Tuesday, November 10, 2009

Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007

Këtu keni vetëm diçka, nga të tëra ato akte të turpshme e çnjerëzore, që kanë qenë të detyruar të heqin në kurriz shqiptarët falë "fatit" që kanë gjitonë "të civilizuar" e “djep qytetërimi”. Shikoni kulturën helene si rrezaton dhe shkëlqen...rrezaton si dielli mbi gjakun e foshnjeve që u këputen kokat, që nga Çamëria e deri në Përmet.

-Lexoni dhe mos harroni, lexoni dhe mendoni se si do u vejë halli shqiptarëve më sharlatanë si politikanët tanë...
Lexoni dhe mos harroni se jeni gjak nga ai gjak qe eshte derdhur pa asnje pike faji...
-Lexoni dhe imagjinoni dhimbjen e shqiptareve...
-Mos harroni kurre varret e tyre...
-Mos harroni as veten tuaj, sepse dhe ne qe jemi gjalle, ashtu duan te na shohin, rrjepur e djegur...
-Lexoni dhe shperndajeni ku te mundeni kete material....

MOS HARRONI KURRE SE JEMI SHQIPTARE
MOS HARRONI GJAKUN E DERDHUR DHE TE DREJTAT QE NA KANE MOHUAR




Materialet e meposhtme jane historike jo propogandistike. Kane si qellim pasqyrimin e te vertetes, asgje me shume se aq. Pasi ta keni lexuar deri ne fund nuk mendoj se zhvillimet e viteve te fundit ne Shqiperi do u duken rastesore apo miqedashese nga kisha greke=shteti grek=qarqet shoviniste greke=lobi grek

Ne fund, pasi ta keni lexuar, mund te shkruani edhe dy fjale nese e shikoni te arsyeshme

<><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><> <> <>
<><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><><> <> <>

Nga kërkesat për territor në kohën e Kongresit të Berlinit e deri tek videoja e ushtarëve

Dosja e zezë e Greqisë, 1912-2007

Shekulli i 14-të. Ja ç'shkruan Faik Konica në vitin 1940 për "bëmat" e dhespotit grek me emrin Thanas:

"Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Siç thotë Dukasi, (një historian grek) një nga lojrat e tyre të parapëlqyera ishte t'u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t'i linte të vdisnin në agoni"

Shekulli i 21-të. Mars 2007. Një video linçohet në media, ku ushtarët grekë këndojnë duke marrshuar një këngë me këto fjalë: "I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh". Për fat të keq, edhe pse 7 shekuj më pas, incidenti më i fundit në lidhje me Greqinë, duket si realizim virtual i masakrave të Thanasit. Edhe pas kaq kohe ndërgjegjjet e kombeve vazhdojnë të mbajnë peng marrëdhëniet mes dy popujve.
Një "peng" që e ka zanafillën që kur pronarët shqiptarë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, punësonin argatë grekë pasi burrat shqiptarë shkonin e luftonin në çdo cep të botës për Perandorinë Osmane. Vendosja e tyre në Epir, që në fakt sipas Konicës, s'do të thotë gjë tjetër veçse "Kontinent" e që nuk tregon kombësinë e banorëve që jetojnë në të, u bë flamuri i pretendimeve të fqinjëve për greqizmin e jugut të Shqipërisë. Një konflikt që ka sjellë shumë e shumë incidente mes dy vendeve. Gazeta "Tirana Observer", boton vetëm 100 prej tyre, që nga viti 1912 e deri tek videoja greke që u shfaq vetëm pak ditë më parë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes së marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Dy popujt më të lashtë në Ballkan, i kanë ardhur në ndihmë njëri-tjetrit në momente shumë të vështira. Mes luftëtarëve që i sollën pavarësinë Greqisë, renditen edhe shumë emra shqiptarësh. Ndërkohë përkrahja greke u vulos edhe me "Traktatin e Mirëkuptimit, Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit e Sigurisë" në vitin 1996.

Marshimi për të pushtuar Epirin, 5 tetor 1912

Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të mbrojtur territoret nga faktori shqiptar që kërkonte pavarësinë. Veç ushtrisë u organizuan dhe banda të armatosura që qarkullonin fshatrave myslimanë të Çamërisë. Ishte koha kur përpjekjet e Shqipërisë për të shpallur pavarësinë po jepnin frytet e para. Ky mobilizim i shqiptarëve u pa si kërcënim për Greqinë e cila nisi hapur ofensivën për pushtimin e Vorio Epirit. Emërimi i një guvernatori me origjinë shqiptare në Janinë u interpretua nga grekët si zgjerim i një rreziku shqiptar për marrjen e Janinës dhe krahinave përreth.

Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912

Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan jo vetëm me armë, por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje përfaqësuesit e shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç Vorio Epirit, Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës ishte vendosur Flota Helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër.

Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913

Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë me radhë, krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë ai vendos t’i mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62 kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte, dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.

Komisioni i Kontrollit, Shqipëri, shtator 1913

Ndërkombëtarët vendosin të zgjidhin çështjen e Epirit, duke dërguar në terren një komision kontrolli, i cili do të verifikonte pretendimet e grekëve për Korçën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën. Ushtria greke u përpoq që të pastronte rrugën ku do kalonte komisioni nga shqiptarët, madje dhe banesat në disa fshatra u lyen me bojën e flamurit grek. Grupe grekofilësh dërgonin peticione, ku thuhej se Jugu i Shqipërisë nuk duhet të jetë i shqiptarëve. Mes grekëve dhe komisionit u regjistruan dhe incidente.

“Batalioni i Shenjtë”, Andartët, 1913

Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e shqiptarëve. Në këtë pikë nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakrat në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët.

“Protokolli i Firences”, 17 dhjetor 1913

Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë që Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithķa, Margëllëi, Parga, Gumenica e Preveza.

“Grushti i Shtetit”, dhjetor 1913

Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.

Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914

Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që sipas tyre i përket Vorio Epirit, por edhe janë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”.

Protokolli i Korfuzit, 17 maj 1914

Më 24 prill 1914, Fuqitë e Mëdha njoftuan Greqinë se ishin të gatshme t’u bënin lëshime ”Vorio-Epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të saj. Qeveria e ndodhur nën një presion të gjithanshëm u detyra t’ua besonte Fuqive zgjidhjen e krizës. Protokolli parashikoi që Korça e Gjirokastra, edhe pse do ishin në shtetin shqiptar të kishin një administratë të vetën. Për shkak të ndihmës që i dha Italia, Greqia i la ishullin e Sazanit.

“Qeveria” e Epirit të Veriut, nëntor 1914

Qarqet greke u përpoqën që revoltën ta organizonin në një lëvizje për pavarësi të Epirit të Veriut. Për këtë qëllim ish-ministri i Jashtëm grek, Nikollaq Zografi, së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë, shpalli krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e Andartëve, Zografi izoloi Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Zyrtarisht qeveria greke nuk e njohu këtë qeveri të re, por nuk hezitoi ta ndihmonte me ushqime dhe me armë.

Incidentet fetare, 1919

Qeveritë e brishta të Shqipërisë kishin arritur të krijonin institucionet e para dhe të ruanin disi integritetin e vendit. Qeveria e Iliaz Vrionit kish arritur të zmbrapste disa sulme të grekëve. Ndërkohë shqetësim ishte propaganda antishqiptare e kishës greke. Rasti më tipik ka qenë ai i Peshkopit Jakov të Korçës. Sipas raporteve ai e kish kthyer kishin në një qendër propagande për Vorio Epirin. Me urdhër të qeverisë Jakovi u largua nga vendi gjë që solli dhe reagimin e Athinës.

Konferenca e Paqes, Paris 1919

Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën oreksin grek. Në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, kryeministri grek Eleftherios Venizelos kërkon aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kishin aftësi shtet-formuese dhe nuk mund të krijonin një qeveri. “Shtetasit grekë në Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti helen dhe jo nga shqiptarët të cilët nuk kanë asnjë qytetërim”.

Incidenti për të drejtën e minoriteteve, mars 1921

Greqia me anë të ndërkombëtarëve fitoi të drejtë që minoritetet e saj të kishin trajtimin e duhur nga shtete ku ata bënin pjesë. Kjo nënkuptonte të drejtën për të folur gjuhën dhe për të pasur shkolla greke. Por këto kushte Greqia nuk pranoi t’i plotësonte për popullsinë çame që mbeti nën çatinë e Greqinë pas ndarjes së kufijve në territorin grek. Shteti shqiptar e ngriti disa herë këtë çështje në lidhjen e kombeve, por greket raportonin se çamët kishin të njëjta të drejta me grekët e tjerë.

Përplasja e shifrave, 1921

Ekziston një incident i përhershëm mes Greqisë dhe Shqipërisë për sa i përket çështjes së numrit të minoritarëve që ekzistojnë në Shqipëri. Greqia pretendon dhe vazhdon të këmbëngulë se në territorin shqiptar janë mbi 400 mijë grekë. Ndërkohë në Departamentin e Shtetit Amerikan kjo shifër është rreth 200 mijë. Ndërsa në bazë të regjistrimit të bërë nga shteti shqiptar, në mars të vitit 1921, ky numër ka qenë 33.313. Sidoqoftë ky numër, sipas statistikave, nuk ka arritur asnjëherë të kalojë shifrën 50 mijë.

Shkëmbimi i çamëve me turq, mars 1923

Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, i ndërprerë me 1913 nga Lufta e I-rë Botërore dhe rinisur me 1919, la jashtë territorit rajone të banuara nga shqiptarë, Çamërinë dhe Kosturin. Traktati i Lozanës nënshkruar me 1923, parashikonte shkëmbimin e popullsive greke dhe turke, për të zgjidhur kështu një problem të dy vendeve. Tragjikisht Greqia konsideroi si myslimanë turq banorët e Çamërisë dhe mbi 6800 çam u shpërngulën me forcë. Një pjesë e tyre preferoi të vinte në Shqipëri.

Vrasja e Gjeneral Tellinit, 23 gusht 1923

Gjenerali italian Tellini së bashku me Riza Kolonjën dhe përfaqësues të palës greke u caktuan nga Konferenca e ambasadorëve për të vendosur kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ushtaraku italian u akuzua nga qeveria greke se po mbështeste pretendimet e Shqipërisë. Në ditë kur vendoseshin piramidat kufitare në Kakavijë, Tellini vritet së bashku me katër ushtarë në rrugën Janinë-Kakvijë. Qeveria greke e dënoi vrasjen, por fajtorët nuk u gjendën asnjë herë.

Fan Noli për Çamërinë 22 gusht 1924

Zhvillimet në Çamëri e detyruan qeverinë Shqiptare të ngrejë çështjen në Lidhjen e Kombeve. Kryeministri Fan Noli në një seancë për Shqipërinë denoncoi hapur masakrat e ushtarëve grekë në jug të vendit. Ai kërkoi që të mos kryhej ndërrimi i popullsisë dhe çamët të mos silleshin në Shqipëri pasi nuk kishte vend ku të sistemoheshin. E vetmja zgjidhje, thotë Noli, është që çamët të vendosen në tokat e minoritetit grek në Gjirokastër dhe këta të fundi të shkojnë në Greqi.

Incidenti mbretëror, prill 1939

Greqia ishte i vetmi vend që mund t’i siguronte mbretit Zog një largim të shpejtë pas pushtimit fashist. Kryeministri Metaksa e pranoi familjen mbretërore të kalonte në Greqi. Por ndërsa mbreti, mbretëresha dhe princi niseshin me tren nga Follorina rreth 500 ushtarë hipin në tren dhe kërkuan çarmatimin e shoqëruesve të mbretit. Në kujtimet e saj, Mbretëresha Geraldinë shkruan se Greqia kish një plan për ta izoluar familjen mbretërore në një ishull të Greqisë si garanci për marrëveshjet që kish me Italinë. Sipas saj vetëm gjendja e rëndë shëndetësore e princit Leka bërë që grekët të mendoheshin për pasojat që mund t’u sillte vdekja e një princi në tokën e tyre.

Internimi i burrave çam, 4 gusht 1940

Pas shpërnguljes dhe terrorit ndaj popullsisë çame, grekët për të evituar protesta ndoqën dhe rrugën e internimeve. Qeveria greke krijoi komisione që përzgjidhnin popullsinë ku veçonin meshkujt që ishin për luftë dhe i internuan në ishujt e humbur të detit Egje. Sipas dëshmive, trajtimi i tyre ishte i njëjtë me atë që nazistët u bënin hebrenjve. Dhe si për ironi pushtimi gjerman i Greqisë në 6 prill 1941 i liroi çamët e internuar, por kur u kthyen në fshatrat e tyre nuk kish mbetur askush.

Shqipëria në Luftën Italo-Greke, 1940

Pak e çuditshme, por lufta Italo-Greke ka nisur pas vrasjes së një shqiptari. Daut Hoxha ishte një nga kapedanët çamë më popullor që luftonte kundër Greqisë. Për kokën e tij Athina kish vënë 500 mijë dhrami. Hoxha u vra nga disa patriotë të paguar nga grekët, dhe Italia e cila kërkonte një shkak e cilësoi këtë si një dhunim të të drejtave çame. Për Italinë ishte një udhëheqës popullor, ndërsa për Greqinë “kryetar i një bande plaçkitëse”

Greqia shpall Ligjin e Luftës, 10 nëntor 1940

Gjatë luftës italo-greke, Parlamenti helen miratoi ligjin 2636/1940 ose siç njihet ndryshe Ligji i Luftës me Shqipërinë, për shkak se vendi ynë u përdor nga Italia për nisjen sulmeve ndaj Greqisë. Më vonë këtij ligji ju shtuan dhe shumë amendamente që kishin të bënin me pronat e çamëve, të cilat kapnin vlerën e 350 milionë dollarëve. Ky ligj u bllokon pronën gjithë personave grekë me kombësi shqiptare, duke përjashtuar në këtë mënyrë komunitetin çam. Edhe sot ky ligj mban peng çështjen e çamëve.

Vrasja e Xhaferr Ypit, 17 nëntor 1940

Sulmet greke në territorin shqiptar shkaktuan jo pak viktima mes civilëve shqiptarë. Më 17 nëntor 1940, gjatë një bombardimi grek në zonën e Kolonjës, u vra afër fshatit të lindjes, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Xhaferr Ypi. Patriotët shqiptarë reaguan, por ushtria greke nuk mbajti përgjegjësi duke e cilësuar si një incident anësor që ishte bërë për shkak të keqllogaritjeve të sulmit.

Protesta e shqiptarëve për pushtimin, 28 nëntor 1940

Pas tërheqjes së forcave italiane, ushtria greke fillon të përparojë në Jug të Shqipërisë, brenda një jave, Korça, Saranda dhe Himara ranë në duart e ushtrisë greke. Gjeneralët i cilësuan këto zona si greke dhe filluan ndëshkimin e popullatës vendase. Nacionalistët shqiptarë organizuan një demonstratë në qytetin e Korçës, ku kërkonin që qeveria greke të njihte integritetin e Shqipërisë. Demonstrata u përpoq që ndalohej nga forcat greke. Në çdo qytet forcat greke hoqën flamurin shqiptar dhe vendosën atë helen.

Shifrat e terrorit çam, 1940

Më shumë sesa incident mund të cilësohet si një luftë. Por nëse në një anë ishin ushtarët grekë, në krahun tjetër ishin civilë të pafajshëm. Ushtria greke vrau në Çamëri 4300 njerëz, rezultojnë të zhdukur 3500 njerëz, u dogjën 102 fshatra, u shkatërruan plotësisht 57 fshatra si dhe 7280 shtëpi. Shumica e njerëzve u ekzekutuan, por pati masakra kolektive ku fëmijët dhe gratë u therën me thika, u dogjën, madje dhe veprime makabre si djegie dhe rrjepje të gjallë të njerëzve. Askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet. Sipas zyrtarëve greke, u ekzekutuan bashkëpunëtorët me italianët, që në këtë rast paskan qenë edhe gra dhe fëmijë.

Masakra e Napolon Zervës, 25 qershor 1944

Napolon Zerva ishte një nga gjeneralët grekë që bashkëpunoi me pushtuesin gjerman. Këta të fundit i lanë dorë të lirë për masakrat ndaj popullsisë çame. Në fakt masakrat e tij ndaj popullsisë shqiptare do t’i kishin zili dhe gjermanët. Në 25 qershor ‘44, forcat e Zervës ekzekutuan në mënyrë barbare 2000 çamë brenda një nate në qytetin Paramithia. Viktimat ishin kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët u therën me thika dhe u dogjën. Kjo ishte një nga masakrat më të egra të grekëve.

Ankesa e grekëve në SHBA, dhjetor 1944

Grekët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës me pretendimin se ai ishte një mysliman që do të persekutonte minoritetin ortodoks në jug të vendit. Madje, ata shprehën mendimin në qarqet ndërkombëtare që as nuk duhet të krijohej fare. Në dhjetor të 1944-s grekët iu drejtuan Departamentit Amerikan të Shtetit, me notë proteste ku pretendohej se forcat qeveritare shqiptare keqtrajtonin minoritetin grek. Në këtë mënyrë pala greke po përgatiste territorin për një sulm dhe aneksim të Vorio Epirit.

Incidentet në Konispol, 1944

Në linjën e mosnjohjes së qeverisë që po krijohej, grekët vazhduan me një seri sulmesh në jug të vendit edhe pse Lufta e Dytë Botërore nuk kish përfunduar. Në këtë kohë do të regjistroheshin 58 incidente në kufirin shqiptaro-grek. Në 1 shtator, artileria greke e vendosur goditi Konispolin. Territori shqiptar u shkel në disa pika duke u shoqëruar me goditje të armatosura dhe reprezalje ndaj popullsisë civile.

Ministri grek: Të rrëzohet Hoxha, Uashington, 9 korrik 1945

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Andreas Sofianopulos, do ta shtronte çështjen e Vorio Epirit edhe në takimin që pati me Sekretarin e Shtetit në SHBA, Grew, në vitin 1946. Veç kësaj përfaqësuesi i qeverisë greke edhe këtë herë gjatë bisedës për synimet territoriale të shtetit të tij, nuk harroi të paraqesë edhe kërkesën për mosnjohjen nga SHBA-ja të regjimit të Hoxhës, pasi sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar nuk përfaqësonte shumicën e popullit.

Greqia kërkon kufijtë, Paris 1946

Përveç incidenteve, Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u përpoq ta shtronte çështjen e Vorio Epirit dhe në qarqet diplomatike. Duke shpresuar në ndihmën e SHBA-së e anglezëve, diplomatët grekë u përpoqën ta ngrinin dhe shtronin për diskutim këtë çështje. Ndërkohë që ndërkombëtarët nuk kishin kohë të merreshin me ndarje te reja në Ballkan, duke u përqendruar më shumë në zgjerimin që po bënin shtetet komuniste në Evropë. Ndërkohë Greqia u kërkoi ndërkombëtarëve marrjen e masave për ndërhyrjet, që sipas saj, po bënte Shqipëria në punët e brendshme të Athinës.

Greqia kundër pranimit të
Shqipërisë në OKB, 12 shkurt 1946


Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kërkoi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara anëtarësimin si anëtare me të drejta të plota. Përveç mbështetjes që qeveria jonë kishte nga shtetet komuniste dhe linjës jo të qartë në diplomaci, edhe faktori grek luajti kartën kundër hyrjes së Shqipërisë. Në 12 shkurt ministri i Jashtëm grek dërgon një letër në OKB, ku argumentonte se çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të dhe Shqipëria nuk ka plotësuar të drejtat e minoritetit.

Sulmi në Radat, gusht 1946

Në 1946-n nisin dhe planet ushtarake të Greqisë për pushtimin e Vorio Epirit. Një nga sulmet më të rënda gjatë këtij viti ishte ai i 200 ushtarëve, të cilët kaluan kufirin shqiptar dhe hynë në fshatin Radat. Sulmi u bë me mitraloza dhe murtaja, ku ngelën të vrarë shumë civilë. Kjo ishte seria e një sërë sulmesh që forcat greke kishin planifikuar në gjithë shtrirjen e territorit greko-shqiptar. Në ato kohë ushtria shqiptare nuk ishte organizuar në nivelet e duhura.

Greqia, nuk njeh luftën shqiptare, 1946

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë mjaft të tensionuara. Shteti grek i cilësonte shqiptarët si njerëzit që bashkëpunonin me Italinë në luftën italo-greke. Ndërkohë që shqiptarët u përpoqën të çliroheshin vetë nga Italia. Po ashtu nuk ishin dakord që Shqipëria të renditej në koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore dhe e kërkuan këtë publikisht.

Propaganda e zyrtarëve grekë, 20 shkurt 1948

Veç sulmeve sporadike qarqet greke u përpoqën që të përgatisnin edhe opinionin e lëkundur për çështjen e Vorio Epirit. Një zyrtar grek deklaronte në 1948-n, në radion e Athinës se, “Tani duhet të mbarojmë punë me Shqipërinë. Greqia tani duhet të luftojë me të gjitha mjetet, gjer në frymën e fundit. Sinjali u dha tani në Epir, ku ushtarët tanë janë duke luftuar me parullat, Morava, Korça, Delvina, Saranda, Gjirokastra të “Vorio-Epirit” ende të paçliruara. Duhet të mbarojmë hesapet me Shqipërinë”.

Propaganda për pushtimin e Shqipërisë, 1949

Lufta civile në Greqi solli jo pak probleme dhe për Shqipërinë. Qeveria greke akuzonte shtetin shqiptar se po ndihmonte partizanët kundër ushtrisë demokratike greke. Gjatë kësaj kohe janë hedhur parulla, libra e broshura të ndryshme që bënin thirrje kundër qeverisë shqiptare. Robërit grekë pranojnë se komandantët bënin propagandë anti-shqiptare, duke përmendur Vorio Epirin dhe krijonin mes radhëve të ushtarëve psikozën e një sulmi të shpejtë kundër territorit shqiptar. Ushtria shqiptare shtoi forcat e saj në kufirin greko-shqiptar.

Robërit grekë në Shqipëri, 1949

Një skuadër e ushtrisë greke hyri në territorin shqiptar. Forcat shqiptare pas një shkëmbimi zjarri arritën të kapin rob disa ushtarë dhe oficerin grek Skuros Dhimitris, i cili kishte hyrë 300 metra në territorin tonë. Oficeri grek dha informacionin për planet e Greqisë. Ai tregoi se kishte marrë urdhra për të goditur me armë kundër rojeve shqiptare. Ai pranoi se ushtria greke duhet të jetë gati për të hyrë në tokat shqiptare për të shfarosur komunistët dhe më pas të merrej Vorio Epiri.

7 orë luftë në Vidohovë-Devoll, 2 gusht 1949

Artileria greke qëllon me armën në tokat shqiptare dhe predhat bien 300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë. Vetëm pasditen e 2 gushtit ushtria shqiptare arriti të zmbrapsë atë greke, e cila kish hyrë në territorin tonë. Nga ana e grekëve u vranë 100 ushtarë dhe u kapën rob 3.

Kërcënimi i gjeneralit grek, Aleksandër Papagos, 3 gusht 1949

Qëllimet greke për Vorio Epirin nuk ishin vetëm fantazi e qarqeve të veçanta, por edhe e zyrtarëve të lartë të cilët jepnin vazhdimisht deklarata anti-shqiptare. Ish-ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Papagos, deklaroi në Athinë se pas shkatërrimit të Andarteve, ”Pastaj do t’i biem Shqipërisë”. Kjo ishte dhe deklarata më e rëndë e lëshuar nga një gjeneral lufte, së cilës qeveria shqiptare iu përgjigj me një notë proteste.

Incidenti i Leskovikut, 4 gusht 1949

Pas Vidohovës, ushtria greke i shtriu sulmet në pjesët e tjera të kufirit. Sulme sporadike u regjistruan në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14. Grekët të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta sulmuan kuotat 1425 dhe 309. Kundërsulmet e forcave kufitare shqiptare i zmbrapsën grekët. Në këtë kohë ushtria greke filloi përdorimin e predhave të kalibër të lartë, të cilat lëshoheshin nga pikë larg kufirit, si dhe përdori avionët gjuajtës.

Bombardimi i Menkulasit, 5 gusht 1949

Vetëm gjatë dy ditëve, në gushtin e 1949-s ushtria greke ka hedhur më shumë sesa 1500 predha artilerie. Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare thuhej se një pjesë e mirë e këtij municioni ka rënë në fshatin Menkulas (Devoll). I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat e marra për këtë mbrojtje në një urdhër të lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën Shqiptare”.

Beteja e Vidohovës, 7 gusht 1949

Vidohova u shndërrua në një arenë të përplasjes shqiptaro-greke. Në piramidën I-55 trupat ushtarake greke kishin mundur të mblidheshin në territorin shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me ato shqiptare, të përbëra nga një togë dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Ishte një betejë frontale ku forcat greke kishin zënë pikat kyçe. Brenda një dite forcat shqiptare arritën të merrnin pikat e zëna në kufirin shqiptar, po nuk mundën t’i mbanin dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë më vonë forcat shqiptare arritën të largonin togën greke.

Rrëzimi i avionit grek, gusht 1949

Përveç forcave tokësore, ushtria greke përdori dhe aviacionin. Një aeroplan ngrihej nga Korfuzi, duke depërtuar në zonën shqiptare për të bërë zbulim. Me gjithë mungesën e armëve kundërajrore, ushtria shqiptare arriti që me anë të një trekëndëshi me armë të lehta të vendosura në Çukë, Manastir, Ksamil ta detyronte të largohej atë. Në njoftimin Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe raportohet se aeroplani u rrëzua në fushën e Finiqit dhe piloti u kap rob.

Sulmi grek i 12 gushtit 1949

Përreth gjashtë orë në mëngjesin e 12 gushtit forcat greke dhe ato shqiptare kanë zhvilluar një luftë të vërtetë në zonën e Gurit-Bilisht. Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe katër aeroplanë të tipit “Spitfire” sulmojnë tokën shqiptare në drejtim të Bilishtit, ku arrijnë të zmbrapsin rojën kufitare. Luftimet u zhvilluan në afërsi të postës kufitare, ku repartet e ushtrisë shqiptare i thyen forcat greke me gjithë armët moderne që kishin. Ushtria greke kishte në përdorim 36 gryka zjarri të artilerisë, madje u përdorën dhe predha me napalm që digjnin çdo gjë përreth.

Vrasja e komisarit Nasi Remaçka, 13 gusht 1949

Mëngjesin e 13 gushtit forcat greke prej dy brigadash, të mbështetura nga artileria, kaluan kufirin shqiptar në piramidën I-33, sektori i Bilishtit. Qëllimi ishte që të përqendroheshin në Malin e Palikut nga ku mund të sulmonin Bilishtin. Në këtë betejë u vra komisari i batalionit të kufirit Bilisht, Nasi Remaçka, së bashku me korrierin e tij, Dane Zeneli. Ndërkohë robërit grekë deklaronin se në betejën e një dite më parë kishin tërhequr 50 ushtarë grek të vrarë, ndërkohë që atë ditë u vranë 26 ushtarë grekë.

Vrasjet e civilëve, 14 gusht 1949

Mëngjesin e 14 gushtit forcat greke nisin një tjetër ofensivë. Brigada e 41-të, e mbështetur me një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh “Spitfirë”, vazhduan sulmet e tyre kundër Shqipërisë. Në këtë ditë grekët hodhën më shumë se 2.000 predha artilerie në tokën shqiptare në katundet Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll si dhe në qytetin e Bilishtit. Nga goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale në disa shtëpi të katundeve të mësipërme.

Bilanci i një lufte të pashpallur, gusht 1949

Në bazë të komunikatave të Ministrisë Mbrojtjes në vitet 1950, nga rreth 49 provokacionet e ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë mbetën vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë. Por duke llogaritur dhe dëmet që u shkaktuan në civilë të paarmatosur, kjo shifër duhet të ketë qenë më e lartë. Ndërkohë që në komunikatë thuhet se në bazë të dëshmive të mbledhura nga robërit e luftës, forcat tona i kanë shkaktuar ushtrisë greke mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa 270 të tjerë u kapën robër.

Tanket greke në kufirin shqiptar, 1949

Arsyetimi grek ishte se në tokat shqiptare fshiheshin partizanët që sulmonin qeverinë greke. Në “incidentet” në kufi u vunë në përdorim të gjitha armët. Në sulmin e 25 gushtit forcat greke sulmuan me avion artileri dhe 3 tanke. Sipas komunikatës operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ky ka qenë një nga sulmet më të mirë organizuar nga ushtria greke, por që u arrit të ndalej nga pala jonë dhe ushtria greke u zmbraps në tokën e saj.

Shërbimet sekrete greke, gjyqi i Bozhigradit, 1950

Përveç incidenteve, shërbimet greke filluan dhe infiltrimin e agjentëve sekretë në territoret shqiptare. Në fshatin Bozhigrad, sot Miras, Korçë u zhvillua gjyqi kundër disa të të ashtuquajturve agjentë, megjithëse ky gjyq u shndërrua në një “shou” popullor, ku askush nuk mund të vërtetonte implikimin e banorëve. U cilësuan si agjentë grekë Qazim Sina, Qani Seskollari dhe Myslim Biskallari, sepse kishin hyrë në tokën tonë dhe zhvilluan aktivitet spiunazhi. Madje ata u akuzuan dhe për një plan për të vrarë kolonelin Petrit Dume.

Krijimi i organizatës antishqiptare “MAVI”

Në linjën e spiunazhit, gjenerali grek, Vasil Mellaj, rekruton një sërë minoritarësh shqiptarë dhe krijon organizatën anti-shqiptare “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit). Sipas ish-oficerit të Sigurimit Bekim Budo, minoritarët Spiridhon Vllahoni, Pandelejmon Kotokoni, Vasil Shahini dhe Jani Diamanti ishin themeluesit e organizatës. Qëllimi ishte riaktivizimi i shërbimeve greke për çështjen e Vorio Epirit në kushtet e një Shqipërie ku sundonte regjimi komunist.

Rrëmbimi i postës në Pogon, 18 shkurt 1950

Provokacionet dhe sulmet sporadike vazhduan edhe gjatë vitit 1950. Në 18 shkurt një grup ushtarësh grekë në zonën e postës së Sopikut u futën 600 metra në tokën shqiptare dhe i bënë pritë njësitit të shërbimit të postës që shkonte në pikën e vrojtimit. Në këtë incident mbeti i vrarë ushtari Bendo Buzo, ndërsa një ushtar tjetër u zu rob nga grekët. Pas ardhjes së përforcimeve nga repartet shqiptare njësiti grek u largua.

Incidenti në malin e Gramozit, 24 maj 1950

Provokacioni i 24 majit ishte një nga më agresivët e atyre viteve. Një batalion grek i përforcuar me artileri kërkoi të merrte majën e Çukapecit nga ku mund të kontrollonte territorin e Ersekës. Reparti shqiptar dispononte vetëm 50 forca me armatim të lehtë. Ushtarët grekë u futën deri në 150 metra në territorin tonë. Pas një luftimi disa orësh forcat greke u tërhoqën duke lënë 6 të vrarë dhe 7 të plagosur, ndërkohë që pati humbje dhe në bazën materiale.

Memorandumi i Ministrisë së Jashtme greke, 7 gusht 1952

Në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit gjendet një dokument i qeverisë greke, ku parashtrohet ndarja e Shqipërisë. Dokumenti është hartuar në vitin 1952 nga Ministria e Jashtme greke. Plani ishte që, Greqia të merrte “ok” për të rrëzuar regjimin komunist dhe më tej synohej ndarja e Shqipërisë. Pjesa e jugut deri në Shkumbin, sipas “Megali Idesë” (e hedhur nga ministri grek Venizellos që në vitin 1919), i takonte Greqisë, ndërsa veriu Jugosllavisë. Varianti tjetër ishte një protektorat ndërkombëtar mbi Shqipërinë.

Përplasja Tiranë-Athinë për Ligjin e Luftës, 1955

Shteti shqiptar me anë të kanaleve të ndryshme diplomatike kërkon nga qeveria greke shfuqizimin e Ligjit të Luftës. Kërkesa u bë dhe publikisht në gazetën ”Zëri i Popullit” të atij vitit. Ndërkohë nga qeveria e Athinës përgjigjja ishte se për këtë gjë duhet të vendoste Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke. Një përgjigje që fare mirë mund të merrej si një provokim i hapur. Në këtë kohë masat në kufirin greko-shqiptar u shtuan më shumë sesa zakonisht.

Agjenti “Papastrati”, 1971

Në vitet 1971, në duart e Shërbimeve Sekrete Shqiptare do të binte një agjent grek që kishte luajtur rolin kryesor në çështjen e Vorio Epirit. Sipas dëshmive të njerëzve të Shërbimit Shqiptar, agjenti me emrin “Papastrati”, i cili ishte një shqiptar me orgjinë greke, ka zbuluar një pjesë të planeve sesi vepronte organizata greke antishqiptare për “Çlirimin” e Vorio Epirit.

Fondi i Ministrisë së Jashtme greke për shqiptarët, Athinë 1980

Thirrjet anti-shqiptare nuk kanë qenë sporadike. Shpeshherë mediat greke e kanë demonizuar faktorin shqiptar për çështjen e Epirit. Sekreti i zbulohet vite më parë nga kryeministri grek Kostandin Miçotaqis. Sipas tij, në Ministrinë Jashtme të Greqisë ekziston një fond special që u shpërndahet mediave për të ndryshuar raportimin e lajmeve mbi realitetin shqiptar. Ky fond veç parave shpërndante dhe lajme për mediat në lidhje me synimet e Shqipërisë së Madhe.

Parlamenti grek lë në fuqi Ligjin e Luftës, 1987

Qeveria e Papandreut kërkon që të nxjerrë jashtë përdorimit Ligjin e Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por kjo nismë që mund të kish shkrirë akujt mes dy vendeve nuk u pranua nga Parlamenti helen. Presidenti i asaj kohe deklaron se edhe nëse ky ligj abrogohet nga Parlamenti, Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të pasi ai është dekretuar nga mbreti dhe Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai i mbretit.

Ramiz Alia, 1991

Një intervistë e Presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia, u bë shkak i një serie deklaratash dhe notash protestash mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një grup gazetarësh grekë pyetën Presidentin shqiptar në lidhje me çështjen e pakicave kombëtare, kryesisht për ato greke në jug të vendit. Alia u kujtoi gazetarëve se ka dhe pakica shqiptare në Janinë dhe Çamëri, të drejta e të cilave nuk janë zbatuar dhe nga një shtet demokratik si Greqia. Ministria e Jashtme greke e cilësoi këtë si një provokacion.

Incidenti me priftin grek, Tiranë, 28 qershor 1993

Në vitet pas diktaturës ky mbahet mend dhe si fillimi i incidenteve të rënda me Greqinë. Prifti grek Kristostomu Maidonis u shpall persona “non grata” dhe u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare, shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër, duke shpërndarë në kishat ortodokse shqiptare harta të Vorio-Epirit, ku Jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Athina reagoi ashpër duke akuzuar direkt Presidentin Berisha për këtë incident.

Plani i Miçotaqisit, Athinë, 14 korrik 1993

Kryeministri grek, Kostandin Miçotaqis, paraqet një plan për jugun e Shqipërisë të përbërë nga 6 pika. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si Epiri, të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova.

Projektkushtetuta, Tiranë 1994

Një nen i Projektkushtetutës së propozuar në vitin 1994 u bë shkak që marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës të ftoheshin më tepër. Projektkushtetuta përjashtonte mundësinë e zgjedhjes në krye të kishës shqiptare të një peshkopi, i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Kjo gjë nuk u pëlqye nga kisha greke që kishte emëruar në Shqipëri kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Kjo bëri që Tirana të merrte shumë kritika nga fqinjët.

Masakra e Peshkëpisë, Gjirokastër, 10 prill 1994

Më 10 prill, në orën 02:40 një komando greke prej 8 personash me uniforma të ushtrisë greke hynë në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi pranë një reparti ushtarak. Komandoja vret në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagos tre shqiptarë. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin. Gazeta “Elefterotipia” publikon lajmin se vrasja është marrë përsipër nga grupi terrorist “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Epirit”. Po ashtu gazeta shkruan se ky grup financohet nga Nikolas Gejxh.

Greqia bllokon 35 milionë eku, qershor 1994

Maskara e 10 prillit solli dhe reagimin e shtetit shqiptar. Me anë të një note proteste, qeveria kërkoi gjetjen e autorëve. Ndërkohë u bënë akuza dhe ndaj zyrtarëve të shtetit grek. Por përgjigjja e Athinës këtë herë ishte më pak diplomatike. Ajo ndërpreu dhënien e fondit prej 35 milionë eku që Bashkimi Evropian i kish akorduar për Shqipërinë. Ky ishte një rast tjetër ku incidentet pasoheshin nga kriza dhe incidente të tjerë.

Berisha dhe incidenti i Bostonit, 17 shtator 1994

Vizita e parë e Presidentit Berisha në SHBA u pasua me një incident për çështjen e Vorio Epirit. Rektori i Universitetit të Bostonit i ofroi Berishës një medalje në shenjë mirënjohjeje, por me kusht që të mbante një fjalim, ku të premtonte hapjen e shkollave për minoritetin grek. Berisha nuk pranoi dhe rektori i universitetit nuk i jep dhuratën në shenje proteste për diskriminimin që i bëhej minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut. Greqia e shfrytëzoi këtë gjë në raportet e saj për Shqipërinë.

Berisha-Gejxh, Boston, 19 shtator 1994

Edhe këtë herë incidenti mes Presidentit Berisha dhe një prej ideatorëve të lëvizjes së Vorio Epirit u zhvillua në SHBA. Berisha dhe Gejxh ndodheshin në një pritje zyrtare, ku pas fjalës së Berishës, Gejxh hodhi poshtë të gjitha arritjet demokratike që përmendi Presidenti. Gejxh nuk harroi të përmendë dhe respektimin e të drejtave të minoritetit. Por Presidenti ngrihet sërish dhe flet për numrin e studentëve minoritarë dhe shkollat që janë hapur nga qeveria.

Arrestimi i të pestëve, shtator 1994

Arrestimi i pesë krerëve të njohur të organizatës minoritare “Omonia” acaroi më tepër marrëdhëniet greko-shqiptare. Akuza që u ngrit ndaj tyre ishte për spiunazh në favor të Greqisë. Për këtë çështje ndërhyri dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ku kritikoi ashpër qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes minoritare. Gjyqi që u bë ndaj tyre bëri që marrëdhëniet mes Greqisë, Kishës Ortodokse dhe Shqipërisë të njihnin dhe periudhat më të acarta. Pas shumë presionesh të ndërkombëtarëve, Gjykata Kushtetuese i liroi ata në vitin 1995.

Anulimi i Trojkës Evropiane, Athinë, dhjetor 1994

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kish arritur ta bindte qeverinë shqiptare për lirimin e pesë të akuzuarave për spiunazh. Atëherë Këshilli i Evropës vendosi të caktojë një grup pune për të shmangur përkeqësimin e situatës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Pas takimit me palën greke në Athinë, shteti helen nuk lejoi që Evropa të hynte në bisedime me palën shqiptare për këtë çështje.

Operacionet fshesa, 1995

Pas viteve 1990, në Greqi emigruan rreth 400 mijë emigrantë ku pjesa më e madhe është pa leje qëndrimi. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare kanë bërë që mëritë diplomatike zbrazen te këta mijëra qytetarë shqiptare. Operacionet fshesa janë arrestime në masë të policisë greke disa herë në dhjetëra mijëra dhe kthimi i tyre në Shqipëri. Në vitet ‘94-‘95 pati rreth 4 operacione të tilla ku shqiptarët trajtoheshin në kushte çnjerëzore.

Vrasja e tre ushtarëve grekë, 1995

Një post kufitare grek ndalon në maj të vitit ‘95 një grup shqiptarësh që kalonin kufirin, mes tyre dhe një çift nga qyteti i Shkodrës. Ushtarët grekë përdhunojnë në grup para syve të shqiptarit, gruan e tij dhe tallen me të. Tre ditë më pas, i riu shkodran shkon te posta i armatosur dhe vret tre prej ushtarëve. Mediat greke e pasqyruan aktin e shkodranit si terrorist, ndërkohë që dy ditë më pas policia arrestoi rreth 8 mijë shqiptarë dhe i nisi drejt kufirit të Kakavijës.

Deklarata Panhelenike, SHBA, qershor 1995

Kongresi i 29-të i Organizatës Panhelenike të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Australisë i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së Vorio Epirit. Në deklaratën e këtij kongresi organizata shprehej se, “qeveria shqiptare duhet të ndalonte diferencimin që kish filluar në dëm të shtetasve grekë autoktonë”. Gjithashtu deklarata i kërkonte SHBA-së të ndërhynin për të zgjidhur situatën me Shqipërinë.

Gejxh, “non grata” në Shqipëri, 1995

Publicisti greko-amerikan Nicolas Gejxh, i njohur si një mbështetës i çështjes së Vorio Epirit, kërkon të hyjë në Shqipëri së bashku me një deputet amerikan, Tom Lantosh. Pas kërkesës që i bënë Ministrisë Jashtme, kjo e fundit kthen përgjigje se Gejxh është person “non grata” në vendin tonë. Ai ishte një nga të dyshuarit për organizimin e masakrës së Peshkëpisë. Ministria i bëri të ditur se në rast se do të hynte në kufi, ai do të arrestohej.

Deklarata e zyrtarit grek, gazeta “To Paron”, Athinë, 27 shtator 1995

Një nga gazetat më të mëdha greke, në një artikull të saj citon një zyrtar të lartë grek për çështjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Sipas zyrtarit, “Kryepeshkopi Janullatoas duhet të qëndrojë në Shqipëri, pasi homogjenet e Shqipërisë kanë më shumë nevojë për të, si i vetmi mbrojtës i tyre dhe i pazëvendësueshëm për kishën shqiptare. Nëse ai qëndron me gjithë sulmet që shteti shqiptar u bën minoritarëve ata do të jenë të sigurt”.

Ngritja e flamurit në Himarë, 23 shkurt 1997

Kur ende shteti nuk kish rënë gjatë 1997, në Himarë edhe pse një zonë jo shumë e dëmtuar nga fenomeni i fajdeve persona të panjohur ngritën në qendër të qytetit flamurin grek. Sipas raporteve të policisë së asaj kohe, flamuri ishte ngritur nga persona të paidentifikuar. Ndërkohë që shteti grek e shoqatat e minoritarëve deklaruan se nuk kishin asnjë lidhej më këtë akt, por ai është ngritur nga banorët e zonës.

Zgjedhjet parlamentare 1996

Faktori ndërkombëtar nuk i cilësoi si të rregullta zgjedhjet e vitit 1996. Presidenti Berisha akuzoi publikisht për këtë çështje në forumin ndërkombëtar ekonomik të “Crans Montanës”, faktorin grek. Ai përmendi emrin e Gejxh dhe të tjerë, duke i akuzuar si destabilizues të rajonit. Ministria greke protestoi duke i kujtuar sërish Berishës çështjen e 5 të burgosurve minoritarë.

Trakte antishqiptare në Jug, 1997

Në ditët kur shteti nuk ekzistonte më në Jug, për ditë e ditë me radhë avionë civilë të ardhur nga Greqia hidhnin trakte mbi qytetet e Jugut me përmbajtje antishqiptare. “Vorio Epiri është grek”. “Grekët e Shqipërisë të bashkohen me Greqinë”. Shteti grek i asaj kohe u shpreh se nuk kishte asnjë lidhje me organizata të tilla dhe shërbimet inteligjente nuk kanë pasur asnjë mision të tillë.

Zv.ministri grek në Shqipëri, 17 mars 1997

Në protokollin e çdo shteti, një anëtar kabineti duhet të lajmërojë ardhjen e tij në një shtet tjetër zyrtarisht. Por kjo nuk ndodhi me zëvendësministrin e Jashtëm grek, Janis Kranidiotis. Duke thyer rregullat diplomatike, zyrtari grek kaloi kufirin dhe hyri në Shqipëri, ku u takua me Komitetet e Shpëtimit në Gjirokastër. Qeveria greke nuk dha asnjë shpjegim për këtë ngjarje, ndërkohë vetë zëvendësministri humbi jetën në një incident ajror pak muaj më pas.

Thirrjet anti-shqiptare, gazeta "Stohos", 05 mars 1997

Sipas gazetës greke, "Stohos", “oficerë vorioepirotë” drejtojnë kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish-ministër i Mbrojtjes. Shpallet autonomia, në Himarë e Tepelenë ngrihet flamuri grek. Shtabi i andartëve të Epirit bën thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhtoni prapë. Treqind të rinj nisen nga Athina për në Sarandë, gati ushtria jonë të ndërhyjë. Oficerët tanë vorioepirotë, dikur nën armë në ushtrinë shqiptare tani po e marrin situatën në dorë”.

Flamuri i Vorio Epirit, televizioni "Mega", 5 mars 1997

Gazetarët grekë jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në Jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e Vorio Epirit. “Kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në Jug, ku popullsia është greqishtfolëse. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës se Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena dhe duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”.

Organizata greke, “Të mbrojmë trojet tona”, mars 1997

Në mars të 1997-s, një nga organizatat greke për çlirimin e Vorio Epirit bënë thirrje publike për marshimin drejt Shqipërisë. “Situata e vështirë në të cilën ndodhet Epiri i Veriut, iu bën thirrje të gjithë epirotëve të Veriut të kthehen në "vatrat" e tyre për të mbrojtur pronat e vendin e tyre. Në këtë moment të vështirë vetë epirotët duhet të marrin përgjegjësinë e fatin në duart e tyre”.

Faktori grek, “Corriere della Sera” Romë, 12 mars 1997

Për opinionin italian, ajo që po ndodhte në Shqipëri në 1997-n kishte lidhje me çështjen e Vorio Epirit. Gazeta “Corriere Della Sera” shkruan se, trazirat në Shqipëri janë koordinuar nga avokati i njohur grek, Aleksandros Lykourezos. Sipas gazetës, përfshirja e këtij personi në Shqipëri mund të shkaktonte rreziqe të paparashikuara për vendin. Kjo pasi gazeta ishte e informuar se avokati ishte një nga udhëheqësit e Lëvizjes për Çlirimin e Vorio Epirit.

Incidenti në Vidohovë, 11 gusht 1997

Edhe pas 48 vitesh në kufirin e Vidohovës janë regjistruar incidente të tjera mes ushtrisë shqiptare dhe asaj greke. Më 11 gusht, dy ushtarë grekë kalojnë kufirin hyjnë në thellësi të tokës shqiptare, ku në këtë zonë vranë shtetasin civil Agim Xhihani. Pala shqiptare protestoi duke i çuar një notë proteste ministrisë greke. U ngrit një grup i përbashkët për të nxjerrë shkaqet e incidentit, por deri më sot askush nuk ka nxjerrë shkaqet që çuan ushtarët grekë në vrasjen e një civili të pafajshëm, për më tepër në tokën shqiptare.

Tentativë rrëmbimi në kufirin grek, 25 gusht 1997

Pas ngjarjeve të marsit 1997, në kufi forcat greke shtojnë patrullat e shërbimit për të ndaluar kalimin armëve dhe trafiqeve të drogës që vinin nga Shqipëria. Por pati dhe raste kur ushtarët grekë vranë dhe sulmuan të pafajshëm. Kështu, më 25 gusht ‘97, tre ushtarë grekë hynë në territorin shqiptar dhe tentuan të rrëmbenin një vajzë në pikën kufitare të Gurit në Tresenik. Vetëm ndërhyrja e banorëve arriti të eliminojë rrëmbimin, ndërkohë që në një përplasje me banorët e armatosur ngeli i plagosur shtetasi shqiptar Rezart Medolli.

Pengmarrja e autobusit, 28 maj 1999

Rrëmbimi i një autobusi nga një shqiptar u kthye në një incident diplomatik mes dy vendeve. Flamur Plisi, 25 vjeç, zgjodhi rrëmbimin e 8 personave në autobusin e linjës Tiranë-Athinë për të protestuar ndaj indiferencës së shtetit Shqiptar dhe trajtimit të shtetit grek për emigrantët. Plisi kërkonte dënimin e një polici grek i cili nuk i kishte dhënë para për punën që i kish bërë. Plisi u vra nga policia shqiptare në dalje të Elbasanit dhe aksidentalisht policia vrau dhe një peng grek në autobus.

Pengmarrja e Aleksandër Nanas, 15 korrik 1999

Aleksandër Nana ishte shqiptari i dytë që kreu pengmarrje në shenjë proteste ndaj shtetit grek vetëm 5 javë pas tentativës së Flamur Plisit. Nana rrëmbeu një autobus në Selanik me 40 persona dhe kërkoi një shumë të majme parash. Ai pretendonte se policia greke i kishte grisur dokumentet pa të drejtë dhe ai nuk mund të merrte më paratë në një bankë të Athinës. Por ndryshe nga Pisli, ai u qëllua nga një snajper grek pak pasi i kishin dorëzuar paratë.

Hakmarrje greke me pengmarrje, 16 korrik 1999

Në shenjë proteste ndaj pengmarrjeve të përsëritura të shqiptarëve vendos të reagojë dhe nacionalizmi grek. Greku Andres Kalyvas, nga Patra, hyn i armatosur në një autobus me shqiptarë dhe merr peng 38 pasagjerët. Pas disa orë bisedimesh, ai vendos të lëshojë pjesën më të madhe të pengjeve dhe mban aty vetëm shoferin e fatorinon, si dhe një emigrant. Disa orë më vonë ai dorëzohet dhe pohon në rajonin e policisë se kishte kryer këtë veprim në shenjë hakmarrjeje, pas pengmarrjes së grekëve.

Policia greke qëllon në territorin shqiptar, 6 korrik 2001

Një skaf i policisë greke diktoi dhe qëllon me armë një skaf shqiptar që lëvizte në ujërat territoriale shqiptare. Pas goditjeve të para përgjigjen me zjarr dhe drejtuesit e skafit shqiptar. Më pas në minibetejën ujore është bashkuar dhe roja territoriale shqiptare, ku për 10 minuta është zhvilluar një betejë e vërtetë. Zyrtarët grekë deklaruan se, “ishte thjesht një stërvitje nate e rojeve tona”.

Zgjedhjet në Himarë, Tetor 2000

Një nga incidentet ku kanë marrë pjesë ligjvënësit grekë është dhe ai i zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2000 në Himarë. Deputetët kanë ushtruar presion propagandistik mbi votuesit, kanë hyrë nëpër qendra votimi, kanë organizuar protesta përballë kamerave të televizionit grek te ardhura enkas në ditën e votimit, kanë premtuar viza në këmbim të votave për kandidatin e PBDNJ-së. Shteti shqiptar reagoi duke miratuar një rezolutë për këto shkelje kushtetuese.

Vrasja e Gentian Çelnikut, Athinë 2002

I riu shqiptar Gentian Çelniku ka qenë duke pirë një kafe në një nga baret e Athinës pas një ditë të lodhshme pune. Por kontrolli i një skuadre të policisë greke ka bërë që për Çelnikun kjo të ishte dhe dita e fundit e jetës. Oficeri i policisë greke, Joanis Rizopolos, nuk ka hezituat ta qëllojë me pistoletë Çelnikun duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Çudia ka qenë se vetë vrasësi më pas ka marrë pjesë në këqyrjen e vendngjarjes dhe më vonë është liruar nga gjykata greke.

Racizmi me fëmijët shqiptarë, 25 tetor 2003

Odise Cenaj, 18 vjeç nga Shkodra, u pengua me forcë që t’i printe parakalimit të gjimnazistëve me flamurin grek në një ceremoni zyrtare. Sipas rregullores së arsimin grek në ceremonitë zyrtare flamurin helen duhet ta mbajë nxënësi i dalluar i shkollës. Dhe Odiseja ishte vërtet më i dalluari, por nuk ishte grek. Ky incident bëri që në Greqi të nisin debatet mes rrymave nacionaliste dhe atyre të moderuara, por në Shqipëri përveç një keqardhje nuk pati asnjë reagim nga shteti shqiptar.

Vrasja për një fjalë, Aleksandër Lufo, Athinë 2003

Aleksandri është viktima e radhës ndër emigrantët tanë në Greqi, ku gjykatat greke kanë liruar thuajse të gjithë personat që kanë vrarë shtetas shqiptarë. 20-vjeçari është qëlluar disa herë me thikë nga një shtetasi grek, pasi ky i fundit mendonte se emigranti i kishte vjedhur një aparat radioje. Sipas policisë greke, “49-vjeçari grek, bari dhensh, e ka qëlluar shqiptarin sepse ky e ka ofenduar”.

Vullnet Bytyçi, vrasje në kufi, 23 shtator 2003

Është një nga emigrantët e shumtë të vrarë në kufirin greko-shqiptar. I riu Vullnet Bytyçi u ndalua nga një skuadër e ushtrisë greke gjatë kalimit të kufirit. Në rrethana të paqarta një nga ushtarët ka nxjerrë pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Qeveria shqiptare protestoi në ambasadën greke duke kërkuar ndëshkimin e vrasësit. E vetmja masë që mori pala greke ishte largimi nga shërbimi i ushtarakut helen që bëri vrasjen.

Papandreu për Himarën, Athinë 2003

Zgjedhjet në Shqipëri kanë ngritur gjithmonë temperaturën e marrëdhënieve greko-shqiptare. Në vitin 2003, në Himarë do të shënoheshin jo pak incidente mes simpatizantëve të PBDNJ-së dhe partive të tjera. Kryeministri grek, Georgios Papandereu, deklaroi për incidentet në Himarë se, “Himara është një pakicë solide greke dhe duhet të konsiderohet si e tillë”. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë shkaktoi jo pak reagime në Tiranë, kur ende në Himarë dëgjoheshin thirrjet antishqiptare.

Gramoz Palushi, Greqi, 5 shtator 2004

Fitorja e kombëtares shqiptare ndaj asaj greke në futboll është kthyer në një tragjedi mbrëmjen e 5 shtatorit 2004. Shqiptari Gramoz Palushi u vra me thikë nga greku Panajotis Kladhis vetëm për arsyen se Palushi po festonte me flamurin. Palushi vdiq nga plaga e marrë nga goditja me thikë. Në po të njëjtën ditë, në Athinë pati një seri incidentesh mes shqiptarëve dhe grekëve të cilët kërkonin të festonin fitoren në sheshin “Omonia”.

Luan Bërdëllima, vritet nga policia greke, 20 gusht 2004

36-vjeçari nga Gramshi, i cili jetonte familjarisht në Athinë, u qëllua për vdekje nga një polic special. Në lokalin ku viktima shikonte ndeshjen hyri policia dhe duke i sharë dhe ofenduar kërkon t’u bënte kontroll shqiptarëve. 36-vjeçari protestoi duke treguar dokumentet e rregullta dhe i kërkoi policit grek të mos e ofendonte. Por polici grek nxori pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kohë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Përveç qëndrimit të opinionit publik në Tiranë, në Greqi nuk pati asnjë reagim.

Vrasje për këngë shqiptare, 16 mars 2005

Ilir Frroku, 26 vjeç, u vra me thikë në një lokal të Athinës nga një grek vetëm sepse po këndonte këngë shqiptare. Sipas dëshmitarëve dhe shokëve të Ilirit vrasja është bërë nga badigardët e lokalit të cilët i kanë qëlluar shqiptarët që po festonin. Ndërkohë që policia greke serviri një tjetër motiv të vrasjes. Sipas saj shqiptarët kanë tentuar të vjedhin një motorr që ishte parkuar afër lokalit dhe personi që e goditi Frrokun ka qenë një turk.

Papulias anulon vizitën, Sarandë, 1 nëntor 2005

Dy vite më parë, incidentet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë shënuan nivelin më të lartë protokollar. Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të Shoqatës Çamëria kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Papulias e interpretoi këtë si një provokim dhe anuloi takimin me Moisiun në Sarandë.

Vrasja e Edison Jahaj, Kretë, 1 janar 2006

Mbajtja e një bluze me flamurin shqiptar e një djaloshi nga Tepelena, në një bar ka qenë shkaku i një sherri mes shqiptarëve dhe grekëve në mbrëmjen e 31 dhjetorit në fshatin Rrethimo të Kretës. Por sedra e grekëve duket se ishte fyer keq, ndaj katër orë më vonë 7 prej tyre hynë me forcë në shtëpinë e njërit prej shqiptarëve dhe e vrasin. Edison Jahaj, 17-vjeçari nga fshati Levan i Tepelenës u vra me 17 thika nga një grup grekësh. Autoritet helene e cilësuan si një vrasje raciste, ndërkohë në Tiranë, Parlamenti Rinor organizoi një seri protestash.

Shkolla greke në Himarë, 20 shkurt 2006

Hapja e shkollës së parë greke “Omiros” në Himarë ka sjellë jo pak debate mes politikanëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të PBDNJ-së. Përurimi i shkollës u bë nga zëvendësministri grek i Arsimit dhe ai vendas, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë ende lejen për ndërtimin dhe hapjen e saj. Më shumë se një incident ishte një keqkoordinim i punës së qeverisë. Pasi vetëm në muajin maj dha lejen për ndërtimin e saj, ndërkohë që hapja u bë në muajin shkurt. Por kjo nuk i pengoi politikanët të akuzonin vendin fqinj dhe anasjelltas.

“Zhvarrimet në Kosinë”, Përmet, 5 qershor 2006

Zhvarrimet në Kosinë shkaktojnë incident diplomatik mes vendeve.
Prifti ortodoks Vasili Thomollari kish marrë përsipër mbledhjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës. Por zhvarrimet ishin bërë dhe në varreza shqiptarësh dhe fshatra ku ushtritë greke nuk kishin kaluar kurrë. Policia shqiptare ndërhyri për të verifikuar eshtrat në kishën e fshatit Kosinë të Përmetit. Ndërkohë konsulli grek nuk lejoi që policia të hyjë në një objekt kulti. Ndërkohë prifti grek refuzoi të paraqitej në prokurori.

Kryebashkiaku falënderon greqisht, 25 shkurt 2007

Lojtarëve shqiptarë në Greqi, një fjalë e thënë në gjuhën amtare mund t’u kushtojë karrierën. Ndërsa në Shqipëri askush nuk ndalohet ta fshehë identitetin, madje edhe kur është një zyrtar i lartë shtetëror dhe me ligj i duhet të komunikojë në gjuhën zyrtare. I sapo zgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano preferoi t’i falënderojë qytetarët e Himarës në gjuhën greke, edhe pse ata që e votuan ishin shqiptarë, duke shënuar në këtë mënyrë një incident.

Viedoja greke, 4 mars 2007

Një marsh urrejtjeje i kënduar nga ushtarët grek gjatë stërvitjes ka acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo video u publikua në internet, ndërkohë që teksti i këngës është botuar nga gazetat greke dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”, ky ishte teksti i këngës raciste që shkaktoi reagime në disa qytete të vendit. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes i kërkoi Athinës të dënonte skandalin, gjë që u bë nga zëvendësministri i Jashtëm grek.

Dhuna mbi familjen e Alban Bushit, 5 mars 2007

Goli i futbollistit Shqiptar Alban Bushi ndaj skuadrës Iraklis u ka kushtuar shumë shtrenjtë familjarëve të tij. Në ndeshjen Iraklis-Apollon Kallamaria, pas golit të Bushit, tifozët e Iraklisit kanë ushtruar dhunë mbi familjarët të cilët shihnin ndeshjen në stadium. Prindërit dhe bashkëshortja e futbollistit shqiptar janë goditur me grushte dhe shkelma për disa minuta. Familja e Bushit është detyruar të largohet me autobusin e skuadrës pasi forcat e rendit nuk mund të ndalonin turmën.
...Historia vazhdon ...



Pergatiti:
Dorina Topollaj
Qamil Xhani

Humori, çështje banaliteti ?

Në shoqëritë në tranzicion si kjo e jona, ku çdo fushë e jetës është ende në kërkim të vetvetes edhe arti gjithashtu përjeton dhimbjen e vet, shpeshherë duke i lënë vendin banalitetit.

Mjafton të hedhësh një sy tek prodhimet e sotme humoristike, për të parë dramën e humorit shqiptar.

Një kanal shqiptar i pseudomuzikës e pseudohumorit, jep një panoramë të qartë të degradimit të artit. Por degradim pësojnë edhe të artistëve, që në pamundësi për të prodhuar humor nëpërmjet artit, degradojnë në një humor banal, që përqëndrohet vetëm në 3 pika: seks, organe gjenitale dhe të shara rrugësh.



E një pjesë e publikut qesh, zgërdhihet, gajaset e fsheh fytyrën nën duar. Na duket kaq për të qeshur kur një aktor në televizion shan nga ropt, na duket kaq për të qeshur kur të gjitha batutat orvaten rreth seksit... edhe pse specialistët mendojnë, që kryeveprat më të mëdhaja erotike janë vepra impotentësh.

Por ka disa qytetarë, që seksin e bëjnë në shtrat, e akoma më pak nuk ju duket objekt humori. Kjo shoqëri e tensionuar dhe e tejngopur në stres e ka domosdoshmëri jetike humorin, batutat, por disa tentativa për të bërë art, në të vërtetë po shkaktojnë stres më tepër.

Edhe vetë spektakli më i madh i humorit në Shqipëri, Portokallia, nuk i shpëton banalizimit të artit. Jo përherë sasia është cilësi !
Eshtë vërtetë për tu falenderuar dhe inkurajuar puna e tyre e palodhshme, për ta ç'tensionuar sadopak shoqërinë tonë, por shpeshherë edhe ai kthehet në një spektakël i ndaluar për fëmijët, për të mos i ligjëruar në televizion, banalitetin që hasin çdo ditë, në rrugë, në shkollë e kudo...

Shkroi dhe përgatiti Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Monday, November 9, 2009

Shqipja e njerkës

Në morinë e mallrave të importuara që konsumojmë, pjesa më e madhe e kanë informacionin për përdoruesin në gjithfarëlloj gjuhësh, veç në shqipe jo.


Pjesa që mbetet, ose ka një informacion minimal ose është në një shqipe të përkthyer, që herë s'e kupton hiç e herë e kupton tjetër për tjetër


Për një pjesë të mirë të shqiptarëve që jetojnë në qytete të mëdha, të shpenzuarit a të bërit pazar nëpër super- e hipermarkete apo qendra të mëdha tregtare është bërë tash së fundi një modë e, për disa, madje dhe një pasion i vërtetë.



Vrullin dhe dëshirën e konsumatorëve shqiptarë të këtyre mjediseve zor se e ndalka gjë: as çmimet e larta të mallrave e produkteve që ofrohen atje, krahasuar me të ardhurat mesatare të shqiptarëve; as informacionet e munguara a të mangëta në shqip për përbërjen dhe mënyrën e përdorimit të tyre.


Një paradoks i vërtetë për një botë normale konsumatorësh, por, mesa duket, jo për këtë tonën... E nëse për paradokset financiare nuk do të isha në gjendje të thosha ndonjë gjë, për ato gjuhësore besoj që po.

Le të kujtojmë që konsumatori shqiptar kontaktet e para masive me mallrat dhe produktet e importuara të konsumit të gjerë i vendosi vetëm dy dekada më parë. Deri atëherë Shqipëria ish reduktuar në një treg thuajse të zbrazur dhe shqiptarët në njerëz të tejetur për konsum. Vërshuan, në këto kushte, mallra nga të katër anët, më së shumti prej vendeve të Ballkanit.

Shqiptarët nisën të hanin biskota e çokollata turke të llojllojshme pa pasur mundësi kurrë të merrnin vesh gjë nga etiketat e shkruara në turqisht; të konsumonin specialitete të kuzhinës maqedonase duke kuptuar, në rastin më të mirë, vetëm ndonjë fjalë tek-tuk nga maqedonishtja, dhe këtë me ndihmën e rusishtes; të përdornin shpesh sende tualeti e të higjienës vetjake, ku gjithçka shkruhej në bullgarishte; të provonin qumështin dhe lëngjet e frutave hungareze pa pasur as idenë më të vogël se ç'përmbanin etiketat e shkruara në hungarishte (destinuar, natyrisht, për konsumatorin hungarez); të lehtësoheshin disi në punët e pastrimit e të kuzhinës duke përdorur - po kuturu, ama - pajisje elektroshtëpijake, me udhëzues përdorimi të shkruar në serbo-kroatishte a gjermanishte, çekishte a polonishte ...

Po sot, pas dy dekadash, ç'bëhet? Përvoja vetjake e drejtpërdrejtë si konsumatore më shtyn të pohoj me bindje se pak, fare pak gjë ka ndryshuar në raport me dy dekada më parë.


E them këtë, para së gjithash, kur kujtoj odisenë për të siguruar udhëzimet e përdorimit në anglisht - e theksoj, në anglisht - të një ekspresi kafeje, që e bleva para ndonjë viti në një nga qendrat më të mëdha tregtare të pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri.


E siguruar nga shitësi dhe menaxheri se libërthin me udhëzimet e përdorimit në një varg gjuhësh, përfshirë edhe shqipen, e kisha në kuti, nxitova asokohe ta vija menjëherë në punë aparatin.


Po ç'të shihja? Libërthi, jo në shqip, por as në njërën nga gjuhët e mëdha (anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht a italisht), nuk i përmbante udhëzimet. Në vend të tyre, shpërfaqej një listë e gjatë dhe shteruese e gjuhëve të të gjitha vendeve ish-komuniste, që nga estonishtja, letonishtja e lituanishtja, deri te sllovakishtja, sllovenishtja, maqedonishtja, çekishtja e të tjera me radhë.


Pas shumë ecejakesh, sqarimesh e debatesh, u detyrova t'i vija kapak kësaj meseleje, duke u mjaftuar me një informacion në anglisht, që mu dërgua pas shumë kohësh e këmbënguljeje në adresën time të postës elektronike.

E po ja, një fakt i vetëm, i izoluar, i pandjekur nga të tjerë; tek e fundit, i pamjaftueshëm për të nxjerrë bindshëm një përfundim, mund të thoshte ndonjë skeptik. Pa dyshim që s'është i vetmi.


Mund të kujtoj, gjithashtu, se sa keq u ndjeva kur vizitova para disa kohësh një dyqan gjerman, që tregton produkte bio (natyrale, ekologjike) kryesisht të kozmetikës e të higjienës, por edhe ushqimore, i cili është hapur në mjediset e një qendre të madhe tregtare në Tiranë.


Mallra pa fund, të një cilësie shumë të mirë, me çmime tepër të leverdishme, por pa kurrfarë informacioni elementar për klientët. Fillimisht mendova që kjo situatë lidhej me nxitimin për hapjen sa më shpejt të dyqanit.


Por, pasi u ktheva atje edhe dy-tre herë të tjera e pashë që, edhe pas shumë muajsh, gjendja ishte e njëjtë, u ndjeva vërtetë keq. E papërfillur, e injoruar, prandaj dhe e fyer në të drejtën time më elementare si konsumatore për të qenë e informuar rreth mallit që kërkoja të blija, përbërjes së tij dhe mënyrës së përdorimit. E ndërkaq dyqani vijon të gëlojë edhe sot që po shkruajmë, nga njerëzit e etur për konsum...


Çfarë mund t'i shkojë njeriut në mendje në raste si këto? Më së pari dyshimi që shteti i ka lënë në mëshirë të fatit shqiptarët si konsumatorë në të drejtën e tyre për informim në gjuhën amtare, por jo më pak edhe shqipen, gjuhën e vet zyrtare.


Për të gjithë ata që nuk e dinë, do doja të përmendja një fakt të rëndësishëm. Shqipja - ka ndonja 10 vjet - është shpallur me kushtetutë gjuhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë.


Pra, për herë të parë në historinë tonë kushtetuese është futur një nen i posaçëm për gjuhën shqipe, që e përcakton atë shprehimisht si gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar ("Gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë është shqipja", 1998, Neni 14.1). Me këtë kushtetuta jonë përfshihet tashmë në qindëshen e kushtetutave të botës, që i shpallin a i emërtojnë gjuhët për përdorim zyrtar a kombëtar.


Po ç'rrjedh prej kësaj, mund të pyesë ndokush. Ekzistenca e një dispozite të tillë kushtetuese mbi gjuhën e bën të detyrueshëm përdorimin e shqipes në të gjitha funksionet publike që i takojnë një gjuhe zyrtare.


Pra, ajo detyrimisht duhet të shërbejë si gjuhë e arsimit dhe e shkollës, e administratës shtetërore dhe asaj lokale, e medias, e drejtësisë etj.; që qytetarët në raport me shtetin, por edhe ky i fundit në raport me qytetarët, duhet të përdorë shqipen si mjet komunikimi etj. etj.


Një dispozitë kushtetuese natyrisht që nuk është e mjaftueshme për mbarëvajtjen dhe funksionimin e një gjuhe zyrtare. Del nevoja që ajo të artikulohet në mënyrë të hollësishme, pra, të zbërthehet në trajtë ligjesh, dekretesh, vendimesh a formash të tjera ligjore e nënligjore.


Kështu, në rastin më të mirë, shtete që i shpallin në kushtetutë gjuhën a gjuhët zyrtare, hartojnë më pas edhe ligje të posaçme gjuhësore. Ky është, mes tjerash, rasti i Francës, e cila, pasi e shpalli frëngjishten për herë të parë me kushtetutë më 1992-shin si gjuhë të Republikës, nxori më 1994-ën (tashmë jo për herë të parë) një ligj për gjuhën (i ashtuquajturi ligji Toubon).


Në raste të tjera, shtetet mjaftohen duke përfshirë nene të posaçme, që kanë të bëjnë me gjuhën, brenda kuadrit të ligjeve të fushave të ndryshme, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Jemi një nga vendet, që ende nuk e kemi një ligj të posaçëm për gjuhën.


Nuk e kemi pasur, madje, ndonjëherë as në kontekste shtetërore e politike shumë më të favorshme për ta bërë këtë, siç qe periudha e shtetit komunist në Shqipëri. Ndërkohë, kemi një varg ligjesh, pjesa dërrmuese të hartuara vetëm në këto dy dekadat e fundit, që përfshijnë nene me përmbajtje ose implikime gjuhësore.


Në legjislacionin shqiptar, të shpërndara në të katër anët e tij, gjen, në të vërtetë, me dhjetëra nene nën emërtime të tilla, si Gjuha, Gjuha shqipe, Detyrimi i gjuhës, Gjuha e përdorur, Përdorimi i gjuhës shqipe etj., të cilat, në thelb, s'bëjnë gjë tjetër veçse artikulojnë disa nga funksionet zyrtare publike të shqipes.


Kështu, një nen i veçantë i ligjit "Për sistemin arsimor parauniversitar" (1995) i njeh dhe i garanton shqipes funksionin si gjuhë e shkollës dhe e arsimit; një nen i posaçëm i "Ligjit mbi radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë" (1998) i siguron shqipes funksionin si gjuhë e medias audiovizive; një nen më vete i ligjit "Për mbrojtjen e konsumatorëve" (2008) i njeh shqipes funksionin për informim të përdoruesve apo të konsumatorëve shqiptarë të mallrave, produkteve e shërbimeve të ndryshme... Dhe, për ta rimarrë çështjen pikërisht andej nga e nisëm, le të ndalemi shkurt te kjo e fundit.


Merret me mend që shumëkush do ta ketë të vështirë ta besojë që tek ne ekzistuaka një ligj që i mbron konsumatorët edhe në të drejtën e tyre për t'u informuar në gjuhën amtare mbi gjithçka përdorin apo konsumojnë ("Të gjitha të dhënat dhe informacionet më të domosdoshme për mallin dhe shërbimin duhet të jenë në gjuhën shqipe" Neni 14,).


Të vështirë, afërmendsh, kur përditë jemi dëshmitarë që, në morinë e mallrave të importuara që konsumojmë, pjesa më e madhe e kanë informacionin për përdoruesin në gjithfarëlloj gjuhësh, veç në shqipe jo; dhe pjesa që mbetet, ose ka një informacion minimal, që s'i hyn në punë kujt; ose është në një shqipe të përkthyer, që herë s'e kupton hiç e herë e kupton tjetër për tjetër.


(Ky i fundit është rasti i një shënimi që lexova para dy ditësh tek etiketa e një mjeti që bleva për heqjen e bërthamave të ullinjve e qershive, ku anglishtja "dishwasher safe" qe dhënë në shqip me "veçanërisht i prodhuar për lavapjata").


Por më të vështirë akoma e ke të besosh që ka edhe një nen, po në të njëjtit ligj, që ndalon reklamat, si ato të shkruara ashtu edhe ato të folura, që nuk janë në gjuhën shqipe ("Mesazhet e publicitetit duhet të jenë në gjuhën shqipe" [...], Neni 22,).


Për këtë, mjaft të sjellësh ndër mend vetëm disa prej mesazheve publicitare të kësaj vere, të vendosura me bollëk nëpër afishe të përmasave gjigande në rrugët kryesore kombëtare të Shqipërisë apo mbi autobusët urbanë: "Bring out the beast", shkruhej në afishen publicitare të një pijeje energjizuese;
"Never hide", në reklamën për një markë syzesh, "Vero espresso italiano edhe në zyrën tuaj", në publicitetin për një lloj kafeje për ekspres; "When beauty meets health", ka nisur të qarkullojë mbi autobusët e linjës së Unazës...

Gjithë ç'u tha deri këtu, flet qartë, pra, për një mospërputhje, që ekziston mes realitetit ligjor dhe atij praktik ndër ne, sa i përket punëve të gjuhës zyrtare. Si pasojë e kësaj, por jo vetëm, shqipja po i ushtron në mënyrë të mangët disa funksione të saj në përdorimin publik. Del kështu nevoja që çështjet e gjuhës zyrtare kombëtare të futen seriozisht në agjendën politike të shtetit shqiptar, sikurse kanë bërë tashmë thuajse të gjitha qeveritë evropiane.


Politika për të cilën ka nevojë shoqëria e sotme shqiptare në fushë të gjuhës, duhet të jetë e tillë që të synojë, mbi të gjitha, mbrojtje, zhvillim, kultivim dhe përdorim të shqipes si gjuhë shtetërore në të gjitha sferat e kudo në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.


Një politikë e tillë, në të vërtetë, do duhej të ndiqej nga një planifikim i kujdesshëm e i artikuluar qartë, mbi të cilën të mbështetej më pas veprimtaria konkrete e institucioneve të ndryshme të shtetit.


Të gjithë atyre që kanë në dorë të iniciojnë, të nxisin e të realizojnë hartimin e politikave gjuhësore në fushë të shqipe, duke mbajtur mirë parasysh kontekstin e proceseve integruese evropiane dhe të ndikimit të globalizimit, do doja t'iu kujtoja thirrjen e sociolinguistit të famshëm amerikan, Joshua A. Fishman: "Mos e lini gjuhën vetëm", çka përbën edhe titullin e librit të tij më të fundit.


Përmbledhje


Lexova para dy ditësh tek etiketa e një mjeti që bleva për heqjen e bërthamave të ullinjve e qershive, ku anglishtja "dishwasher safe" qe dhënë në shqip me "veçanërisht i prodhuar për lavapjata"



Kristina Jorgaqi, Shekulli

Perandori Ashoka; Sekreti 2000-vjeçar i burrave

Perandori indian, Ashoka, krijoi një shoqëri sekrete të quajtur "Shoqëria sekrete e nëntë burrave të panjohur", të cilët ishin shkencëtarë, që supozohet se kataloguan shumë shkenca.

Ashoka e mbajti punën e tyre të fshehtë, pasi ishte i trembur nga përmbledhja e avancuar e shkencës, që bënë këta shkencëtarë dhe mund të përdorej për luftë - ndaj së cilës ai ishte totalisht kundër.

Ashoka ishte kthyer në një budist të devotshëm, pasi kishte mundur një ushtri të madhe në një betejë shumë të përgjakshme. "Nëntë burrat e panjohur" shkruan një total prej nëntë librash, mundësisht nga një prej secilit. Një prej këtyre librave ishte "Sekretet e forcës gravitacionale".

Perandori indian Ashoka


Perandori Ashoka i Indisë kujtohet nga historia si perandori, i cili gjatë shekullit III para erës sonë, e mbushi vendin me shkrime në pllaka prej guri, në të cilat thuhej se njerëzit duhet të silleshin mirë me njëri-tjetrin dhe se shteti duhet të qeveriste me mençuri dhe se rregull themelor për cilindo ishte përkujdesja mjekësore, që u duhej bërë ushtarëve të kampit armik pas betejës, nëse ata ishin të plagosur.

E megjithatë, Ashoka do të analizohej më shumë në kohën tonë për hir të shoqërisë sekrete, që thuhet se ai themeloi gjatë udhëheqjes së tij. “Të nëntë burrat e panjohur” është emri i një sekreti 2000-vjeçar të vjetër, për të cilin supozohet se themeluesi ka qenë perandori indian rreth viteve 270 para lindjes së Krishtit.

Duke iu referuar legjendës pas konvertimit të tij në budist, pas një masakre gjatë luftës, perandori themeloi shoqërinë e “Të nëntëve”, për të mbrojtur dhe zhvilluar dije, të cilat mund të ishin të rrezikshme për njerëzimin, nëse binin në duart e njerëzve të gabuar. Disa versione të historisë përfshijnë një motiv shtesë për perandorin, i cili fshehu këtë dituri shkencore.

Mbetjet e Perandorisë Rama, një versioni tjetër të Atlantisit, sipas shkrimeve hindu, janë shkatërruar nga një teknologji armësh shumë të avancuara për kohën 15.000 vjet më parë. Kjo shoqëri në epokën tonë u përmend për herë të parë në shek. XIX në punimet e Louise Jacolliot dhe në shekullin XX nga shkrimtari i fantazisë, Theosophist Talbot Mundy.

Në 1960, Louis Pauwel dhe Jacques Bergier shkruan rreth “Nëntë burrave të panjohur” te “Mëngjesi i magjikëve”.

Ashoka e mbajti punën e tyre të fshehtë, pasi ishte i trembur nga përmbledhja e avancuar e shkencës, që bënë këta shkencëtarë dhe mund të përdorej për luftë - ndaj së cilës ai ishte totalisht kundër. Ashoka ishte kthyer në një budist të devotshëm, pasi kishte mundur një ushtri të madhe në një betejë shumë të përgjakshme.

"Nëntë burrat e panjohur" shkruan një total prej nëntë librash, mundësisht nga një prej secilit. Një prej këtyre librave ishte "Sekretet e forcës gravitacionale". Ky libër, i njohur prej historianëve, por aktualisht i palexuar e i pagjetur akoma prej ndonjërit prej tyre, trajton çështjet e gravitacionit dhe të kontrollit të tij.

Ky libër mendohet se është diku i mbajtur fshehur, në ndonjë bibliotekë të Indisë ose të Tibetit.

Arsyet e Ashokës për krijimin e kësaj shkence ishin pozitive, pasi nëse dikush me qëllime negative do të mund të kishte në dorë njohuri të tilla, atëherë toka do të kthehej sërish në një grumbull pluhuri. E megjithatë, mendohet se ishin pikërisht këto armë e këto njohuri që shkatërruan perandorinë e lashtë indiane, Rama.

Pak vite më parë, kinezët zbuluan disa dokumente sanskrite në Llahsa, Tibet dhe i çuan ato në Universitetin Chandrigarh për t'i përkthyer.

Dr. Ruth Reyna i këtij universiteti deklaroi se këto dokumente përmbajnë instruksione, për të ndërtuar anije hapësinore për udhëtime ndëryjore. "Metoda e tyre e shtytjes, - tha ajo, - ishte e tipit "anti-gravitacional" dhe ishte e bazuar në një sistem analog e "laghimas", fuqia e panjohur e egos, që ekziston në psikologjinë e njeriut, "një forcë centrifugale e fuqishme mjaftueshëm për të mposhtur forcën gravitacionale".

Duke iu referuar Yoga-s hindu, është pikërisht kjo lloj force ajo që lejon ngritjen në ajër dhe zhvendosjen e një personi.

Dr. Reyna tha se në bordin e këtyre makinave, të cilat ishin të quajtur "Astras", në tekst, indianët e lashtë mund të kishin dërguar njerëz në cilindo planet. Dorëshkrimet, u tha se ishin bartëse të sekretit të "antimas", "mbulesës së padukshme" dhe "garimës", si dhe "si të bëhesh i rëndë sa një mal plumbi".

Natyrisht, shkencëtarët indianë nuk i morën këto tekste seriozisht, por u bënë më të ndjeshëm ndaj këtyre teksteve të lashta dhe vlerës së tyre, vetëm kur kinezët deklaruan se studimi i këtyre teksteve ishte përfshirë në programin hapësinor që ata kishin. Ky ishte një nga rastet e para, kur një qeveri deklaronte se ishte duke punuar mbi projekte kërkimesh mbi anti-gravitacionalitetin.

Megjithatë, një prej epikeve indiane më të mëdha, Ramayana, ka në përmbajtje të saj një përshkrim të hollësishëm të një udhëtimi në Hënë, në bordin e një Vimana (ose Astra), dhe tregon një betejë të zhvilluar në Hënë me një Asvin (një anije e qytetërimit atlantis). Kjo është vetëm një evidencë e vogël në lidhje me kontrollin antigravitacional të përdorur në kohën e indianëve të lashtë.

E ashtuquajtura Perandoria Rama e Indisë Veriore dhe Pakistanit, që i përkiste Indisë dhe ishte një komb shumë i madh, me qytete të sofistikuara, shumë prej të cilëve vazhdojnë të zbulohen edhe sot në shkretëtirën e Pakistanit, në Indinë Perëndimore dhe atë Veriore.

Rama ekzistonte paralel me qytetërimin atlantis, qytetërim i cili drejtohej nga "udhëheqësit shpirtërorë të dritës", të cilët ishin dhe qeverisësit e qyteteve.

Shtatë qendrat më të mëdha të qytetërimit Rama, njihen në tekstet hindu si "Shtatë qytetet Rishi". Duke iu referuar teksteve indiane, njerëzit kishin fluturuar me makina fluturuese të quajtura “Vimana”.

Këto ishin me dopio kuvertë, dritare anash dhe një kube qendrore dhe ngjanin nga forma me një pjatë të filxhanëve të sotëm. "Udhëtonin me shpejtësinë e erës dhe lëshonin një tingull melodioz", - shkruhet aty. Kishte të paktën katër tipe të ndryshme të “Vimana”-s. Disa ishin si tip pjate, të tjera si cilindër në formë cigareje.



Si përfundim, përveç materialeve të shkruara që tregojnë ndërtimin e këtyre teknologjive nga Perandoria Rama, janë gjetur edhe referenca të ngjashme dhe episode që tregojnë imazhe dhe të dhëna për përdorimin e armëve dhe shkatërrimin e asaj perandorie me to.

Kur qyteti Rishi i Mohenjodaros u gërmua nga arkeologët në shekullin e kaluar, aty u gjetën skelete të shtrira në rrugë në pozicion dorë për dore, sikur kishin vdekur nga një vdekje e menjëhershme.

Këta skelete, pas analizave të bëra, rezultuan me përqindje radioaktiviteti në nivele që nuk ishin hasur asnjëherë në Tokë, krahasuar me skeletet e Hiroshima Nagasakit. Qytete të lashta, ku muret e gurit dhe tullat janë shndërruar në qelq, janë gjetur në Indi, Irlandë, Skoci, Francë, Turqi e vende të tjera.

Nuk ka shpjegim tjetër logjik për shndërrimin e fortesave të gurit në qelq, përveçse një shpërthimi nuklear. Me shkatërrimin kataklizmik të Atlantidës dhe të Perandorisë Rama, duke u shkatërruar nga armë atomike, bota kaloi në një kolaps dhe në të ashtuquajturën "epoka e gurit"... dhe pas disa mijëra vjetësh filloi historia "moderne".

Lorena Kollobani tek Explorerunivers.com

Sunday, November 8, 2009

Vëllai i madh

Një ndër emisionet më të ndjekur në Shqipëri, nis më 3 shkurt 2010.

Emri i tij nuk është shqipëruar, ashtu si në shumë vende të tjera, për shembull në Itali, ku quhet "Grande Fratello"...


Këto spektakle, për vetë nga shikueshmëria e lartë që kanë, njëkohësisht duhet të kenë një përzgjedhje sa më dinjitoze të lojtarëve, të bagazhit të tyre sepse pikërisht pas përfundimit të kësaj loje, ata merren si stereotipë ku shumë adoloshentë projektojnë vetveten.

Dua të ritheksoj që përzgjedhja e tyre duhet të jetë domosdoshmërisht jashtëzakonisht e kujdesshme. Eshtë e vërtetë që sponsorizuesit e një spektakli të tillë, arsye themelore kanë përfitimin dhe rritjen e shikueshmërise, e cila mund të arrihet duke përballur karakterë të ndryshëm, por kjo nuk mjafton si arsye për të shkelur mbi etikën e mediave. Jo pak herë kemi parë skena të pista e të pamoralshme në emisionë të kësaj natyre, që më pas madje kanë gjetur edhe jehonë në publik. (Ujku)

Një tjetër problem i këtyre emisioneve, që dukshëm bie në sy të teleshikuesve është ligjërimi i hipokrizisë. Shohim sesi personazhë të kësaj loje shfaqin pjesë të errëta të karakterit human e në fund të analizave ndaj individëve, këto pjesë anashkalohen, nuk goditen për të mos përçudnuar figurën publike të VIP-it të ardhur nga hiçi, duke shkaktuar tek ta një frustim të dëmshëm, duke u dhënë një famë rëre.



Gjithashtu në votimet me anën e sms-ve, ka një mungesë të plotë transparence. Nuk janë të pakët zërat që thonë se fituesi është që më parë i përzgjedhur, sado që fisi e gjithë miqtë e lojtarëve harxhojnë dhjetra karta telefonike në ditë, vetëm për të votuar.

Megjithatë është një spektakël që josh shumë të rinj për të provuar të rregjistrohen. Të interesuarit mund të shtypin adresën e mëposhtme.
http://bigbrother.top-channel.tv/apliko.php

Shkroi dhe përgatiti : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Saturday, November 7, 2009

Mbretër Ilirë, 2400 vjet me parë, në Maqedoninë e sotme

Në librin “Ilirët”, të historianit bashkëkohor anglez, John Wilkes, përkthyer edhe në shqip (2005), jepet ky citim nga vepra e lashtësisë “Illyrike” e historianit Appiani: Helenët quajnë ilirë ata që banojnë përmbi Maqedoni e Trakë, nga Kaonia e Thesprotia deri në lumin Danub.

Ky është vendi i tyre për së gjati, kurse për së gjeri ai shkon nga Maqedonia dhe malet e Trakës deri në Panoni e Adriatik dhe deri rrëzë Alpeve. Mban 5 ditë më këmbë për së gjeri dhe 30 ditë për së gjati”.
Iliria e lashtë përbëhej nga shumë fise me popullsi autoktone ilire midis të cilëve mund të përmenden: Dardanët, Ardianët, Dokleatët, Labeatët, Albanët, Taulantët, Enkelejtë, Dasaretët, Paionët, Kaonët, Thesprotët, Molosët, Japodët, Liburnët, Dalmatët etj.

Fise ilire të mirëfillta ishin edhe Japigët dhe Mesapët në gadishullin Italik, me shtrirje kryesisht në zonën e Apulias (Pulia e sotme) dhe që u përhapën edhe në jugperëndim të gadishullit Apenin. Më poshtë, në këtë shkrim po paraqesim një përshkrim për fisin ilir të Paionëve ose Pejonëve, që shtrihej në territoret e Maqedonisë së sotme dhe përafërsisht aty ku banojnë shqiptarët autoktonë, si dhe për mbretërinë e Paionisë dhe mbretërit e saj në shek. IV para erës së re, ose më qartë plot 2400 vjet më parë.

Trakia


PAIONIA

Paionia; Paionët (Paeonians) ose Peonët ishin fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit dhe në kufi me Dardanët. Në drejtim të lindjes ata shtriheshin deri te lumi Struma, (Bullgari) por dhe më tej. Përmenden për herë të parë nga Homeri, si aleatë të Trojanëve dhe në mbrojtje të Helenës në luftën kundër Akejve. Në gjysmën e parë të shek. IV para erës së re, Paionët krijuan mbretërinë e tyre, e cila u detyrua t‘u bëjë ballë për shumë kohë sulmeve të maqedonasve. Principatat e Paionëve u përqendruan në mbretëri duke u shtrirë pranë lumenjve Vardar dhe Struma dhe në disa kohë edhe më tutje se kaq. Nga perëndimiPaionia përfshinte edhe Pelagoninë, hapësirën mbi liqenin e Ohrit dhe të Prespës. Qyteti kryesor i mbretërve paionianë ishte Bylazora (Veleshi i sotëm në Maqedoni -FYROM) pranë lumit Aksios, sot Vardar. Më vonë, vendqendrimi i mbretërve kaloi në Stobi (në Pusto Gradskon e sotëm). Ekziston mendimi se qyteti i lashtë ilir i Damastionit, të ketë qenë përfshirë në mbretërinë e Paionisë. Ky mendim gjen mbështetje edhe nga monedhat e shumta prej argjendi të shek. IV-III para erës së re, që mbajnë mbishkrimin DAMASTION dhe që klasifikohen se i përkasin mbretërisë së Paionisë. Paionët u bashkuan me ilirët e tjerë dhe i bënë qëndresë ekspansionit të Maqedonisë drejt veriut. Në vitin 360-359 para Krishtit, fiset jugore të Paionisë filluan mësymjen kundër Maqedonisë, me shpresën e ndonjë sulmi të mundshëm edhe nga viset e tjera të Ilirisë. Mbreti i Maqedonisë, Filipi II krijoi një ushtri dhe u mundua t‘i parandalonte pushtimet e mundshme nga ana e ilirëve dhe nga mësymjet e paionëve. Paionët krijuan dinastinë e tyre e njohur si mbretëria ilire e Paionisë, qysh nga fillimi i shek. IV para erës së re. Dinastia mbretërore e Paionisë u bë e njohur dhe pati vazhdimësi për më se një shekull, përmendim: Mbretin Likeu (Lykkaioy; Lykkaeios, 359-340 para Kr.); Patrai (Patraioy, 340-315 para Kr.), Audoleoni (315-286 para Kr.). Mbretër të Paionisë kanë qenë edhe Aristoni (286 para Kr.), Leoni (278-250 para Kr.), Dropioni (250-230 para Kr.) etj. Në mesin e këtyre sundimtarëve, Audeleoni ka mundësi të ketë një nga më të njohurit, ngaqë një nga vajzat e tij qe martuar me Pirron e Epirit.
Mbretërit e Paionisë kanë qenë të njohur për prerjen e monedhave, kryesisht prej argjendi dhe të cilësisë së lartë. Autori i këtij shkrimi, në kërkimet e tij për të njohur sa më gjerë botën e Ilirisë së lashtë dhe historinë e kombit shqiptar, zbuloi nëpërmjet internetit në muze dhe arshiva të huaja disa dhjetëra monedha ilire, të njohura pak, ose aspak të njohura, dhe midis tyre më se 100 copë monedha dhe të gjitha prej argjendi, të prera nga mbretërit e Paionisë. Këto janë edhe disa nga monedhat më të hershme të botës ilire (shek. IV, III para Kr.). Kështu Mbreti Likeu me rreth 40 prerje dhe të gjitha prej argjendi, Mbreti Patrai me rreth 35 prerje prej argjendi, si dhe Mbreti Audoleon, me rreth 30 monedha të ndryshme dhe të gjitha prej argjendi. Në një monedhë paioniane paraqitet figura e Mbretit Ariston, që ishte vëllai i Mbretit Patrai, i cili luftoi në krye të 1 000 trupave ilire përkrah Aleksandërit të Madh në fushatat e tij drejt lindjes.
Panonia përbëhej nga disa nënfise: Aestraei, Agrianes, Derrones, Doberes, Laiaious, Odomantians, Paioplai, Siriopaiones. Pas pushtimeve romake, Paionia u përfshi në provincën romake të Maqedonisë së bashku me Ilirinë e Jugut, Thesalinë, Trakën, dhe Epirin e Veriut. Perandori me origjinë ilire Diokleciani, gjatë riorganizimit administrativ të Perandorisë Romake, Paioninë dhe Pelagoninë, i bashkoi në një provincë të vetme me emrin Maqedonia e Dytë ose Salutaris.

Mbreti: TEUTAMADO

Shek. IV para erës së re

Teutamado (Teytamado). Një nga mbretërit e Paionisë në Ilirinë lindore. Rreth shek. IV para erës së re (rreth vitit 325 para Kr.). Në historiografinë shqiptare ky mbret nuk përmendet fare, pasi ai nuk njihet dhe nuk është cituar në ndonjë botim në shqip as edhe në gjuhë të huaj. Në një muze të huaj ruhet një monedhë e Mbretit TEUTAMADO prej argjendi që mendohet të jetë e shek. IV para Kr. dhe për të cilën thuhet se Teudamado ishte Mbret i Paionisë. Në faqen e parë të monedhës është vendosur figura e Zeusit me drejtimin djathtas, ndërsa në faqen e pasme paraqitet Mbreti plak i hipur mbi kalë dhe me një shpatë të shkurtër në dorë, shpatë tipike ilire. Poshtë, i rrëzuar për tokë, është figura e një luftëtari armik. Sipër kësaj monedhe, me shkronja të mëdha, lexohet emri i Mbretit: TEYTAMADO.
Ky emër nuk është fare i panjohur për historinë e ilirëve (kujtojmë Mbretëreshën Teuta, të shoqen e Mbretit Agron dhe Triteutën, gruan tjetër të tij, e cila lindi Mbretin ilir, Pin, ndaj mund të hamendësohet se fjala TUEUTAMADO, mund të kuptohet dhe si TEUTA+MADO (Teuta i Madh?!). Ky supozim mbështetet edhe me tekstin përcjellës të kësaj monedhe, ku bëhet fjalë për një mbret plak që lufton mbi kalë kundër armikut. Poshtë dhe në anën e majtë të monedhës është një shpend mitologjik, që duket sikur ka dy koka (bycapitis). Sidoqoftë, këto mendime rreth kësaj monedhe duhen marrë thjesht si “hamendësime”, pasi fjalën e saktë dhe shkencore mund ta thonë shkencëtarët, historianët dhe gjuhëtarët e specializuar. Kjo monedhë unike e me vlera të jashtëzakonshme për historinë e ilirëve dhe të kombit shqiptar (shek. IV para erës së re), ndodhet në një muze të huaj dhe është monedha që kushton më shumë nga fondi i Ilirisë, rreth 30 500 dollarë. Ajo është grupuar me disa monedha të tjera prej argjendi të qytetit të pazbuluar ilir të Damastionit, monedha ku dukshëm në njërën anë është figura e Zeusit dhe në anën tjetër, janë vendosur disa vegla pune për shkrirjen e metaleve dhe ku lexohet fjala: PELLAG.

LIKEI

356-335 para erës së re

Likei, Luppeios (Lykkaioy; Lykkaeios). Mbret i Paionisë ilire, në periudhën 356-335 para erës së re. Ishte një nga themeluesit e dinastisë mbretërore të Paionëve, që sundoi për një periudhë relativisht të gjatë kohe në shek. IV para erës së re. Demosteni, në veprën e famshme të tij, “Filipiket”, u thoshte athinasve se “për sa u përket Paionëve, ilirëve dhe të gjithë fqinjëve të tij (të Filipit të Maqedonisë), në përgjithësi, duhet besuar se për ta është më e kënaqshme të jenë të pavarur e të lirë sesa të nënshtruar” (cituar nga prof. Neritan Ceka në librin e tij “Ilirët”). Këtu, oratori i shquar e kishte fjalën për një aleancë të lidhur në vitin 356 para Kr., kur Diodori njofton se tre mbretër, të Paionisë, Ilirisë dhe Trakisë, u bashkuan për të sulmuar Filipin II të Maqedonisë. Nga Paionia marrëveshja u nënshkrua nga Likei, nga Iliria prej Grabosit, ndërsa nga Thrakia prej Ketriporit.
Në literaturën me temë historinë e ilirëve, të botuar deri më sot në gjuhën shqipe, ky mbret ilir përmendet shumë pak ose anashkalohet, ndërsa ai mbart me vetë një histori të rëndësishme për vetë faktin se në periudhën kur sundoi ai preu rreth 50 monedha prej argjendi, të gjitha të cilësisë së lartë, ashtu siç prenë edhe dy mbretërit e tjerë, pasardhës të tij, Patrai dhe Audoleoni. Në monedhat kushtuar Likeit, në faqen e parë paraqitet busti i Zeusit, Apolonit apo Herakliut, ndërsa në faqen e pasme shihet dyluftimi i një luftëtari me luanin dhe ku shkruhet: “Lykkeioy”. Mbreti Likei sundoi për 21 vjet, pas tij në fron erdhi Mbreti Patrai.

PATRAI
340-315 para erës së re

Patrai (Patraoy). Mbreti i Paionisë ilire nga fisi ilir i Paionëve që sundoi në vitet 340-315 para erës së re. Ai erdhi në fron pas Mbretit Likei (Lykkeioy) dhe u zëvendësua nga Mbreti Audoleon (shih). Gjatë sundimit të tij, mbretëria e Paionisë zinte hapësira të gjera dhe shtrihej në lindje deri në qytetin e lashtë Serdika, sot qyteti Sofje në Bullgari, ndërsa nga perëndimi kufizohej përafërsisht me hapësirën mbi liqenin e Ohrit, nga veriu shtrihej deri në Dardaninë Jugore, ndërsa pjesa jugore e Paionisë shkonte deri në qytetin e lashtë Heraklea, sot Bitola (Manastiri) në Maqedoni. Mbreti Patrai preu rreth 40 monedha prej argjendi të një cilësie të lartë, ku në njërën anë paraqitet portreti i Apolonit dhe në anën tjetër një luftëtar mbi kalë që ka mundur armikun, ndërsa disa syresh kanë figurën e një derri të egër.

AUDOLEONI

315-286 para erës së re

Audoleoni (Audoleontoy, 315-286 para erës së re). Mbret i Paionisë, që erdhi në fron pas Mbretit Patrai (shih). Pas vdekjes së Perdikas III të Maqedonisë, në vitin 359 para Kr., Paionët ilirë, filluan të rebeloheshin. Me qëllim që të merrte fronin e Maqedonisë, Filipi II (i ati i Aleksandërit të Madh, nipi i Fisit ilir të Molosëve në Epir), u bëri atyre shumë premtime. Paionët (Pejonët) të kanosur nga planet e Filipit, kërkuan ndihmën e Athinës dhe në verën e vitit 356 para Kr., Mbreti i Paionisë, Likei, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me këtë qytet-shtet. Mirëpo një gjë e tillë nuk pati sukses, sepse maqedonët nën drejtimin e Parmenionit, e rimorën Paioninë dhe deri në shekullin e katërt, ky ishte një shtet i “bashkuar”. Pas vdekjes së Aleksandërit IV të Maqedonisë, Paionia u bë përsëri e pavarur. Kasandri i cili kërkonte të bëhej Mbret i Maqedonisë, siguroi kufirin e tij verior duke ndihmuar Audoleonin në një marrëveshje mbrojtjeje. Ky bashkëpunim ishte në dobi të Paionëve, pasi Audoleoni siguroi një aleancë të fuqishme. Ndërkohë, Audoleoni vazhdoi të forconte lidhjet me fqinjët e tij të Ilirisë, gjë që shprehet qartë dhe me martesën e vajzës së tij me Pirron e Epirit. Pas vdekjes së Audoleonit, në fronin e Paonisë erdhi Aristoni dhe më pas Drypioni. Monedhat e shumta dhe prej argjendi të prera nga Audoleoni tregojnë për nivelin e fuqizimit të mbretërisë ilire të Paionëve në shekullin e katërt para erës së re.

DAMASTIONI

Qytet i rëndësishëm i Ilirisë së lashtë që pati zhvillim sidomos në shek. IV-II para erës së re. Mendohet si kryeqytet i Dardanisë apo i Paionisë a si një qendër e rëndësishme për prerjen e monedhave ilire. Përmendet nga Straboni në veprën e tij “Gjeografia” si qytet ilir (shek. IV para Kr.). Sipas tij, pas Epidamnit dhe Apolonisë, gjer në malet Keraune, banojnë Bylinët, Taulantët, Parthinët e Brygët; jo larg tyre janë edhe minierat e argjendit në Damastion, rreth të cilave Dyestët vendosën sundimin e tyre, si dhe Enkelenjtë, të cilët i quajnë edhe Sesaretë. Në monedhat që i kushtohen Damastionit, dhe që ruhen edhe në ditët tona, rreth 40 prerje a më shumë dhe pothuajse të gjitha prej argjendi, në pjesën e parme të tyre, zakonisht gjendet figura e Zeusit apo Apolonit, hyjnisë së adhuruar të botës antike, kurse në pjesën e pasme, paraqiten figurina të ndryshme si vegla pune për shkrirjen e metalit, ku mbizotëron tripodi ilirik me këmbë luani, altarë të faljes, sende si thika e shpata të shkurtra dhe stilizime të ndryshme. Poshtë, ose në formë rrethore, zakonisht shkruhet emri i qytetit: DAMASTION. Në disa nga këto monedha, gjenden mbishkrime të tjera interesante si: HRAKLEIDO; KAKIO; PELLAG apo ILLY, që nga disa specialistë të huaj lexohet si “Illyricum”.
Lidhur me vendndodhjen e këtij qyteti antik ka mendime të ndryshme. Kështu A. Stipçeviç e lokalizon në Shqipërinë e Jugut, diku në rrethin e Gjirokastrës, studiues të tjerë mendojnë se përfshihej në Shqipërinë e Veriut, në zonat e Mirditës a të Dukagjinit. Ka studiues që mendojnë se ky qytet i lashtë duhet kërkuar në jug të Dardanisë, a në mbretërinë ilire të Paionisë, diku në perëndim të saj, ku gjendej edhe krahina e lashtë e Pelagonisë. Problemit të Damastionit i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe historiani nga Kosova, Zef Mirdita, i cili në veprën e vet “Studime Dardane” (viti 1979), jep mendimin se kjo qendër e lashtë ilire duhet të ketë ekzistuar afër Kishnicës, midis Janjevës dhe Prishtinës, pasi që këtej nuk kanë qenë larg minierat antike të xeherorëve. Duhet thënë se në studimet numizmatike me temën e Ilirisë, për Damastionin janë botuar vetëm tri a katër monedha dhe këto të dëmtuara dhe jo tipike. Në fakt, sot, në muzetë dhe arshivat e huaj të Evropës dhe më gjerë, gjenden më se 50 monedha, pothuajse të tëra prej argjendi dhe të ruajtura mirë, të cilat po të blihen (ato shiten) do të sillnin një prurje të re dhe shkencore rreth këtij qyteti të lashtë të botës ilire.

Damastioni i lavdishëm i trojeve të Ilirisë antike pret studiuesit dhe arkeologët, shqiptarë a të huaj, që ta zgjojnë atë nga heshtja dhe gjumi i tij shumëshekullor. Zbulimi i tij do të jetë me vlera të jashtëzakonshme për historinë e ilirëve dhe të autoktonisë së hershme të kombit shqiptar.


Tiranë, tetor, 2009

nga PASHO BAKU
*Studiues dhe botues
(Shqip)

Fakte mbi urinë ne botë

Rreth 24000 njerëz vdesin çdo ditë nga uria apo shkaqe të lidhura me të.



1. Ky numer 10 vite me pare ishte 35000, e 20 vjet me pare ishte 41000. Tre te katertat e ketyre vdekjeve ndodhin tek femije nen moshen pese vjec.

2. Sot 10% e femijeve ne vendet ne zhvillim, vdesin pa arritur moshen pese vjec. Ky numer ishte 28% pesedhjete vjet me pare.

3. Megjithese ne shumicen e rasteve, pergjegjese per keto vdekje konsiderohen uria massive dhe luftrat, ato jane shkaktare vetem per 10% te tyre. Shumica a vdekjeve nga uria shkaktohen nga nje mangesi kronike e ushqimit. Si rezultat i nje varferie te thelle, shume familje nuk marrin dot ushqim te mjaftueshem.

4. Mangesia kronike e ushqimit, pervec vdekjeve shkakton edhe demtimin e shikimit, lodhje te pergjitheshme, pengon rritjen normale si dhe ul aftesine e organizmit per te perballuar semundje te ndryshme. Njerezit e pa ushqyer e kane te veshtire te kryejne edhe funksionet me elementare.

5. Ka vleresime qe rreth 800 milione njerez ne bote vuajne nga uria dhe mungesa e ushqimit, rreth 100 here me teper se numri i atyre qe vdesin nga uria cdo vit.

6. Ne shume raste per njerezit e varfer edhe ndihma te vogla mjaftojne qe ata te jene ne gjendje te rritin sasine e ushqimit e nevojeshem. Keto ndihma mund te jene, fara per te mbjelle, vegla pune te pershtateshme dhe uje i pishem. Edhe permiresime te vogla ne praktikat bujqesore e metodat e ruajtjes se ushqimit, ndihmojne.

7. Mendimi i shume specialisteve te urise eshte qe menyra me i mire per te pakesuar urine eshte edukimi i njerezve. Njerezit e shkolluar e kane me te lehte te dalin nga hallkat e skamjes qe shkakton urine.



Burime të të dhënave:
Projekti kunder Urise, Organizata e Kombeve te Bashkuara
2) CARE
3) Instituti per Ushqim e Zhvillim
4) Programi Boteror per Ushqimin, Organizata e Kombeve te Bashkuara (WFP)
5) Organizata e Ushqimit dhe Bujqesise te Kombeve te Bashkuara (FAO)
6) Oxfam
7) Fondi i Femijeve i Organizates se Kombeve te Bashkuara (UNICE)


Si mundet të jetë shoqëria njerëzore kaq hipokrite ?

Blihen lojtarë futbolli miliona euro, investohen miliarda të tjera në fusha aspak jetike, krijohen sheikë, mbretër, ushqyejmë kafshë dhe vishemi në ar, kur 24000 njerëz, vdesin çdo ditë nga uria ???

Amantia :1000 vjet qytetërim Ilir

E ndodhur vetëm 35 km larg nga qyteti i Vlorës, në Amantia mund të shkosh për 45 minuta pas një udhëtimi me makinë.

Pasi i drejtohesh lindjes dhe përshkon një sërë vargjesh kodrinore, përpara të del një kodër e lartë. Pikërisht pranë fshatit të sotëm Ploç, të rrethit të Vlorës, në krahun e djathtë të lumit Shushicë, gjenden rrënojat e qytetit antik të Amantias, një nga qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Qysh nga viti 2005, ajo funksionon si park kombëtar i hapur për turistët vendas dhe të huaj. Ndërkohë që stadiumi, ku dikur zhvilloheshin garat sportive, hesht duke pritur së bashku me objektet e tjera rrënoja, kazmat e arkeologëve që kanë vite që nuk kanë trokitur aty.

Emri i këtij qyteti ka qenë shumë i lakuar prej autorëve antikë. Ndër ta mund të përmendim Skilaksin i cili tek vepra e tij “Lundrimi” thotë se Amantia është larg Apolonisë 320 stade. Të tjerë autorë që mund të përmenden janë Plini i cili tek libri i tij “Historia e natyrës” se pranë Nimfeut banojnë barbarët amantë dhe bylianë.

Ptolemeu, një autor tjetër tek libri i tij “Gjeografia” na jep edhe koordinatat gjeografike të Amantias prej 44o 56’ pranë grykës së lumit Kelydnos (Shushica). Ndërkohë që tek Tabula Peuntigeriana (itinerar udhëtimi romak) Amantia shënohet me shifrën romake LV, që paraqet numrin e miljeve.

Së fundi, përmendim Stefan Bizantinin, i cili tek vepra e tij e shekullit VI “Mbi qytetet dhe popujt”, thotë se Amantia është krahinë e Ilirëve pranë Orikut dhe Korkyrës. Ndërsa guida e udhëtimeve të Hieroklitit në shekullin VI e përmend si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës bizantine të Epirit të Ri.



Amantia u themelua si qytet diku rreth fundit të shekullit V p. K. në brendësi të Vlorës së sotme në një kodër prej 613 m mbi nivelin e detit ngjitur me malin e Kudhësit (Skënder Anamali, Iliria II, 1972). Ajo ishte qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amant, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në Ujin e Ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni). Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova), Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi etj. Si shumë qytete ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj, të cilën e citon Pausania, qyteti u themelua nga abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj, kurse Likofroni thotë se qyteti u themelua nga abantët e Trojës të drejtuar nga Helefenori. Me të tilla legjenda për themelimin ishin mbushur edhe qytetet e tjera fqinje si Oriku dhe Bylisi.

Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 p. K. - 168 p. K. (Hasan Ceka, Probleme të numizmatikës ilire, 1965), Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin. Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një mirorganizim të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: prytani, agonoteti, epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim toksarkun, komandantin e shigjetareve.

Gjatë rrjedhave të kohës, Amantia përjetoi edhe pushtimet e shtetit ilir, epirot, maqedonas, romak, bizantin etj. Mund të përmendim se gjatë viteve të luftës civile në Romë, midis Cezarit dhe Pompeut, siç e pohon vetë Cezari te libri i tij “Lufta civile”, amantët mbajtën anën e këtij të fundit në këtë konflikt. Gjatë periudhës së dyndjeve barbare në shekujt III-V, Amantia si duket nuk u shpëtoi dot barbarizmave të gotëve. Ndërkohë, në librin e tij “Ndërtimet”, Prokopi i Cezaresë e përmend Amantian si një nga qytetet që rindërtoi Justiniani në provincën e Epirit të Ri. Së fundi, përmendet si qendër peshkopate në shekujt IV VIII, kur peshkopi i saj Eulalis merr pjesë në sinodin kishtar të Filipopolisit. Më pas historia hesht për këtë qytet duke ia lënë vendin arkeologjisë.

Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha (B. Dautaj, po aty) dhe shtrihej përgjatë një kodre, e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë, qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor. Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, gjimnazi etj. (N. Ceka, Monumentet X, 1975; N. Ceka, Qendrat e fortifikuara të akantëve, f. 47). Nga monumentet me të ruajtura në Amantia është pa dyshim stadiumi i cili është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologët, ai ka formë katërkëndëshi të stërgjatur, me gjatësi të krahëve që shkojnë nga 40.40 m deri në 54.50 m.

Nga ana perëndimore e tij ai përbëhet prej 17 shkallaresh të gurta ku uleshin spektatorët. Nga ana lindore stadiumi kishte 8 shkallare të tjera. Hyrja në stadium bëhej nga veriu, pjesa e të cilit ishte e hapur.

Në librin e tij “Përshkrimi i Greqisë” (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 246) shkrimtari grek i shekullit II, Pausania, në pjesën e 5-të, në kapitullin “Elida”, përmend qytetin Amant të Thronit, i cili sipas tij, ndodhej pranë maleve Keraune (Llogorasë).

Në këtë pasazh, Pausania përshkruan edhe një monument që qyteti i Apolonisë e kishte ngritur për nder të fitores që kishte arritur me Thronin. Ky i fundit, që mendohet se mund të jetë Kanina e lashtë, duhej të shihej nga Polisi i Apolonisë si një kërcënim i rrezikshëm për kontrollin e bregdetit dhe rrugëve detare. Ndoshta konflikti i zhvilluar në mesin e shekullit III p. K. ndodhi për shkak të synimit të Apolonisë për të nënshtruar Polisin e Orikut (N. Ceka, Ilirët, f. 84), me qëllim që të kontrollonte guroret e tij të cilat ndodheshin në të dyja anët e Karaburunit. Sot shumica e arkeologëve pranojnë se Throni antik nuk është veçse Kanina e sotme, duke iu larguar hipotezës se ky qytet ndodhej në kepin e Triportit. Nëpërmjet Thronit dhe Aulonës amantët kryenin komunikimin me detin duke u lidhur me botën ilire, italike, greke dhe mesdhetare.

Gërmimet e para arkeologjike në Amantia i kreu për herë të parë ushtria pushtuese italiane në vitin 1920. Përpara saj vëzhgime sipërfaqësore kishin bërë që nga viti 1806 udhëtarë dhe studiues të ndryshëm, por gërmimet e mirëfillta nisën nga arkeologët shqiptarë vetëm në vitin 1949. Ato lokalizuan shkallaret e të vetmit stadium antik që ndodhet i ruajtur më së miri në gjithë hapësirën shqiptare, që u zbulua në vitet 1950-1956 nga arkeologet Skënder Anamali dhe Hasan Ceka (S. Anamali, Iliria 2, 1972). Të tjera objekte antike që janë gërmuar janë: akropoli, që ndodhej në majën e kodrës; muret rrethuese që i ndeshim në disa forma, portat e tyre; tempulli i Afërditës; bazilika paleokristiane; nekropoli etj., në të cilat janë gjetur: mbishkrime, monedha, enë qeramike dhe bronzi, stela varresh, fibula, zbukurime bronzi, figurina metalike, relieve etj. Mbas braktisjes në mesjetë, emri i Amantias u harrua gjatë kohës dhe vetëm në vitin 1861 epigrafisti Izambert i identifikoi rrënojat e saj.

Qytet tjetër i Koinonit Amant ishte Olympe, rrënojat e së cilës ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë, në anën e djathtë të lumit Shushicë (Monumentet X 1975, N. Ceka, Qendrat e fortifikuara të Amantias).

Olympe shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej 13 ha dhe ishte qytet i pajisur edhe me akropol. Por, ndryshe nga Amantia, organizimi politik i së cilës ishte sipas koinonit grek, Olympe i kishte organizuar institucionet e saj sipas modelit epirot. Në krye të qytetit ishte nëpunësi më i lartë ekzekutiv i njohur me emrin politarkes. Ai ndihmohej nga një kolegj nëpunësish të quajtur synarkontë si dhe nga gramateusi (sekretari). Emrin Olympe qyteti mendohet se e mori nga vajza e Mbretit Pirro, Olimpia. Këtë variant e hodhi për herë të parë arkeologu Hasan Ceka, Olympe u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj, i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet 1976-1977 gjeti një nga vulat që stampohej qeramika me mbishkrimin Olympiastan.

Zhvillimin më të madh Olympe e arriti në vitet 229-148 p. K. me nxjerrjen e monedhave, të cilat përdoreshin vetëm brenda ekonomisë së këtij qyteti. Ato kishin simbole të ngjashme me monedhat e Apolonisë, Amantias dhe Bylisit.

Interesant është fakti se autorët antikë heshtin për praninë e këtij qyteti, i cili ndeshet vetëm te Stefan Bizantini që e përmend te vepra e tij “Mbi qytetet dhe popujt”.

Ashtu si Amantia, edhe Olympia presin që kazmat e arkeologëve të trokasin përsëri. Njëlloj si Zoti që i braktisi afro 1300 vjet më parë, ashtu edhe arkeologët kanë vepruar me to së fundi. Të shpresojmë se një ditë do të ketë rikthim.

ILIRJAN GJIKA, G. Standart

Friday, November 6, 2009

Financim i terrorit, 70 raste të dyshuara në Shqipëri

Rastet e dyshuara për financim të terrorizmit në vendin tonë vijojnë të mbeten në nivel shqetësues. Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Arben Doçi ka raportuar dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare se “në 10-mujorin e vitit 2009 i kemi dërguar Shërbimit Informativ Shtetëror 70 raste të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi dhe kemi marrë informacion për 13 raste, për të cilat SHISH ka pasur të dhëna për pastrim parash”.

Në fjalën e tij para deputetëve, ai theksoi se raportimi i këtyre rasteve të dyshimta është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë me shërbimin sekret. “Një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar shkëmbimit të informacionit me SHISH-in, për vetë specifikat që ka ky institucion dhe porosive të kryeministrit. Në këtë kuadër, në fillim të vitit 2009 janë vendosur persona kontakti për shkëmbimin e shpejtë e në kohë reale të çdo informacioni dhe të dhëne që ka lidhje me dyshime për rastet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, - theksoi Doçi.

2008
Në ndryshim nga raporti për 10-mujorin e vitit 2009, ku raportohen 70 raste të dyshimta për financim terrorizmi në raportin vjetor për 2008-ën, të bërë publik nga Njësia e Inteligjencës Financiare në 24 prill të këtij viti, theksohej mes të tjerash se, një shtetas shqiptar kishte tentuar të kryente një transfertë bankare në Pakistan, në drejtim të një individi të dyshuar si terrorist. Ndërkohë, një tjetër shtetas i dyshuar si pjesë e listës së zezë, thuhej në raportin ’08, ka qenë nën mbikëqyrjen e SHISH-it. “Nga raportet e aktivitetit të dyshimtë të ardhura nga bankat e nivelit të dytë, janë referuar përkatësisht një rast pranë SHISH-it, për investigime të mëtejshme (individ i dyshuar si pjesë e listës së zezë), dhe një rast i dërguar pranë policisë së Shtetit, për një shtetas shqiptar që kërkonte të bënte transfertë në Pakistan në drejtim të një individi të dyshuar si terrorist”, - citojmë nga faqja nr.48 e këtij raporti voluminoz.

Xhamia
Në 1 shtator ’09, Prokuroria publike afgane akuzoi 7 persona për kryerjen e akteve armiqësore ndaj forcave amerikane në Afganistan dhe mbledhjen e donacioneve nga shtetasit pa leje për të financuar aktivitetet terroriste në këtë vend. Njëri prej tyre ishte imam i një xhamie në Dhahr, i cili gjatë marrjes në pyetje tha se po mblidhte para për një xhami në Shqipëri dhe dha emrat e shtetasve që i kishin dhënë atij para. Të dyshuarit e tjerë pas arrestit hodhën poshtë informatat se ata kishin pasur dijeni për financimin e grupeve terroriste në Afganistan. Ata thanë se paratë ishin mbledhur për të ndërtuar një xhami në Shqipëri. Gjithashtu shtuan se kishin dhuruar para pasi kishin parë posterat në muret e xhamisë, ku të dyshuarit u kishin bërë thirrje besimtarëve të dhuronin para për të ndërtuar xhami në Shqipëri. Dhurimi i donacioneve të huaja për fondacionet islamike në Shqipëri ka qenë një problem i mprehtë vitet e fundit. Prokuroria ka sekuestruar shumë prona dhe llogari financiare të personave që dyshohen se financojnë terrorizmin ndërkombëtar.



Pas viteve ‘90 në Shqipëri mësynë mjaft personazhe të maskuar si misionarë, por të njohur si anëtarë të terrorizmit fondamentalist ndërkombëtar, si “Xhihadi Islamik Egjiptin”, “Grupi Islamik Egjiptian”, “Fronti i Shpëtimit Islamik Algjerian”, “Grupi i Armatosur Islamik Algjerian”, që më vonë do të viheshin nën komandën e Osama Bin Laden dhe Al-Kaedas.

Disa prej tyre arritën madje të marrin edhe nënshtetësinë shqiptare nga presidenti i kohës, Sali Berisha.

Tedi Blushi, G. Shqiptare