Saturday, November 14, 2009

Në supermarketin e fëmijës së përsosur

Dy mijë fëmijë ngjizen çdo vit falë "ndihmës" së shoqërisë daneze "Cryos", banka më e madhe e dhuruesve të spermës në botë. Donatorët janë të gjatë, biondë dhe të shëndetshëm, ndërsa fëmijët mund të zgjidhen edhe për ngjashmërinë me babanë steril...

Janë të gjatë, biondë dhe të arsimuar. Emrat i kanë Peter, Hans Lars apo 221, 343, 997. Disa prej tyre kanë marrë pjesë në ngjizjen e më shumë se një mijë fëmijëve, të lindur në Brazilia, Dubai apo Singapor, por që nuk do t‘i njohin kurrë. Këta prindër të teknoshkencës pa kufij janë shpëtimtarët e çifteve sterile. Janë dhuruesit e spermës në "Cryos", bankës së parë të spermës në planet që e ka selinë në Aarhus, qyteti i dytë më i madh në Danimarkë, i famshëm për universitetin e tij. "Për këtë arsye thuajse të gjithë janë studentë, të cilëve në këmbim të spermës u ofrojmë mundësinë e të qenit baba", thotë Ole Schou, 55 vjeç themelues dhe drejtor i përgjithshëm i shoqërisë daneze. Në hyrje të "Cryos" sheh një pikturë gjigante ku në një oqean notojnë qindra mijëra spermatozoide të ngjyrosura me portokalli. Një pikturë e çuditshme që do të stononte kudo, por jo këtu. Në të djathtë janë dhomat e vogla ku kryhet çdo shërbim. Në sfond dëgjohet një muzikë e lehtë, ndërsa në mure një ekran që transmeton filma porno. Në krah, ndodhen laboratorët ku menjëherë pas dhurimit sperma analizohet, pastrohet dhe vihet në ngrirje. "Këtu brenda ka material për lindjen e 4 mijë fëmijëve", thotë Schou, duke ngritur kapakun e një bidoni të madh prej alumini nga i cili del një re e bardhë me ajër shumë të rëndë. 4 mijë bebe të "zhytura" në azot të lëngshëm. Para se të shitet, sperma qëndron e ngrirë për gjashtë muaj në karantinë, për të qenë të sigurt se nuk ka asnjë rrezik për sëmundje infektive. Çdo vit, "Cryos" është i pranishëm në lindjen e rreth 2 mijë fëmijëve dhe e shpërndan "produktin" e saj në 64 vende, duke u munduar të shmangë në secilin prej tyre pengesat që propozojnë ligjet mbi fekondimin artificial. Që nga fillimi i historisë së krijimit të saj, d.m.th që nga viti 1991, banka e spermës daneze ka siguruar 400 mijë ngjizje në të gjitha kontinentet.

Një shifër vërtet rekord, por edhe një shifër që të fut frikën. "How danish sperim is conquering the world", shkruante e shqetësuar një e përditshme britanike disa muaj më parë. Vërtet që vikingët po "pushtojnë" botën? "Është vetëm një titull bombastik i një gazete. Dihet që shtypi është shumë i aftë për këto gjëra", tregon themeluesi i "Cryos". "Për të ndryshuar donatorët, në të njëjtën kohë edhe ofertën tonë kemi hapur një degë tonën në Nju Jork dhe një në Nju Delhi, sepse vërtet nuk mendoj se një çift afrikan ose aziatik dëshiron një fëmijë me flokë biondë dhe sy bojëqielli". Me një numër prej 20 të punësuarish dhe një xhiro prej 3 milionë eurosh në vit, "Cryos", është një shoqëri në zgjerim e sipër. Biznesi për shitjen e spermës funksionon për mrekulli. Megjithatë, ka edhe shumë probleme të tjera sipas fjalëve të Schou, që mbështet rolin humanitar të kësaj organizate. "U ofrojmë ndihmë atyre që nuk duan të merren me të ashtuquajturin "tregun e zi", me një partner të çfarëdoshëm, të parin që të del përpara për të mënjanuar sterilitetin e meshkujve". Deri pak vite më parë, klientët në bankat e spermës përbëheshin pothuajse 80 për qind nga çifte heteroseksualësh, 10 për qind çifte homoseksualësh dhe 10 për qind gra beqare. Sot këto përqindje kanë ndryshuar krejtësisht nga modeli i ri i shoqërisë.

Aktualisht, thonë drejtuesit, kërkesat nga gratë beqare kanë shkuar në 40 për qind. Në Europë ka pak oferta për dhurues sperme, sepse në vendet që kanë eliminuar anonimatin e dhuruesve, mes të cilave Suedia dhe Britania e Madhe, burrat që pranojnë të japin spermën e tyre po rrallohen gjithmonë e më shumë. E njëjta gjë vlen edhe për Gjermaninë ku të njohësh origjinën tënde është një e drejtë kushtetuese. Siç ndodh me fëmijët e adoptuar, që gjithmonë e më tepër duan të njohin babanë e tyre gjenetik.



E bombarduar me kërkesa, "Cryos" nuk mund të lejojë në seleksionimin e donatorëve. Për momentin janë rreth 300. Punojnë disa dhjetëra vjet, gjatë të cilëve mbyllen nëpër dhoma të paktën 5 herë në ditë. "Janë ata që na ndihmojnë të ofrojmë një gamë të gjerë ‘produktesh‘", shpjegon Ole Schou, i cili qesh edhe kur e akuzon për eugjenikë. "Ngjizja e një fëmije është një çështje kaq delikate dhe kaq personale sa nuk shoh asnjë problem në faktin që duhet vepruar si është më e mira, madje edhe duke vendosur për ngjyrën e lëkurës apo flokët e të porsalindurit". Në të vërtetë, kriteret e zgjedhjes janë shumë herë më të shumta në numër, duke u nisur nga fakti që ekzistojnë shumë lloje sperme. Para së gjithash, mund të zgjedhësh mes profileve "bazë" dhe atyre "të zgjeruara". Të parët janë ata që kanë vetëm një numër: me pak fjalë janë anonimë, ndërsa të dytët kanë një emër dhe shpesh vijnë nga dhurues që kanë një titull universitar, për të cilët mund të shohësh fotot e tyre kur kanë qenë fëmijë dhe të njohësh pemën gjenealogjike. Gjithçka bazohet te premtimi, mbi iluzionin thonë shkencëtarët, se cilësitë, qoftë këto edhe intelektuale transmetohen me ADN-në. "Cryos" ofron edhe diçka tjetër; mundësinë për të gjetur një dhurues që i ngjan babait steril. Për këtë mjafton të dërgosh një foto dhe të paguash 25 euro. Asgjë, në krahasim me bankën e madhe të spermës në Kaliforni, e cila hedh në faqen e saj të internetit listën e të ashtuquajturve "dhuruesve që ngjajnë". D.m.th që ngjanë me personazhe të tilla si: Clark Gable, John Kennedy, Antonio Banderas dhe Barack Obama.

Shqip

No comments: