Tuesday, November 24, 2009

"I denoncoja ato që shihja, por nuk mora asnjëherë përgjigje"

Kam punuar në administratë dy vjet e gjysmë, nga 2006 deri në mesin e 2008-ës. Ajo që më bënte përherë përshtypje ishte fakti që në kontratat për tenderët zgjidheshin gjithmonë ato që ofronin më shumë, kurse ata që kishin oferta të ulëta dhe që i leverdisnin buxhetit të shtetit, për çudi, kishin gjithmonë "diçka mangët në dokumentacione"(!) dhe skualifikoheshin.


Fillimisht kam tentuar të lajmëroja zyrtarë të lartë në kryeministri edhe vetë kryeministrin me SMS në celular, për këtë problem, por nuk merrja ndonjëherë përgjigje. Njëherë një miku, im të cilit i ankohesha në kafe më tha: "Dëgjo, mos u bëj budalla. Ti thjesht u jep atyre një informacion të cilin ata e shfrytëzojnë për të marrë ndonjë llokmë për vete". Nuk e di nëse ishte e vërtetë, por ashtu dukej.



Që informacioni im përdorej që shefat lart t'u bënin pak presion shefave poshtë dhe të futeshin edhe ata në valle, pra, të merrnin pjesë nga ajo që i faturonin tepër shtetit. Me daljen e lotarisë amerikane, kam shpëtuar prej asaj strofke hajdutësh.


Tani që i analizoj gjërat ftohtë them se është shumë e vështirë të shërosh shtetin shqiptar nga korrupsioni. Njerëzit aty janë të babëzitur dhe nuk ngopen kurrë. Edhe projektet që përzgjidhen nga qeveria me sa duket nuk janë rastësisht ato që kërkojnë buxhete të mëdha.


P.sh., kishte edhe projekte paralele për rrugën Durrës-Kukës, me të cilat popullit do t'i kurseheshin goxha lekë dhe rruga do të bëhej. Por duheshin shuma miliardësh, sepse të tilla duhet të ishin dhe përfitimet e lobuesve dhe ndërmjetësve të shumtë politikë e teknikë që kjo vepër ka pasur.


Disa ditë më parë pashë sërish në sajtin e qeverisë në internet që kishte një projekt për të lidhur Tiranën me Elbasanin, ku parashikoheshin kosto të llahtarshme për një vend të varfër si yni. Ndërkohë që për këtë segment ka një projekt tjetër që kushton shumë më pak. Atëherë, pse zgjidhet i shtrenjti??


Pse hyjmë në borxhe si vend, që të paguajmë një projekt që nuk është rentabël ekonomikisht?


Me sa duket nevojat e disave kërkojnë këto rrugë me kosto të larta, ndoshta sepse aty 10 përqindëshi i "argitave" nëpër administratë është shumë më i lartë se në një vepër me parametra normale dhe të përshtatshme për ekonominë e brishtë shqiptare.


Letër e nënshkruar A.R. / lexues Florida, SHBA, Shekulli

No comments: