Tuesday, November 3, 2009

Paraja, rrënja e së keqes ?

Paraja sjell botën vërdallë. Por, a është e mirë për ne? A mundet që vetë ekzistenca e parasë, pa diskutuar jemi apo jo lakmitarë, të jetë një problem serioz?

Kur njerëzit thonë se paraja është "rrënja e së keqes" zakonisht nuk nënkuptojnë se vetë paraja është rrënja e së keqes, por lakmia për të. Ashtu si Saint Paul, nga i cili ka dalë edhe kjo thënie, që diskuton vetëm për dashurinë për paranë. A mundet që vetë paraja si objekt të jetë problemi kryesor?



Kështu mendonte Karl Marx. Në Dorëshkrimet Ekonomike dhe Filozofike të vitit 1844, një punë rinore, e cila mbeti e papublikuar dhe e panjohur deri në mesin e shek të 20, ai e përshkruan paranë si "agjenti universal i ndarjes", pasi i transformon karakteristikat njerëzore në diçka tjetër.

Një njeri mund të jetë i shëmtuar, shkruan Marx, por nëse ka para, mund të "blej" për vete gruan më të bukur. Pa para, natyrisht, do t'i duheshin shumë më tepër cilësi njerëzore. Paraja, mendonte Marx, na largon nga natyra jonë e vërtetë njerëzore dhe nga njerëzit tanë.

Reputacioni i Marx-it u fundos, pasi njerëzit mendonin se teoria e tij ishte e gabuar. Më vonë, në vitin 2006, studimi i kryer nga Kathleen Vohs, Nicole Mead dhe Miranda Goode i publikuar në revistën "Science", evedenton se mbase Marx ishte drejt një rruge të saktë.

Në një seri eksperimentesh, Vohs dhe kolegët e saj, gjetën disa mënyra për t'i bërë njerëzit të mendonin për paranë pa i thënë ta bënin atë në mënyrë direkte. Ato u jepnin njerëzve për shembull detyra për të deshifruar fraza të ngatërruara rreth parasë. Me disa të tjerë përdornin taktika të tjera, si p.sh., i linin afër një një shumë të madhe parash ose disa të tjerëve u tregonin imazhe të dominimit të parasë. Njerëzve të tjerë, të zgjedhur rastësisht, u jepnin për të deshifruar fraza që nuk kishin të bënin me paranë, nuk u linin afër shuma parash dhe u tregonin imazhe të ndryshme nga grupi i parë. Në çdo rast, ata që ishin shtyrë të mendonin rreth parasë - le t'i quajmë grupi i parasë - silleshin ndryshe nga ata që nuk mendonin rreth tyre.

" Kur u jepnin një detyrë të vështirë dhe u thonin se mund të kërkonin ndihmë, personat në grupin e parasë e kishin të vështirë ta kërkonin.

" Kur u kërkohej atyre ndihmë, personat në grupin e parasë harxhonin shumë më pak kohë, duke ndihmuar të tjerët.

" Kur u thuhej të lëviznin karriget në mënyrë që të flisnin me njëri-tjetrin, personat në grupin e parasë linin një distancë më të madhë ndërmjet karrigeve.

" Kur u kërkohej të zgjidhnin një aktivitet dëfrimi, personat në grupin e parasë zgjidhnin zakonisht aktivitete, të cilat mund të ishin dëfrime individuale, pa përfshirë njerëz të tjerë.

" Si përfundim, kur personave në grupin e parasë iu sugjeruan të dhuronin për bamirësi, disa nga paratë, të cilat i kishin fituar për pjesëmarrjen e tyre në eksperiment, ata dhuruan shumë më pak në krahasim me ata, të cilët nuk ishin shtyrë të mendonin rreth parasë.

Kujtuesit e vegjël dhe të parëndësishëm të parasë bënë një diferencë shumë të madhe në rezultatet e studimit. Për shembull, kur grupi i kontrollit ofronte 42 minuta kohë për të ndihmuar njëri-tjetrin në deshifrimin e frazave, personat në grupin e parasë harxhonin vetëm 25 minuta dhe pjesën tjetër të kohës e përdornin si kohë shtesë për të deshifruar frazat e tyre.

Në të njëjtën mënyrë, kur dikush bënte sikur ishte pjesëmarrës në eksperimnt dhe u kërkonte ndihmë, ata harxhonin shumë pak kohë, duke e ndihmuar, më pak se gjysma e kohës që vinte në dispozicion grupi, i cili nuk ishte i predispozuar të mendonte rreth parasë. I njëjti rezultat ishte edhe me provën e dhurimit të parave ku personat në grupin e parasë nuk ishin të predispozuar të dhuronin për bamirësi paratë që kishin fituar nga eksperimenti.

Përse paraja na bën më pak të predispozuar për të kërkuar ose për të dhënë ndihmë?

Vohs dhe kolegët e saj sugjeron se, që në momentin që shoqëria filloi të përdorte paranë, domosdoshmëria për t'ju mbështetur familjes dhe miqve u zvogëlua dhe njerëzit filluan të bëheshin më individualistë. "Në këtë mënyrë" përmbyllin ata, "paraja rrënjosi individualizmin dhe zvogëloi motivimet shoqërore, një efekt që është mëse i dukshëm në jetën e përditshme të njerëzve".

Ky në fakt nuk është një shpjegim i detajuar, përse fakti i të menduarit rreth parasë bëri një diferencë kaq të madhë tek rezultat e studimit, duke ditur që çdo njeri është në kontakt të vazhdueshëm me paratë gjatë gjithë ditës. Duket se këtu ka diçka që ne nuk arrijmë ta kuptojmë plotësisht.

Në fakt, asnjë nuk do të kthehet në periudhën e thjeshtë të shkëmbimit. Paraja na bën të mundur tregtinë dhe na bën të mundur të përfitojmë nga aftësitë dhe avantazhet e njëri-tjetrit. Pa para, njerëzit do të ishin ekstremisht shumë të varfër, jo vetëm në sensin financiar.

Por, tashmë që jemi në dijeni se çfarë fuqie të madhë izoluese ka vetëm mendimi për paranë, nuk mund të vazhdojmë të mendojmë se, roli i parasë në jetët tona është totalisht neutral. Nëse për shembull, një organizatë prindërish lokale dëshiron të ndërtojë një kënd lojrash për fëmijët, do t'i duhet t'i kërkojë pjesëtarëve të organizatës të kryejnë një punë vullnetare apo do t'i duhet të bëjë një fushatë sensibilizuese për banorët e zonës që të mbledhin fonde dhe të punësojnë një kompani ndërtuese?

Propozimi i ekonomistit të Universitetit të Havard-it, Ronald Fryer, për të paguar studentët e varfër që janë mirë me mësime, është një fushë që të jep shumë shteg për të diskutuar rreth përdorimit të parasë. Nëse paratë do të ishin neutrale në jetën tonë, atëherë beneficet e përdorimit të parasë duhet të ishin të barazvlefshme me koston financiare.

Eshtë një gabim i madh të mendosh, se të lëshosh paranë të mbizotërojë çdo sferë të jetës tonë do të vinte pa kosto të tjera shumë më të larta, të cilat janë shumë të vështira të shprehen me terma financiare.

Përgatiti:Klarita Bajraktari, Explorerunivers.com

No comments: