Monday, November 23, 2009

Me kallsh drejt NATO-s (Zhaku)

Me fotografinë me një tufë lule në dorë, nën lavdinë e të ndenjurave të kalit të Skënderbeut me jakë të bardhë, përparëse të zezë, flokë të prera shkurt e me balluke, sandale e çorape të bardha, çelet cikli mësimor i vetes time! Çdo kujtim, bardhë e zi! Edhe tufa e luleve marrë borxh një shoqes sime, sa për një fotografi. Edhe ajo, ndonëse atëherë me ngjyra, sorollatet nëpër kujtimet e mija, si një tufë krizantemash bardhë e zi.
Në ditën e parë të shkollës, unë shtrëngoja në grusht, borxhin tim të parë. Ah! Borxhi i parë nuk harrohet kurrë!
Nisa të marr yjet e parë, pikturuar për merak nga vetë dora e mësueseve nëpër fletore diktimesh. Flamujt e parë i mbaj mend të kuq, pa asnjë pikë të zezë në mes.
Mësuesit e parë, i mbaj mend skematikë e të drejtë deri në vdekje! Çuditërisht, edhe pse De Jure, veshjet e mësuesve shqiptarë quheshin Fustane ose Kostume, De Facto ato ngjanin si Uniforma! Tani që po e mendoj më mirë, nuk qe faj i fotografisë kapturimi bardhezi i çdo çasti të atëhershëm, por i vetë realitetit.
Mësuesit e dytë, i kujtoj të çoroditur nga shpërtheci i Demokracisë. Të gjithë veshur e mbathur me lloj-lloj cikurriash! Mësueset u shndërruan pothuajse të gjitha në Samanta Foxe, ndryshimi i vetëm mes Mësonjëtoreve dhe Semit qenë: cilësia e lëkurës së fytyrës, e flokëve të shkumosur me sapun 15-ç dhe e audiencës, e cila në rastin e Zyckave shihte si protagonistë tufa të tëra me nxënës tetëvjeçareje, ndërsa në rastin e Semit anëtarë NATO–je dhe BE-je. Mbaj mend se familjet shqiptare më të privilegjuara nuk qenë më familjet e dëshmorëve, por të emigrantëve.
Shqiptarët e zëvendësuan Skënderbeun, të vetmin STAR shqiptar me famë botërore me komisar Katanin!
Asnjë hero i mëparshëm nuk ka nxjerrë më shumë lot prej syve të shqiptarëve me vdekjen e tij, sa Katani kur vdiq, kur mbaroi Oktapodi! Çuditem se si NDONJË ministri të Kulturës, Rinisë së Valleve e konkurseve të bukurisë, së Turizmit me rroba banjoje blerë tek Gabi që të jenë D&G, sportit të fshirjes nga listat e INTER Federatave, nuk i ka shkrepur ende ideja e investimit të gjithë buxhetit të vitit në realizimin e një skulpture parku me trupin e fytyrën e komisar Katanit! Shtatorja e Katanit do t'i shtonte shumë hijeshi parkut përreth Parlamentit. Aty prehen të gjithë ata që derdhën lot e qyrre pas vdekjes së komisarit euroatlantik.
Mësuesit e tretë, i kujtoj agresivë! Në vend të fshikullonin veten me njëmijë kamxhikë si ndëshkim për paaftësinë e të shpjeguarit shkencën një fëmije, rrihnin fëmijët deri në gjakosje, shoqëruar me qortime fyese e rënduese. Nuk do ta harroj kurrë fluturimin e një shoku klase, nga njëri krah i dërrasës së zezë në tjetrin, dendur me grushtet e mësuesit të matematikës, një farë... Shyqyriu, vetëm sepse nuk dinte të ndante 4-ën në dysh!
Burrat u shndërruan në Van Dama, Arnolda dhe Rocky Balboa!
Ndërsa gratë, në personazhet dramatikë të telenovelave si Dinastia (edhe pse i përkon një periudhe pak më të hershme se koha në fjalë, qe një influencë e madhe në krijimin e modelit të gruas shqiptare), Beautiful, Santa Barbara etj... etj...
Televizori nisi të bllokojë Kohën e Albaniansave, vëmendjen e tyre, dashurinë e tyre, paratë e tyre. Të gjithë nuk ngurruan të investojnë çdo kursim në krijimin e një trofeu Ginesesk siç njihet ndryshe, SAÇI! Mbi çdo çati shqiptari, Saçi hidhte hijen e lavdisë së tij. Prej çdo dritareje, Saçi spiunonte ç'bënte bota, e ia nxirrte çdo shqiptari në ekran! Këtë herë, jo më, bardhë e zi! Ngjyra, ngjyra, ngjyra...! Shqiptarët iu dedikuan ngjyrës me besnikëri e devotshmëri. Çdo thua gruaje me bojëra që flakërinin me kilometra larg. Çdo flok femre u zveeeeerdh e u skuq! E zeza u largua për shumë kohë nga Shqipëria! Burrat, meqë janë me TABON, u morën me imazhin e familjes. Imazh, i cili shoqërohej me ndonjë 240-ç të verdhë, ose jeshil, ose të kuq, ose blu, me një apartament me të paktën një kat të shtuar pa pyetur për Shtetin, lyer nga jashtë vetëm katrorët e metrave personale, me ndonjë ngjyrë rozë, ose të blertë, me Saçin që thithte gjithë llumin e botës e ia përcillte nëpërmjet kabllove të sajuar mrekullisht çdo SHQIPTARI!
Më pas, televizionet shqiptare nisën të fuqizohen papritur aq shumë, saqë konkurruan sypatrembur çdo televizion ndërkombëtar që u kish treguar Saçi në TV. BingoMania u shndërrua në kult! Shqiptarët e zëvendësuan ditën e diel nga ditë Altaresh e lutjesh fetare, në ditë BINGOTEKE! Të gjithë shqiptarët ëndërronin të bëheshin milionerë nëpërmjet një bilete bingoje. Ose prej ndonjë fature autografuar nga Hasudet, Shemsiet e Vehbiët!
Të gjithë punonin për të blerë sa më shumë bileta bingoje. Sa më i madh numri i biletave, aq më të larta shanset për miliona!
Bingotekat i shtrinë filialet e tyre në çdo institucion shtetëror, si p.sh.: Teatri Kombëtar, Estrada e Tiranës, Pallatet e Sporteve, Pallati i Kulturës, kinematë shpeshherë premionin dishepujt e Bingos edhe me ndonjë hardcore porno film!
Më pas, shqiptarët iu lëshuan KALLASHIT ......me KALLASH, drejt NATO-s!

No comments: