E ndodhur vetëm 35 km larg nga qyteti i Vlorës, në Amantia mund të shkosh për 45 minuta pas një udhëtimi me makinë.
Pasi i drejtohesh lindjes dhe përshkon një sërë vargjesh kodrinore, përpara të del një kodër e lartë. Pikërisht pranë fshatit të sotëm Ploç, të rrethit të Vlorës, në krahun e djathtë të lumit Shushicë, gjenden rrënojat e qytetit antik të Amantias, një nga qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Qysh nga viti 2005, ajo funksionon si park kombëtar i hapur për turistët vendas dhe të huaj. Ndërkohë që stadiumi, ku dikur zhvilloheshin garat sportive, hesht duke pritur së bashku me objektet e tjera rrënoja, kazmat e arkeologëve që kanë vite që nuk kanë trokitur aty.
Emri i këtij qyteti ka qenë shumë i lakuar prej autorëve antikë. Ndër ta mund të përmendim Skilaksin i cili tek vepra e tij “Lundrimi” thotë se Amantia është larg Apolonisë 320 stade. Të tjerë autorë që mund të përmenden janë Plini i cili tek libri i tij “Historia e natyrës” se pranë Nimfeut banojnë barbarët amantë dhe bylianë.
Ptolemeu, një autor tjetër tek libri i tij “Gjeografia” na jep edhe koordinatat gjeografike të Amantias prej 44o 56’ pranë grykës së lumit Kelydnos (Shushica). Ndërkohë që tek Tabula Peuntigeriana (itinerar udhëtimi romak) Amantia shënohet me shifrën romake LV, që paraqet numrin e miljeve.
Së fundi, përmendim Stefan Bizantinin, i cili tek vepra e tij e shekullit VI “Mbi qytetet dhe popujt”, thotë se Amantia është krahinë e Ilirëve pranë Orikut dhe Korkyrës. Ndërsa guida e udhëtimeve të Hieroklitit në shekullin VI e përmend si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës bizantine të Epirit të Ri.
Pasi i drejtohesh lindjes dhe përshkon një sërë vargjesh kodrinore, përpara të del një kodër e lartë. Pikërisht pranë fshatit të sotëm Ploç, të rrethit të Vlorës, në krahun e djathtë të lumit Shushicë, gjenden rrënojat e qytetit antik të Amantias, një nga qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Qysh nga viti 2005, ajo funksionon si park kombëtar i hapur për turistët vendas dhe të huaj. Ndërkohë që stadiumi, ku dikur zhvilloheshin garat sportive, hesht duke pritur së bashku me objektet e tjera rrënoja, kazmat e arkeologëve që kanë vite që nuk kanë trokitur aty.
Emri i këtij qyteti ka qenë shumë i lakuar prej autorëve antikë. Ndër ta mund të përmendim Skilaksin i cili tek vepra e tij “Lundrimi” thotë se Amantia është larg Apolonisë 320 stade. Të tjerë autorë që mund të përmenden janë Plini i cili tek libri i tij “Historia e natyrës” se pranë Nimfeut banojnë barbarët amantë dhe bylianë.
Ptolemeu, një autor tjetër tek libri i tij “Gjeografia” na jep edhe koordinatat gjeografike të Amantias prej 44o 56’ pranë grykës së lumit Kelydnos (Shushica). Ndërkohë që tek Tabula Peuntigeriana (itinerar udhëtimi romak) Amantia shënohet me shifrën romake LV, që paraqet numrin e miljeve.
Së fundi, përmendim Stefan Bizantinin, i cili tek vepra e tij e shekullit VI “Mbi qytetet dhe popujt”, thotë se Amantia është krahinë e Ilirëve pranë Orikut dhe Korkyrës. Ndërsa guida e udhëtimeve të Hieroklitit në shekullin VI e përmend si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës bizantine të Epirit të Ri.
Amantia u themelua si qytet diku rreth fundit të shekullit V p. K. në brendësi të Vlorës së sotme në një kodër prej 613 m mbi nivelin e detit ngjitur me malin e Kudhësit (Skënder Anamali, Iliria II, 1972). Ajo ishte qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amant, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në Ujin e Ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni). Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova), Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi etj. Si shumë qytete ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj, të cilën e citon Pausania, qyteti u themelua nga abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj, kurse Likofroni thotë se qyteti u themelua nga abantët e Trojës të drejtuar nga Helefenori. Me të tilla legjenda për themelimin ishin mbushur edhe qytetet e tjera fqinje si Oriku dhe Bylisi.
Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 p. K. - 168 p. K. (Hasan Ceka, Probleme të numizmatikës ilire, 1965), Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin. Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një mirorganizim të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: prytani, agonoteti, epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim toksarkun, komandantin e shigjetareve.
Gjatë rrjedhave të kohës, Amantia përjetoi edhe pushtimet e shtetit ilir, epirot, maqedonas, romak, bizantin etj. Mund të përmendim se gjatë viteve të luftës civile në Romë, midis Cezarit dhe Pompeut, siç e pohon vetë Cezari te libri i tij “Lufta civile”, amantët mbajtën anën e këtij të fundit në këtë konflikt. Gjatë periudhës së dyndjeve barbare në shekujt III-V, Amantia si duket nuk u shpëtoi dot barbarizmave të gotëve. Ndërkohë, në librin e tij “Ndërtimet”, Prokopi i Cezaresë e përmend Amantian si një nga qytetet që rindërtoi Justiniani në provincën e Epirit të Ri. Së fundi, përmendet si qendër peshkopate në shekujt IV VIII, kur peshkopi i saj Eulalis merr pjesë në sinodin kishtar të Filipopolisit. Më pas historia hesht për këtë qytet duke ia lënë vendin arkeologjisë.
Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha (B. Dautaj, po aty) dhe shtrihej përgjatë një kodre, e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë, qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor. Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, gjimnazi etj. (N. Ceka, Monumentet X, 1975; N. Ceka, Qendrat e fortifikuara të akantëve, f. 47). Nga monumentet me të ruajtura në Amantia është pa dyshim stadiumi i cili është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologët, ai ka formë katërkëndëshi të stërgjatur, me gjatësi të krahëve që shkojnë nga 40.40 m deri në 54.50 m.
Nga ana perëndimore e tij ai përbëhet prej 17 shkallaresh të gurta ku uleshin spektatorët. Nga ana lindore stadiumi kishte 8 shkallare të tjera. Hyrja në stadium bëhej nga veriu, pjesa e të cilit ishte e hapur.
Në librin e tij “Përshkrimi i Greqisë” (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 246) shkrimtari grek i shekullit II, Pausania, në pjesën e 5-të, në kapitullin “Elida”, përmend qytetin Amant të Thronit, i cili sipas tij, ndodhej pranë maleve Keraune (Llogorasë).
Në këtë pasazh, Pausania përshkruan edhe një monument që qyteti i Apolonisë e kishte ngritur për nder të fitores që kishte arritur me Thronin. Ky i fundit, që mendohet se mund të jetë Kanina e lashtë, duhej të shihej nga Polisi i Apolonisë si një kërcënim i rrezikshëm për kontrollin e bregdetit dhe rrugëve detare. Ndoshta konflikti i zhvilluar në mesin e shekullit III p. K. ndodhi për shkak të synimit të Apolonisë për të nënshtruar Polisin e Orikut (N. Ceka, Ilirët, f. 84), me qëllim që të kontrollonte guroret e tij të cilat ndodheshin në të dyja anët e Karaburunit. Sot shumica e arkeologëve pranojnë se Throni antik nuk është veçse Kanina e sotme, duke iu larguar hipotezës se ky qytet ndodhej në kepin e Triportit. Nëpërmjet Thronit dhe Aulonës amantët kryenin komunikimin me detin duke u lidhur me botën ilire, italike, greke dhe mesdhetare.
Gërmimet e para arkeologjike në Amantia i kreu për herë të parë ushtria pushtuese italiane në vitin 1920. Përpara saj vëzhgime sipërfaqësore kishin bërë që nga viti 1806 udhëtarë dhe studiues të ndryshëm, por gërmimet e mirëfillta nisën nga arkeologët shqiptarë vetëm në vitin 1949. Ato lokalizuan shkallaret e të vetmit stadium antik që ndodhet i ruajtur më së miri në gjithë hapësirën shqiptare, që u zbulua në vitet 1950-1956 nga arkeologet Skënder Anamali dhe Hasan Ceka (S. Anamali, Iliria 2, 1972). Të tjera objekte antike që janë gërmuar janë: akropoli, që ndodhej në majën e kodrës; muret rrethuese që i ndeshim në disa forma, portat e tyre; tempulli i Afërditës; bazilika paleokristiane; nekropoli etj., në të cilat janë gjetur: mbishkrime, monedha, enë qeramike dhe bronzi, stela varresh, fibula, zbukurime bronzi, figurina metalike, relieve etj. Mbas braktisjes në mesjetë, emri i Amantias u harrua gjatë kohës dhe vetëm në vitin 1861 epigrafisti Izambert i identifikoi rrënojat e saj.
Qytet tjetër i Koinonit Amant ishte Olympe, rrënojat e së cilës ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë, në anën e djathtë të lumit Shushicë (Monumentet X 1975, N. Ceka, Qendrat e fortifikuara të Amantias).
Olympe shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej 13 ha dhe ishte qytet i pajisur edhe me akropol. Por, ndryshe nga Amantia, organizimi politik i së cilës ishte sipas koinonit grek, Olympe i kishte organizuar institucionet e saj sipas modelit epirot. Në krye të qytetit ishte nëpunësi më i lartë ekzekutiv i njohur me emrin politarkes. Ai ndihmohej nga një kolegj nëpunësish të quajtur synarkontë si dhe nga gramateusi (sekretari). Emrin Olympe qyteti mendohet se e mori nga vajza e Mbretit Pirro, Olimpia. Këtë variant e hodhi për herë të parë arkeologu Hasan Ceka, Olympe u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj, i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet 1976-1977 gjeti një nga vulat që stampohej qeramika me mbishkrimin Olympiastan.
Zhvillimin më të madh Olympe e arriti në vitet 229-148 p. K. me nxjerrjen e monedhave, të cilat përdoreshin vetëm brenda ekonomisë së këtij qyteti. Ato kishin simbole të ngjashme me monedhat e Apolonisë, Amantias dhe Bylisit.
Interesant është fakti se autorët antikë heshtin për praninë e këtij qyteti, i cili ndeshet vetëm te Stefan Bizantini që e përmend te vepra e tij “Mbi qytetet dhe popujt”.
Ashtu si Amantia, edhe Olympia presin që kazmat e arkeologëve të trokasin përsëri. Njëlloj si Zoti që i braktisi afro 1300 vjet më parë, ashtu edhe arkeologët kanë vepruar me to së fundi. Të shpresojmë se një ditë do të ketë rikthim.
ILIRJAN GJIKA, G. Standart
No comments:
Post a Comment