familjare, oborrit familjar e klanor) nuk kanë sy të shohin interesa të tjera, sidomos ato qytetare. Në fakt, të dyja janë një simbiozë e i japin shpirt njëra-tjetrës.
Njerëzit që "mbingopen" shpejt e kufirin e njohjes e vënë deri te "kati parë", zakonisht i mashtron dukja e sendeve dhe fenomeneve, ata nuk kanë aftësi shtirjeje horizontale e zhytje vertikale dhe, si të tillë, mbeten në breg pa qenë të aftë të notojnë nëpër dallgët e jetës. Kështu, ata e hedhin vështrimin nga të tjerët, pa qenë të aftë ti bëjnë ballë jetës me forcat e tyre. Bacili i inferioritetit, i mëkuar e yshtur nga ai i diellorit krijon "temperaturë" jo normale kudo, po shfaqja e këtij kompleksi në jetën politiko-shoqërore është me pasoja tepër negative për qytetarin, është, si të thuash, epidemi shoqërore me pasoja negative. Përhapësit e këtij bacili përmes tij synojnë të mbijetojnë në politikë, sidomos në fronin qeverisës. “Temperaturat” e larta që shfaqen te bartësit e tij përmes delireve të ndjenjave e instinkteve negative të jashtëkomanduara, janë ogur i mirë për politikanin. Them të jashtëkomanduara sepse ata që bëjnë përpjekje të mbijetojnë në politikë janë bartës të kompleksit diellor për "unin" (politikanin) e të kompleksit inferior për tjetrin" (qytetarin). Këtu e kanë bazën veç të tjerash teorizimet "e dinë ata nga lart", "ka kush mendon", "e di Partia, “e di lideri", praktikat e vendim marrjes në vetmi nga lideri, kur është i domosdoshëm edhe mendimi i lidershipi i partisë, apo akoma më tej kur duhet tërhequr qytetari, grupet e interesit.
Pikëpamje e praktika të tilla janë të natyrshme në vendet diktaturiale e neodiktaturiale, por ato edhe për shkak të "gjurmëve" që na vijnë nga shekujt, monarkitë absolute e diktaturat, që te ne u shtrinë në një hark kohor më se treçerek shekulli, njëra më egër se tjetra, në forma më të tëholluara, më të stolisur e të modernizuara na vijnë edhe në ditët tona, sidomos te ne, ku demokracia është ende e paarrirë plotësisht.
Diktaturat e neodiktaturt për të errësuar lirinë, që ka ndezur "kandilë" në hapësirat e ndërgjegjes, i kundërvënë koncepte e praktika që bien ndesh jo vetëm me të vërtetën historike, por edhe me ato të ditëve tona. Bartësit e këtyre komplekseve u bëhen strehë mendësisë totalitariste, sidomos të asaj që pohon filozofia e Hanash Arendt: "Vënia në rresht e individit, të hequrit dorë vullnetarisht si instancë politike e morale" (Filozofët" f. 289). Nuk vihen në rresht në mjaft raste politikanët tanë kur është fjala për ti dhënë jetë urdhrit të një lideri? Nuk vihen në rresht anëtarë të një partie për të pohuar se mendimi i liderit është mendimi i shumicës? Ndaj e vërteta nuk është shumë aritmetike, që buron nga një shumicë apo pakicë, por ajo është në thelb të një realitetet shoqëror e natyror që kërkon pasqyrim të saktë e të paanshëm nga ne, pavarësisht se ajo bie ndesh me interesat e kujtdo qoftë. Me këtë sy nuk është e vërtetë se e aprovon shumica apo pakica këtë apo atë dukuri, ngjarje apo edhe fenomen, por se në realitet është i tillë.
Demokracia, në ndryshim cilësor nga neodiktaturat e autokracitë, politika është në tërësi kuptimin e fjalës dhe mjet në duart e qytetarit për të qenë më i kamur, më i ditur, më i sigurt për jetën, për pronën e tij private e atë kombëtare. Në këtë sy të drejtat dhe liritë e politikanit janë të pandara nga ato të qytetarit. se parimet, ligjet, urdhrat e urdhëresat hartohen në parlament e gjetkë, krijohen për tu hapur udhë e për të zgjidhur problemet e kundërshtitë që u bëhen pengesë qytetarëve në realizimin e pikësynimeve të tyre. Ndaj e drejta që është në simbiozë me të vërtetën, jo vetëm nuk bie ndesh me interesat e qytetarëve, por pushton hapësirën e saj të natyrshme në ndërgjegje. Kështu, për qarkullimin e lirë nga fshati në qytet, nga një qytet në tjetrin, apo më tej nga një shtet në tjetrin në kërkim të një jete më të mirë, është i interesuar së pari qytetari, që ndien vështirësi në kërkimin e një vize në rrugë ligjore. Në këtë sy politikani nuk duhet të veçojë interesat e tij nga ato të qytetarit. Ndaj, kur flasim për lirinë, ajo nuk duhet të konceptohet vetëm si një kategori e njohjes dialektike, por edhe si praktikë, si rrugë për të arritur tek ajo. Dhe arrijmë tek e vërteta nëse ka transparencë të plotë për të venë në lëvizje aparatin konecptual të qytetarit për të arsyetuar e gjykuar mbi ngjarjet, dukuritë mbi arritjet e mosarritjet, individët e personalitetet. Kjo sepse liria nuk është një paketë, që ta dhuron dikush falas, por ajo fitohet me mund, e lodhje, madje duke venë në peshore dhe jetën kur është fjala për të mbrojtur të vërtetën pavarësisht nga kush kërcënollet. Pa bërë shumë histori, qysh në lashtësi shkencëtarë, filozofët, njerëzit e dijes na kanë lënë mesazhin se lirinë e shpirtit e buron dhe e ushqen e vërteta. Mbeten mesazhe të përjetshme edhe për brezat që do të vijnë thëniet: “Platoni mbetet mik po e vërteta është një mikeshë më e mirë” (Aristoteli); “E shenjtë nuk është se e mendojnë perënditë si të tillë po se është e vërtetë” (Sokrati); apo thirrja e Krishtit në agoni të një torture çnjerëzore: Ruaji o Zot se sdinë se çbëjnë", për të arritur tek e vërteta, te kjo ZONJË e lirisë, nuk është e lehtë, rruga nuk është e shtruar me asfalt, por me pengesa, me guriçka, me gurë madje edhe shkëmbinj, me emra të tillë si ato që kanë të bëjnë me politizimin, militantizmin e skajshëm, dhunimin e votës e kapjen pas disa të metave e dobësive që vihen re në procesin zgjedhor e që sduhet të përsëriten në të ardhmen, emocionet e instinktet negative, komplekset "diellore" të "inferioritetit", absolutizimi i "rrethit të parë të njohjes…
Politizimi i ngjarjeve, dukurive, personaliteteve deri fenomeneve e errësojnë lirinë për të mos thënë e mbysin, e shndërrojnë subjektin njohës e veprues në "një shkumë, një mbeturinë ose një lulelukër"
…Kur asgjë nuk është e shkruar në qiell dhe njeriu do të jetë para së gjithash ajo çka menduar të jetë... dhe tia lërë atij përgjegjësinë e plotë mbi ekzistencën e tij" (J.P Sartre", Eksistencialismi", f.16-t 7). Kjo se liria e ndërgjegjes qytetarit nuk i vjen nga jashtë, ai e arrin atë duke vënë në lëvizje aparatin e tij konceptual, madje edhe gjymtyrët për tu bërë më i ditur e më i kamur. Dhe dituria, mençuria, veprimet e zgjuara e individit fitohen duke punuar e asimiluar në mënyrë krijuese e kritike atë që ka krijuar njerëzimi në shekuj, idetë, pikëpamjet, tezat e hipotezat e dijetarëve e të shkencëtarëve, që për të vërtetën kanë bërë çdo sakrificë deri jetën. Sokratin, p.sh, nxënësit e tij deshën ta shpëtonin nga vdekja, por ai e piu gotën e helmit në mbrojtje të të vërtetave që i buronte koha dhe ligji. Edhe në ditët tona janë udhërrëfyese qëndrimet e Galileo Galileut, që megjithëse e pa veten para një trupi gjykues heretik e tejet të politizuar pohoi se “e megjithatë toka rrotullohet”, apo marrjen e jetëve mbi turret e druve të Xhordano Brunos, Nikolla Kopernikut, Servetit… që nuk iu bindën të vërtetave të kishës së asaj kohe, por së vërtetës dhe së vërtetës vetëm shkencore.
Liria e ndërgjegjes ka bërë rrugë të gjatë e të vështirë, duke u ndeshur edhe me dhunë të egër e shpesh duke kapërcyer edhe pikëpamje e teza që janë përcjellë nga njeri brez në tjetrin. Teoritë e Euklidit, p.sh, qëndruan më këmbë për afro njëzet shekuj, por Llobaçevski, Rimani etj. kanë vërtetuar se një trekëndësh në hapësirë ka më shumë ose më pak se 180 gradë, se dy vija paralele mund të takohen në një pikë, se një kënd i drejtë mund të ketë më shumë ose më pak se 90 gradë.
I shkrova këto pak radhë për të thënë se ajo që dje konceptohej si absolute e dhënë një herë e përgjithmonë dhe e paprekshme, teoria e relativitetit na hodhi dritë për ta parë e gjykuar në mënyrë krijuese e kritike duke e vënë në pasqyrën e realitetit. Këtë gjë na e mësoi edhe Sokrati i botës së lashtë kur dyshoi për moralin, shkollën e normat e vendosura para tij, na e ndriçoi Dekarti, që na la mesazhin të zbojmë idhujt nga kokat tona. Kjo se mesazhet e veprimtaritë konkrete të shkencëtarëve që sakrifikuan gjithçka për ti bërë jetë parimet e të vërtetat shkencore, zbuan së pari komplekset "diellore" e "inferiore" nga ndërgjegjja e tyre për pasojë dhe nga ne.
Hapësirat që pushtojnë "teoritë, tezat, hipotezat, madje edhe praktikat e reja, jo vetëm zbojnë të dy armiqtë kryesorë të ndërgjegjes (komplekset "diellorë" e të inferioritetit), në rast se kemi të drejtë ti nominojmë të tillë (armiq), por i krijojnë frymëmarrje të natyrshme lirisë, duke e kthyer, p.sh, edhe politikën nga qëllim për të realizuar interesa oborri familjar e klanor, në mjet në duar të qytetarit për të qenë më i sigurt për jetën, më i kamur e më i ditur. Arrihet liria jo vetëm kur çliron një shoqëri a një populli nga sundimi i një vendi tjetër, por edhe kur zbon diktatura të kuqe apo blu si dhe gjurmët e tyre që mbarsin e pjellin komplekse të kësaj natyre. Dhe diktatura nuk i ngjan një qenieje, që, pasi vdes e mbulojmë, por një kufome, që kalbet mes nesh e që mikrobet e saj janë me pasoja negative për të gjallët. Kështu, liria që pushton gjithë hapësirën e demokracisë dhe ka në bazë të vërtetën, bie ndesh me këto komplekse që i kanë mëkuar shekuj, madje lufton edhe për ekzistencë. Kjo se për bartësin e kompleksit "diellor" ka një tjetër të vërtetë morali, sjelljeje, karakteri... nga ai i qytetarit. Makiaveli, tek i cili e ndiejnë veten të qetë edhe politikanë nga tanët, tori dy morale: një të aplikueshën vetëm për princin dhe një tjetër për qytetarin e thjeshtë.
Teoria makiaveliste e dy moraleve, e dy sjelljeve bie ndesh me realitetin demokratik, ku morali i qytetarit është njëherazi edhe ai i politikanit. Në këtë sy nuk është i lirë ai politikan, qoftë edhe lider në fronin qeverisës, kur me të drejtën që i ka dhënë qytetari bie ndesh me moralin e tij. Për qytetarin, p.sh, është i huaj morali i mafiozit, i trafikantit të drogës, të fëmijëve, të femrave, gjunjëzimi, shpërfillja e tjetrit, gjë që është e duhet të jetë edhe për politikanin, qoftë në shkallën e parë apo në shkallën më të lartë të hierarkisë. Ndaj me të drejtën që na jep ndërgjegjja morale pyes: është e moralshme që, kur një politikan dje i ke nominuar "mafioz", “trafikant droge e femrash", “mashtrues”, “gënjeshtar”, ta ftosh në fron për të qeverisur? Kemi të drejtën e qytetarit të themi "ndal!". Ke të drejtë morale ti drejtohesh qytetarit kur ke deklaruar: "Në emër të LSI-së, por dhe në emër të gjithë Shqipërisë i bëj thirrje Sali Berishës që urgjentisht të bëjë transparente këtë marrëveshje të pistë, që i ngjan për nga përmasat marrëveshjes për shitjen e vendit nga Ahmet Zogu"? (29.04.2009), e pa tharë boja mirë të bësh deklaratë tjetër: "Shpreh keqardhjen time të thellë që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje... nxit ndjenja të ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikë rajonale të paqes dhe stabilitetit"?! Nuk jam në gjendje të gjykoj në këtë rast nëse ka të drejtë pozita apo opozita, por shtroj problemin e ndërgjegjes morale. Është e kuptueshme që edhe morali, si çdo formë e ndërgjegjes shoqërore, ndryshon. Por individë me një ndërgjegje kaq të ulët morale jo vetëm që nuk ndryshojnë aq shpejt, por ti bëhen barrë qytetarit mbi shpinë për ti drejtuar punët është e papranueshme, detyrim i Shqipërisë, opozita po spekulon? Ndërgjegjja kërkon veç të tjerash që të pranosh kur ke gabuar e me të drejtën morale të kritikosh edhe tjetrin.
Liria ka bazament të vërtetën, por interpretimi i saj shpesh qytetarit i krijon mjegull dhe e vë në pozita të vështira. Me syrin e politizimit a të një militantizmi të verbër, nga bartësit e komplekseve "diellorë" e të “inferioritetit", një ngjarje a një personalitet shihet njëanshmërisht e vetëm njëngjyrshëm.
Personaliteti i Ahmet Zogut, p.sh., nga disa politikanë e "analistë" shihet vetëm bardhë deri themelues shteti e demokrat, nga të tjerë vetëm zi, deri tradhtar kombi; kur ai, siç ka meritën e tij për konsolidimin e shtetit shqiptar, ka dhe anën negative të sjelljes së tij ndaj opozitës e kundërshtarëve të tij politikë që i kanë dhënë zë kombit...
Në përfundim të këtyre radhëve dëshiroj të pohoj se është e nevojshme, madje e domosdoshme ti zbojmë, madje më me forcë se deri tani komplekset “diellorë" e të “inferioritetit” nga "kokat" tona. Të mos harrojmë asnjë çast se ato i kanë krijuar pengesa demokracisë, madje shpesh dhe e kanë rrezikuar. Nuk duhet nënvlerësuar që për afro treçerek shekulli jemi mëkuar nga "diej", që mbarsin e pjellin servilë e të gjunjëzuar.
Metropol
No comments:
Post a Comment