Saturday, November 21, 2009

“Udhëtarë nga e ardhmja mund të vijnë brenda pak javësh”

Udhëtarët e parë në kohë nga e ardhmja mund të vijnë në tokë brenda pak javësh, - thonë shkencëtarët rusë. Fizikanë nga mbarë bota po presin me padurim nisjen e eksperimentit 4.65 miliardë dollarësh të Përshpejtuesit të Madh në CERN të Zvicrës, përplasësit më të fuqishëm të atomeve që është ndërtuar ndonjëherë, i cili pritet të hedh dritë të re mbi fuqinë e njësive nënatomike në kozmos dhe mund të riprodhojë kushtet që datojnë afër krijimit me anë të Bing Bang-ut.

Profesoreshë Irina Arefeva dhe doktor Igor Volovich, fizikanë matematike në Institutin e Matematikës “Steklov” në Moskë, mendojnë se eksperimenti i shumëpritur i CERN-it, qendra evropiane e fizikës nënatomike afër Gjenevës në Zvicër, mund të kthehet në makinerinë e parë të udhëtimit në kohë që është prodhuar ndonjëherë, thotë revista “Shkencëtari i ri”.



Debutimi i këtij eksperimenti në fillim të verës mund të shndërrohet në një moment historik, pasi udhëtimi në kohë është i mundur (nëse është i mundur) aq pas sa çasti i krijimit të makinës së parë të udhëtimit në kohë.

Kjo do të thotë se viti 2009 mund të kthehet në vitin Zero për udhëtimin në kohë, thonë ata. Udhëtimi në Kohë lindi si ide nga kolegu i Albert Einstein-it, Kurt Godel, i cili përdori teorinë e relativitetit të Einstein-it për të treguar se udhëtimi në kohë është i mundur.

Prej çastit të hedhjes së kësaj ideje në vitin 1949, fizikanë të njohur kanë argumentuar kundër kësaj teorie, pasi ajo nuk përputhet me idetë e shkakut dhe pasojës dhe krijon paradokse të tipit: një udhëtar në kohë mund të kthehet pas dhe të vrasë gjyshin e tij, pa të cilin ai nuk do të kishte lindur. Por, gjashtëdhjetë vjet më pas, nuk ekziston asnjë arsye e fortë se përse udhëtarët në kohë nuk mund të lënë pa punë historianët.

Por, dy shkencëtarët rusë argumentojnë se kur energjia e Përshpejtuesit të Madh përqendrohet në një element nënatomik, me madhësinë e një të biliardës së një mushkonje, ajo mund të krijojë gjëra të çuditshme në krijimin e universit, që është një përzierje e hapësirës me kohën që shkencëtarët e quajnë hapësirë-kohë.

Teksa graviteti i Tokës mund të krijojë ndryshime të vogla dhe të buta në hapësirë-kohë, energjia e Përshpejtuesit të Madh mund të ndryshojë aq shumë kohën saqë ajo të rikthehet në gjendje të mëparshme. Ky kthim është i njohur për fizikanët si “lakoret e mbyllura të kohës” dhe duhet që, të paktën në teori, të vizitojmë të paktën disa momente të së kaluarës.

Kjo skemë e ka origjinën e vet në vitin 1988, kur profesor Kip Thorne dhe kolegët e tij në Institutin e Teknologjisë së Kalifornisë, të vendosur në Pasadena, vërtetuan se “vrimat depërtuese” (një teori e pranuar gjerësisht në fizikë, sipas së cilës vrimat depërtuese janë një kalim i shkurtër mes hapësirës dhe kohës në atë që shkencëtarët quajnë hapësirë-kohë) ose tunelet ndërmjet kohë-hapësirës mund të lejojnë udhëtimin në kohë. Kjo skemë u bë mjaft e njohur nga Carl Sagan, i cili e përfshiu si ide në librin e vet, që më pas u bë edhe film, me titullin “Kontakt”.

Profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich mendojnë se Përshpejtuesi i Madh mund të krijojë vrima depërtuese dhe si pasojë të lejojë një formë udhëtimi në kohë. “Ne arritëm në përfundimin se lakoret e mbyllura të kohës dhe vrimat depërtuese mund të jenë gjithashtu një pasojë e përplasjes së elementeve nënatomikë”, - thotë profesoreshë Arefeva.



Megjithatë, ka sërish një sërë pengesash për mundësitë e kësaj hipoteze. Më e rëndësishmja ndër to është fakti se këto janë thjesht vrima shumë të vogla depërtuese, aq të vogla saqë vetëm elementet nënatomike janë mjaftueshëm të vogla sa të mund të udhëtojnë në to.

Dy shkencëtarët rusë i thanë gazetës britanike “The Daily Telegraph” (Dhë deilli telegraf – Telegrafi ditor) se pyetja nëse udhëtimi nënatomik në kohë nëpërmjet Përshpejtuesit të Madh do të hapte rrugën për udhëtimin në kohë të objekteve të madhësisë së njeriut “është një pyetje e thellë dhe interesante”, porse theksuan se “këto probleme, por edhe një sërë problemesh të tjera, kanë nevojë për hetim të thelluar shkencor dhe nuk mund të marrin përgjigje të thjeshtë dhe të shpejtë”.

“Ndoshta ajo që mund të shpresojmë më shumë e që mund të realizohet nga Përshpejtuesi i Madh, është që ai të tregojë a të vërtetojë një shenjë sado të vogël të ekzistencës së vrimave depërtuese”, - thotë doktor Volovich. Nëse një pjesë e energjisë e krijuar nga përplasja e elementeve nënatomike të Përshpejtuesit të Madh humbet, ajo mund të shkaktohet nga krijimi i vrimave depërtuese, që do të thotë se përplasja ka krijuar elementë që kanë udhëtuar në kohë nëpërmjet këtyre vrimave.

Një tjetër pikë interesante dhe e rëndësishme deri tani për konceptin e vrimave depërtuese është gjetja e llojeve të materialeve të panjohura ose të përdorura për arsye të tjera, që fare mirë mund t`i quajmë ekzotike, të cilat do të jenë të afta që të mbajnë grykën e vrimës depërtuese të hapur për udhëtimin në kohë.



“Energjia e zezë, një forcë misterioze kundër gravitetit, që mendohet se është elementi kryesor përbërës i hapësirës, mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet për të mbajtur hyrjen në një vrimë depërtuese të hapur, të paktën sipas një prej teorive të shumta dhe shpeshherë kontradiktore për natyrën e ekzistencës dhe ndryshimit të vrimave depërtuese, që quhet energjia fantazmë”, - thonë dy shkencëtarët rus.

Nëse gjatë këtij viti, një përzierje e çuditshme e elementëve nënatomike që përplasen me njëri-tjetrin dhe e energjisë fantazmë krijon vrimat depërtuese në Gjenevë të Zvicrës, qytetërimi i zhvilluar i së ardhmes që ne nuk e njohim, mund ta gjejë këtë datë në librat e tyre të historisë, ta shënojë dhe ta piketojë këtë moment dhe të gjejë shansin nëpërmjet avantazhit të teknologjisë për të na vizituar, sipas shkencëtarëve.

“Faktet empirike të mbledhura nga vite punë vijojnë të na lejojnë të themi se energjia fantazmë ekziston”, - thotë Robert Caldwell, një fizikan në Kolegjin e Dartmuthit në Hanover të Nju Hempshajërit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Për sa u përket spekulimeve të bëra nga profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich për mundësinë e prodhimit të elementëve të nevojshëm të makinës së udhëtimit në kohë nëpërmjet Përshpejtuesit të Madh, uf...!”, - thotë ai.

Një tjetër shkencëtar i madh në botën e fizikës, që beson se udhëtimi në kohë është i mundshëm, profesor David Deutsch, i Universitetit të Oksfordit në Angli, Mbretëria e Bashkuar, komenton: “Është spekulative deri në ekstrem, por jo e pamundur. Për një sërë arsyesh unë nuk mendoj se mekanizmi që dy profesorët rusë propozojnë, do të funksionojë (thënë ndryshe që do të prodhojë një rrugëkalim për udhëtarët nga e ardhmja që të na vizitojnë), edhe sikur spekuluesit të kenë të drejtë”, - thotë ai për gazetën “The Daily Telegraph”.

Doktor Brian Cox, i Universitetit të Mançesterit në Angli në Mbretëri të Bashkuar shton në komentin e profesor Deutsch-it se kjo fuqi mund të mos jetë aq e madhe sa e parashikojnë profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich në hipotezën e tyre.



“Energjia e miliarda rrezeve kozmike, qofshin këto diellore apo jo, që kanë gjuajtur dhe vijojnë të gjuajnë atmosferën e planetit tonë për më shumë se pesë miliardë vite janë shumë herë më të mëdha sesa ato që mendohet se do të krijojë Përshpejtuesi i Madh e kështu, në bazë të logjikës së propozuar nga dy shkencëtarët rusë, udhëtarët e kohës duhet të na kenë vizituar disa herë e të jenë ndërmjet nesh akoma edhe tani, - thotë doktor Koks nga Universiteti i Mançesterit. – Nëse këto vrima depërtuese shfaqen, unë personalisht do të ha kapelen që më kanë dhënë gjatë ditëlindjes sime të parë, përpara sesa të ma japin”.

Standart

No comments: