Monday, November 16, 2009

Shqiptari që fitoi në ‘38 lotarinë franceze prej 1 mln frangash

Shqiptarët në Stamboll
1. Në Stamboll janë tre grupime shqiptarësh, shqiptarë që kanë emigruar për fare dhe tashmë janë nënshtetas turq, kolonia shqiptare si dhe refugjatët shqiptarë.


a) Shumë nga shqiptarët që janë shtetas turq komunikojnë me familjet e tyre në Shqipëri, i vizitojnë ata ndonjëherë por edhe ju dërgojnë para. Si nënshtetas turq që janë, është më e lehtë për ta që të shkojnë në Shqipëri dhe të kthehen prapë në Stamboll. Për këtë arsye, shpresojmë që në mesin e tyre të zgjedhim korrierët tanë. Fatkeqësisht, ata nuk mund të udhëtojnë në Shqipëri pa marrë vizat italiane dhe për të marrë këto viza duhet minimumi 6 javë dhe maksimumi 6 muaj. Pasi të marrin vizën, gjërat lëvizin më shpejt dhe një muaj është i mjaftueshëm për korrierët që të shkojnë dhe të vijnë nga Stambolli. Gjithsesi, përzgjedhja e korrierëve është e kushtëzuar nga rregullat turke, të cilat thonë se askush nën 45 vjeç nuk mund të largohet jashtë Turqisë për momentin.

b) Kolonia shqiptare është shumë e varfër dhe përbëhet nga punëtorë të thjeshtë të lindur në Shqipëri, të cilët kanë emigruar për bukën e gojës. Të gjithë janë myslimanë apo ortodoksë nga Jugu i Shqipërisë. Janë rreth 1000 kryefamiljarë. Varfëria e tyre dhe origjina e thjeshtë i bën ata të pakualifikueshëm për çështje politike. Po kështu, nuk kualifikohen as si korrierë, pasi nëse largohen nga Stambolli nuk vijnë dot më për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, mund të arrihet diçka më indirekt nëpërmjet tyre. Kur konsulli i thirri një ditë dhe ju tha se Konsullata italiane do t’ju jepte falas certifikatat me të cilat ata mund të qëndronin në Stamboll dhe ai nuk e mbante dot Konsullatën hapur nëse ata nuk paguanin për këto certifikate si në kohën e Zogut, ata të gjithë vendosën që t’i paguanin këto certifikata, me gjithë varfërinë e tyre. Pagesa është rreth pesë paund. Si një mjek i mirë, konsulli nuk ju merr këtë pagesë atyre që janë të varfër shumë. Me këto pagesa që ata bëjnë është e mundur që Konsullata të mbahet e hapur, duke u bërë kështu një pikë referimi për Shqipërinë e Lirë.

c) Mërgata është e përbërë nga njerëz të cilët e lanë Shqipërinë në momentin e pushtimit nga italianët. Pjesa më e madhe është në një gjendje të mjeruar, pasi i kanë shpenzuar të gjitha të ardhurat që kishin kur ikën nga Shqipëria, dhe si pasojë e kualifikimit që kanë nuk mund të gjejnë një punë të përshtatshme këtu. Ushtarakët janë të shumtit e kësaj kategorie. DALIP ZAVALANI, për shembull një ekspert i bujqësisë i edukuar në Austri dhe në Shqipëri dhe pinjoll i një familje bejlerësh dhe pashallarësh nga Selaniku, tashmë jeton në një bodrum dhe mbahet vetëm me ndihma nga miqtë e tij. Ai kërkon punë, por është shumë e vështirë të gjesh punë në Turqi për ekspertizën e tij. Kështu edhe të tjerë. Si rezultat i gati tre viteve në emigracion, Mërgata e ka humbur vetëpërmbajtjen dhe janë përçarë brenda vetes. Ata janë ndarë në grupe të vogla ku njeri grup nuk i flet tjetrit, gjithsesi disa prej tyre pasi kanë dëgjuar që unë jam këtu, janë afruar me shpresën se Anglia do t’i ndihmojë në këto momente të vështira.



Shënime për disa nga përfaqësuesit e mërgatës
-1. Asaf Bej Xhaxhuli: ish–ministër në Stamboll. Është i kulturuar dhe patriot, por i paqëndrueshëm në karakter dhe ka reputacion që ju thotë çdo gjë turqve. Është pro Zogist. Për arsye sigurie nuk e kam kontaktuar akoma, por kur ta bëj këtë gjë do të jem shumë formal dhe do të dëgjoj se çfarë ka për të thënë.

-2. Sermet Bey Xhaxhuli: Vëllai i vogël i Asafit, ish-konsull në Uskup (Shkup). Në 1938 ka fituar vendin e parë në një lotari franceze, thuhet rreth 1 milion franga franceze të paguara në monedhë zvicerane. Kështu që ai tashmë është shumë i pasur me standardet shqiptare. Ai është pro Zog dhe i tregon çdo gjë të vëllait, i cili ja thotë me siguri turqve. Ai shpenzon diçka nga paratë e tij për të ndihmuar miqtë e tij në vështirësi. Ka marrë vizë për në Amerikë dhe Angli. Ka informuar ambasadën tonë se dëshiron të shkojë në Kanada për të punuar për çështjen shqiptare si dhe për biznesin e tij. Ndoshta ai e ka kuptuar rrezikun që mund të ketë Stambolli nga forcat gjermane dhe dëshiron të largohet. Vitin e kaluar, kur ky rrezik ishte i madh, ai dhe disa të tjerë u bënë gati për t’u larguar në USA, ndërsa të tjerët u bënë gati për të shkuar në Iran. Por, kur ky rrezik nuk ishte më prezent, të gjithë qëndruan këtu. Vëllezërit Xhaxhuli jetojnë në një apartament të mirë në rrugën ‘Ajaz Pasha’ me një qira, që duhet të jetë rreth 150 lira turke në muaj. Asaf Beu e shiti makinën një vit pas okupacionit italian, pasi nuk e mbante dot me të ardhurat që kishte. Kanë edhe dy vëllezër të tjerë, të dy nënshtetas turq njëri doktor dhe tjetri nëpunës në Stamboll. Mendoj se si konsulli, si ministri jetojnë me paratë e tyre dhe nuk marrin të ardhura të tjera nga të tjerë. Familja është nga Leskoviku, në jug të Shqipërisë.

-3. Shaqir Hajrullah, i njohur edhe si Kastrati për anglezët në Stamboll. Ish-zëvendës konsull në Stamboll dhe vazhdon akoma të punojë në Konsullatë. 33 vjeç, i lindur në Gjakovë të Jugosllavisë, nga e cila familja e tij u largua më 1919 si pasojë e persekutimit. Është edukuar në ‘Robert Kolegj’, në Stamboll.
A/H 21 na ka informuar se ai punon për italianët dhe No 2 këtu ka raportuar në Londër (me Telegramin 1455 për numrin 588), se e ka parë edhe me konsullin gjerman. Megjithatë, për mua të dyja këto informata janë false. A/H 21 nuk mund të flasë mirë për një emigrant nga Gjakova. Ndërsa No 2 ka treguar shenja që kërkon të më mbajë për vete, duke përfituar në këtë mënyrë famë për veten e tij, por edhe ndoshta përfitime financiare nga vizita ime këtu. Një mënyrë për t’i mbajtur të tjerat larg, është sigurisht t’i akuzosh ata që bashkëpunojnë me armikun. Faktet në favor të Hajrullahut janë të forta. Ai është një patriot me një të kaluar edhe financiare mjaft të pastër të cilën unë e di që prej tre vitesh. Unë e kam testuar atë për sa i përket gjermanëve, kur i sugjerova që nëse Stambolli kapet nga gjermanët, ai të kërkonte mbrojtje prej tyre. Ai më tha se kjo ishte e pamundur, pasi pak më përpara sulmit gjerman ndaj Rusisë ai ishte zënë me fjalë me konsullin gjerman në një pritje duke e akuzuar se ishte mik i armiqve të shqiptarëve. Ai është shumë i dobishëm për mua, duke më dhënë këshilla për shqiptarët e Stambollit, buletinët konsullorë, por edhe duke më dhënë informacion mbi vullnetarët në trupat degoliste. Po kështu, është përpjekur të na gjejë njerëz për në Palestinë si dhe mënyra për të dërguar para tek njerëzit tanë në Shqipëri. Është mjaft e dukshme se ai është shumë i varfër. Rrobat që mban dikur kanë qenë më të mira se ç’duken sot. Nuk frekuenton më kafenetë dhe e ka lëvizur Konsullatën në një ndërtesë shumë të vogël si dhe nuk ka më telefon privat, por përdor telefon publik. Ai e menaxhon Konsullatën vetë si dhe me ndihmën e një kushëriri, që nuk e paguan dot më për punët që bënte në Konsullatë. Ai më thotë se jeton vetëm me të ardhurat që nxjerr nga lëshimi i certifikatave për Koloninë dhe tashmë i ka kërkuar Mbretit Zog një ndihmë të vogël, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ajo që deri më sot Mbreti Zog ka dërguar për Konsullatën është 5000 lira turke, por sot edhe të vëllanë me babë, Princin Xhelal e ka lënë pa gjë fare. Meqenëse Hajrulla është kaq i gjendshëm për mua dhe kaq i varfër, sugjerimi i D/H 13 për t’i dhënë atij 300 lira në muaj më ka gëzuar shumë. Nëse Gjermania e merr Stambollin, nuk ka më shpresa se Hajrulla do të punonte për ne. Ashtu si kundër italianëve, ai do të ishte në një pozicion tepër delikat nëse punonte për ne, dhe për këtë arsye ai mund të shkojë në Iran nëse kjo gjë ndodh.

-4. MUSA JUKA: Ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë ka kërkuar për të më ndihmuar. Një nga njerëzit më të këqij në Shqipëri, ai ka qenë edhe një nga më të aftët atje, dhe për këtë cilësi unë i kam kërkuar shërbimin e tij. Pozicioni i tij financiar nuk është shumë i qartë. Ai jeton në një apartament të mirë në të njëjtën rrugë me atë të ministrit, me gruan dhe katër fëmijët e tij. Ai ndoshta ndihmon edhe nipin e tij, Fadil dhe familjen e tij si dhe disa familjarë të tjerë. Muhamet Halili më ka informuar se ai është në gjendje financiare kritike, saqë gruaja e tij ka filluar të shesë gjerdanët e saj, por gjithsesi Halili nuk është shumë i besueshëm. JUKA, gjithsesi e zgjati dorën, edhe pse në mënyrë delikate në takimin e dytë që patëm së bashku. Ai u ankua për vështirësitë financiare që kishte, duke mbështetur gjithë këtë familje si dhe më tregoi Deklaratën e Autoriteteve Doganore mbi të ardhurat që solli më vete kur hyri në Turqi. Ai kishte deklaruar 1500 franga shqiptare të këmbyera me 375 lira turke, 500 napolona flori si dhe 40 lira turke në vlerë të gjerdanëve të gruas. Disa burime të tjera më kanë informuar se ai u tregua shumë i zgjuar duke i ndarë të hollat midis atij dhe të birit, duke i deklaruar veç e veç në doganë. Ai ka shumë mundësi që të ketë para në Zvicër, pasi kur franga zvicerane ra në vlerë pak më parë se italianët të pushtonte Shqipërinë, shumë shqiptarë të ndershëm qeshën “me paratë që të gjithë hajdutët në Tiranë humbën me rënien e vlerës së frangës zvicerane”, Musa Juka ishte një prej atyre që humbën. Nëse ai kryen një punë shumë të veçantë për ne, ndoshta ne mund t’i japim herë pas here ndonjë dhuratë, por kjo do të jetë e gjitha. Ai është shumë i zgjuar dhe e kupton se nëse Shqipëria do të fitojë me ndihmën britanike, ai do të fitojë pikë duke na ndihmuar ne dhe ambicia e tij nuk ka kufij. Gjithsesi, ai është shumë i papranueshëm për Koloninë Shqiptare. Disa prej tyre nuk pranojnë as që edhe ta shikojnë. Ai është në marrëdhënie pak më të mira me disa prej shqiptarëve që janë subjekte turke. Në fakt, ideja për gjetjen e korrierëve midis tyre është e tija. Problemi qëndron në dërgimin e mesazheve nga miqtë tanë në Shqipëri. MP ndoshta mund t’i përgjigjet, ndërsa Muharrem Bajraktari kurrë. Ka mjaft gjak midis tyre. Juka ndoshta do të na vendosë në kontakt me një shoqëri sekrete në Shqipëri të quajtur ‘Dora e Zezë’ si dhe mund të na gjejë njerëz për në Palestinë. Gjithsesi, idetë e tija janë ato për të cilat unë me të vërtetë kam nevojë. Ai është në marrëdhënie shumë të këqija me gati të gjithë Mërgatën, aq sa ai nuk shkon në 7 prill në Konsullatë, kur shumë vetë u mblodhën për të mbajtur zi. Ai punon i vetmuar, dhe kjo në fakt është shumë mirë për mbajtjen e sekretit. Sipas një telegram që C ka marrë në 1940 në Athinë nga Koloneli Sterling, atij i është premtuar se do të evakuohet nëse Stambolli bie në duart e gjermanëve. Ndoshta një mënyrë më e lehtë do të ishte që të kërkonte mbrojtjen gjermane, ashtu siç ju dha në fakt Gani beut në Beograd dhe Koço Kotes në Athinë. Meqenëse të birit i është dhënë vizë gjermane nga Franca për në Stamboll, ai mund të marrë mbrojtje me lehtësi. Ne do ta dëmtonim shumë çështjen tonë në sytë e çdo shqiptari nëse do ta merrnim në mbrojtje apo do ta ndihmonim ta evakuonim atë, gjë për të cilën nuk ka arsye ta bëjmë.


Firmosur D/H 274
aurontare@gmail.com , G. Shqiptare

No comments: